Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Tunelet sekrete të Rripit të Gazës

| E diele, 11.01.2009, 11:10 AM |


Rrjeti i kalimeve të fshehta nga kalojnë ushqimet dhe armët është shënjestra kryesore e izraelitëve. Por për palestinezët përbën burimin e vetëm të mbijetesës

Para katër vjetësh, Abu Said e konsideronte veten njeri të lumtur. Ndoshta jo si një vit më parë, kur konflikti mes Hamasit e Fathut i jepte mundësinë të fitonte edhe 150 mijë dollarë në ditë, duke kontrabanduar kallashnikovë e granatahedhës. Por megjithëse me shumë më pak fitime, biznesi i tunelit që kishte gërmuar nën kufirin egjiptian vazhdonte t‘i garantonte fitime të bollshme për të mbajtur me rroga 12 punëtorë, ndërmjetës e transportues. Tani ka marrë fund, thotë me telefon nga Khan Junis, një zonë në jug të Rripit të Gazës: "Bombardimet kanë shkatërruar një të tretën e tuneleve. Pula e vezëve të arta ngordhi".

Objektivi parësor i operacionit "Plumbi i shkrirë", i nisur nga ushtria izraelite më 27 dhjetor, është ndalimi i raketave të lëshuara nga Hamasi kundër qytetit Negev, ngulmon Dore Gold, president i Qendrës Jerusalem për Marrëdhëniet Publike. I dyti, "më i rëndësishëm akoma", është zhdukja e trafikut të armëve: "Mes hapësirës kohore 2005-2006, kur Hamasi mori në dorë fuqinë, arsenali i Gazës shkoi nga 179 në 946 raketa, një kërcënim i patolerueshëm për sigurinë e Izraelit".

Që nga fillimi i ofensivës, Kryeministri izraelit Olmert i përsërit kombit të vet: "Rezultati ynë duhet të jetë bllokimi efektiv i Aksit Filadelfi". Rruga e luftës. Armë zjarri, mina, fishekë që në zhargon quhen në arabisht "bizer", fara.

Vajtje-ardhjet e municioneve në korridorin që ndan Gazën nga Egjipti janë të pabesueshme, nuk mund të krahasohen madje as me ato në luginën Beka të viteve shtatëdhjetë.

"Në gjashtë muajt e fundit, ata të ashtuquajturit e paqes, Hamas, kanë importuar 80 tonelata eksploziv", llogarit Mate Levit, drejtor i Programit Stein për Kundërterrorizmin në Institutin Uashington, autor i studimit "Udha e parave: gjetja, ndjekja dhe ngirja e finance të terroristëve".

Gjithçka në emër të luftës. Por në Rripin e Gazës, i rrethuar që nga viti 2007, kur Izraeli dhe Egjipti iu përgjigjën goditjeve të Hamasit duke bllokuar të gjitha rrugët e duke mbyllur 3900 biznese në Gazë, tunelet, më shumë se sa një kanal tregtie armësh, u kthyen në supermarketin që siguron mbijetesën e një milionë e gjysmë banorëve të varur në masë shumë të madhe nga ndihmat humanitare. Përmes tuneleve, banorët mund të blejnë dhi, çokollata, grurë, ashtu si edhe motoçikletat e kromuara kineze që kanë nisur të pëlqehen së tepërmi.

Khaled Abu Saleh kaloi përmes një prej këtyre tuneleve bashkëshorten egjiptiane. "Dy të tretat e produkteve që tregtohen në Gaza kalojnë përmes tuneleve ku punojnë 12 mijë njerëz", vëren ekonomisti palestinez Omar Shaban. Një xhiro e nëndheshme biznesesh me një total prej 650 milionë dollarësh në vit, që, siç bën me dije e përditshmja izraelite "Ynet", me kuotimin e plotë të fjalës "ka mbajtur" 28 mijë banorët e Rafahut, qyteti në kufirin egjiptian, ku mes viteve 2008-2009 papunësia ra nga 50 në 20 për qind.

"Në Rafah jam i vetmi që nuk kam përdorur kurrë tunelet, e megjithatë gjendem sot pa shtëpi e pa dyqan", tregon 25-vjeçari Asad Asana. Ulëret në mikrofonin e celularit për të mbuluar zhurmën shurdhuese të bombardimeve që godasin lagjet në afërsi të kufirit, Tel Zareb, Al Abur, Brazil, ku prej 30 vjetësh jetonte me familjen në një ndërtesë që tani është rrafsh me dheun. Asad është i bindur se bombardimet do të vazhdojnë deri te tuneli i fundit: "Kam numëruar 19 për gjysmë ore".

Sot, armiku kryesor për Izraelin është ky rrjet i nëndheshëm që shtrihet në një rreze prej katër kilometrash. Abu Saidi e njeh si pëllëmbën e dorës së vet: "E gërmova tunelin e parë në vitin 1984, isha 15 vjeç. Fillimisht kalonim vetëm ar e ilaçe, në vitin 2000 mbërritën armët dhe tregtia fluturoi, lufta është një biznes i mrekullueshëm".

Nën kujdesin e Hamasit, bën me dije Shërbimi i Fshehtë Izraelit, rrjeti u shtua deri në një total prej 500 galerish, të gjata nga 400 në 900 metra. "Për tunelet nuk ekziston asnjë lloj zgjidhjeje politike, na mbetet veç të kontrollojmë territorin me sizmografë e radarë", thotë Uzi Dajan, zëvendësshef i Shtabit Madhor Izraelit. Në vitin 2005, para tërheqjes, Izraeli mbikëqyrte një rrip prej 70 metrash. Sot, kanë hyrë në lojë Hamasi dhe Egjipti, dhe terreni për t‘u kontrolluar është shumëfishuar.

Rruga është e gjatë. "Në rast se do të arrijmë ta shkatërrojmë rrjetin e kontrabandës në Rafah, komuniteti ndërkombëtar do të bëjë presion të fortë për të na detyruar të hapim shtigje të vogla", vëren Martin Kramer, analist në Institutin Adelson të Studimeve Strategjike në Jerusalem. Me mbylljen e rrugëve të luftës, mbyllen edhe dyqanet e mbijetesës. "Është hera e parë që në Gazë ndjemë urinë", thotë nga Nju Jorku Abu Zajd, përgjegjës i UNRWA, Agjencia e Kombeve të Bashkuara që merret me palestinezët. Dje, Nima Burdeini, nënë nga Rafahu, gatoi për 11 fëmijët vetëm pure domatesh: "E hëngrën me lugë".

Ndërmjetësit po punojnë mbi një plan që të ketë parasysh nevojat për mbijetesë të njërës palë e kërkesat për siguri të tjetrës. Autoriteti Palestinez, kundërshtar i Hamasit, pret me dëshirë praninë e observuesve ndërkombëtarë, me kusht që të mos përzihen shumë në çështje të brendshme, siç ndodhi me të dërguarit e Unifil-it në Liban.

Izraelitët kanë hedhur idenë e një kanali nënujor për të penguar gërmimin e tuneleve, gjë që do të kërkojë 250 milionë dollarë shpenzime. Ide mjaft kreative, por tepër e kushtueshme për Efraim Inbar, studiues nga Tel Avivi, sipas të cilit mundësia e vetme qëndron te "bindja e Egjiptit për të ndalur kontrabanduesit në truallin e tij".

Ndërkohë, në Rafah, Abu Sufian nuk dorëzohet, pret të përfundojnë bombardimet për të shtënë përsëri në dorë katër tunelet e veta: "U gënjen mendja. Do të nisim përsëri të gërmojmë, sikur edhe të jemi të detyruar që këtë ta bëjmë nën det".

G. Shqip