E marte, 23.04.2024, 03:48 PM (GMT+1)

Kulturë

Baki Ymeri: Lëng lirik me ndjeshmëri erotike?

E shtune, 10.01.2009, 05:34 PM


Baki Ymeri

 

ËNDËRR

 

Ishuj plot dritë

Ëndërroj

Majë malesh

Flamurin

E kombit tim

E shpaloj

Dhe ëndërroj          

Rrafte librash

Nën qiellin e hapur

Dhe në të gjitha këto konture

Je ti si një dritë

E mbështjellë me erëtimë

 

KËNGË POPULLORE

 

Nëpër Parajsë duke rendur

Mbi qylimin e erës

Duke zbritur

Gjinjtë e saj dridheshin

Dallgët e tyre më qëllonin

Dhe përtoke më rrëzonin

 

FQINJËT E DRITËS

 

E dashur

Eja të bëhemi fqinjët e dritës

Ti as që e di

Se përballë teje

Gjenden rafte

Bibliotekash të ndritura

Eja

Të pëshpërita

Hapi këto libra të lashta

Dhe lermë

Të ta përkëdhel trofenë

 

 

QË NË SHIKIM TË PARË

 

Para së gjithash

Ne rrinim mes librave

Ne një qendër të shkëlqesisë

Të pritjes dhe të dashurisë

 

Të ftoja në këtë Kështjellë

Fëshfërimash dhe vështirë

Më vinte të besoj

Se trupi yt bleronte

Pranë meje

 

Dhe, oh, si piqeshin

Dhe si i vilja

Mes fëshfërimave të librave

Frutat pyjore të buzëve tua

 

Çfarë vjeshte

Para së gjithash

Dhe ne, mes librash

Që në shikim të parë

 

 

ARGUMENT

 

Për pafajshmëri

Nuk gjej asfarë argumenti:

Jam vetëm një mjeshtër

Që të ka zgjedhur

Duke të zalisur

Brenda një nate

Lezetshmëri kalimtare

Që e kaplon ekstaza

Derisa te këmbët e tua

Dita i sjell

Argumentet e dritës

 

 

LIED

 

A s'e sheh

E dashur

Se jemi sëmurë

Nga kjo dritë

E shenjtë

Për të qenë përsëri atje

Ku vdisja pas teje

Kur lulëzoje

 

 

O ZOT!

 

Thuhet se gruaja

Nuk ka Zot.

Dhe megjithate,

Si e ke ngjeshur

O Zot,

Kur në trajtën e saj

E ke vënë shpirtin tënd?

Dhe si është e mundur

Të frymëzohemi duke e parë

Dhe na vjen t'i përkulemi

Dhe të të harrojmë!

Nëse në trajtën e saj

E ke vënë krejt dashurinë

E shpirtit tim,

Atëherë si është e mundur

Që ta lësh mbi dhe

Kur ti mirë e sheh

Se don të bëhet Zot?

 

 

E MBËSHTJELLË NË FJALËT E MIA

 

Nuk e di cilës grua

Ia vodhën krejt mendimet

Një ditë, kur kaploi muzgu

Dhe përnjëherë, mes nesh,

U shuan mrekullitë.

Nisi dëbora e parë

Dhe ranë aq shumë fije,

Aq sa mund të bien -

Kur të kaplon një valë vetmie

Në një lëndinë Shqipërie.

 

Të lusja, atëhere, ças për ças:

Eja dhe thuamë se çka mbeti pas nesh

E mbështjellë me dashurinë tingëllore

Apo me dritën e fundit të një ore!

 

Tani, mbështillu në fjalët e mia

Porsi në mëndafshet

Që Lindja i sjell prore,

Eja të të përqafoj,

Ngase përmbi to:

Mrekullitë bëhen hyjnore.

 

 

PASTEL

 

Guaca e gjinjve tu

Ishte e shenjtë si hëna,

Ngjyra e tyre e bardhë

Ishte porsi shkuma

Në bregun e detit.

 

 

MJALTË

 

Më thuaj

Nga cilat stinë të të ftoj

Me flakërat e dëshpëruara të acarit?

Më thuaj, cilat drita ti tuboj

E të të mbështjell me to - e vluar

Me kohën e fijeve të bores që perëndojnë

Kur dëbora ka harruar se është shuar?

Eja, ti, mjaltë e shijuar

Nga gjuha e Zotit!

 

 

LUTJE

 

Zot i shtatit tend do të bëhem

Ditën kur pa ty

Do ta ndjeja veten të shembur.                 .                         

Prit-më, edhe nëse s'vij

Dhe ruaje fuqinë tënde

Për ta shuar etjen time për ty!

 

 

SHËRRIM

 

Vetëm për ty jetoj

Vetëm pranë teje mund të flatroj

Me ty mund të shkëpus nga fjalët

Flatra të hatashme

 

Vetëm për ty marr frymë

Për ty mund të luaj me zjarrin

Me zjarrin që na e shërron

Sëmurjen e dashurisë

 

Vetëm për ty jetoj

Mrekulli e Zotit

Grua

Me vajtim prej fëmije

 

 

FINALJA E MADHE

 

Kur Engjëllit do t'i përkasë

Finalja e Madhe,

Fjalë s'do të ketë

Dhe s' do të ketë fjalë -

Kush je ti, moj

Mrekullia ime e gjallë

 

Ti më gjykon

Ti më trishton

Dhe më errëson

E më qorton

Edhe kur hesht

Kush je ti

Moj bukuri e rrallë

Mos je ti vallë

Mrekullia ime e gjallë

 

 

ARS AMANDI

 

Ja se si më në fund

Arrita në skaj të botës

Atje ku dielli

Përzjehet me kullosën

Duke u valëzuar

Deri në çakërdisje

Përkulem dhe mbëltoj

Mbi shtatin tënd

Tremijë puthje

Në kohën

Kur krejt bota

Zgjohet papritmas

E sëmurë nga gjumi

 

 

PRITJE

 

Pas natërimit,

Prit-më në portën e agimit.

Jam këtu dhe nuk mund të shuhesh -

Drita na mban në krahëror me ëndje

Dhe na e shpërlan në ujërat e ftohta

Mjegullën time dhe vesën tënde.

Do të vemë kurora mbretërore

Dhe do të na vijë

Një turp i madh prore.

 

 

DUKE KALUAR NËPËR RUMANI

 

Porsi Ovidi kam ardhur

Në luginën tënde të ëmbël,

Të ta ndjej ritmin e brendshëm

Duke notuar përmbi shtatin tënd

Të hijshëm, si një fushë dredhzash.

 

Porsi Ovidi kam ardhur

Në brigjet e këtyre ujërave,

I magjepsur

Nga rrëshqitja e një sirene

Që më kapiti

Që në shikim të parë.

 

Porsi Ovidi kam ardhur

Në qytetin e kapitjeve të ëmbla

Dhe dëgjoj

Mbi zanoret e fjalëve të mia

Shkrepëtimë lutjesh:

Eja edhe njëherë

T'i shijosh dredhzat

Porsi në mesverë!

 

 

KOH' E KRISUR

 

Sa do të vrapoj vallë

Pas kësaj bukurie

Prej qershisë së hidhur

Që hesht duke të ngjeshur

Dhe pastaj

E braktis vetveten!

 

YLBERI

 

Më ftove mu atëherë

Kur në ëndërr të ftoja.

Mes meje e teje

Ishte vetëm një udhë

Që përmes shkretëtirës

Na çonte në Parajsë.

Mbulomë mirë

Dhe fshihmë mirë!

Ti më thoshe

Dhe mu atëherë shiu pushoi.

E hapa përnjëherë dritaren

Dhe i solla pajë trupit tënd:

Tremije puthje.

Alo! Alo! Alo!

Pritmë, jam ylberi yt!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora