Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Tragjedia e 9 janarit, ja si u mbytën 28 persona

| E shtune, 10.01.2009, 02:29 PM |


Nga Arben LAGRETA 

Pjesë e analizës së Bektash Petoshatit, ish-Zëvendës Komandantit të Flotës Detare të Vlorës

Sonte mbushen plot 5 vjet pas mbytjes tragjike në gomone të 28 personave nga Qarku i Shkodrës, të cilët, të ardhur kryesisht nga zonat e thella malore tentuan të iknin në këtë mënyrë në Itali për një jetë më të mirë. Por fati nuk ishte me ta. Në operacionin për shpëtimin nga vdekja të klandestinëve nga Qarku i Shkodrës, më 9 janar 2004, strukturat përkatëse të shtetit nuk vepruan megjithëse ligji i detyron të planizojnë dhe zbatojnë operacione shpëtimi në të tilla raste. Ndërkohë, pas tragjedisë, janë kryer veprime për ta fshehur të vërtetën e jo për ta zbardhur atë. Më poshtë, lexuesi mund të njihet për herë të parë në mënyrë të përmbledhur me pjesë të analizës në bazë të fakteve të radhitura nga ish-Zëvendës Komandanti i Flotës Detare të Vlorës, Bektash Petoshati në fjalën që mbajti para Komisionit Parlamentar të Sigurisë në vitin 2006, pa praninë e mediave. Interesant është fakti se në konkluzionet përmbyllëse të këtij materiali konçiz, ushtaraku i lartë pohon me fakte konkrete mbulimin e së vërtetës nga ana e strukturave përgjegjëse shtetërore të kohës, paaftësinë dhe largimin e përgjegjësisë nga vetja të ish-Ministrit të Mbrojtjes Pandeli Majko, ish-Shefit të Shtabit të Përgjithshëm Pëllumb Qazimi si dhe heshtjen e ish-Presidentit Moisiu para një situate të tillë. Madje, një ndër goditjet që iu dhanë Flotës Detare, Petoshati e sheh edhe tek goditja e paprecedent që iu pat bërë qysh në vitin 2003 bazës ushtarake detare në Bisht-Pallë. Materiali i mësipërm është vënë në dispozicion të gazetës nga Kryetari i Shoqatës “9 Janari 2004”, Nikollë Mhillaj. Kjo shoqatë përbëhet nga familjarët e viktimave të gjetura dhe atyre të humbura në detin Adriatik në natën fatale të 9janarit 2004.  

Pjesë nga raporti :

 - “Në raportin që ish-ministri i Mbrojtjes Pandeli Majko i dërgon Dashamir Shehit në Janar 2004 thuhet se “…forcat vepruan shpejt, në mënyrë të organizuar dhe të përshkallëzuar..”. Ky ka qenë një mashtrim pasi vetëm me një anije të vënë në lëvizje vetëm 7 orë pas kërkesës për ndihmë dhe në kundërshtim me Marrëveshjen e Hamburgut dhe të Gjenevës….”

 - Forcat Detare ishin drejt shkatërrimit. Vjedhja e rërës, mbytja e Dokut, humbja e radarit në Durrës dhe mbi të gjitha, goditja që u bë në Bisht Pallë kishin sjellë këtë gjendje të shkatërruar në përgjithësi të Flotës Shqiptare.

 - Politika personale dhe e interesave në emërimet e kuadrove, sidomos të atyre komandues. Komandanti i D2D u emërua një oficer pa gradën, arsimin dhe aftësitë për të kryer një detyrë të tillë. Kjo në një kohë që dy kolonelë të tjerë punonin në vende nënkoloneli sepse kështu donin eprorët e tyre.

 - Deri në atë kohë, 10 oficerë kishin mbaruar kursin e M.O.L.S.-it në të cilin mësohen mënyrat e operacioneve SAR por asnjë prej tyre nuk u detyrua të implementonte në stërvitjen e planizimit luftarak këto kërkesa që ishin ligjore për ne.

- Kërkova që situata dhe operacioni të analizoheshin pasi nuk kishim vepruar drejt, por as më 12 janar dhe as më 14 janar kur vajti ekipi i SH.P., nuk mu lejua që të merrja pjesë në këtë analizë. Ndërkohë, nga D2D më telefonuan dhe më thanë se disa oficerë ishin future në zyra dhe po bënin harta si dhe plotësonin ditarë.

- Shtabi i Përgjithshëm ka fshehur gjendjen operacionale të Forcave Detare.

- Shefi i Shtabit të Përgjithshëm ka dezinformuar eprorët për të gjithë problemet që unë kam ngritur, ka shmangur thelbin dhe e ka banalizuar esencën e tyre.

- Më 17 janar, pas thirrjes në raport në Shtabin e Përgjithshëm unë kundërshtova veprimet e bëra. Nëse Ministri ose Shefi i Shtabit të Përgjithshëm do të ishin të interesuar për kontestimet e mia, ata mund të më pyesnin.

- Edhe në problemet që ngrita në Qershor 2004 e më pas gjeta kudo në instancat shtetërore frymën e fshehjes së të vërtetës. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, zoti Pëllumb Qazimi, në sqarimin që i bën eprorëve të vet për 9 janarin thekson se kjo çështje ka kaluar në prokurori. Por Prokuroria Ushtarake e Vlorës që hetoi për mosveprimin më 9 janar, normalisht që do ta mbyllte këtë çështje. Kjo për arsye se dy oficerë të Policisë Gjyqësore, efektivë të Policisë Ushtarake nuk mund të zbardhnin të vërtetën për Ministrinë e Mbrojtjes kur ishin vetë efektiv i saj.

- Edhe Presidenti ka heshtur. Më 12 Janar u paraqita te Avokati i Popullit pasi e pashë që shteti po fshihte të vërtetën. Po atë ditë, Avokati iu drejtua Presidentit, Kryeministrit dhe Prokurorit të Përgjithshëm. Presidenti u mjaftua vetëm duke iu drejtuar zotit Majko me pyejten: “Qëndrojnë apo jo këto probleme”?

- Më 14 janar 2004 i jam drejtuar me kërkesë për dalje në raport tek Shefi i Shtabit të Përgjithshëm dhe Presidenti me objekt: “Shkatërrimi i Forcave Detare dhe mbulimi i së vërtetës për operacionin e shpëtimit të 9 janarit”, por fatkeqësisht të gjithë heshtën. Në gusht 2004, në takimin me zotin Ruzhdi Ramadani, i thashë se 2 oficerë dëshirojnë të deklarojnë të vërtetën për tragjedinë e 9 janarit dhe të japin hollësi për falsifikimet e bëra. Ata kishin frikë dhe donin të takonin vetëm Presidentin e Republikës.

- Në brifingun e paraqitur me POËER-POINT në Komisionin Parlamentar të Mbrojtjes u tha se parashikimi ishte për det 5-6 ballë. Kur kishte një parashikim të tillë, përse u vu në gatishmëri anija me numër 224 e cila është më e vogla që kanë Forcat Detare?

- Shtabi i Përgjithshëm ka fshehur gjendjen e ulët operacionale të Rojës Bregdetare dhe mban përgjegjësi në bazë të ligjit.

- Në raportin që ish-Ministri i Mbrojtjes Pandeli Majko i dërgon Dashamir Shehit në Janar 2004 thuhet se “…forcat vepruan shpejt, në mënyrë të organizuar dhe të përshkallëzuar..”.Ky ka qenë një mashtrim pasi vetëm me një anije të vënë në lëvizje vetëm 7 orë pas kërkesës për ndihmë dhe në kundërshtim me Marrëveshjen e Hamburgut dhe të Gjenevës.

 - Në raportin e cituar më lart thuhet se u veprua në mënyrë të shkallëzuar kur Konventa e Hamburgut kërkon veprim të menjëhershëm në fazën e fatkeqësisë. Informacioni ekzistonte që në orën 19.48 të datës 9 janar nga telefonatat e para.

- “Në telefon dëgjoheshin të thirrura njerëzish dhe zhurma e dallgëve të detit”, vijon raporti.

- Si mund të pretendohet se kemi vepruar shpejt kur vetëm një anije me numër 215 ka mbërritur në rajon në orën 00 50 dhe pas 40 minutash ka kërkuar të kthehet në Sazan për furnizim. Ndërkohë, dy anijeve të tjera, 216 dhe 217 u është dhënë kushtrimi në orën 01 20, pra mëse 7 orë pas fillimit të tragjedisë dhe kanë dalë nga Pashalimani në orën 05 17 dhe 05 25 ose 11 orë e gjysmë me vonesë.

- Kompletimi i Gatishmërisë Luftarake ka qenë nën 30 % kur kërkesa për kompletim sipas dokumenteve të gjendjes operacionale duhej të ishte mbi 70 për qind dhe për anijet e Rojes Bregdetare duhej të ishte 100 %.

 ANALIZA

- Edhe në analizën e prokurorit Skënder Dauti vërtetohet se koha nuk ka qenë ajo e raportuara. Po të analizosh shprehjen “…në një gomone me kapacitet 6 persona u futën plot 39 klandestinë, gomonia u mbush me ujë etj., etj.” Pra 6-7 herë mbi kapacitetin e saj. Po të ishin në kushtet e një deti prej 6 ballësh kur valët ngrihen nga 4 deri në 6 metra, lind pyetja se si mund të qëndrojnë pa u përmbytur një gomone në këto kushte?

- Po kështu, nëse do të kontrolloheshin ditaret e kapitenerisë dhe të Policisë Kufitare do të shihet se në atë kohë ka pasur lundrime në rajon, bile edhe peshkarexha. Një anije 500 tonëshe ka ardhur e ngarkuar me sheqer nga Spanja dhe në këtë orë ka lundruar në këtë rajon. Po kështu trageti “Skënderbeu” ka bërë rejsin e përditshëm pa ndryshuar itinerarin e vet.

 - Që ne nuk kemi qenë të përgatitur për situate të tilla, këtë e tregon edhe fakti se askush nuk bëri kontroll mjekësor për kufomat që ishin në gomone të cilat u transportuan në Sazan, për të parë nëse kanë qenë të gjithë të vdekur apo ka pasur ndonjë në gjendje vdekjeje klinike. Kështu, edhe nëse ka pasur ata nuk mund të kenë rezistuar për 4 orët që zgjati rimorkimi.

- Në konkluzionet e hetimit të çështjes penale thuhet se sipas ekspertimeve mjeko-ligjore të datës 10 janar 2004, shkaku i vdekjes është të ftohtit (hipotermia). Pra lidhja shkak-pasojë është midis mosveprimit tonë dhe vdekjes. Roja bregdetare si i vetmi organizëm që ligjërisht mban përgjegjësi për operacionet e Kërkim-Shpëtimit, nuk veproi ashtu si e parashikon ligji.

G. Telegraf, 09/01/2009