E enjte, 28.03.2024, 09:51 PM (GMT)

Kulturë

Mazllum Saneja: Bota e ndjeshme e Arianit Hoxhës

E shtune, 10.01.2009, 06:45 PM


MBRESA NGA EKSPOZITA

BOTA E NDJESHME ARTISTIKE E ARIANIT HOXHËS

Nga Mazllum SANEJA

Fundi i dhjetorit 2008. Festat e Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri. Në Pallatin e Kulturës “Asim Vokshi” të Gjakovës, ekspozita e arteve figurative me piktura të bëra me akuarel, me bojra vaji, me pastel dhe temper e piktorit të ri dhe te talentuar, Arianit Hoxha.
Buzëmbrëmje e 29 dhjetorit. Gjendemi përballë 38 eksponateve të varura në mure të Pallatit të Kulturës, që atë mbrëmje e kishin mbushur me pjesëmarrje një auditor i zgjedhur, që kishin ardhur të shijonin të bukurën dhe të madhërishmen në artin e pikturës.
Në krijimet artistike të piktorit të ri Arianit Hoxha, që më siguri premton një të ardhme të ndritur, zbulojmë kontrastet e jetës me ngjyra të mbyllëta, të hapëta, me ngjyra të ndritura e pasionuara, virgjërinë e natyrës, hapësirën e pakufishme, figurat e portretet njerëzore, dhembjet e fshehura, vragët, vuajtjet, tronditjet dhe konfliktet e jetës. Në pikturat e tij vërehet se është i preokupuar me temat e përgjithshme nga jeta dhe natyra dhe, në të gjitha ato vërehet jo vetëm klima autentike e Kosovës.
Në të e vështrojmë piktorin e devotshëm se si i ka mbetur konsenkuent e besnik ambientit të vet, realitetit në të cilin qenieson. Po, duke vështruar me kujdes pikturat e tij si: “Elementet e perandorisë”, “Seleksionuesi”, “Zmadhimi dhe zvogëlimi”, “Pëllumbat”, “Këndi i Qarshisë së Madhe”, “Tyrbja e Sulltan Muratit”, “Natyrë e vdekur”, “Peizazh vjeshte”, “Peizazh vere – mullarët e sanës”, “Lapidari” etj. – zbulojmë figurën e gjërë të piktorit, dashurinë e pakufishme për njeriun, shpirtin e tij të çiltër e të pastër, dashurinë e pasionuar ndaj natyrës. Aty e gjejmë njeriun tonë – dramën e brendshme psikologjike të njeriut të kësaj treve, me të cilën njëherazi njëjtësohet vet piktori. Duke u preokupuar me natyrën e brendshme të njeriut, piktori ka një gjuhë të qartë, të kutueshme, të afërt dhe komunikuese, që korespondon me kohën tonë dhe, thuajse e ka të qartë mendimin e lartë të Stendalit: “Unë e di vetëm një ligjë: duhet qenë i qartë. Poqese nuk jam i qartë, prej botës që kam krijuar s’do të dalë gjësend”.

Arianit Hoxha
Arianit Hoxha
Së këndejmi, motivet e tij janë gjurmim e studim i psikologjisë njerëzore, pastaj, në pikturat e tij vështrojmë portretet njerëzore e veçmas në pikturën “Sytë” që është njëra prej pikturave më të tronditura, ku venerohen sytë e mavijosur e të dalë, sy të gjymtyar më dysh, që shprehin thellë – thellë botën e ndjeshme shpirtërore të piktorit të ri, sikur të parandjente një botë të gjymtuar që e ka kapërthyer qytetërimin e sotëm. Ç’përjetim i rallë? Duke e vështruar me kujdes veçanërisht pikturën “Sytë” gjithnjë më duket sikur i kundrojmë sytë e gjakosur, sikur të flisnin për një gjëmë të madhe, që ndodhi në hapësirën tonë në fund të shekullit XX, që solli me vete ndjenjën e fuqishme të fundit të saj, çfarë ishte e njohur dhe e pranuar, si dhe frikën dhe ankthin para të ardhmës së re e të panjohur, ndjenjën e ankthit e të pasigurisë;  parandjenjën e tragjedisë e të vdekjes.
Ndërkaq, të gjitha peizazhet e tij qoftë peizazh vjeshte apo peizazh vere – duken si të gjalla, pastaj, arkitektura e vjetër si “Këndi i Qarshisë së Madhe” dhe portretet, duket sikur jetojnë në ne, në vizionet tona, të gjitha pasionet e tyre të errëta e të ndritura, prirjet e tyre të mira e të këqija jetojnë në ne, në thellësitë tona.
Piktori Arianit Hoxha nuk kridhet vetëm në portretet e veta, po edhe në thellësitë e shpirtrave tanë. Së këndejmi, arti i tij të zgjon nga gjumi, të trondit, të pushton, të fisnikëron, të bën ta duash jetën, botën, natyrën, tevona, dhe njeriun. Ndërkaq, ngjyrat e tij janë të ngrohta e të gjalla, me tone e nuanca subtile. Po, ato janë mishërimi më i thellë i ndjenjes njerëzore. Ato së bashku me format duken sikur flasin, lëvizin, pinë, ecin dhe, thuajse janë të kthyera kah Natyra dhe Njeriu.
Dhe, duke u ndarë nga ekspozita e Arianit Hoxhës, nga bota e tij e ndjeshme artistike, mora me vete një bagazh mbresash të paharrueshme.
Buzëmbrëmja e 29 dhjetorit në qytetin tim. Nata sapo ish lëshuar në qytetin tim. Vendlindja ime, Gjakova, lahej nën dritat e shumëngjyrta të neonit. Në “Pashtrik” e në ndonjë kafeteri tjetër na ofrojnë të pimë konjak apo birrë. Por, tashmë nuk mendoj në natën e ftohtë e të acartë të fundit të dhjetorit e as për çastet e përjetura në “Pashtrik” me mikun tim poet dhe bisedën e vonë gjerë në mesnatë për poezinë. Gjithnjë mendoja për piktorin tonë, Arianit Hoxhën dhe botën e tij të ndjeshme artistike që na rrëmbeu me artin brilant...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora