Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Beqir Meta: Si e dëmtoi Enver Hoxha çështjen çame

| E shtune, 10.01.2009, 02:52 PM |


Nga Fatmira Nikolli

Cështja çame, ajo e një pjese të popullsisë shqiptare të mbetur jashtë kufijve të shtetit tonë, deri më sot është përmendur pak në historinë shqiptare. E megjithatë, në Çamëri historia është "shkruar" me gjak. Politika greke ka pasur një rol të madh mbi spastrimin etnik atje, por jo vetëm ajo. Ndikim tepër të madh dhe negativ e në dëm të asaj popullsie ka pasur pikërisht qeveria e shtetit mëmë. Për herë të parë, historiani Beqir Meta, pas një studimi rreth 15-vjeçar për këtë trevë me popullsi shqiptare, rrëfen historinë e Çamërisë gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore. Si filloi presioni grek ndaj popullsisë së Çamërisë, si u zhvilluan ngjarjet gjatë pushtimit italian, cili qe pozicioni i popullsisë çame ndaj këtyre pushtuesve dhe ndaj grekëve në këto momente? Edhe pse është folur shumë për momentin e fillimit të masakrave dhe politikën e Zervës, Meta tregon motivet e saj, që sipas tij ishin motivet e luftës kundër gjermanëve dhe Zerva ka qenë një aleat i fshehtë i gjermanëve në këtë kohë. Në librin që sapo është botuar, "Historia IV", Meta shkruan dimensionin e dramës, katastrofës dhe qëndrimin e forcave politike shqiptare të asaj kohe ndaj çështjes çame. Sipas dokumenteve, shkatërrimi përfundimtar i kësaj çështjeje u bë pikërisht nga politika e qeverisë shqiptare në vitet 1948-1949, e cila vuri në themel interesat e veta personale, siç ishte mbajtja e pushtetit dhe marrëdhënia me Moskën, duke sakrifikuar një çështje të madhe të interesit kombëtar siç ishte ajo çame. Në këtë intervistë, Meta rrëfen të rejat që sjell kjo histori mbi popullin çam.

Sapo ka dalë teksti i ri i "Historia IV", ku ju jeni marrë me pjesën e Çamërisë. Ju si autor, çfarë të rejash keni sjellë në këtë libër?

Unë nuk kam trajtuar vetëm çështjen e Çamërisë, por edhe çështjen e emigracionit shqiptar të diasporave. Këto kanë qenë dy nga çështjet kryesore me të cilat jam marrë. Të flasësh për çështjen e Çamërisë, do të theksoja se është gjithçka e re, sepse në tekstet e mëparshme nuk ka pasur asnjë paragraf të shkruar. Pjesa që është shkruar për Çamërinë, është një sintezë e një studimi që unë kam bërë për 15 vite për çështjen çame dhe çështjen e marrëdhënieve shqiptaro-greke. Kuptohet që ky studim është i bazuar dhe i mbështetur në studime e kërkime të reja autentike, që janë kryer në arkiva të ndryshme brenda dhe jashtë shtetit shqiptar, ku unë mund të përmend: Arkivi i Komitetit Qendror të ish-Partisë së Punës së Shqipërisë, Arkivi i Ministrisë së Brendshme, Arkivi i Ministrisë së Jashtme dhe një sërë fondesh të tjera që janë parë. Por ka pasur edhe arkiva jashtë vendit, të cilat i kam studiuar unë personalisht në mënyrë autentike, ku mbi të gjitha vlerësoj Arkivin Kombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i cili është parë dhe është hedhur në qarkullimin shkencor për herë të parë nga një studiues shqiptar. Është parë gjithashtu edhe Arkivi i Ministrisë së Jashtme britanike, që është shumë i rëndësishëm për trajtimin e kësaj çështjeje; kemi arkiva italiane, dy arkiva të rëndësishme, ai i shtabit të ushtrisë italiane dhe Arkivi i Ministrisë së Jashtme italiane dhe më pas kemi zhvilluar kërkime në një sërë bibliotekash, siç është ajo e Selanikut, Athinës, Uashingtonit, në Bibliotekën e Kongresit, Biblioteka e Oksfordit, Arkivi i Kombeve të Bashkuara në New York dhe në Sofje. Kemi bërë një gamë të gjerë kërkimesh dhe do të thosha se është një nga të paktat kërkime shqiptare që bazohet mbi një intensitet kaq të gjerë. Arsyeja ishte se kjo çështje është krejtësisht e patrajtuar dhe e panjohur dhe duhej shkruar në mënyrë sa më serioze nga pikëpamja shkencore. Tezat e tjera janë brenda librit dhe është e vështirë t'i përmbledh në pak fjalë, por nga reagimet e deritanishme të studimeve të mia janë vlerësuar jashtëzakonisht mirë nga studiues shqiptarë dhe të huaj, sepse unë shkëmbej letra dhe e-maile me studiues të ndryshëm në botë dhe besoj se teksti do t'i përgjigjet këtij niveli të studimeve që kam kryer më parë.

Ju u shprehët se keni parë shumë arkiva për sa i përket çështjes çame. Çfarë ka dalë në dritë nga këto studime?

Nëse do t'i hyjmë çështjes së subjektit, do të thosha se janë trajtuar pika të rëndësishme, ku është parë në vijë lineare politika greke mbi spastrimin etnik në Çamëri, që është një tezë e re dhe e rëndësishme. Spastrimi etnik i Çamërisë në fund të Luftës së Dytë Botërore nuk ishte rastësor ose një rast i shkëputur, por ishte një politikë e përpunuar qartë që në momentin e aneksimit të Çamërisë nga Greqia në vitin 1913. Aty është dhënë gjithë evolucioni i kësaj politike të spastrimit etnik. E dyta, është sqaruar mirë e gjithë situata e Luftës së Dytë Botërore, pasi pjesa e tekstit merret pikërisht me këtë periudhë; si filloi presioni grek ndaj popullsisë së Çamërisë, si u zhvilluan ngjarjet gjatë pushtimit italian, cili qe pozicioni i popullsisë çame ndaj këtyre pushtuesve dhe ndaj grekëve në këto momente, dhe është vërtetuar me dokumente që shumica e popullsisë qëndroi neutrale për arsye se italianëve nuk iu besonin dhe sepse grekët nuk e donin bashkëpunimin me shqiptarët në luftë me italianët. Përkundrazi, ata i paragjykuan që në fillim dhe para agresionit italian i internuan shumë prej burrave të Çamërisë, rreth 5 mijë veta në ishujt e Egjeut. Në këtë libër është shpjeguar politika italiane dhe gjermane në Çamëri, përpjekjet për ta tërhequr popullsinë në anën e tyre dhe dështimi i këtyre përpjekjeve. Rezultatet minimale të tyre janë dhënë me shifra se sa ishte mbështetja për gjermanët dhe ka qenë jo më shumë se sa një gjysmë batalioni, rreth 300 veta dhe këto forca u dislokuan jashtë kufijve të Çamërisë, kufijtë politik të Shqipërisë së sotme. Kjo ndodhi sepse qeveria kuislinge greke protestoi tek gjermanët dhe këta të fundit kishin interesat e veta që të kishin marrëdhënie të mira me atë qeveri.

Është folur shumë për momentin e fillimit të masakrave dhe politikën e Zervës, cilat ishin motivet e saj?

Absolutisht ishin motivet e luftës kundër gjermanëve dhe Zerva ka qenë një aleat i fshehtë i gjermanëve në këtë kohë. Qëllimi ishte që të përfitonte nga situata e krijuar për të realizuar spastrimin etnik, dhe ai përfitoi. Është shkruar në libër pozicioni i misioneve britanike në drejtim të popullit të Çamërisë. Leja që i dhanë britanikët vetes për të larguar shqiptarët nga shtëpitë e veta; sipas mendimit të tyre, ky largim mund të bëhej pa dhunë, por Zerva siç edhe vetë ata e analizojnë, e realizoi në mënyrë të përgjakshme. Në libër është dhënë dimensioni i dramës, katastrofës, qëndrimi i forcave politike shqiptare të asaj kohe ndaj çështjes çame. Më pas është trajtuar popullsia çame në Shqipëri si refugjate, qëndrimi i qeverisë shqiptare, qëndrimi i misioneve të huaja dhe më tej është pasqyruar edhe historia diplomatike e çështjes çame në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, momentet kur çështja ishte duke u zgjidhur, si ndërhyri politika e Kremlinit, si u përkul qeveria shqiptare para interesave të Moskës për t'u tërhequr nga një zgjidhje e mundshme në vitin 1948 dhe në fillim të vitit 1949 dhe shkatërrimi përfundimtar i kësaj çështjeje pikërisht nga politika e qeverisë shqiptare, e cila vuri në themel interesat e veta personale, siç ishte mbajtja e pushtetit dhe marrëdhënia me Moskën, duke sakrifikuar një çështje të madhe të interesit kombëtar, siç ishte çështja çame. Sigurisht, çdo gjë është e dokumentuar nga dokumente të gjetura në Arkivin e Kombeve të Bashkuara dhe dokumente të tjera të fuqive të mëdha.

Përveç këtij dëmi të qeverisë komuniste shqiptare, cilat janë politikat e tjera negative të saj ndaj popullsisë çame?

Në këtë botim është trajtuar edhe aventura e rrezikshme e qeverisë shqiptare për të angazhuar popullsinë çame në luftën civile në Greqi në krah të së majtës dhe kjo ka ndodhur në fillim të vitit 1949, kur qeveria shqiptare kishte një informacion shumë të saktë se e majta atje po shkonte drejt katastrofës, drejt dështimit. Pra ka qenë një përpjekje thuajse kriminale, ku me një gur do të vriteshin dy zogj; e para, t'i vihej në ndihmë së majtës e të zbatoheshin urdhrat e Moskës, por më së shumti ka qenë qëllimi për të larë duart me emigrantët çamë, sepse qeveria shqiptare i shikonte si pengesë të madhe dhe një rrezik serioz për konsolidimin e pushtetit të saj. Kjo fushatë dështoi për arsye të rezistencës së madhe që bënë çamët, madje që të gjithë krahët e popullsisë, edhe ajo me bindje të djathta, edhe ajo me bindje të majta që ishte pro komuniste.

Ka pasur probleme edhe për sa i përket nënshtetësisë dhe shumë veprime janë bërë në mënyrë të fshehtë...

Është trajtuar edhe çështja e heqjes së nënshtetësisë në mënyrë kolektive, por në fshehtësi të plotë dhe në mënyrë krejtësisht të paligjshme, në kundërshtim me çdolloj legjislacioni ndërkombëtar, pasi këta ishin shtetas grekë dhe qeveria shqiptare nuk kishte asnjë të drejtë që t'u jepte një shtetësi tjetër pa hequr vetë Greqia shtetësinë e çamëve dhe pa e kërkuar ata vetë këtë. Ky ishte guri i varrit, që qeveria komuniste i vuri çështjes çame në procesin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Greqisë dhe Shqipërisë që vazhdoi nga viti 1953 deri në vitin 1971, ku përfundoi çështja çame nuk u trajtua asnjëherë. Greqia ishte në presione të vazhdueshme ndaj qeverisë shqiptare që ajo të bënte lëshime, por nga ana tjetër, edhe që të mos hapte një çështje të tillë dhe qeveria shqiptare nuk e hapi asnjëherë këtë çështje. Është trajtuar fakti që nga fuqitë e mëdha, vetëm një fuqi e ngriti çështjen dhe ky ka qenë shteti italian. Shtabi i ushtrisë italiane, në kuadrin e një dokumenti strategjik që paraqiti në NATO, akuzoi Greqinë se kishte spastruar etnikisht Çamërinë dhe i kërkoi NATO-s se çështja duhej rishqyrtuar. Ky është pak a shumë i gjithë subjekti por, sigurisht shumë më i gjerë dhe më i shqyrtuar brenda tekstit.

Përveç kësaj ju keni shkruar edhe mbi emigracionin shqiptar në diasporë. Si është trajtuar ai?

Emigracioni shqiptar është ndarë në dy krahë; i pari është diaspora shqiptare, që janë diasporat e vjetra, të krijuara në vende të ndryshme të botës në periudha të ndryshme historike që nga koha e mërgimit arbëresh deri tek Lufta e Dytë Botërore. Kategoria e dytë është emigracioni politik antikomunist, ai emigracion i cili ishte produkt i zhvillimit të luftës civile në Shqipëri dhe i zhvillimit të luftës së klasave pas fitores së regjimit komunist në Shqipëri. Janë ndarë në dy pjesë të veçanta, për arsye se problematikat dhe organizimi i këtyre grupeve të emigracionit ka qenë krejt i ndryshëm. Nëse tek grupet e para dominonte organizimi social e kulturor e më pak politik, në grupin e emigracionit politik kemi pasur organizim shumë të prerë politik. Janë trajtuar organizata të ndryshme të emigracionit të vjetër dhe ekonomik, ku janë trajtuar federatat e vjetra si edhe roli i tyre në mbrojtjen e çështjes shqiptare dhe mbrojtjen e interesave shqiptare, si edhe marrëdhëniet e tyre me qeverinë komuniste. Këto marrëdhënie janë parë në evolucion, pra që nga fillimi i vendosjes së regjimit dhe deri në fund, i cili ka qenë sigurisht një zhvillim me zigzage. E gjithë ecuria është trajtuar në bazë të dokumenteve që gjenden në Ministrinë e Jashtme dhe në Ministrinë e Brendshme, në Arkivin e Komitetit Qendror por edhe në dokumentet që dispononin këto organizata, të cilat një pjesë të mirë i kam marrë dhe i kam shfrytëzuar në arkivat e tyre. Gjithashtu është parë emigracioni politik, organizatat e tij, natyra e profili i tyre, marrëveshjet dhe mosmarrëveshjet mes tyre, është analizuar qartë bashkimi i tyre në Komitetin "Shqipëria e lirë", natyra e këtij komiteti, e cila ishte si të thuash një qeveri alternative e shqiptarëve antikomunistë në rastin e përmbysjes së regjimit komunist. Mbështetja që i dhanë amerikanët dhe britanikët e po ashtu edhe perëndimi këtij komiteti, u bë për ta pasur si një mjet presioni dhe lufte kundër komunizmit dhe një alternativë zëvendësimi. Natyra e përpjekjeve dhe shkaqet e dështimit të përpjekjeve për përmbysjen e regjimit nga emigracioni politik shqiptar. Por, janë parë edhe divergjencat brenda tyre, natyra e grupeve të ndryshme politike, deri në përfundim të regjimit komunist. Sigurisht, veprimtaria e emigracionit politik erdhi duke u zbehur me konsolidimin e sistemit dhe me zgjatjen përtej parashikimeve të këtij emigracioni. Është dhënë një tablo shumë e rëndësishme e anës tjetër të Shqipërisë dhe të shqiptarëve që ishin jashtë atdheut. Përveç kësaj, është dhënë edhe politika e qeverisë komuniste ndaj emigracionit politik dhe emigracionit në përgjithësi e veçanërisht dëshira për ta kontrolluar. Kjo edhe në emigracionin politik shqiptar dhe përçarjet që komunizmi diti t'i bëjë këtij të fundit për të futur nën kontroll organizatat e ndryshme. Në botim është pasqyruar tensioni që u krijua në këto raste, dëmet që iu shkaktuan çështjes kombëtare shqiptare në lidhje me këtë, izolimin e emigracionit nga atdheu, arsyet pse, dhe qëndrimet e qeverisë komuniste. Është trajtuar edhe çështja e institucioneve të ndryshme, siç është çështja e Kishës Ortodokse Shqiptare në diasporë, një institucion i cili kishte një karakter shumë të spikatur kombëtar që e trashëgonte nga periudha e mëparshme kur u themelua Kisha Kombëtare në Amerikë nën drejtimin e Nolit, si ai e ruajti karakterin kombëtar dhe zbehja graduale e rolit të saj pas vdekjes së Nolit; përpjekja greke për ta marrë atë nën kontroll dhe ngatërresat e mëdha pas përplasjes së grekëve, ndërhyrjes komuniste dhe interesat e vetë shqiptarëve të diasporës në lidhje me kontrollin e kishës.

G. Shqiptare