E premte, 19.04.2024, 02:29 AM (GMT+1)

Mendime

Mehmet Kraja: Le të flasin viktimat

E shtune, 10.01.2009, 05:50 PM


Mehmet Kraja
Mehmet Kraja
Le të flasin viktimat

Lustrimi nuk bëhet për t’i trazuar varret, por bëhet për trashëgimtarët ideologjikë dhe biologjikë të komunistëve, të cilët krekosen para syve të viktimave ose të trashëgimtarëve të tyre edhe në këtë Kosovën tonë të re. Midis komunizmit dhe nacionalizmit nuk mund të vihet asnjë shenjë barazimi...

Nga Mehmet Kraja

Unë nuk kam qenë viktimë e komunizmit. Kam lindur, jam rritur, kam bërë shkollë dhe kam fituar status shoqëror në periudhën e sundimit të tij. Në krahasim me viktimat, mund të quhem i privilegjuar; në krahasim me të privilegjuarit, mund të quhem “i paprekur”. Si pjesa dërmuese e inteligjencës së Kosovës, unë kam bashkëjetuar me komunizmin, duke qenë i vetëdijshëm se, në njëfarë mënyre, po ia luajmë “lojën” njëri-tjetrit: unë, duke besuar se jam kundër tij, por, në këtë e sipër, duke ia kryer disa shërbime, sa për të mbijetuar; kurse ai, duke e mbyllur njërin sy dhe duke më shpërblyer me mbijetesë për shërbimet që ia kam kryer. Se çfarë kanë qenë këto shërbime që i kam kryer ndaj komunizmit, nëse çmimi për të bashkëjetuar me të ka qenë i vogël ose i madh (pra, nëse kam dëmtuar dikë ose jo), kjo është çështje që unë nuk mund ta vlerësoj. Të tjerët duhet të flasin për këtë. Por unë kam të drejtë një gjë: nuk mund të më akuzojë askush pa dëshmi dhe argumente. Duke qenë i këtillë, unë kam të drejtë morale të bashkëndjej me viktimat, por nuk kam të drejtë morale të flas në emër të tyre. Viktimat duhet të flasin vetë.

Debati i ditëve të fundit te ne, për çështjen e dosjeve, për lustrimin, për krimet e komunizmit dhe gjëra të këtilla, tashmë nxori në sipërfaqe një problem madhor: ne nuk jemi as afër sqarimit të këtyre çështjeve. Ka këtu moskuptim, ndërrim tezash, padije, madje edhe ndonjë djallëzi të vogël, se trashëgimia jonë, e gjyshërve dhe baballarëve, nuk ka qenë e tillë, sa të ketë nevojë për katarsis, në një kohë që ne vetë, burra të mirë e patriotë siç jemi, tani shpërfaqemi si engjëj me flatra. Nuk është e vërtetë se kemi qenë të tillë. Nuk është e vërtetë se Kosova e sotme nuk ka probleme me trashëgiminë komuniste. Nuk është e vërtetë se Kosova, në procesin e ndërtimit të shoqërisë së re, më shumë ka probleme me nacionalizmin, sesa me komunizmin. Duke kaluar, kështu symbylltas, mbi këtë çështje të ndjeshme, ne nuk mund ta arrijmë pajtimin kombëtar dhe paqen shoqërore, që duhet të jetë synim përfundimtar i lustrimit. Pajtimi dhe paqja arrihet duke dënuar fajtorët dhe duke rehabilituar viktimat. Së paku moralisht. Por me zhurmën që bëjmë, duket sikur duam t’i heshtim viktimat, që ato të mos e thonë të vërtetën e tyre. Dëshmia e tyre çon peshë. Fjalët tona janë dokrra.

Të gjithë e dinë se Kosova, në gjysmën së dytë të shekullit XX, ka pasur periudhat e saj të errëta. Mbi të është ushtruar dhunë e kombinuar, shtetërore dhe ideologjike. Komunizmi në Kosovë, si në të gjithë vendet e tjera, ka qenë instrument i dhunës. Në këtë pikë Kosova nuk përbën ndonjë përjashtim. E vetmja specifikë e Kosovës qëndron në faktin se ajo nuk ka mundësi t’i dëshmojë, në mënyrë të argumentuar, krimet e komunizmit. Sepse Kosova nuk ka dosje, nuk ka arkiva, nuk ka memorie të dokumentuar historike. Por ajo ka kujtesën e saj kolektive dhe këtë nuk mund t’ia shlyejë askush. Në këtë kujtesë të saj, gjërat janë kristalisht të pastra. Vetëm ata që edhe në këtë situatë duan ta kalojnë lumin pa u lagur, synojnë t’i manipulojnë faktet. Ta zëmë, të gjithë e dinë se Kosova, në periudhat e saj të errëta, ka pasur turbulenca të brendshme, përçarje dhe ndarje. Nacionalistët, përgjatë gjithë kësaj historie, kanë qenë antikomunistët e përbetuar. Ata kanë qenë edhe viktimat kryesore. Lufta kundër tyre ka qenë e egër dhe është bërë në emër të komunizmit.

E tëra ka filluar me Luftën e Dytë Botërore. Ne nuk i kemi rehabilituar viktimat e kësaj lufte, së paku si histori e shkruar. Flasim, bie fjala, për Konferencën e Bujanit, si për një ngjarje lapidare të kësaj periudhe, por nuk tregojmë se ajo ka pasur edhe një anë tjetër të medaljes: ata që nuk janë pajtuar që garantuese për vetëvendosjen e Kosovës të jetë edhe ushtria jugosllave, i ka përbirë nata e zezë. Historianët e dinë emrin e ndonjërit prej tyre, por nuk e thonë. Shkojmë më tej. Kuvendi i Prizrenit. Kush ishin pjesëmarrës të tij dhe çfarë ndodhi pastaj? Si mund të quhen ideatorët dhe kontribuuesit e këtij kuvendi edhe heronj, edhe viktima, edhe ndërtues të Kosovës së re? Po themeluesit NDSH-së, çfarë ishin tjetër, përveç se antikomunistë? Me anë tjetër, nuk është e vërtetë se periudha deri në Plenumin e Brioneve ka marrë dënimin e merituar. Ky do të ishte rehabilitim i atyre që i kanë shërbyer me devotshmëri OZNA-s dhe UDB-së.

Janë një galeri e tërë personash, të cilët kanë bërë krime në atë kohë dhe që pastaj, në kohën e autonomisë, janë shfaqur me kostume të reja. Askush nuk thotë se, në procesin e lustrimit, duhet trazuar varret e tyre. Por janë trashëgimtarët e tyre ideologjikë, madje edhe biologjikë, që krekosen para syve të viktimave ose të trashëgimtarëve të tyre, edhe në këtë Kosovën tonë të re. Lustrimi bëhet për ata, nuk bëhet për varre. Pastaj vijnë vitet 1981-1989. Militantët e diferencimit dhe të përkrahjes së Serbisë i kemi gjithandej. Disa syresh, e dimë fare mirë, janë akomoduar edhe në strukturat e pushtetit dhe të shtetit të tanishëm. Kualifikimi i demonstratave të vitit 1981 si kundërrevolucion, vinte nga arsenali komunist. Edhe mbështetja e ndryshimeve kushtetuese të Serbisë, ishte e po kësaj provenience. Së paku, ata nuk do të duhej të kishin të drejtë morale që, edhe në këtë kohë, të na rrinë karshi dhe të na përqeshin. Nacionalistët edhe gjatë kësaj periudhe kanë qenë humbësit e mëdhenj. Nuk është e drejtë, së paku, që sot të jenë të përqeshurit e mëdhenj.

Për shumëkënd mbetet e pasqaruar çështja e “spërkatjes” me komunizëm e vetë nacionalistëve shqiptarë të Kosovës. Tashmë jemi mësuar që ata t’i quajmë marksistë-leninistë, pra komunistë të pareformueshëm. Por këtu nxjerr krye një paradoks. Edhe ata që mbeten anëtarë të LKJ-së deri në fundin e saj, nuk e kanë për gjë të thonë se të qenit e tyre në LKJ ishte mimikri. Mirëpo, këtë të drejtë nuk ua japin atyre që ishin më të afërt me ideologjinë e Partisë së Punës. Madje, shkojnë edhe një hap më tej: vetes dhe të gjithë titistëve ua japin të drejtën e reformimit; palës tjetër, nacionalistëve në radhë të parë, nuk ua japin këtë të drejtë. Ndërkaq, të gjithë e dinë se të vendosesh shenjën e barazimit midis komunistëve projugosllavë dhe nacionalistëve marksistë-leninistë, qofshin ata edhe enveristë, thjeshtë është e pamundur.
Sepse, duke qenë komunist jugosllav, në çdo rrethanë të Kosovës, ishe një hap më afër tradhtisë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora