E premte, 19.04.2024, 10:59 PM (GMT+1)

Kulturë

Ilir Muharremi: Analizë e veprës “Hëna prej letre” të Mehmet Krajës

E diele, 11.01.2009, 05:22 PM


Analizë e veprës “Hëna prej letre” të Mehmet Krajës

Nga Ilir Muharremi

Akti i parë

Me t’u ndriçuar skena, tri maska shquhen se si kanë zënë vend aty dhe rrinë si të mpira. Pesë personazhe autori i ka paraqitur me epitet maskash. Në fillim të dialogëve dominon një vetmi e thellë. Maskën I si duket e kishte marrë malli për një krrokamë korbash, sa që edhe i imiton korbat në skenë. Përveç fjalëve që Maska I i thotë Maskës II dhe Maskës III, nuk dëgjohet asgjë tjetër. Në fillim dominon paksa edhe komikja dhe kjo arsytohet me Maskën II, e cila futet në botën e korbave. Ardhjen e këtyre maskave autori nuk e paraqet kot. Ato janë të obliguara këtë luftë ta çojnë deri në fund. Por, për çfarë lufte konkretisht bëhet fjalë? Kur ende autori nuk e përmend, nuk përcakton ndonjë kohë. Këtu ai përpiqet të jetë sa më enigmatik, që ne si lexues vazhdimisht të kemi në mendje se a thua vallë për çfarë lufte bëhet fjalë?
Në vazhdimësi autori mbulon identitetin e maskvae dhe ende nuk tregohet arsyeja pse kanë ardhur deri këtu ku janë. Por, ku janë në të vërtetë, as kjo nuk përcaktohet në vepër. Këtu kemi të bëjmë me disa momente abstrakte dhe simbolike.
Nëpërmejt një ëndrre të cilën e tregon Maska II, ne si lexues kuptojmë paralajmërimet e së ardhmes të kësaj vepre. Ajo shpejgon se kinse kishte parë një ëndërr të tmerrshme. Kishte ngrënë mish të kalbur dhe se barku iu kishte fryrë. Gradualisht ka filluar të vjellë dhe nga barku ka nxjerrë disa gjarpërinj të mëdhenj e të vegjël, të zinj, të bardhë. Aq shumë ka vjellur, sa që i tërë sheshi është mbushur me gjarpërinj, të cilët kanë filluar ta hanë. Çka kuptojmë me këtë?
Nëpërmjet metaforave dhe simbolikave, autori tregon se në vazhdimësi të veprës do të paraqiten disa gjarpërinjë që do mundohen t’i hanë njerëzit. E tërë ngjarja jep imazhin e një qetësia të frikshme, të pafund. Mirëpo, a erdhën këto maska me ëndrra të frikshme apo i gjetën ëndrrat aty ku janë? Nëpërmjet dialogut që e zhvillojnë Maska II dhe Maska I, kam ardhur në përfudim se ëndrrat i gjetën këtu, ngase janë rrethuar nga frika. “Maska II: Po ëndrrat e frikshme?”, Maska I: “Ato i kishim me vete”. Maska II: “Jo! Këtu i gjeta, në këtë shkretëtirë të pafund të vetmisë”. (Mehmet Kraja, “Hëna prej letre”, fq 90, 91).
Duke lexuar me vëmendje gradualisht fillon të zbulohet frika. Autori përpiqet ta shmang frikën nga vdekja, por rrit frikën nga vetmia dhe harresa. Atëherë ne këtu menjëherë futemi në filozofinë e frikës, në konceptin e saj. Nga vjen frika? Mos vallë nga e panjohura? Autori shfaqjen e frikës e bën nga lufta. “Maska I: Nga vjen kjo frikë, që thua ti? Nga ajo luftë, të cilën ne nuk e bëjmë si duhet. (Mehmet Kraja, “Hëna prej letre”, fq 93).
Duke analizuar thellë, kam ardhur në konkludim se zhvillohet një luftë me ata të cilët nuk e duan pushtetin e maskave.
Personazhet e maskave gradulisht fillojnë të zbulohen. Këto maska janë të etura për të vrarë, për gjak, ushtarë skllavërues, mirëpo prapa syve të tyre nuk mungon edhe ndjenja e frikës, e cila vazhdimisht është e pranishme. Me dialogë të shkurtër, metaforikë, nganjëherë edhe komikë, autori përpiqet të tregojë bukurinë e fjalës. Këtu më shumë i jep rëndësi bukurisë së fjalës, ndërkaq pak ka tension. Këtu autori më shumë i ngjan një poeti që din të thur bukur vargje, sesa një dramaturgu i cili krijon konflikte edhe nga asgjëja.
Monotonia thehet atëherë kur futen Maska IV dhe V. Ndërsa, Maska, I, II e III me padurim presin fjalë nga këto dy maska. Këtu pak thehet monotonia e të vepruarit në skenë. Interesimi i madh për konceptin e veprës fillon atëherë kur Maska I pyet Maskën IV mos kanë parë gjësend. Maska V i përgjijget se kishin parë një njëri me një shkop që e ka kapërcyer rrugën. Ky njeri kishte ecur zbathur dhe me shkop kishte shkruar diçka në pluhurin e rrugës.
Autori nuk ka treguar se çfarë ka shkruar ky njeri. Këtë ai përpiqet ta mbajë sekret, ta hap imagjinatën e lexuesit që ai vetë ta zbulojë. Kështu, me këtë mister ne vazhdimisht kemi në mendje një pikëpyetje të madhe jo konkrete, por metaforike. Në çdo dialog metafora bëhet pothuasje pjesë kryesore, mirëpo nuk mungon edhe ekzistencializmi dhe absurdi.
Të gjitha maskat paraqiten si kurioze. Por, përse vallë të dy maskat nuk e kanë kapërcyer rrugën dhe t’iu kishin afruar këtij njeriu dhe ta kishin pyetur se çfarë ka shkruar? Në realitet, maskat do ta kishin bërë, ndërsa në veprën e Krajës jo. Këtu hasim në një moment, i cili i ka rrëshqitur prej dore autorit. Aq i rëndësishëm bëhet ky moment i gjurmëve, sa që Maska V thotë: “Kur i pashë ato gjurmë, me vete thashë: filloi lufta jonë e madhe!”. Maska I: “Tjetër çfarë mendove atë çast?”. Maska V: “Tjetër... Nuk e di. Ndoshta mendova për vdekjen”. (Mehmet Kraja, “Hëna prej letre”, fq 94, 95).
Kjo vepër në vete përmban edhe momente filozofike, sidomos kur flitet për vdekjen. Autori disi përpiqet t’i jep një kuptim vdekjes, siç e përmend në tekstin e Maskës III: “Por, të gjitha vdekjet kanë një emër”.
Këtu kemi të bëjmë dhe pak me absurdin, i cili është i pranishëm në shumë momente të veprës. Momenti i çmendurisë fillon kur Maska I, që kërcënohet me vdekje thotë: “Hej! Tash e di! Vdekja ime është më e mirë se jeta juaj. Do t’ju përgjoj, do ta shoh atë që bëni dhe do t’i dëgjoj ato që thoni”. (Mehmet Kraja “Hëna prej letre” fq 99).
Çka kuptojmë me këtë? Ky moment absurdi na tregon se autori është pak mistik, ai beson në jetën pas vdekjes, që ne të gjallët kemi vazhdimisht raporte me të vdekurit dhe me vdekjen tonë ne prapë rringjallemi dhe bëhemi përgjues të të gjallëve. Maska III ia fut gishtërinjtë në fyt Maskës I, derisa e vret. Kuptimin e vdekjes autori e jap me këto fjalë të Maskës II, i cili e merr trupin e Maskës I, e tërheq zvarrë deri në pjesën e përparme të skenës dhe fytyrën e Maskës I e kthen kah publiku. “Ja... Mbajeni mend! Kjo është vdekja!... Pamje të këtillë ka... Kjo është vdekja, nga e cila ne kërkojmë shpëtim!”. (Mehmet Kraja, “Hëna prej letre”, fq 100).
Maska IV dhe V janë personazhe disi jonjerëzore, të etura për vrasje dhe për mish e gjak. Ato zbulohen me vrasjen e Maskës I dhe pas vrasjes. Maska IV: “Të vdekurit janë ca parazitë të çuditshëm. Menjëherë kërkojnë t’u bëhen ca shërbime”. (Mehmet Kraja, “Hëna prej letre”, fq 101).
Në një monolog të interpretuar nga Maska III kuptojmë disa udhëzime të cilat iu dedikohen dy maskave. Të shkojnë nëpër shtëpi dhe të nxjerrin njerëz të pafajshëm, të përgjigjen për fajet që nuk i kanë bërë. Sipas autorit, këto maska si duket nuk e duan heshtjen, por vetëm vrasjen. Maskat IV dhe V sjellin me vete pesë veta: Astrologun, Maestron, Kronikanin, Poetin dhe Kryetarin e Pushtetit Lokal.

Akti i dytë

Ky akt fillon me Astrologun, Poetin, Maestron, Kronikanin dhe Kryetarin, të cilët u ngjajnë ca të mbyturve, që valët e detit i kanë hedhur në breg. Rrobat i kanë të shqyera, kurse në fytyrë e gjetkë nëpër trup kanë shenja e gjurmë të thella torturash. Nga shikimet e tyre kuptohet se gjenden në kufij të pandjeshmërisë së dhembjes fizike. Në fillim të këtij akti vërehet fuqia e pushtetit ose, më saktësisht, dhuna ndaj individit. Këtu individin e shohim tejet të pambrojtur nga këto maska. Fati i tyre tashmë dirigjohet nga dora gjakatare.
Këtu autori i paraqet maskat tejet vrasëse, vrasëse pa asnjë shkak apo arsye, thjesht për ndonjë hakmarrje. Këtu kuptojmë se gjithnjë duhet të ekzistojë dikush që ushtron dhunë, që robëron dhe pushton gjithnjë. Pyetjet e para i vërsulen kryetarit, e pyesin se kush e ka bërë një vrasje. Ai, disi i zënë ngushtë nga maskat, fillon me gjysmë zëri të përgjigjet: Kryetari: “Këta! I pashë me sytë e mi! O, po, ishte tmerr t’i shihje se si e rropën për së gjalli”. (Mehmet Kraja, “Hëna prej letre”, fq 105). Këtu kemi të bëjmë me një moment absurdi, ngase Maska II e detyron Kryetarin të tregojë për vrasjen. Atëherë Maska II i thotë: “Hesht, ti nuk ke parë asgjë. Vetëm unë kam parë atë që nuk do duhet ta shihja. Ky akt i ngjan një torture të pamëshirshme, ndërsa personazhi i kryetarit paraqitet disi i dyanshëm, sepse thotë që nëse maskat do të qëndrojnë gjithnjë në pushtet, ai do të tregojë shumë gjëra që i di.
Çmenduria fillon prej monologut të Maskës IV, i cili është kapluar nga një vetmi e mistershme. Ai kërkon gjithnjë të bëjë luftë, në të cilën as vrasjet nuk e ngushëllojnë më. Ai dëshiron vetëm fitore. Nxjerr thikën, ia vendos në fyt Astrologut duke i thënë se nëse i rrjedh ndonjë djersë në ballë ose i dridhen buzët, ai do ta vrasë. Çfarë personazhi ne kuptojmë me këtë? Një vrasës, i cili e urren frikën apo ndoshta në thellësinë e tij frika ka rol kryesor dhe kjo gjithnjë e bren. Tek ky autor frika vazhdimisht bëhet një pjesë kryesore. Për Astrologun, frika më nuk çon ndonjë peshë të madhe, sepse ai na vjen si një personazh tejet i ftohtë ndaj jetës. Për të jeta e ka humbur dikund kuptimin.
Në këtë akt vazhdimisht kemi konflikt ndërmjet maskave dhe pengjeve, mirëpo pengjet flasin shumë fjlaë të mëdha dhe ato janë të ndërtuara si personazhe, të cilat gradualisht shpjegojnë biografitë e personazheve të tjera. Secili personazh dallon nga tjetri, ka veti të veçanta në vete. Edhe maskat autori është përpjekur t’i krijojë të ndryshme nga njëra-tjetra. Loja mes pengjeve dhe maskave i ngjan një arene gladiatorësh të fortë. Këta gladiatorë tashmë vdekjen e kanë si “mirëdita”, andaj edhe nuk frikësohen dhe flasin fjalë nga ndjenjat e tyre më të sinqerta.

Ndërmjetskena e parë: “Djajtë prej letre”

Kjo skenë fillon me disa djaj prej letre, të cilët e rrethojnë Poetin. Ata luhaten nëpër ajër, dynden përpara e tërhiqen pas, varësisht nga fjalët e Poetit. Djajtë prej letre autori i ka paraqitur si pjesë e mendimeve të Poetit. Kjo skenë është më shumë surreale, se reale, andaj ka një estetikë dhe një absurd tejet të thellë. Poeti krijon një konflikt tejet serioz me djajtë, të cilët mezi i ka krijuar. Ai këtë e shpreh në monologun e tij të shkurtër se, derisa po i krijonte, ai hante thonjtë e vet. Këtu kemi të bëjmë me absurdin më të thellë, sepse djajtë e paragjykojnë zotin e tyre, Poetin, duke i thënë: Një djall prej letre: “Ne i bashkuam copat e trupit tëndë, i mblodhëm në një mijë vende dhe i sollëm këtu, që ta bëjmë këtë varr. Ne të krijuam të vdekur! Ne e shpikëm këtë natë për vdekjen tënde”. (Mehmet Kraja, “Hëna...”, fq 110). Çfarë kuptojmë me këtë? Kush kë e ka krijuar: Poeti halucinacionet apo ato Poetin. Natyrisht, Poeti halucinacionet. Mirëpo, aq reale i duken sa që shpikin që ato e kanë krijuar. Këtë gjë ato e bëjnë të jenë më bindëse ndaj egos së tij. Mirëpo, ato pohojnë se e kanë krijuar të vdekur, e jo të gjallë. Ky moment është tipik i çmendurisë së rëndë. Kjo skenë ka të bëjë paksa edhe me hakmarrjen. Djajtë paraqiten si halucinacione që mund t’i realizojnë të gjitha dëshirat e Poetit, madje edhe ringjalljen e mikut të tij të vdekur dhe t’i jenë forcë për hakmarrje. Poeti kundërshton çdo ofertë të djajve. Këtu autori përpiqet të krijojë një konflikt mes egos. Sikur egoja të jetë kundër vetes, të kërkojë shpjegime dhe oferta nga vetja e tij. Kjo gjë ekziston në psikologjinë e njeriut. Në librin “Psikologjia” të autorit Terri F. Pettijohn, në kapitullin për skizofreninë thuhet: “Shumë persona me skizofreni provojnë përfytyrime të paqena (deluzive) ose besojnë në gjëra që nuk mbështeten te realiteti. Gjitashtu, ata kanë vështirësi ta ndajnë realitetin nga fantazia”. (Terri F. Pettijohn, “Psikologjia”, fq 473). Në këtë mënyrë na paraqitet personazhi i Poetit në dramën e Krajës, si një skizofren paranoik. Poeti përveç që është një skizofren, ai paraqitet tejet i fortë ngase ai nuk do ndonjë mbretëri që e sundon lehtë. Por, cili është qëllimi i djajve të tij, ngase edhe ata paraqiten me ndonjë qëllim? Çfarë dëshirojnë ata të marrin nga poeti?
Këtë mister, Kraja e shpjegon nëpërmjet një monologu të një djalli: “Ne jemi ushtri e padukshme e vullnetit tënd të përmbysur, të mirësisë tënde të pështirë, të dinjitetit tënd të fyer! Ne jemi vrasësit dhe shpëtimtarët e tu. Ne e duam jetën tënde për aq sa ajo i jep shkëlqimin nxirjes sonë. Kur të mos na duhesh më, të lëmë në duart e atyre që kanë zënë të ta thyejnë derën...”. (Mehmet Kraja, “Hëna...”, fq 111). Kjo skenë është paksa edhe metaforike, sepse në shumë dialogë autori ka përdorur metafora dhe simbole. Mirëpo, çmenduria fillon të thellohet në egon e poetit, nga e cila ai nuk mund të dalë. Në mendjen e poetit paraqitet e mira dhe e keqja, të dyja luftojnë brenda në të. Duke analizuar thellë poetin na del se ai e dinte që ka komunikuar me djajtë e tij. Nëpërmjet djajve ai i shihte edhe personazhet e tjera si p.sh Kryetarin, Maskën IV etj.

Skenë e ndërmjetme: “Hëna prej letre”

Është natë. Në skenë duket vetëm Astrologu i dehur. Mbi kokën e tij qëndron e varur një hënë prej letre. Përveç kësaj, kjo skenë fillon me konfliktin ndërmjet Astrologut të dehur dhe hënës. Astrologu, i cili është duke urinuar në mes të rrugës, e tall hënën duke i thënë: “Mëkat që nuk je më poshtë, që këtë shurrë të ta hedh në fytyrë”. Përse këtë fjalë fyese ia thotë hënës? Sipas të dhënave nga autori, Astrologu hënën e përdor vetëm si simbol. I flet fjalë fyrëse, madje e quan edhe kurvë që ka fjetur me të gjithë. Përse e bren kjo këtë personazh? Kush është kurvë, ngase në momentet e dehjes njeriu gjithnjë e nxjerr jashtë të vërtetën. Andaj, autori këtë bukur mirë e arsyeton. Kjo skenë vazhdon me dehjen e Astrologut. Disa kalimtarë tallen me të duke e pështyrë apo duke urinuar mbi të. Ky personazh aq na duket i fyer dhe i pambrojtur, sa që më nuk ndikohet nga asnjëri. Ai krejt fjalët e mëdha dëshiron t’ia thotë hënës, metaforës së tij kryesore. Këtu kemi një konflikt mes ekzistencës së njeriut më hënën. Një hënë, e cila nuk di të kthejë përgjigje, fiton kritika dhe pyetje të mëdha nga Astrologu i shkretë. Tërë skena i ngjan një çerdheje të të çmendurve. Edhe Maska II interesohet për hënën. Si duket, hëna zë rolin kryesor metaforik këtu. Në këtë skenë paraqitet Kryetari. Këtë personazh autori e ka ndërtuar disi si spiun, ngase ai dëshiron të qëndrojë në anën e maskave, sepse pushtetin e mbajnë maskat sllavëruese. Ndërkaq, Kronikani në këtë skenë vjen si një personazh i cili ëndërron ta shkruajë librin e shenjtë të historisë, mirëpo fletoret i ka humbur dikund. Edhe Kronikani, Kryetarin e quan Judë. Këtë emër autori e ka përdorur si emër tradhtari, sepse dihet nga historia që Juda e ka tradhtuar Jezu Krishtin. Andaj, Juda i kësaj vepre është Kryetari. Këtu kuptojmë se gjithkund në shoqëri duhet të ekzistojë një Judë, një gjeni, një i çmendur. E tëra kjo për të ekzistuar konflikti dhe kuptimi. Autori i veprës me mjeshtri ka ndërtuar personazhe të kundërt me njëri-tjetrin. Derisa Kronikani dhe Kryetari grinden, Maska III kënaqet dhe qeshet me të dytë.

Skenë e ndërmjetme: “Karnavali i hijeve të ngrira”

Kjo skenë fillon me vetminë e Kronikanit, i cili braktis vetminë e tij dhe fillon të flasë me hijet e ngrira. Këtu autori është përpjekur të shtjellojë misterin e vetmisë së njeriut. Raporti njeri dhe vetmi. Hija e parë: “Maskara! Nuk e paske ditur se të vetmuarit janë të dyshimtë?!”. Hija e dytë: “Edhe ata që netëve rrinë pa gjumë!”. (Mehmet Kraja, fq 119).
Në kët skenë flitet pak për historinë, të cilën e shkruan Kronikani. Këto shtatë hije tallen me të dhe i thonë njëra-tjetrës se ai nuk mund t’i zotërojë, ngase ato janë më shumë. Këtu kemi një konflikt ndërmjet një individi dhe koletivit. Kolektivi gjithnjë do të luftojë kundër natyrës së një individi dhe këtë e dëshmon edhe ky autor në këtë vepër. Sado që përpiqesh ta mundësh kolektivin, është e pamundur. Individi gjithnjë do të jetë i shtypur, mendoj unë. Ndërsa, në këtë aspekt e shohim Kronikanin e shtypur, i cili e zë kokën me duar, përpëlitet midis hunjve duke thënë: “O zot, deri kur kështu?”. (Mehmet Kraja, “Hëna prej letre”, fq 120). Kjo skenë në të vërtetë i ngjan një karnevali të hijeve, sepse ato edhe krijojnë një karneval tallës. Këtu kemi dialogë të shkurtër domëthënës dhe tejet metaforikë. Kjo skenë është e zhytur thellë në absurd, sepse kur filtet për vdekjen e Kronikanit, Maska III brohorit: “Kape andej. I vëmë shpinë për shpine. Kur i tepron pak vdekje njërit, ia jep tjetrit”. Kronikanin e tërheqin zvarrë deri tek shtylla ku është lidhur Astrologu i mjerë. Këto dy personazhe na vijnë si të mjera dhe të kuptimta. Në këtë skenë autori ka prekur pak edhe filozofinë e shpirtit, të cilin e paraqet tejet të lirë dhe të paprekshëm: Maestroja: “Këtu gabove. Shpirtrat nuk vriten me kamxhik. Asnjë vdekje nuk më poshtëron. Të gjitha i dua njësoj”. (Mehmet Kraja, “Hëna prej letre”, fq 122).

Skenë e ndërmjetme: “Marshi funebër”

Kjo skenë fillon me një rrëmujë kalimtarësh nëpër rrugë, të cilët bëjnë pyetje dhe vetëm pyetje. Në një shtyllë të rrugës është vënë një konop që përfudon me vegëz. Përfundi, i ulur në një arkë, rri Maestroja. Sipas fjalëve të kalimtarëve, Maestroja na del disi si një personazh i çmendur, i cili nuk do të vërejë se çfarë ata kërkojnë nga ai. Edhë ky akt tallës për Maestron, i cili qëndron lidhur.

Analizë: Akti i tretë

Kjo skenë fillon me marshin funebër. Maskat qëndrojnë si të mpira, me një shprehje braktisjeje në fytyrë. Kryetari tregon shenja shqetësimi. Mërmërit më vete, gjestikulon. Në këtë skenë, maskat janë të lira, ndërsa Poeti, Astrologu, Kronikani dhe Maestroja qëndrojnë të lidhur. Maska IV e publikon lirinë, ndërsa Kryetarit fare nuk i vjen mirë dhe qëndron tejet i brengosur me këtë vendim. Ai insiston të shkojë më maskat, mirëpo maskat as që brengosen për jetën e tij se çfarë do t’i ndhodhë më pas. Këtu autori paraqet spiunin si njeri që nuk e dëshiron askush - të nevojitet vetëm sa ke ti nevojë, e pastaj e braktis. Kryetari vazhdimisht ankohet se personazhet e tjera do ta hanë për së gjalli, andaj në sytë e tij shihet një frikë dhe pasiguri. Ndërsa, Kryetarin e bren se pse ka përfuduar kjo luftë aq shpejt. Po ta dinte se do të përfundohet shpejt, me siguri nuk do të bëhej spiun, por do të mbante anën e Astrologut, Poetit etj. Mirëpo, Maska III i drejtohet disi në tallje kryetarit: “Kjo nuk ishte luftë. Ishte vetëm një provokim i mendjes dhe i shpirtit”. (Mehmet Kraja, “Hëna prej letre”, fq 126).
Cili ishte në të vërtetë qëllimi i maskava? Mendoj se qëllimi i maskave ishte të mbjellin vetëm urrejtje ndërmjet këtyre njerëzve, urrejtje e cila do të kushtojë shumë shtrenjtë dhe ia arrijnë këtij qëllimi. Këtu e shohim një kthesë tejet të madhe dialogësh dhe autori bukur mirë di t’i demaskojë personazhet, të mbajë në kurreshtje deri kah fundi, e pastaj të shpalos të vërtetën. Autori përpiqet vazhdimisht të bëjë një lojë dialogësh mes jetës dhe vdekjes. Maestron e paraqet si të vdekur, ndërsa Poetin të gjallë, ngase nëpërmjet dhimbjeve në trup ai e di që është ende gjallë. Ndërsa, lufta tjetër për pushtet fillon kur në skenë futen tre veta. Ata gjejnë maskat në tokë, të cilat i kanë hedhur maskat sllavëruese dhe fillojnë të merren me to. Njëri thotë se një maskë qenka bërë enkas për të, derisa tjetri ia konfirmon mendimin. Mirëpo, njëri nga ta e ngre zërin dhe thotë: “Por, një gjë është vështrirë të dihet: kush duhet marrë me kamxhikun, kush thikën dhe cili duhet të jetë ai që urdhëron?”. (Mehmet Kraja, “Hëna prej letre”, fq 128). Këtu kemi një luftë për pushtet ose vullnet për pushtetin. Menjëherë njeriut i shkon mendja se kush do të merret me kamxhikun. Athua vallë gjithnjë duhet dikush të merret me kamxhik? Kamxhiku, si duket, është gjuha më e mirë për sqarimin e gjërave. Gjithnjë autori përdor një sulmues, i cili e ka menjëherë një kundërvënës. Luan me të mirën dhe të keqen dhe krijon konflikt mes tyre.
Kryetari në këtë skenë urdhëron këta tre veta t’i vrasin Astrologun e Kronikanin, me qëllim që ata të mos hakmerren ndaj kryetarit. Astrologu dhe Kronikani fillojnë të zgjohen. E shkulin shtyllën, në të cilën janë të lidhur, por nuk dinë ku të shkojunë dhe nis një panik mes tyre. Ata mallkojnë lirinë që e kanë fituar me shkuljen e shtyllës. Çfarë kuptojmë me këtë? Me mund tejet të madh ata e fituan lirinë. Liria erdhi, Astrologu dhe Kronikani kërkojnë të hakmerren ndaj Kryetarit, ta lidhin pas shtyllës dhe ta rrahin me kamxhik. Mirëpo, Astrologu shprehet: “Nuk e di... Se si më duket, sikur ai është fatkeq njësoj si ne. Kërkonte lirinë, por nuk dinte si ta bënte këtë”. (M.K., fq 134). Këtu del se Astrologu dhe Kronikani me mund e fituan lirinë, kurse Kryetari me mashtrimet e tij.
Kronikani dhe Astrologu nuk duan ta marrin kamxhikun, në të cilin është gjaku i tyre. Autori nuk dëshiron ta përfundojë veprën me gjak, por me arsye dhe vetëm arsye. Në fund, Kryetari hyn me rrëmbim, e merr një maskë të hedhur përtokë, e vë dhe pastaj merr kamxhikun. Shpejt e fort zë t’u bjerë me kamxhik Astrologut e Kronikanit “Te gjithë që erdhën këtu, i luta t’ju vrasin... Nuk e dija se këtë askush nuk mund ta bënte më mirë se unë!”. Këtu kuptojmë se askush më mirë nuk mund të të vrasë, sesa fqinji yt që të njeh më së miri.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora