E marte, 19.03.2024, 05:29 AM (GMT)

Sport » Legjenda

Ish- futbollisti i Flamurtarit Petro Ruci flet në “Telegraf” për karrierën e tij sportive

E shtune, 10.01.2009, 03:26 PM


Nga Gazmend Agai

Petro Ruci ka qenë një mbrojtës i shkëlqyer i ekipit të Flamurtarit. Ai e ka nisur futbollin në moshë shumë të vogël nëpër lagjet e Vlorës si të gjithë futbollistët e tjerë të asaj kohe. Në kujtesën e shumë sportdashësve, por edhe të vetë Rucit kanë mbetur në kujtesë ndeshjet e Flamurtarit brenda dhe jashtë vendit, dhe sidomos ndeshja me Barcelonën që vështirë se do të hiqet nga kujtesa e njerëzve që e duan futbollin. Në një intervistë ekskluzive për “Telegraf” ai tregon për karrierën e tij të pasur sportive.

 

Si e keni nisur futbollin?

Vitet e karrierës sonë sportive ishin vite me intensitet, vite të paharruara dhe të një lufte shumë të madhe me një punë shumë të madhe që bëhesh nga të gjithë futbollistët dhe natyrisht prandaj arritëm dhe rezultate të tilla. Unë e kam filluar futbollin në moshën 7 -vjeçare për herë të parë në lagjet e Vlorës, lagjen “8 Nëntori” si gjithë futbollistët e tjerë të asaj kohe. Më vonë u aktivizova në ekipin e të rinjve, 10 vjeç në akademi, 14 vjeç në ekipin e të rinjve dhe në moshën 17- vjeçare shkova me ekipin e parë të Flamurtarit ku fillova të luaja si profesionist.

Ju keni qenë në rolin e mbrojtësit te ekipi i Flamurtarit ku vihesh re shkathtësia juaj gjatë ndeshjes. Sa i vështirë ka qenë ky pozicion për ju?

 Pozicioni i një mbrojtësi në futbollin që kemi luajtur ishte një pozicion i vështirë ne luanim një futboll total, një futboll të shpejtë dhe shumë të fortë. Natyrisht kryesorja e një mbrojtësi ishte puna më e vështirë për arsye se kërkohesh shumë por dhe kërkonim shumë nga vetvetja. Ekipi kërkonte nga mbrojtësat shumë punë. Natyrisht që kjo u arrit me një punë shumë të madhe që ne arritëm me ndeshjet nëpër turet evropiane, për kampionatet shqiptare, sepse bëheshin kampionate shumë të forta. Për mua kanë qenë kampionatet më të forta që janë luajtur në gjithë periudhën e futbollit shqiptar në vitet ‘67-‘70 deri në ‘89-n.

 

Cilët nga ndeshjet që ju keni zhvilluar me ekipin e Flamurtarit do të veçonit si më të bukurën?

  Ka shumë ndeshje që kanë qenë të bukura, por mund të veçoj ndeshjet që Flamurtari ka luajtur me Tiranën, me Shkodrën, me Partizanin, Dinamon si dhe me ekipet e tjera të kampionatit shqiptar që në atë kohë zhvillonin futboll të bukur. Por ndeshje të forta gjithmonë kanë qenë ato me Tiranën, Partizanin dhe Dinamon.   

Ju keni luajtur edhe me Kombëtaren e Shqipërisë, çfarë kujtoni nga pjesëmarrja juaj te përfaqësuesja jonë?   

Edhe ato kanë qenë vite shumë të mira dhe të dashura për ne. Ne nuk kishim mundësitë e aktivizimeve, e lëvizjeve siç kanë lojtarët këto vite pas demokratizimit të Shqipërisë. Ne i kishim të rezervuara lëvizjet, i kishim të rezervuara ndeshjet dhe kishim vështirësi në ndeshje për t’u provuar me ekipet e huaja. Në bënim ndeshjet e kontrollit në Shqipëri midis ekipit shpresa dhe ekipit Kombëtar. Kjo ishte dhe vështirësia që futbolli deri në vitin 1990 nuk shkoi në atë piedestal që kërkohej. Pavarësisht kësaj, ne kemi bërë ndeshje shumë të mira. Për t’u vlerësuar është periudha e viteve 84-86, kur ne kishim mundësi për të kaluar në turin e Mondialit. U rrahëm në Greqi dhe kështu që dështuam. Kishim shumë mundësira në atë kohë sepse ekipi kombëtar kishte arritur kulmin.

Ndalemi tani në ndeshjen e zhvilluar me ekipin e njohur , Barcelonën. Çfarë ju  sjell në kujtesë kjo ndeshje?

Natyrisht që ato janë ndeshje të një klasi shumë të lartë, dhe logjika është që do të mbeten në kujtesë të popullit, por edhe te ne si futbollistë dhe si ekip. Barcelona si gjithmonë është një ekip shumë i madh, dhe në atë periudhë ka qenë një ekip shumë i fortë, me lojtarë të mëdhenj, Shuster, lojtarë të huaj si Lineker etj.. Nga ana tjetër edhe Flamurtari ishte një grup i shkëlqyer sepse kishte lojtarë shumë të mirë, si Vasil Ruci, Çipi, Zijai, Ferko, Taho, Kushta që ishin lojtarë të një niveli shumë të lartë dhe që luanin bashkë rreth 10 vjet. Natyrisht ai harmonizim edhe me trajnerin solli atë frut që u bë një ekip shumë i mirë, dhe besoj se është një nga ekipet historike të Shqipërisë. Flamurtari ka marrë pjesë nëpër Kupa, ture evropiane, pra është një ekip që duhet marrë si shembull. Turin e parë ne ngelëm në Barcelonë, për arsye se dy-tre lojtarë nuk u kthyen dot në orarin e caktuar. Presidenti i Barcelonës na krijoi mundësitë dhe ekipi ndenji dhe tre ditë të tjera me shpenzimet e Barcelonës. Është bërë një punë kolosale që u arrit ai Flamurtari i madh.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora