E premte, 19.04.2024, 01:52 AM (GMT+1)

Mendime

Albin Kurti: Vizioni pa vullnet

E enjte, 08.01.2009, 08:03 PM


Albin Kurti
Vizioni pa vullnet

Mangësia kryesore e qeverisë së Kosovës së pavarur nuk është dija por vullneti. Më parë se vizioni dhe strategjia për realizimin e tij, qeverisë së Kosovës i mungon vullneti politik.

Nga Albin Kurti

Në Kosovë po përforcohet pavarësia si pavarësi prej Shqipërisë, dhe po dobësohet pavarësia si pavarësi prej Serbisë. Në njërën anë sajohen flamuri i ri, himni i ri dhe abetarja e re kurse, në anën tjetër, tolerohen gjithnjë e më shumë strukturat e Serbisë dhe zbatohet gjashtëpikëshi i Ban Ki-moon-it. Multietniciteti promovohet vetëm aty ku shqiptarët janë shumicë dhe jo në vendbanimet ku serbët janë shumicë. Multietniciteti promovohet në Kosovën jashtë enklavave dhe pa veriun, por jo në Zveçan e Ranillug. Mu ashtu siç nuk promovohet as në Serbi, përveç në Kosovën Lindore, që është me shumicë shqiptare dhe ku ndodhet njëfarë policie multietnike që s’e pyet kush. Thjesht, në Kosovë nuk ka shtetndërtim por vetëm kombbërje. Nuk është qëllimi që Kosova të bëhet shtet normal me ushtri, sovranitet, integritet territorial, kufij të kontrolluar dhe me zhvillim ekonomik. Qëllimi është që shqiptarët e Kosovës identitetin e tyre krahinor e gjeografik ta shndërrojnë në identitet kombëtar. Kosovën e bërë shqiptaro-serbe në vitin 1999 atëherë kur u ‘çliruam’, tash që u ‘pavarësuam’, një dekadë më pas, duan ta bëjnë kosovaro-serbe. Ndërkohë, Serbia do t’i ketë duart e lira për republikën më të re serbe në Ballkan: atë që Milosheviqi ua krijoi serbëve të Bosnjes për dy javë në Dayton, Tadiqi po ua krijon dalëngadalë serbëve të Kosovës. Jemi dëshmitarë se që prej shpalljes së pavarësisë, Serbia më shumë e ka shtrirë sovranitetin në Kosovë sesa vetë Kosova. Realiteti në Kosovë është shumë më afër gjashtëpikëshit (dhe po lëviz në drejtim të tij) sesa neneve 1.1 e 2.2 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (nga të cilat po largohet vazhdimisht). Nuk po forcohen institucionet e Kosovës në kuadër të shtetndërtimit, por po institucionalizohet ndarja funksionale e Samarxhiqit në kuadër të gjashtëpikëshit. E, kur funksionon ndarja nuk funksionon Kosova.

Aktualisht Serbia po i terrorizon shqiptarët në Kosovën Lindore dhe në veriun e Kosovës. Aty ku shqiptarët kufizohen me Serbinë, aty realisht nuk ka kufi. Sepse Serbia aty ka xhandarmëri, ushtri e paramilitarë, kurse Kosova nuk ka as polici. Ose, edhe më keq se kaq: ka policë që nuk janë të saj: pjesëtarëve serbë të ShPK-së u ec rroga nga buxheti i Kosovës gjersa i zbatojnë urdhërat e Ivica Daciqit. Në veri dhe në lindje të Kosovës koha nuk po punon për shqiptarët. Atje popullata shqiptare e braktisur nga sistemi i vet shtetëror po përballet me sistemin e Serbisë që i mobilizon dhe pajis kundër tyre edhe popullatën serbe. Vetorganizimi i shqiptarëve këto ditë në veri të Kosovës është gjithsesi i admirueshëm por ai s’mund të zgjasë pakufi. Shqiptarëve duhet t’iu dalë zot Kosova, apo jo? Përndryshe, pak nga pak, numri i shqiptarëve në veri dhe në lindje të Kosovës do të bjerë ndjeshëm – shpërngulja do të intensifikohet pa shumë zhurmë.

Për çështjen e sovranitetit dhe integritetit territorial nuk mund të llogarisim aq në bashkësinë ndërkombëtare. Jo vetëm për shkak se krejt çfarë po ndodh po ngjan para syve të saj. Bashkësia ndërkombëtare në Kosovë nuk është bashkësi ndërkombëtare. Jo vetëm për shkak se nuk është bashkësi dhe as ndërkombëtare, por veçse konglomerat interesash kombëtare të shteteve të veçanta. Bashkësia ndërkombëtare nuk është bashkësi ndërkombëtare në Kosovë, sepse ajo nuk bazohet në parimet, vlerat dhe standardet e saj këtu te ne. Në Kosovën e pavarur UNMIK-u dhe EULEX-i janë në bazë të marrëveshjeve me Serbinë dhe sipas kushteve të saj. Bashkësia ndërkombëtare në Kosovën e pavarur është e varur nga Serbia si në aspektin legal po ashtu edhe në atë politik e praktik. Politika e jashtme e BE-së nuk e sheh Kosovën si shtet të veçantë: për shkak se nuk e njeh Kosovën si të tillë, por edhe për arsye se udhëhiqet nga paradigma e stabilitetit rajonal. Javier Solana nuk ndërmerr asgjë pozitive në Kosovë nëse vlerëson se kjo mund të shkaktojë diçka negative në Serbi, Bosnje apo Maqedoni. Javier Solana na sheh neve gjithnjë duke e menduar Serbinë. Në shikimin e tij, në politikën e jashtme të BE-së shprehje e së cilës janë ICO-ja dhe EULEX-i, ne s’jemi të pavarur. Ky pavarësim në shikimin e tyre nga jashtë nuk mund të bëhet nga jashtë. Ai mund të bëhet vetëm nga brenda. Ne duhet ta ndryshojmë atë që ata e shohin, atë që BE-ja e sheh kur na shikon neve. Ne duhet ta ndryshojmë shikimin e tyre para se ai të na ndryshojë neve pakthyeshëm. Ne duhet ta ndryshojmë gjendjen tonë. Sepse vetëm ne mund ta bëjmë këtë.

53 shtete na e kanë pranuar që Kosova është shtëpi jona. E di, ata na e kanë pranuar këtë me kushtin që kjo shtëpi të jetë e ndërtuar sipas një plani (të Ahtisaarit), që është koncesion i hatashëm ndaj Serbisë. Por, le ta ndërtojmë shtëpinë si na konvenon neve, le të bëjmë mbindërtime e ndërtime aneksesh. Këtë po e bëjnë shqiptarët me aq lehtësi dhe guxim në rrafshin privat, apo jo? Pse të mos e bëjnë ata këtë kolektivisht në rrafshin shtetëror?! Edhe dobia do të jetë patjetër më e madhe për të gjithë, por edhe për secilin në një periudhë ca më afatgjate. Mandej, do t’i detyrojmë të na e legalizojnë atë mbindërtim, apo jo? Krejtësisht ngjashëm, shumë shqiptarë pas luftës janë vrarë ndërmjet vete për megja të arave të tyre që i kanë riblerë nga serbët, ndërkohë që ndjeshmëria kolektive e shqiptarëve për territorin e tyre të përbashkët, për hapësirën e tyre kolektive (përfshirë këtu veriun e Kosovës) ka rënë. Kemi inflacion të guximit dhe vetëbesimit individual dhe deficit të atij kolektiv. Edhe popuj të tjerë kanë këso problemesh, mirëpo atje këto minimizohen nga shteti, nga sistemi politik i cili dijen dhe vullnetin i vë në shërbim të shoqërisë dhe publikut. Përderisa ne nuk e përcaktojmë dhe mbrojmë interesin tonë të përbashkët, përderisa nuk restaurohemi dhe konsolidohemi në rrafshin kolektiv, vazhdimisht do të merremi me njëri-tjetrin në mënyrë rrënuese. Duhet ta sigurojmë dhe mbrojmë kolektivitetin tonë për të siguruar kushte të volitshme për individualitetin tonë. Individualizmi i njerëzve e qytetarëve pa u siguruar e forcuar ajo që është kolektive te shoqëria dhe populli shpie në degradim kolektiv. E, për ta bërë këtë, lypset vullnet politik për fuqi shtetërore. Pa mekanizmat e forcës dhe pa vullnetin për t’i bërë ato e për t’i përdorur ato, qeveria e Kosovës po funksionon si një kokë pa trup. Dhe, siç e kemi parë deri më tani, jo aq kokë e mençur. Megjithëkëtë, mangësia kryesore e qeverisë së Kosovës së pavarur nuk është dija por vullneti. Më parë se vizioni dhe strategjia për realizimin e tij, qeverisë së Kosovës i mungon vullneti politik. Aq shumë analistë e politikanë opozitarë i janë hedhur në qafë qeverisë së Kosovës për mungesë vizioni, plani, strategjie etj. Mirëpo, mungesa themelore e qeverisë nuk është vizoni, por vullneti. Madje, vizioni pa vullnet është edhe i dëmshëm. Vizioni pa vullnet krijon halucinacione. E keni parë se si Fatmir Sejdiu e Hashim Thaçi flasin për sovranitetin e Kosovës të cilin e ruan dhe garanton kushtetuta?!



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora