E enjte, 25.04.2024, 04:52 PM (GMT+1)

Kulturë

Pajtim Struga: Ja si shkova tek “Goce mendjen e kam nda”

E shtune, 10.01.2009, 04:41 PM


Pajtim Struga
Pajtim Struga
Pajtim Struga: Ishte një punë shumë e lodhshme dhe me përgjegjësi, pasi albumi për përgatitje zgjati një vit

Ja si shkova tek “Goce mendjen e kam nda”

Nga Albert Zholi

Pasaporta:

Datëlindja: 11.01.1962

Vendlindja: Tiranë

Horoskoi: Bricjapi

Hobi: Futbolli

Arsimi: 2 të mesme

 

Në të gjitha takimet që kam pasur me Pajtim Strugën  ajo që më ka tërhequr më shumë vëmendjen ka qenë thjeshtësia dhe fjala e ëmbël. Por takimi i fundit në Kompleksin Struga FOLK Muzic, ishte më mbresëlënëse. Dy janë preferencat e Pajtimit  në jetë e para kënga dhe e dyta futbolli. Të parin si profesion të dytin si pasion. Ato janë si një duet që plotësojnë njëri-tjetrin. Siç duket Pajtimi, për të respektuar emrin e bukur që i kanë vënë  i ka pajtuar njeri me tjetrin këto dy dashuri dhe preferenca . Besnik i këngës së mirëfilltë popullore tiranase, larg saj (Tiranës) dhe këngës, ai do ta ndjente veten në boshllëk. Sipas tij suksesi i kolegëve është mësim dhe për të ndaj nuk shfaq shenja xhelozie. Te familja gjen ngrohtësinë, tek kënga forcën, te shoqëria respektin, te futbolli relaksin e  momenteve të pushimit. Lexon vetëm për sportin dhe i shmanget me marifet debatit për politikën,  ëndërron dhe gjithmonë ëndërron  për gjetjet e veçanta, risitë, në këngën popullore, duke pritur në intervale kohe ndonjë ndeshje interesante të kombëtares. Sipas tij nuk ka gjë më të bukur dhe të rëndësishme se sa të punosh  që njerëzit që do të vijojnë pas  të jenë më të lumtur se sa jemi ne

Z. Pajtim, ju kohët e fundit keni nxjerrë një album me këngë popullore. Si titullohet ky album dhe puna juaj për të nxjerrë në treg këtë album?

Albumi im i fundit titullohet “Goce mendjen e kam nda”. Pra pas tetë vjetësh heshtje edhe unë e ndava mendjen për të nxjerrë përsëri një album të ri. Pra, titulli i albumit  përkon dhe me mbushjen e mendjes time për të dalë sërishmi në treg me një album cilësor, pasi nuk më mbushej mendja për të bërë album megjithë këmbënguljen e miqve, familjes për të bërë një hap të tillë.

Dhe përse hezitonit për një album të ri për 8 vjet rresht?

Albumi është përgjegjësi. Këngëtari që ka vënë një emër, që ka hedhur hapat e sigurt të njohjes në skenë nuk duhet të rendi pas sasisë. Sasia asnjëherë nuk nxjerr në pah vlerat profesionale të një këngëtari. Ka pas apo ka këngëtarë që, edhe pse me një, apo asnjë albume, mbeten këngëtarë të njohur, rezultativë, të pëlqyer. Shumë herë albumi lidhet edhe me anën ekonomike. Jo çdo këngëtar e ka këtë komoditet. Edhe në letërsi ka shkrimtarë që janë bërë të famshëm me një roman, tregim ose novelë, ndërsa shumë të tjerë kanë shkruar dhjetë të tillë dhe as janë dëgjuar.

Sa këngë përmban albumi i ri?

 Përmban dhjetë këngë. Këto këngë janë popullore të Shqipërisë së mesme dhe kryesisht të Tiranës. Këngën me të cilin titullohet albumi e kam kënduar me këngëtaren Valbona Mema. Ishte një punë shumë e lodhshme dhe me përgjegjësi, pasi albumi për përgatitje zgjati një vit. Për këtë album kam bashkëpunuar me kompozitorin e talentuar Dritan Baftjari dhe me poetin po aq të talentuar Jorgo Papingji. Janë dy intelektualë që kërkojnë gjithmonë më të bukurën, perfekten, që nuk falin në profesionin e tyre kur bëhet fjalë për cilësi. Me ta nuk ka kompromise. Të tre kemi bashkëpunuar në mënyrë të përkryer, pa orar, për të arritur rezultatin e albumit. Albumi ka dalë në 23 dhjetor, pra në prag të vitit të ri.   

Z. Pajtim kur keni filluar të këndoni për herë të parë?

Që kur kam qenë fëmijë.  Në vitin 1975 kam konkurruar në një  konkurs në sallën e Akademisë së Arteve  me NKEM (ndërmarrje). Isha vetëm 13 vjeç dhe këndova me kostum kombëtar të Shqipërisë së mesme. Pas konkursit vetja mu duk më krenar, më i madh, më i aftë. Ishte një moment që dhe sot e kujtoj me nostalgji sepse ndoshta aty u vendos e ardhmja ime. Në atë kohë vazhdoja shkollën e mesme “Hoxha Tasim” në Tiranë.

 

Kush ju zbuloi si talent?

Rrjedh nga një familje që e njeh muzikën popullore të vjetër shqiptare. Ka qenë daja im Iliaz Korça i cili më ka ngjallur dëshirën për këngë (sepse nënë e kam me origjinë nga Korça),  dhe vëllai i madh Muhamet Struga që më zbuloi. Vëllai im ka kënduar me asamblin “Migjeni”. Duke u rritur në një familje  mes këngëve popullore pse të mos bëhesha dhe unë këngëtar?

Meritë tjetër e vëllait tim është sepse pasi më zbuloi talentin më nxiti për të kënduar këngën popullore të mirëfilltë. Pas vitit  1975 mora pjesë në Pallatin e Kulturës me drejtues z. Mustafa Basha, Vladimir Kotanin, në ansamblin që mori emrin “Tirana”.

Po nga mësuesit kush të nxiti në këtë rrugë?

 Në Liceun artistik ku vazhdoja për kanto kam qenë nxënës mesatar. Matematika më lodhte më merrte shumë kohë. Pastaj shihja se para mësimeve vendosja gjithmonë këngën. Prindërit më nxisnin që të mësoja një profesion  “ai nuk më kërkon  as të hajë as të pijë, por të ushqen vetë” më thoshin prindërit. Mësuesi i muzikës në Lice duke pasur parasysh se unë e dashuroja këngën dhe talentin tim më dha përkrahje të madhe. Ai më ndau nga kanto në vendin dhe në kohën e duhur.   

Ju tashmë jeni shumë i kërkuar në diasporë. Kë koncert do të veçoni jashtë?

 

Çdo koncert që bëhet jashtë ka të veçantat e veta. Kur shikon vëllezërit e t’u aq me mall për këngën shqiptare patjetër që emocionohesh. Por një koncert në Gjermani në vitin 2002 ku isha i ftuar me këngëtaren Artiola Toska e veçoj për shumë arsye. Së pari se donin vetëm këngë popullore, sepse këndonin bashkë me ne dhe se këngët “Mos më mundo”, “Ku t’ka lala moj Hijrije” u duartrokitën ku na kthyen disa herë.  Po ashtu dhe putpuria “Të kam zgjedhur për merak”.

Pra vajzat a i kanë ngjarë babait në të kënduar?

 

Po. Ato kanë marrë pjesë dhe tek konkursi “Çelësi i artë”, ku kanë marrë  çmimin e spektatorit. Njëkohësisht janë pjesëmarrëse të rregullta të spektaklit “Karabashi”.

 

Kush është autor i teksteve të këngëve të albumeve të tua?

Është mjeshtri  këngëve Jorgo Papingji. Ai për mua mbete një mësues i rrallë që të kupton se çfarë duhet të nxjerrësh, ndërsa në shumë raste kompozitor kam Dritan Baftjarin i disiplinuar në punë.

N.q.s nuk do ishte bërë këngëtar çfarë do të bëhej Pajtimi?

 Pa diskutim futbollist. Do bëja të pamundurën të bëhesha i tillë. Prandaj dhe këngën  “Tirana kampion”, e kam kënduar me shumë dashuri. Kudo që shkoj atë këngë ma kërkojnë me insistim.   

Në kohën e lirë me se merret Pajtimi?

Kryesisht bëj gjimnastikë. Dua që gjithmonë të jem në formë. Më relakson gjimnastika. Kohën tjetër të lirë lexoj gazetën “Sporti”.

Duke pasur parasysh se ju pëlqejnë në diasporë a e keni menduar të jetoni jashtë shtetit?

Unë edhe kështu siç jam një pjesë të jetë e kam në emigracion. Ndërsa Tirana është shpirti im. Këtu kam të gjitha lidhjet nga këtu organizoj ç’do lëvizje. Një këngëtar popullor po u largua përfundimisht nga atdheu humb shumë gjëra nga ndjesitë e këngës popullore. Duhet të jesh shumë i lidhur me kërkesat e popullit me ato çka ai ndjen që të jesh këngëtar me këmbë në tokë në çdo kohë. Por n.q.s do të ishte ndonjë moment delikat do të doja të emigroja vetëm në Gjermani.

Pse pikërisht në këtë vend?

E kam vizituar disa herë këtë vend dhe më ka pëlqyer disiplina dhe pastërtia. Është një shtet i fuqishëm ku ligji funksionin me përpikmëri.

Po bashkëshortja a ju ka penguar në këtë rrugë?

Aspak përkundrazi. Ajo më ka përkrahur. Pa përkrahjen e saj si zor t’i kisha këto arritje. E kam bashkëshorte dhe shoqe. Përndryshe suksesi im do të ishte i dyshimtë.

Duke qenë se jeni i dashuruar me Gjermaninë me të duhet të jeni dhe tifoz?

 

Pa diskutim. Jam tifoz apasionant i Gjermanisë.

 

Çfarë pëlqen më shumë tek një femër?

Inteligjencën dhe thjeshtësinë. Bukuria për mua vjen e fundit. Bukuria e faqes rrezja e zhanrit, bukuria e shpirtit dielli beharit.

 Në kompleksin tuaj çfarë këngësh këndohen?

Shqip dhe vetëm shqip. Asnjëherë këngë e huaj. Ky kompleks është ambient familjar ku dhe ushqimi është tradicional vendas, ku edhe në hyrje janë të varura veshjet karakteristike të burrave dhe grave tiranase. Këtu ne kemi grupin tonë me Drejtues artistik Dritan Baftjarin ku organizojmë dasma, fejesa, mbrëmje vallëzimi të të rinjve përsëri vetëm me këngë shqiptare.

 Cilat janë këngët që po hyjnë më shumë në këngën popullore shqiptare dhe që e dëmtojnë atë?

Mund të përmend tallavanë. Shikoj një dyzinë të tërë këngëtarësh që po tentojnë të hyjnë në treg me këtë gjini kënge të huazuar që s’ka asgjë të përbashkët me këngën e mirëfilltë popullore shqiptare.

 Kush ka faj për këtë deformim të këngës popullore?

Sigurisht shteti. Duhen institucione të specializuara për ta ruajtur këtë këngë. Këto institucione duhet të ndalojnë këto deformime. Bota investon shumë në këtë drejtim.

Numri i këngëtarëve dhe konkurrenca

Unë e pëlqej konkurrencën. Pa konkurrencë nuk motivohesh, nuk nxitesh për më shumë cilësi. Por do të thoja se konkurrenca nuk është reale. Nuk është brenda konceptit të këngës së mirëfilltë popullore shqiptare. Edhe ti vetë e ndjen se si është deformuar kënga jonë e bukur. Se si nga dita në ditë ajo bëhet gjysmë greke, gjysmë serbe, apo turke. Bile ndonjëherë po të mos dëgjosh tekstin thua se kjo këngë është e huaj. Pra kjo nuk është konkurrencë, nuk është përpjekje serioze për të arritur sukses. Janë përpjekje të pseudokëngëtareve që janë të bukura dhe më shumë me huazimet, me pjesët e bukura të trupit, me lëvizjet që nuk përputhen me këngën popullore duan të fitojnë audiencë. Në këtë këndvështrim unë nuk ndjej konkurrencë, por dëshirë për të fituar para, për t’u bërë e njohur pa talent, pa profesionalizëm.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora