E enjte, 28.03.2024, 09:05 AM (GMT)

Mendime

Kostaq Xoxa: Edi Rama, 1000 herë më fajtor se Johanes Histersi

E premte, 09.01.2009, 06:46 PM


Edi Rama, 1000 herë më fajtor se Johanes Histersi

Nga Kostaq Xoxa

Meditime të një të djathti

Një ngjarje që të çon domosdoshmërisht në debat politik

Ftoj më parë lexuesin që të lëxojë këtë përkthim të shkurtuar, i cili përfton këtë pyetje që del natyrshëm nga përmbajtja e këtij përkthimi: Vendet që kanë qenë nën trysnitë asfiksuese të nazizmit dhe të komunizmit, a duhet t’i luftojnë njësoj nostalgjitë që kanë pjellë këto diktatura? Pas këtij leximi, na duket se polemika bëhet e pashmangshme: 

Aktori i shquar Johanes Histers, tanimë në një moshë të admirueshme 104-vjeçare, e ndjen veten si të ngërthyer brenda një kurthi. Një gazetar i Televizioni holandez e kishte pyetur Histersin për qëndrimin e Hitlerit ndaj ushtarakëve të tij. Aktori na ishte ngatërruar duke dhënë një përgjigje që u duk si jo me vend, - siç u përfol më pas. Ai kishte thënë se Hitleri sillej mirë me ushtarët e tij. Kjo shprehje pati pasoja të hidhura për aktorin plak. E shoqja e tij, Simona Rethel Histers, mundohet ta justifikojë të shoqin, duke mëtuar se vetë pyetja e intervistuesit ishte sugjestionuese, gati e tillë sikur përmbante një provokim. Asaj i vjen keq se burri i vet, që të premten mbush 105 vjeç, tani është i përfshirë nga ankthe, për atë dreq përgjigje që kishte dhënë, pa e menduar thellë. Tani i rri mendja aty, e ndjen veten të mënjanuar nga simpatia e publikut, për një mendim, për të cilin edhe mosha kishte bërë të vetëm, mendim që kishte të bënte me një kohë të largët, atë të nazifashizmit. Ai, që nuk kishte ndonjë simpati kushedi çfarë për atë regjim, tani kishte rënë brenda në atë që e quajtëm kurth, sepse u hap edhe një ngjarje që kishte të bënte me dy hierarki, Gëbelsin dhe Gëringun, të cilët e çmonin aftësinë e Histersit, si aktor. Por ja që edhe ai vetë e kishte harruar që ata hierarkë, që donin të afirmoheshin si njerëz të kulturës, në hapat e parë të zgjerimit të nazizmit në Gjermani,  e kishin ftuar në një manifestim kulturor në një sallë nga më të mëdhatë, për një recitim. Recitimi i tij i një poeme letrare i kishte dhënë shumë duartrokitje, por edhe një njollë, që tani u bë e njohur falë këtij prononcimi për “mirësjelljen” e personit, të cilit koha e i vuri damkën e njërit prej personave më mizorë të historisë njerëzore. Aktori i dëgjuar Histers kishte thënë, në lidhje me këtë episod, vetëm kaq:  - “Unë nuk doja të kisha të bëja fare me zotërinjtë Gëbels dhe Gëring. Plaku i talentuar 105-vjeçar, mund të thuhet se krejt rastësisht ra në njëfarë depresioni, sepse nuk ishte – sipas tij – i duartrokitur si më parë. Simona i doli në mbrojtje publikisht, duke u shprehur se pyetja i ishte bërë në gjuhën holandeze ( jo gjermane) dhe, për më tepër, ishte një pyetje ngatërruese, që mund të merret edhe si mashtruese. (Programi ku u jetësua intervista i përkiste një Televizioni holandez). Edhe gjuha, - sipas Simonës, -ka ndikuar në ngatërrimin e bashkëshortit të saj  në pleqëri shumë të shtyrë, i cili është keqinterpretuar. Simona, solli në dobi të të shoqit shprehjen e tij që klasifikonte atë si antinazist: - “Nuk kam qenë pjesëtar i  NSDAP-it (0rg. Naziste) , nuk kam qenë asnjëherë anëtar partie dhe s’kam dashur kurrë të kisha intimitete me hierarkë të atij regjimi”. Puna, megjithatë, u trash aq shumë sa Histersi duhet të përballej , në gjysmën e parë të dhjetorit, me Gjykatën e Landit të Berlinit dhe më 16 dhjetor 2008, do të merrej kundër tij një vendim. Duket se janë marrë parasysh edhe mjaft intervista të tij të mëparshme në të cilat është shprehur jo për ndonjë konsideratë të mirë për Hitlerin  dhe për ndjekësit e këtij. Madje është shprehur édhe se e ka pasur për natyrë t’u qëndronte gjithmonë larg njerëzve të pushtetit. Gruaja e tij, Simona, i qante hallin edhe vetes se tani, që ishte në përgatitje të festimit të 105-vjetorit të lindjes së bashkëshortit, gjendja e krijuar ishte një katastrofë. Madje kishte thënë për të shoqin se “nga pështjellimi i kësaj pune ai praktikisht nuk ishte më në gjendje që të luante rolet në skenë dhe në paraqitjet e tij skenike pati probleme”.
Veçse puna kishte marrë për mbarë, më vonë. Histersi, në një recitim të fundit fare, i mbahej goja, sikur belbëzonte. Dhe iu drejtua publikut: - “Të më falni, që s’jam në nivelin e duhur. Ju kam dashur aq shumë për duartrokitjet që më keni dhuruar, sa që kam detyrimin t’ju flas me zemër të hapur. Tani më duket vetja i mënjanuar. Shpresoj t’i falni një plaku kaq të moshuar gabimin e tij. Ju lutem shumë të më falni... që të çlirohem nga ky ankth”. Duartrokitjet ngroha  e bënë aktorin e shquar t’i dukeshin lotët që i rridhnin faqeve dhe recitimi belbëzues u bë, tashmë,  me një frymëzim djaloshar. Këtë herë duartrokitjet s’kishin të sosur.
Ai e ndjente veten të përtëritur.
Histersi ka për të dalë  në skenë  më 18 janar në Hamburg , ku do të luajë rolin e Franz Jozefit në operetën “Im weißen Rössi”.

Krahasimi me realitetin tonë

Krahasimi mund të jetë i mundshëm, i pamundshëm, i qartë, por edhe i ngatërruar. Për të qenë i mundshëm dhe i qartë duhet të vihen disa pika mbi i-të: Gjermania doli nga sistemi totalitar nazist. Shqipëria doli nga sistemi totalitar komunist. Gjermania ka për detyrë të zhdukë mendësitë e nostalgjisë naziste. Shqipëria ka për detyrë të zhdukë mendësitë e nostalgjisë komuniste. Gjer këtu, si e djathta ashtu edhe e majta jonë janë thuajse dakord. Me disa rezerva të asaj të zhdukjes së nostalgjive. Vazhdojmë: Në Gjermani cilido bie ndesh me ligjin ndaj çdo propagande që orvatet të propagandojë Hitlerin (Këtë e kuptojmë qartësisht përmes atij episodi të aktorit gjerman, Johanes Histers, që sapo kemi lexuar). Në Shqipëri, përkundrazi, të glorifikosh E. Hoxhën, është bërë si një gjë e natyrshme. Si të pish, për shembull, një gotë uji të ftohtë, në një ditë të nxehtë gushti, kur je kapluar nga vapa! (Këtë krahasim të ashpërsisë gjermane kundër nostalgjisë hitleriane, me dobësinë tonë ndaj nostalgjikëve tanë nuk e duan nostalgjikët majtistë të vendit tonë).
Në Pezë Edi Rama ishte nga protagonistët e festimit të një dite (16 shtatorit), për të cilën diktatori i ardhshëm, s’kishte thuajse asnjë meritë. (Ai vetë e ka quajtur rolin e tij, si atë të një postieri, që duhej të ndante disa ftesa të Miladin Popoviçit). Por, sidoqoftë, rroftë sebepi. Me këtë rast dolën fotot e shpluhurosura të diktatorit, u kënduan këngët apologjetike për të, (si dikur vahtit), (E.H. e mpreu shpatën!), u thurën ditirambe të reja (sipas politikës së re...), u derdh birra  e shampanja, por u gëlltitën edhe tabletat e drogës apo pluhuri i bardhë, gjer në moshat miturake! Panegjirizmi enverist ishte ngritur në apoteozë! Këto gjëra, në një vend që mëton se shkon drejt demokracisë që nuk duhet të pranojë asnjë reminishencë me mizorinë e së kaluarës, as nuk mund të imagjinohen në Gjermaninë, e cila i respekton rezolutat e KE-së. Prandaj demokracia gjermane merret si shembull krahasimesh, në këtë shkrim. Kurse majtizmi ynë hipokrit, që mëton se i digjet shpirti për demokracinë euroatlantike, i shkel me këmbë porositë e AP-së së KE-së!
Cili nga protagonistët e majtizmit tonë bëri një deklaratë  proteste (qoftë edhe vetjake, deklaratë distancimi) kundër asaj që ngjau në Pezë? A e bëri një gjë të tillë E. Rama? Ai s’mund ta bënte, se ishte organizatori. Po të mos ishte, le ta përgënjeshtronte. Por Edi, sipas habereve të reja që po dalin dita-ditës, nuk është veçse një propagandist grafoman  i “sukseseve” të Sigurimit, në revistat e Sigurimit; nuk është veçse një përçues i sloganeve hipokrite “përtej së majtës e të djathtës”, si shpikës ekscentrik i njëfarë “politike të re” nostalgjike, uzurpator i llogoreve të politikës pluraliste. Nuk mund të jetë proamerikan ai që ka vjellë vrer kundër tyre dhe “diversantëve” , në faqet e revistave të Sigurimit. Mos të rrëshqasim  sërish në verbërinë që të biem viktimë e njerëzve si Ellxhër Hisi, që në Jaltë sa nuk fjeti në një krevat me Ruzveltin dhe çka dëgjonte prej tij, ia thoshte të nesërmen, taze, Stalinit. Vërtet demokrati i madh, sekretari amerikan i Shtetit,  Kordell Halli (Hull)  dha dorëheqjen për një mirëbesim gjer në marrëzí nga ana e presidentit amerikan; vërtet që ky spiun i Kominternit u zu në kurth si laraska në tragjedinë e Shekspirit, dhe u dënua nga gjyqi. Por, tanimë e keqja ishte bërë. Dhe Stalini u bë perandor i Perandorisë së Kuqe, për hir të këtij mirëbesimi! Të huajt le të na besojnë ne, të djathtëve, që e kemi dashur Amerikën sinqerisht, që nga kohët e Udrou Vilsonit, e gjer në ditët e sotme.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora