Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Enver Idrizi, shqiptari kampion...

| E diele, 30.07.2006, 05:54 PM |


Kampioni botëror i karatesë tregon sekretet me Van Damin

Enver Idrizi është ndër shqiptarët, që padyshim e meriton të futet ndër më të shquarit sportistë të racës tonë. Jo vetëm pse është kampion në karate, por edhe pse është një shqiptar i mirë, që ka luftuar dhe me mjete të tjera për dinjitetin e kombit. Emrin, kampionit të Evropës dhe të Botës ia kisha dëgjuar shpesh, ndërsa nga afër e takova në zyrë, ku ai erdhi për të na vizituar. Më pas u takuam përsëri, derisa siguruam një intervistë për të cilën Enveri, shprehu respekt të veçantë. Rruga nëpër të cilën ka kaluar karriera sportive e karatistit të shquar është e gjatë. Imagjinoni dhe merrni me mend një djalosh që ndjek me vëmendje stërvitjen e vëllait të tij të madh dhe i qeshej fytyra kur ai e lejonte t'i mbante çantën sportive. E pikërisht ky djalosh, kur nuk kishte mbushur ende 16 vjeç, do të përfaqësonte Maqedoninë për të rritur dhe do të fitonte titullin kampion në ish Jugosllavinë e atehershme. Karrierën e ka nisur në Shkup. Pas kësaj kampioni do të kishte gjithandej kërkesa nga klubet sportive. Ndër ofertat e paraqitura ai do të zgjidhte atë të Mostarit. E lidhi kontratën me një shumë të madhe, shumë të cilën ai e investoi, por që më vonë lufta rrafshoi jo vetëm lokalin e tij të veçantë, ndër më piktoreskët dhe më të frekuentuerit nga turistë, por shkatërroi gjithë perlën turistike me emrin, Mostar.

Rezultatet sportive në Mostar kanë qenë të jashtëzakonshme. E kërkuan klube me emër nga shumë vende të Evropës, por ai zgjodhi Zagrebin. Në qytetin e bukur kroat, Enver Idrizi ka arritur rezultatet kulmore të karrierës së vet. Për një 10 vjeçar ka qenë karatisti më i mirë në botë dhe është zgjedhur si karatisti më i mirë i të gjitha kohërave.

Kur e pyes Enverin se si ka arritur të ngjitet në të përpjetat e vështira të kampionit, ai përgjigjet thjesht: me vullnet, disiplinë, që ma ngulitën nëna dhe baba që në vogli. Ja kaq. Nuk e beson? Ndoshta nuk beson as faktin se kur kam shkuar për ndeshje kam pasur shok vetëm veten dhe çantën e sportit, ndërsa të tjerët vinin me një skuadër të tërë shoqëruesish, mjekë, trainerë, masazherë, e ku di unë. Unë fillikat. Fare vetëm nuk isha se kisha shok veç çantës edhe Zotin, edhe titullin që nuk e lija t'më largohej.Nuk ka qenë e lehtë për mua që ta fitoj dhe më pas ta ruaj titullin e kampionit europian e botëror. Kam patur përballë karatistë të shkollave të njohura dhe me shumë emër si ata të shkollës japoneze, kineze, amerikane, por gjithmonë ia kam dalë në krye pasi kam besuar tek vetja dhe tek Zoti. Në të gjitha sallat e botës ku kam garuar, jam pritur tamam si kampion. Kundërshtarët nuk e kanë patur të lehtë. Lloji i karatesë që aplikoj është shumë e atraktiv dhe tepër i pëlqyer nga vetë karatistët, por edhe nga publiku. Në lartësinë e kampionit qëndroj prej vitesh. Dhe për këtë arsye jam shumë i lumtur. Jam krenar që jam shqiptar dhe që në të ardhmen do t'i kontribuoj kombit tim -, thotë kampioni i karatesë, Enver Idrizi.

I them kampionit: Ju edhe pse nuk keni konkuruar me flamurin shqiptar, asnjëherë nuk e keni fshehur të qenurit shqiptar, përkundrazi e keni thënë me plot gojë: Jam shqiptar!

- Shumica që janë munduar të fshehin identitetin e tyre kanë gabuar. Si mund të fsheh gjuhën me të cilën më ka përkëdhelur nëna? Kurrkush nuk të do nëse nuk e do veten dhe kombin të cilit i përket. Tek unë, dhe, me sa kam vëzhguar, tek populli im, nuk luan rol të madh feja, por kombi, ai është mbi të gjitha.

Edhe unë gjithherë prezantohem se jam shqiptar. Unë mendoj kështu për lidhjen me atdheun dhe popullit që i përkasim: Deri në moshën 15 vjeçare nuk kam qenë në dijeni se kujt i takoj përveç prindërve. Prej moshës 15 vjeçare e deri në moshën 20 vjeçare, çdonjërit i pëlqen vetja dhe mendon se është i fortë, i bukur dhe mendon se tërë botën mundesh ta fusë në një xhep. Kjo është një moshë që gjithkush do ta kalojë, padyshim edhe unë e kam kaluar. Nga mosha 20 vjeçare edhe më tutje nuk i takon veç familjes tënde, por i përket një familjeje të madhe, që është kombi.

Bisedën me Enverin e ndërtoj me pyetje e përgjigje:

-Sa tituj mbani? Sa medalje keni fituar në një karrierë kaq të gjatë e kaq të shkëlqyer?

-Them se së pari kam qenë i pari në fshat, më vonë, i pari në botë. Sa medalje pyesni ju? Kush i numëron. Më duket se i kam nja 12-13 kilogramë medalje.

- Përse zgjodhi karatenë Enver Idrizi, e jo një sport tjetër? -Shiko, vëllau jem, Dalip. Te shqiptarët është interesant, sukseset i kemi tek sporti individual. Ndoshta kjo ka ardhur edhe për shkak të diskriminimit në ish Jugosllavi, ku shqiptarët privoheshin, ndërsa në sporte individuale, si mundja, boksi apo katrateja, s'kishin se si të diskriminonin se gjithçka vendosej ballëpërballë. Kjo është e para, por unë mendoj se ka ardhur koha që të jemi të suksesshëm edhe në sportet kolektive, sidomos në Kosovë, por dhe në hapësirën tjetër shqiptare, në Maqedoni e Mal të Zi.

- Më pas Enveri shton mes një të qeshure të zgjatur: Është shumë intersant fakti se kur është vetëm, shqiptari qeverisë ose komandon dhe botën, ndërsa kur bëhen dy, e prishin.... nga zilia e njeri-tjetrit! Pse ai dhe jo unë!

-Si e shpjegon Enver Idrizi këtë lloj filozofie?

- Faktet, sidomos në politikë, si në Kosovë dhe në Shqipëri, ka kohë që nuk po e gjejnë fjalën me njeri-tjetrin, as kur është fjala për interesa madhore të kombit. Ka ardhur koha të bashkohemi dhe ta ndërtojmë një Shqipëri të bukur dhe t'i tregojmë botës se kemi filluar të kuptojmë vlerat e bashkimit dhe të integrimit.

- Sporti i karatesë ka gjetur shumë përkrahje tek shqiptarët e Kosovës, e posaçërisht tek brezi i ri. Çfarë mesazhi do t'u përcillnit të rinjve të cilët kanë filluar të fitojnë çmimet e para këtu në Amerikë?

- Unë i përgëzoj dhe do të preferoja t'u thosha që të punojnë sa më tepër se ka ardhur koha që të prezantojmë flamurin tonë së bashku me pasportën tonë. Më pas Enveri zbulon një sekret që ka kohë që e bluan në mendje. Ai është duke punuar që të ngrejë një qendër gjithëshqiptare, të cilën do ta emërtojë: Instituti i të gjitha trojeve shqiptare. Do të jetë një qendër ku do të përgatiten e studiojnë sportistët e vegjël nga e gjithë hapësira shqiptare. Ai parashikon që në mjediset e Institutit të ketë jo vetëm salla ushtrimi, palestër, por dhe menca e ndërtesa fjetje.

- Gjithçka do të jetë në baza profesionizmit, - thotë ai.

- Në shtyp është shkruar edhe për ëndërrën tjetër të Enver Idrizit, atë të ekranit. E pyes nëse vazhdon brenda vetes ëndërra e hershme?

- Ai përgjigjet se nuk i bëjnë përshtypje më emrat e mëdhenj të ekranit, aktorët e shquar të Hollywood-it. Dikur ishte ndryshe. Fama e tyre, dikur i kishte ngacmuar sedrën dhe dëshirën. Kujton se para ca kohësh e kishin ftuar që të merrte pjesë në një përzgjedhje seleksionuese për një film. Bëhej fjalë për një film aksion: "Në Afganistan". Masa e të ftuarve ishte e madhe, ndërsa pak prej tyre do të mbeteshin për në ekran. Enveri tregon se nuk kishte shpresë se mund ta zgjidhnin, por në fund vendosi të shkonte. Kur pa masën e madhe prej 300 kandidatësh, i humbi shpresat. Kishte ndër ta bijë artistësh me zë, njerëz të cilët ishin rritur dhe kishin jetuar përherë pranë ekraneve televizive, ndërsa
ai , asnjë çikë përvojë. Kujton se fillimisht e humbi vetëbesimin, hera e parë që i ndodhi një gjë e tillë. Kujton se u mbyll në dhomën ku e kishin vendosur dhe dyluftoi psikologjikisht me veten. Mendova: Kush jam unë? Jam "ai djali i cili deri para pak kohe kam ngrënë bukë e çaj, kurse ata janë djemtë e artistëve të cilëve buka u ka ardhur te shtrati. Ky lloj sporti do forcë, do karakter të fortë, do njeri të vuajtur. Unë i kam këto. Atëherë pse mendoj se do të zgjidhen ata dhe jo unë? Forca! Do të fitoj, i thashë vetes!".

Dhe gjërat rrodhën natyrshëm. Pas 10 ditësh ushtrime, 5 ditë testim, dhe ai ra në sy si më i miri dhe natyrisht që u zgjodh. Enver Idrizi, e quan me fat ditën që mundi të takohet me Pjetër Malotën, shqiptarin tjetër të shquar, sidomos në ekran. Ai thotë se Pjetër Malota, është njeri i madh, sportist i madh që ka luajtur përkrah Van Damit. Enveri tregon se iu përgjigj menjëherë ftesës që iu bë për të luajtur disa sekuenca në filimin "Order". Në ato momente kampioni ynë ishte i angazhuar në stërvitjen e luftëtarëve në luftën e Luginës së Preshevës dhe atë të Maqedonisë, por Malota I kishte dërguar njerëzit e tij dhe e kishin marrë për xhirime. Kampioni e ndjen veten të lumtur që ka marrë pjesë në atë film.

- Besoj që pas përfundimit të këtij filimi, Malota do të më ftojë të marrë pjesë edhe në disa sekuneca të filimit "Superman", - thotë Idrizi.

- Çfarë ka ndier ai kur ka qenë përkrah Van Damit?

- Jo ndonjë gjë të veçantë. Më shumë e kam respektuar Pjetrin se sa Van Damin. E kam një kuluturë familjare që më së pari respektoj timin, pastaj të hujin. Unë kam thënë se Van Dami është edhe më i bukur, edhe më i fortë, padyshim dhe më i famshëm se ne. Ai ka emër më shumë, ka pasuri më shumë. Kurse po të dilte ballëpërballë për t'u ndeshur me mua apo Pjetrin, të them të drejtën, me dy shuplaka rrëzohet në tokë. Kur më kanë ballafaquar me të për herë të parë, ai ka menduar dhe është frikësuar se mos unë do ta godisja. I ka thënë në anglisht Pjetrit, se mos më godet vërtetë ai! Kuptohet që kemi qeshur me frikën dhe shakanë e tij. Van Dami ka qenë i habitur me mua se kur kemi bërë stërvitje së bashku asnjëherë nuk e kam prekur. Dhe ai ka thënë se kjo është hera e parë, që dikush nuk është treguar para tij më i fortë. Se të gjithë që e kanë stërvitur e kanë bërë një gjë të tillë. Unë e kam kuptuar se ai është vetëm një artist dhe kaq. Ndërkaq më kujtohet një rast sa ishim duke xhiruar, kur erdhën disa kampion
ë dhe ne filluam të ndesheshim, duke qëlluar njeri-tjetrin. Van Dami ishte i ulur në një qoshe dhe vetëm na vështronte. Atëherë unë kam treguar forcën time duke mposhtur kundërshtarin. Dhe kjo ishte arsyeja pse ai më simpatizonte. Çdo ditë kemi qenë bashkë, edhe Van Dami dhe Pjetri. Të gjitha meritat i ka Pjetri dhe Zoti. që unë pata rastin të aktroj me Van Damin. Po edhe të mos kishte qenë Pjetri, ndoshta një ditë do të arrija deri tek Van Dami, por ajo do të ishte bërë pas shumë e shumë barrikadave që do të më sfidonin.

- E pra, kemi edhe Pjetër Malotën edhe Enver Idrizin, dy maja të sportit shqiptar. Kemi Malotën që është pjesëmarrës në më shumë se dhjetë filma.

Si u takuat me të?

- Në Amerikë jemi takuar. Pjetri ka dëgjuar për mua sa isha kampinon i Jugosllavisë. Pra në kohën sa unë po qëndroja atje. Fillimisht jemi dëgjuar në telefon dhe me një herë jemi vëllazëruar. I ka hypur makinës dhe nga Detroiti, dymbëdhjetë orë udhëtim, ka ardhur në Neë York. Dhe si jemi parë, menjëhere jemi përqafuar. Biseda jonë e parë ishin planet tona për të ardhmen.

- Si i ka përcjellë ngjarjet e hapësirës shqiptare Enver Idrizi, luftën në Kosovë, dëbimin masive të shqiptarëve të Kosovës, luftën në Maqedoni?

- Lufta e Kosovës më ka tronditur. Kur serbët nisën spastrimin, unë kam shkuar në Maqedoni dhe kam ndihmuar në sistemimin nëpër shtëpi shqiptarësh të kosovarëve pleq, të sëmurve dhe të vegjëlve. Dhe dy muaj para se të përfundonte lufta, kam shkuar në Shqipëri, në kampet e kosovarëve, për të hyrë më pas në Kosovë. Atje kam ushtruar luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe këtë gjë nuk e fsheh aspak. Mirëpo, kur kam shkuar në Kosovë jam ballafaquar me një përçarje të madhe të popullit tim. M’ka dhimbë zemra për atë realitet të trishtuar. Disa më thonin mos shko me Rugovën disa mos shko me Thaçin. Unë i kam thënë se i takoj çështje kombëtare dhe asnjë lideri politik, se liderët janë të vegjël përpara popullit. Mua nuk më interson politika. Mua më intereson vetëm kombi. Së bashku me Ismet Bexhetin kam ndihmuar shqiptarët në Ballacë. Nuk kemi bërë ndonjë gjë të madhe. Bukë iu kemi dhënë, por besoj se dhe ky është kontribut. Pas hyrjes së trupave të NATO-së, kam hyrë në Kosovë edhe jam marrë me aktivitet
e të tjera. Kam ndihmuar në ndërtimin e varrezave. Kam filluar të investoj që në ndërtimin e memorialeve të Bekim Berishës, të cilin e njohin të gjithë, që ka luftuar në Kroaci, Bosnje dhe Kosovë e deri në projektin e kompleksit të Adem Jasharit. Me fillimin e luftës në Luginë të Preshevës, kam qenë atje bashkë me luftëtarët. Deri në momentin e fundit kam qëndruar përkrah tyre. Më kujtohet një moment kur më kanë arrestuar forcat amerikane të KFOR-it. Në atë moment kam qenë duke i stërvitur ushtarët e UÇPMB-së. Dhe me këtë rast kam qenë i arrestuar 24 orë. Edhë në konfliktin në Maqedoni nuk mund të rrija indiferent. Nuk mundesha të barktisja vendin e të parëve se atje kam varrin e babës e të nanës, i kam vëllezërit dhe i kam të gjithë të tjerët.

- Të kthehemi te karateja. Çfarë janë planet për të ardhmen?

- Tash në muajin e nëntë e kam një garë për herë të parë në Prishtinë. Jam duke organizuar këtë turne me një amerikan. Kjo do të jetë një histori që do të mbahet mend në Kosovë. Dhe me këtë rast po më realizohet ëndërra ime që kam pasur prej kohësh. Tash unë do ta përfaqësoj flamurin tonë kombëtar.

-Dikur keni deklaruar se jeni duke kërkuar një nuse shqiptare, a e gjetët?

-Ende jo. Më kujtohet kur nëna ime më përsëriste shpesh: "duhet m’u martu, duhet m’u martu". E unë i përgjigjesha: duhet të presim për një kohë se i kemi do obligime kombit. Sikur çdo njeri që ka fatin e jetës, edhe unë një ditë do ta gjej atë, fatin tim. Mendoj se po afrohet dita që të krijoj familje, por deri tash kam qenë shumë i zënë me karrierën sportive dhe detyrimet e tjera. Kam dëshirë që kur të martohem të jem pranë familjes. Unë mendoj të martohem me shqiptare se kur të shkoj nesër në shtëpi kam dëshirë që në shtëpinë time të flitet gjuha shqipe e jo gjuhë të tjera.

- Sa fëmijë jeni në familjen Idrizi?

- Jemi shtatë. Gjashtë djem e një vajzë.

- Çfarë kujtimesh sjell nga familja juaj?

- Unë edhe një herë them se babën e kam pasur një punëtor të thjeshtë, i cili na ka rritur në një mënyrë fantastike. Jam shumë i pasur. Them kështu se e kam pasur babën e nënën të cilët më kanë edukuar në atë mënyrën më të mirë dhe më të bukur që ekziston. Kjo është pasuri e madhe. Karakteri i një njeriu për mua është gjëja më e rëndësishme në botë. Dhe çka është më rëndësi jam krenar me vëllezërit e mi, të cilët kanë përfunduar fakultetin dhe të gjithë janë profesorë, doktorë.
Ne jemi gjashtë vëllezër, por dukemi si një. Të gjithë bashkëpunojmë me njërin -tjetërin dhe të gjithë jemi një zëri.

- Shumë familje shqiptare janë të shpërndara nëpër botë, ka ndodhur kjo me familjen tuaj?

- Padyshim. Tre vëllezër jetojnë në Maqedoni, një në Greqi dhe një tjetër në Gjermani. Motra jetonë në Zvicër, unë në Kroaci. Vëllain, të cilin e kam mjek, i është bashkangjitur UÇK-së. Dhe për këtë gjë jam shumë i lumtur.

- Arrin të bashkohet ndonjëherë kjo familje e shpërndarë, kaq ekstremisht nëpër glob?

- Shumë herë jemi bashkuar, sidomos në gëzime. Dhe të them se mendimet dhe planet i kemi shumë të përbashkëta. Edhe pse jam më i vogël prej vëllezërve nga ata kam kërkuar një gjë: të jemi mirë dhe të kalojmë mirë me njëri - tjetrin.

- Në jetën tuaj kur e keni parë veten më të gëzuar dhe në pozicionin më të vështirë?

- Njeri i lumtur je kur çohesh në mëngjes edhe merr frymë lirisht. Atëherë mund të funksionojë gjithçka si të duash ti. Kurrë nuk kam pasur problem në gara. Nuk jam frikësuar kurrë. Dy probleme më kanë shqetësuar vazhdimisht në këso rastesh: si të fitoj publikun dhe referin. Kur i kam fituar këto dy segmente, për garuesin asnjëherë nuk kam pasur probleme. Dhe çdo luftë e ka pasur rëndësinë e vet. Asnjëherë nuk kam thënë ajo qe më e keqe, kjo tjetra më e mirë.

- Prap them se momenti më të vështira ka qenë për mua lufta në Kosovë edhe veçoj çastin më të dhimshëm ët jetës time; vdekja e nënës. Kosova fitoi lirinë, nëna ime vdiq. Shiko se sa afër janë e keqja me të ligën! Por kjo është jeta!

Dalip Greca