Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ilir Çumani: ''Vuvi'' foli...

| E merkure, 07.01.2009, 07:20 PM |


Ilir Çumani
“VUVI“   FOLI...

Nga Ilir ÇUMANI*

Më kujtohet kur isha fëmijë, nxënës në klasën e pestë, kam lexuar një tregim të shkrimtarit tonë të madh Prof.Dhimitër Shuteriqi. Tregimi mbante titullin: “ Vuv, vet…”.
Afërsisht,  subjekti i tregimit bënte fjalë për një familje në të cilën kishte ardhur në jetë fëmija e parë që ishte djalë. Mirëpo, edhe pse i mbushi një vjeç, fëmija  ende ai nuk bëlbëzonte dhe nuk reagonte ndaj zhurmave të mjedisit ku jetonte e rrethohej nga njerëzit. Ky fakt përbënte një shqetësim për të gjithë familjen, veçanërisht për prindërit e tij, të cilët u shqetësuan edhe më shumë kur e kuptuan se fëmija as fliste dhe as dëgjonte edhe kur i mbushi dy vjeç.
Kështu kaloi viti i tretë dhe hyri viti katërt, e  sërish fëmija nuk fliste dhe nuk dëgjonte, por vetëm qeshte edhe qante…
Mes gjithë atij shqetësimi të madh ku jetonin së bashku prindërit e fëmijës, gjyshi edhe gjyshja, tezja, halla, daja, krahas çasteve gazmore që krijoheshin brenda kësaj familjeje, shpesh kishte edhe situata tensionuese e zemërimi të cilat nuk mungonin. Jo rrallë herë, prindërit të dëshpëruar dhe  të nxehur me këtë fat të tyre, e shkarkonin të gjithë  zemërimin tek fëmija duke i bërtitur:- “Po fol more vuv, se na plase…!”. Ky refren përsëritej e ripërsëritej  nga familjarët e kësaj shtëpie duke lozur por edhe duke e sharë fëmijën që nuk fliste e nuk dëgjonte edhe pse po rritej. Shpesh,  kur  fëmija “shahej” me nofkën  “vuv”, ai reagonte duke ngrysur vetullat. Këtë gjest, e bënte për të shprehur në mënyrën më të mirë revoltën që ai kishte.  Porse një ditë, teksa i përsëritej e njëjta sharje, çuditërisht fëmija i habiti të gjithë familjarët, duke i lënë të gjithë si të ngrirë. Ai shpërthehu gjithë inat ndaj të atit duke u shtrënguar aq shumë, saqë belbëzoi për herë të parë fjalët: “Vuv vet..!, që në gjuhën e tij  do  të thoshte  se,  “vuv” ishte i ati që i bërtiste dhe e shante përditë. Kjo bëri që të gjithë të pranishmit të mbeteshin me gojë hapur dhe të befasuar, ngaqë fëmija foli… Pastaj plasën të qeshurat dhe hareja mbuloi të gjithë pjestarët e shtëpisë.    
Nëse këto ditë nuk do të qëllonte rastësisht të lexoja një artikull të botuar pak kohë më parë në një të përditshme, mbase  s’do të merrja mundimin të shkruaja këto radhë.
Edhe pse kam qënë tepër i vëmendshëm ndaj shtypit lidhur me debatin publik të shumëdiskutuar kohët e fundit mbi akuzat për shpërdorimet, vjedhjet dhe abuzimet e ndodhura në shtëpinë e fëmijës “Zyber Hallulli”, shkrimi në fjalë, çuditërisht më kishte kaluar  pa e lexuar.
Artikulli i gazetës me titull: “Fëmijët dhe njerëzit në nevojë s’kanë nevojë për iluzione”, mbante firmën e njërit prej titullarëve që prej vitesh ka punuar dhe drejtuar në  dikasterin e drejtorisë së përgjithshme të Shërbimit Social Shtetëror.
Autori i këtij shkrimi prej afro katër  kolona fund e krye, është paraqitur para lexuesit si “analist” apo “komentues” i problematikës sociale, edhe pse ka nguruar të prezantohet normalisht me funksionin dhe detyrën që mbulon në dikasterin e sipërpërmendur. Për më tepër,  kur merr përsipër të prezantohet me një temë kaq delikate si ajo që trajton në atë artikull, pikërisht  për fëmijët jetimë dhe shtresat e tjera në nevojë.
Me një gjuhë paksa të zgjedhur gazetareske e me fraza bombastike, me terma të huazuara, por gjithsesi agresive dhe tepër cinike në stilin bizantin, ai gjuan me shigjeta helmatisëse të gjithë ata që demaskuan dhe  bënë publike skandalet dhe abuzimet e ndodhura në Shtëpinë e Fëmijës “Zyber Hallulli”.
Ndërkohë, ai merr përsipër të bëjë edhe “avokatinë” e vetvetes, por,  edhe të stafit të ngushtë të ish - shefes së tij të larguar pak muaj më parë nga institucioni aq shumë i përfolur dhe i akuzuar për korrupsion e  shpërdorim fondesh në kurriz të fëmijëve jetimë, që rriten në institucione shtetërore, apo qëndra të tjera rezidenciale sociale publike dhe  që varen pikërisht nga dikasteri që ai drejton.
Falë aftësisë së tij për të bërë lojra fjalësh, me një përzgjedhje të “admirueshme” të natyrës filozofike, ai “artikulon bukur” dhe me “delikatesë”  fraza  e frazeologji për çdo fenomen dhe  dukuri që është prezente në mjedisin tonë shoqëror, por që për fat të keq, protagonistët janë pikërisht ata, grupet në nevojë, invalidët, tetraplegjikët dhe  paraplegjikët, romët, shurdhët dhe të verbërit, të moshuarit e vetmuar, jetimët, etj.
Duke qënë i pranishëm hera – herës në median e shkruar, në rastin konkret, artikullshkruesi  prezantohet si një  demagog i përkryer; penetron lehtë e me shumë finesë në opinionin publik me diversionin e tij dashakeqës për të kompleksuar me ndjenjën e fajit këdo dhe cilindo, mbase edhe viktimën e tij, që në rastin konkret janë vetë fëmijët jetimë.
I vënë në rolin e specialistit, artikullshkruesi, i cili për vite me radhë ka qënë një ndër drejtuesit kryesor të Shërbimit Social Shtetëror, paraqet një panoramë të përgjithshme të shërbimeve sociale në vendin tonë, teksa i referohet të dhënave, shifrave, statistikave, kapaciteteve, burimeve virtuale  dhe nevojave të mëdha që ka shteti. Por, nga ana tjetër, nuk nguron të mburret për të vënë theksin mbi “modalitetet”, “tipologjitë dhe strategjitë” që ka hartuar dhe “implementuar suksesshëm”  dikasteri që ka drejtuar ai përsa i përket politikave sociale të shtetit në trajtimin e shtresave në nevojë dhe grupeve të interesit. Me një retorikë të zgjuar dhe plot sofizma, por, gjithësesi edhe me një ngarkesë emocionale e patetike, ai e manipulon lexuesin duke u paraqitur si “hulumtues” me “argumentin e realitetit”  në të cilën ndodhen institucionet e shtetit dhe  shoqëria shqiptare, në përballjen e tyre me vështirësitë e mëdha për t’ju përgjigjur kërkesave dhe nevojave të njerëzve pa përkrahje, veçanërisht në raport me shtresat e margjinalizuara dhe ato vulnerabël. Ndaj,  artikullshkruesi  duke “qarë e vajtuar me oooiiii… për shtetin dhe qeverinë”, për “pamundësinë” e  zgjerimit të dimensionit social,  bën  thirrje që të mos u besohet shumë atyre që akuzojnë dhe demaskojnë qoftë edhe ish - nënëpunësit e shtetit të cilët ashiqare kanë qënë abuzues, plaçkitës dhe vjedhës të jetimëve; të mos u vihet veshi atyre që  “çirren dhe bërtasin” për të mbrojtur të drejtat të fëmijëve, sepse këta fëmijë  ka se kush i mbron….
Më tej ai citon:- “E keqja  e fushatës aktuale, është se në këtë betejë sociale midis shtetit (strukturave të shërbimit social) dhe ndonjë  OJF-je, po shfaqen në mënyrë intensive dhe me shumë agresivitet, ide spekullative nga njerëz, jo ose gjysëm profesionistë, të cilët në forma të ndryshme, bëjnë thirrje për një zgjerim të mëtejshëm të dimensionit social të shtetit, tej kapaciteteve dhe mundësive të tij, duke nihiluar ndërkaq të gjithë punën dhe shërbimin e ofruar deri tani veçanërisht nga strukturat rezidenciale të shërbimit publik. Në emër dhe shpesh si përfaqësues të grupeve të interesit të shtresave në nevojë, disa prej tyre me pretenciozitet dhe të vetëndierë të çuditshëm, përpiqen të lozin publikisht me kartën e humanizmit dhe të demagogjisë sociale….”
Me një fjalë, artikullshkruesi, e përkufizon në mënyrën  më spekullative e dashakeqëse si një “betejë sociale midis shtetit (strukturave të shërbimit social) dhe ndonjë  OJF-je”, të gjithë përpjekjen dhe luftën pa kompromis që shoqëria civile ka bërë dhe po bënë për të mbrojtur integritetin e grupeve të interesit nga dhuna dhe padrejtësitë shoqërore, arroganca, diskriminimi dhe abuzimi që individë të papërgjegjshëm dhe të pamoralshëm që përfaqësohen dhe flasin në emër të shtetit, abuzojnë, vjedhin dhe shpërdorojnë detyrën që u është besuar, duke sjell për pasoj viktimizimin e grupeve të targetit të cilëve ata u shërbejnë.
Artikullshkruesi, në mënyrë paranojake demonstron  një servilizëm klasik,  gjoja  si “mbrojtës i imazhit” të institucionit të përfolur, nihilon  dhe krijon artificialisht një konflikt institucional midis institucioneve shtetërore dhe OJF-ve akuzuese; manovron si një pehlivan për të shmangur vëmendjen e opinionit publik  nga përgjegjësitë individuale në aferat korruptive të personave përgjegjës të implikuar në vjedhje e abuzime me jetimët. Të gjithë këtë performancë,  e shfaq  me shumë zell e intensitet,  për të fituar simpatinë e shefave të tij për mbrojtjen që i bënë shtetit. Mirëpo nga ana tjetër, ai harron se institucionet dhe ligjet e shtetit janë dhe duhet të jenë të shejnta, të pakompromentueshme e të paprekshme edhe nga ata që bëjnë “mbrojtësin fanatik” të shtetit dhe të ligjit.
Mbase kurrë nuk do ta kisha njohur nga afër artikullshkruesin steriotip,  nëse nuk do të përballesha aksidentalisht me të  në një debat televiziv në televizonin publik “Klan”, ku isha i ftuar në studio për të diskutuar se ç’farë po ndodhte realisht sot me institucionet e foshnjave dhe të shtëpive të fëmijës të degraduara nga korrupsioni  anembanë vendit. Ç’farë përgjegjësish binin mbi dikasterin e Shërbimit Social Shtetëror,  i cili merrej me administrimin e fondeve që taksapaguesit  shqiptarë kontribuojnë në mënyrë korrekte  edhe për atë pjesë të brishtë dhe të pambrojtur të shoqërisë shqiptare, pra edhe për të vegjëlit pa kujdes prindëror.
Pas 15 vjetësh, ishte hera e parë që institucioni më i përfolur nga të gjitha grupet e interesit që i përkasin shtresës sociale, përfaqësohej në një debat të hapur publik për të sqaruar pozicionin e vet lidhur mbi ato akuza që i adresoheshin drejtuesve të shtëpisë së fëmijës “Zyber Hallulli”, dhe drejtuesve kryesor të Shërbimit Social Shtetëror. Edhe pse përfaqësues të shumtë të medias dhe  OJF – ve, kishin kërkuar disa herë dhe në kohë të ndryshme  të merrnin prononcime zyrtare nga ky institucion, askush nuk pati  guxuar dhe nuk guxonte të dilte në përballje me  publikun në një debat të hapur për opinionin e gjërë.
Të gjithë mëkatarët përgjegjës,  strukeshin në skutat më të errëta për të mos u dukur askund.
Mbase, ish - drejtuesit kryesor të këtij institucioni e kishin zgjedhur këtë mënyrë, si mundësinë më të mirë për t’iu shmangur transparencës dhe  këtij debati publik, duke heshtur dhe mbyllur dyert për median, me idenë se çudia zgjat vetëm 3 ditë dhe çdo gjë më pas harrohet… Kështu që ky institucion,  e kishte gjetur “kodin” për t’i kaluar lehtë situatat e nxehta të debatit publik, duke u “bunkerizuar” dhe mbyllur rrugët e komunikimit me median e publikun, nëpërmjet  “shurdhërisë” dhe “memecërisë”.
Mirëpo këtë radhë nuk ndodhi kështu.
Me bërjen publike të fakteve korruptive dhe abuzimeve të shumta të ndodhura në Shtëpinë e Fëmijës “Zyber Hallulli”, me angazhimin dhe qëndrimin konsistent të medias për të zbardhur deri në fund të vertetat për ç’farë po ndodhte realisht  brenda mureve të institucioneve të jetimoreve këto vitet e fundit; nga ana tjetër, edhe solidariteti që u shfaq nga një pjesë e shëndoshë e opinionit të gjerë publik, bëri që institucioni kaq shumë i përfolur,  të përballej në një debat televiziv me përfaqësuesin  e  tij para publikut.
E ndërsa më vjen ndërmend episodi i “vuvit” që rëfeva në fillim të shkrimit, ende vazhdoj të ndihem  keq  kur kujtoj  se si përfaqësuesi i këtij institucioni kaq  të përfolur, i cili nga zori, apo i urdhëruar nga shefat e tij, pranoi të përballej në këtë debat publik.
Ai në mënyrë mjerane, përpëlitej përmes frazave steriotipe, duke anashkaluar të gjitha faktet për të cilat i kërkohej shpjegim me anën e pyetjeve që unë i drejtoja. Dhe ky përfaqësues, ishte pikërisht artikullshkruesi që më nxiti të shkruaj këto radhë, i cili,  në vend që të fliste me argumenta, shfryu me arrogancën e vet të gjithë dufin 15 vjeçar të institucionit korruptiv që  përfaqësonte.
Ai thotë se : “Njerëzit në nevojë e veçanërisht fëmijët jetimë, nuk kanë nevojë për iluzione e ide sociale utopike, të lëshuara pa kujdes dhe me dashakeqësi, në “eterin mediatik”, për të bërë “show”, apo për ca përfitime të tjera, që qëndrojnë në thelb të intensitetit dhe “ndjeshmërisë sociale personale”, të shitura pa para në publik”.
Mirëpo ky artikullshkrues,  nuk është në gjëndje të thotë hapur se, përse  nga 36 fëmijë jetimë që ka ky institucion, 7 prej tyre kanë kaluar me bronkopneumoni të rëndë në këtë dimër të ftohtë për shkak të mungesës së ngrohjes, edhe pse  shteti vetëm për ngrohjen e fëmijëve  paguan 3.000.000 lekë të reja në vit për shtëpinë e fëmijës “Zyber Hallulli ?!
Përse nuk  ekzistojnë në magazinën e këtij institucioni  pajisjet e shumta elektroshtëpiake, veshëmbathjet,  donacione të dhuruara me aq bujari nga bisnesmenë e donatorë të ndryshëm, të cilat do të shërbenin  për të përmirësuar kushtet e kësaj shtëpie fëmije?! Përse nuk figurojnë të dokumentuara të gjitha donacionet e dhuruara në të holla në dokumentat e financës së këtij institucioni?! Kush i ka përfituar ato?!  Përse fëmijët nuk kanë as minimalisht shërbimin mjekësor, psikosocial dhe edukativ, aq të domosdoshëm për t’ju garantuar atyre një të ardhme të sigurtë si qytetar të denjë të këtij vendi?!
Përse fëmijët normalë duhet të bashkëjetojnë brenda të njëjtit institucion me fëmijë që kanë probleme mendore; dhe këta të fundit përballen me kalvarin e gjatë të rrugëtimit për të shkuar dhe ardhur në këmbë çdo ditë nga shkolla, ndërkohë, që automjeti i  institucionit përdorej për punët private në favor të drejtueses se institucionit dhe familjarëve të saj!? Përse fëmijët duhet të jetojnë në mjediset plot lagështirë, kur shteti ka vënë në dispozicion shuma të konsiderueshme për restaurimin dhe mirëmbajtjen e mjedisit të banimit?!
Përse duhej të mbrohej me kaq fanatizëm ish - drejtuesja e këtij institucioni, e akuzuar tashmë me fakte që provojnë katërcipërisht veprimtarinë e saj korruptive dhe abuzive, ndërsa grupet e auditimit në mënyrë të qëllimshme janë bërë palë për të mbuluar këto afera korruptive të ndodhura në kurriz të fëmijëve jetimë?! 
Përse pjesa më e madhe e fëmijëve jetimë në këto institucione dalin krejtësisht anafalbetë, të kequshqyer dhe të traumatizuar, ndërsa fati i tyre nuk dihet më pas, sepse ashkush nuk interesohet më për ta?!
E, meqënëse trumpetoni me të madhe “modalitetet” e rikthimit të fëmijës pranë familjes biologjike, përse në këto 4 vjetët e fundit statistikat e birësimeve janë në kuotat zero, ndërsa Komiteti Shqiptar i Birësimeve akuzon drejtëpërsëdrejti shtëpitë e fëmijëve dhe drejtorinë e përgjithshme të Shërbimit Social Shtetëror të cilat nuk kanë bërë asnjë përpjekje për t’ju ofruar këtyre fëmijëve në nevojë një familje të re dhe të ngrohtë alternative – birësuese ?!
Ja, për këto dhe shumë gjëra të tjera si këto, në mënyrën më të sinqertë e të penduar duhet të kishte folur artikullshkruesi. Më shumë se retorikat dhe lojrat e fjalëve që ai i ka për zemër, do të bënte  mirë të sqaronte pozicionin dhe përgjegjësitë e institucionit që përfaqëson.
Me këto retorika, zotëria në fjalë përpiqet të  re(Tush)oj  të gjitha të vërtetat mbi skandalet e ndodhura me jetimët në këto 15 vjetët e tranzicionit.
Ngase, për hir të së vërtetës, kjo ka qënë një nga periudhat më të zeza në historinë  88 - vjeçare të këtyre institucioneve anembanë vendit.
E, nëse “vuvi” në tregimin e Shuteriqit foli, artikullshkruesi nuk tha asgjë për ata fëmijë që shpresojnë të paktën një mbështetje modeste, reale dhe të sinqertë nga shteti.
Ky është realiteti i jetimeve  në vendin tonë.  Zoti i shpëtoftë dhe i ndihmoftë …!
 

V.O

* Drejtor i Përgjithshëm i Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë

Shkrimi është botuar në gazetën “Ballkan” dhe “Standart”