Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ylli Charlize Theron, bukuri dhe role të dhimbshme

| E enjte, 08.01.2009, 10:58 AM |


"Ashtu si në jetë, në kinema duhet t‘i tregosh gjërat siç janë"

Bujare, e kujdesshme, e qeshur. Nuk është kurrë banale kur flet për diçka që e ka për zemër. Nuk është nga ato aktoret e zakonshme hollivudiane, por mbi të gjitha nuk është një person i përqendruar ekskluzivisht te vetja: gjithmonë para se t‘u përgjigjet pyetjeve, qëndron një copë here, mendohet dhe pastaj flet. Meqenëse nuk e merr kurrë seriozisht imazhin e saj publik, nuk e ka aspak problem të flasë për lukun dhe rolet që luan nëpër filma. "Jam një qenie e pajisur me sensualitet, çfarë ka të gabuar këtu? Përse duhet të më vijë turp se mund të jem njëkohësisht grua, të kem shumë feminilitet dhe të jem edhe aktore që luan filma dramatikë". Fjali të thëna gjithmonë me një zë të ëmbël dhe buzëqeshje të stampuar mbi buzë. Me fustan të hapur dhe flokë të artë e të krehur bukur, Charlize Theron nuk mund të mos rrezatojë bukuri. Jo më kot është gjithmonë e pranishme në klasifikimet e bukurisë të bëra nga revistat e ndryshme. "Ato klasifikime janë të këndshme, por nuk duhen marrë kurrsesi seriozisht", flet me ton të prerë. Pastaj ndryshon argument dhe nis të flasë për zanatin që ka zgjedhur: "Nisem gjithmonë nga fakti se të gjithë jemi qenie njerëzore. Të gjithë ne, pavarësisht asaj që bëjmë, jemi të brishtë dhe të pambrojtur. Ashtu si në realitet, edhe në kinema duhet t‘i tregosh gjërat ashtu siç janë, pa doreza. Kur duhet të interpretoj një personazh, qëllimi im është të provokoj simpati tek ata që më shohin. Kjo është sfida ime: të shkaktoj emocione të forta tek ata që më shohin. T‘i bëj spektatorët, që qoftë edhe për një çast, të provojnë drithërima. Nëse kjo ndodh, edhe për një çast të vetëm, do të thotë se rezultati është arritur". Brishtësi, vërtetësi, veçanti. Janë këto koncepte që aplikohen në perfeksion në shumë prej provave të saj kinematografike, shpesh në filma jo komercialë: "Përpiqem të zgjedh regjisorët që nuk i zbukurojnë gjërat, por thonë të vërtetën. Vetë jam e etur gjithmonë për të vërtetën". Eh, ka plotësisht të drejtë. Me rolin e saj te "Monster", ku interpreton një serial killer që ka ekzistuar vërtet, ka arritur të fitojë çmimin "Oskar". Apo te "North Country", ku është një punëtore miniere që rebelohet kundër atyre që e bezdisnin. E njëjta gjë edhe te "Në luginën e Elah"-ut, një dramë e jashtëzakonshme mbi ushtarët që kthehen nga lufta në Irak. Edhe te filmat më të fundit si "The Burning Plain", apo "Sleepwalking" interpreton role drithëruese. Tek i pari, atë të një gruaje që e brente një faj i së kaluarës, ndërsa tek i dyti, historinë e një nëne që braktis vajzën 11-vjeçare, që zgjedh vetëm burrat e gabuar dhe që vuan e torturon veten. "Janë role me dritëhije, që duhen kuptuar dhe nuk duhen gjykuar vetëm sipas kategorive klasike të mirë, apo të keq. Personazhet që interpretoj në këto filma sigurisht që kanë defekte, por kush nuk ka?" Rezultati: një galeri portretesh femërore komplekse, shpesh të pakëndshme dhe kurrë të lehta për t‘u klasifikuar, për të cilat ajo investon jo vetëm si interpretuese, por edhe si producente. "Për mua është magjepsëse dhe jo shumë ndryshe nga interpretimi në një shesh xhirimi. Megjithatë, në të dyja rastet duhet të jesh kreativ dhe i përgjegjshëm, për faktin se të krijosh një film është një punë shumë e vështirë. Sigurisht, nëse angazhohesh në filma të tillë si ‘Monster‘, apo ‘The Burning Plain‘, te të cilët jam edhe producente, nuk mendon që të bëhesh i pasur, por vetëm për të qenë krenarë për rezultatin përfundimtar", tregon duke përshkruar punën e re si producente. Por shpesh, rezultatet e mira shpërblehen. Me interpretimin e saj te "Monster", e shëmtuar, e keqe dhe që nuk njihet, arriti të fitonte çmimin "Oskar", atë që synojnë të gjithë aktorët. "E bukura e një çmimi si ‘Oskari" është se shpesh u jepet atyre filmave që konsiderohen si të rrezikshëm. Atyre ku jepen argumente të vërteta, të vështira dhe që nuk bëhen thjesht për të fituar. Me pak fjalë, ata lloj filmash që studiot nuk duan që t‘i bëjnë. Megjithëse ka rëndësinë e tij, në fund të fundit mbetet vetëm një çmim". Një përpjekje për të mos i dhënë shumë rëndësi sukseseve. Por kur e pyet për të treguar "mrekullinë" e interpretimit, toni i zërit të saj ndryshon tërësisht: "Është gabim t‘i kërkosh një aktori diçka, për mënyrën se si ai interpreton. Me pak fjalë është e kotë t‘i thuash të tregojë sekretet e zanatit. Një film është një udhëtim që një aktor duhet të bëjë, me një imperativ të vetëm si udhërrëfyes: të jetë sa më shumë besnik me njerëzit, gjë që gjithmonë është mjaft e vështirë. Por diçka edhe mund t‘jua tregoj: duhet të njohim mirë veten, edhe pse kjo mund të na bëjë të vuajmë dhe të jemi vërtet të dashur me njerëzit dhe mënyrat e tyre të sjelljes në rrethana të ndryshme të jetës". Por në karrierën e saj nuk ka vetëm role të dhimbshme, në Hollivud ajo është heroinë e shumë filmave aksion, përkrah Tom Cruise, apo Will Smith. E pyetur se përse njerëzit i pëlqejnë filmat me superheronj, përgjigjet: "Nuk e di se përse njerëzit i duan, sepse është njëlloj sikur të pyesësh përse njerëzit besojnë në Zot. Ndoshta sepse gjithmonë na bën të ndihemi mirë kur mendojmë se kemi pranë dikë". Fjalë këto që tregojnë jo në mënyrë direkte formën personale të spiritualitetit. Atë që ndoshta e ka ndihmuar në momentet më të vështira, duke nisur nga ai më i dhimbshmi. Në vitin 1991, kur ajo ishte më pak se 16 vjeçe, jetonte në një fermë në Benoni, pak larg nga Johanesburgu, me të ëmën Gerda, me origjinë gjermane dhe babanë Charles, me origjinë franceze. Një ditë, duke u përballuar për të disatën herë me burrin e saj alkoolist dhe të dhunshëm, Gerda merr pistoletën dhe e vret. Nuk u dënua, sepse ngjarja u cilësua si vetëmbrojtje. Që prej asaj kohe, Theron dhe e ëma mbetën të lidhura me njëra-tjetra, në një raport plot ulje e ngritje. "Të gjithë kemi marrëdhënie konfliktuale me ata që na rrethojnë. U përpoqa të kisha një raport të mirë me të, por nuk munda. Kjo nuk do të thotë se nuk jam ndier kurrë vajza e saj dhe secila prej nesh e ka respektuar njëra-tjetrën", shpjegon. Është pikërisht përjetimi i një ngjarjeje të tillë që e bindi të bëhej ambasadore e OKB-së kundër dhunës ndaj grave. Duket sikur nga ajo dramë familjare i lindi edhe dëshira për t‘u "arratisur" nga ajo botë që e rrethonte. "Doja të bëhesha balerinë, studioja balet prej vitesh, por 17 vjeçe mora pjesë në një konkurs për modele, ku fitova një çmim dhe një kontratë për në Milano". Aty nisi epoka e modeles që solli edhe fitimet e para, ndërsa një dëmtim i rëndë në gju i mbylli përgjithmonë portat e baletit. Por, sfilatat nuk i mjaftuan, sepse bukuroshja afrikano-jugore donte të bëhej aktore. Kështu vendosi të zbarkojë ne Hollivud, fillimisht me famën e një modeleje. "Kur vendosa të aktroja e dija që do të kisha famën e një modeleje, por doja t‘ia dilja mbanë edhe këtu. Për këtë arsye zgjedh role që më bindin. Sepse dua të jem gjithmonë e besueshme". Dhe për këtë sigurisht që kontribuoi edhe Woody Allen, i cili shumë shpejt e bëri muzën e tij.

G. Shqip