Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ilir Çumani: Kadri Alia, ky matrapaz social, abuzues me jetimët

| E marte, 06.01.2009, 09:45 PM |


Ilir Çumani
Ilir Çumani
Kadri Alia, ky matrapaz social, abuzues me jetimët

 

- Kryetari i Shoqatës së Jetimëve Kadri Alia, fenomeni spekulativ që s’nguron të mashtroj edhe Presidentin e Republikës z. Bamir Topi, edhe Kryeministrin z. Sali Berisha –

 

Nga Ilir ÇUMANI*

 

I ndodhur përmes dilemës nëse  duhej të bëja replikë apo jo me z.Kadri Alia, të vetëquajturin “president i jetimëve”, (Zoti na ruajt, është pak si luks dhe ironi në të njëjtën kohë të thuash se edhe jetimët na  paskan “PRESIDENT” ), zgjodha për transparencë, në repekt të lexuesit dhe opinionit të gjerë publik t’a bëjë atë.

Vendosa të bëjë replikën në radhë të parë si njeri publik, si njohës dhe respektues  i ligjit,  por, edhe si përfaqësues i medias, njëkohësisht edhe me obligimin moral e qytetar për të mos lejuar këdo dhe cilindo  të spekuloj dhe abuzoj me atë pjesë të pambrojtur të shoqërisë, siç janë fëmijët pa kujdes prindëror.

Shkak për këtë replikë të detyruar, ka qenë një shkrim i vonuar  në përgjigje të komentit tim me titull: “Këta hamës, me maskën e “bamirësisë”, botuar në gazetën “Albania”, datë14.Tetor.2008.

Në të vërtetë, duke e njohur kodin etik të gazetarit, jam përpjekur të mos e personalizoja atë shkrim, por të merresha  me thelbin e problemeve,  shqetësimeve dhe halleve të shumta që kanë sot jetimët në mbarë vendin, shkaqet që e kanë rënduar edhe më shumë dramën e jetës së tyre. 

Nga ana tjetër, nënvizoja ato fenomene negative dhe dukuri spekulative, me karakter abuziv në kurriz të fëmijëve jetimë, të shkaktuara nga ata njerëz që morali i vetëm i tyre është babëzia.

Para së gjithash, që në titullin e shkrimit,  theksoja dukshëm se shkaktarët e vërtetë të dramës së dhimbshme të jetimëve janë ata,  “baballarët” e shoqatës së jetimëve, të cilët,  me sy të çapëlyer plot neps edhe epsh,  prej 15 vjetësh “ushqehen” si hamës në “pjatën e jetimëve”, por që në fund të fundit, asgjë nuk kanë bërë për të vegjëlit pa kujdes prindëror.

Më lejoni të dashur lexues të citoj një pjesë nga ai shkrim, për të cilin mendoj se kjo ka qënë edhe arsyeja që i ka  çoroditur artikullshkruesit në përgjigjen e tyre të vonuar:

Në komentin tim, shkruaj:

“Me maskën e thinjave në kokë, ndonjërin prej tyre e dëgjon shpesh të “qajë” në ekstazë me ulërimën ndjellakeqëse: “Jam babai i jetimëve, prandaj më ndihmoni….”. 

Mbase në rrethana të ngjashme si kjo,  ka lindur edhe rrëfimi i mençur popullor  me  “Baba Aliun dhe 40 hajdutë…”. Ky rrëfim ka brenda sarkazmën e dhimbshme që edhe sot e kësaj dite përcillet brez pasi brezi me të qeshura therrëse.

A nuk ishte Vehbi Alimuça, ky goxha burrë - trupëmadh, me flokë të bardhë si bora që thërriste përmes delirit: “Jam babai i fukarenjëve, ndaj do t’i bëjë të gjithë të pasur…?! Mirëpo Vehbiun dhe firmën e tij mashtruese e besuan të gjithë shqiptarët. Ndaj, ç’të keqe ka që një tjetër “Ali Baba” të mashtroj edhe fëmijët jetimë !? 

Kjo ngjan vërtetë si një  ëndërr me babagjyshin e Vitit te Ri. Mirëpo, ëndrra mbetet ëndërr. Ndonjëherë edhe vret… Sidomos fëmijët pa kujdes prindëror.

Sepse këta sharlatanë - social, ashtu si personazhi grotesk i Nastradinit, janë kthyer në “gjobëvënës” të njerëzve të ndershëm të bisnesit dhe fondacioneve arabe që veprojnë në Shqipëri,  duke u gllabëruar para me anë të mashtrimit në emër të “bamirësisë” për  jetimët.

Të njëjtën gjë bëjnë edhe me ambasadat e akredituara në vendin tonë. Mjerisht, këto para përfundojnë në xhepat e tyre dhe nuk përdoren aspak për ata fëmijë. Kjo është e trishtueshme, sepse ky nuk është vetëm një turp, por më së shumti është edhe një krim social.

Lypset më shumë vigjilencë nga ana e përfaqësuesve të bisnesit, fondacioneve dhe Trupi Dipllomatik, me qëllim që kontributi i tyre të mos shpërdorohet nga këta individë, të cilët, si pleq të lajthitur dhe të trullosur nga makutëria, sillen vërdallë rrugëve të Tiranës dhe Durrësit në pritje të “gjahut” të radhës…”

Kjo ishte edhe fabula e këtij komenti, që me sa duket, përmes metaforës dhe krahasimeve i ka përcëlluar dhe djegur keq hamësit e vërtetë të jetimëve, Kadri Alinë dhe bashkëpunëtorin e tij fanatik, financierin e shoqatës se jetimëve Rruzhdi Memaga.

Në fillim, dyshova për autorësinë e atyre radhëve në gazetë. Dyshova, sepse e njoh mirë kulturën, formimin, shkollimin e pakët dhe  kapacitetin e z. Kadri Alia. Në të kundërtën, nuk do të merrja mundimin të prekja tastierën e kompjuterit dhe të radhisja këto radhë.

Në të vërtetë, shkrimi me titull “Me kë e ke, z. Çumani?”,  i botuar në gazetën “Albania” datë 06.11.2008, dhe i ribotuar me të njëjtën përmbajtje në gazetën “SOT”, datë. 08.11.2008, ka për autor “kalemxhiun” e financave në  shoqatën e jetimëve z. Ruzhdi Memaga.

Si “akrobat dhe mjeshtër i kopsitjes” së shifrave me donacione të marra që prej 10 vjetësh  në shoqatën e jetimëve, ai tentoi kësaj radhe të ushtronte edhe “artin” e të shkruarit në gazetë.  Por,  kësaj radhe,  jo duke e hedhur firmën si autor i shkrimit, (ashtu siç nënëshkruan rëndomë nëpër blloqe faturash), por, duke i’a “dhuruar” kënaqësinë e autorësisë “PRESIDENTIT” të jetimëve, “Baba Ali” – KADRI ALIA,  i cili ndonjëherë kënaqet edhe me “pak”.

Nga ana tjetër, shkrimi – replikë ishte mjeran, fund e krye me pervesitete, nervozizëm, xhelozi, cinizëm, shpifje e përbaltje, që nxirrte në pah natyrën e vërtetë perverse, karakterin e deformuar të shashkë-artikullshkruesit Rruzhdi Memaga, dikur komisar i zellshëm  e fanatik në format e edukimit politik në ushtri.

Shashkë-artikullshkruesit Memaga - Alia, spekullojnë në mënyrën më djallëzore, duke i atribuar shoqatës  së jetimëve të gjitha akuzat  që janë ngritur dhe ngrihen vetëm ndaj tyre.

Me instiktin e zanatit të vjetër të bufetierit dhe kamarierit, Kadri Alia  bën “avokatinë” e shoqatës dhe “mbrojtësin” e disa njerëzve të korruptuar të shtetit të përfshirë me të në marëdhënie okulte.

Ai tenton t’i transferojë të gjitha akuzat që i adresohen në mënyrë publike, tek shoqata e jetimëve.

Këtë e bënë me shumë demagogji e keqdashje, për të larguar vëmendjen e të gjithëve për abuzimet e tij me jetimët, dhe për të penalizuar të gjithë shoqatën në mënyrë kolektive, pa asnjë bazë,  me qëllimin e vetëm për të fituar imunitet nga bëmat e tij. Këto bëma,  ai  i quan “shpifje”, por në të vërtetë, akuzat ndaj tij vijnë drejtëpërsëdrejti nga njerëzit brenda shoqatës ku ai drejton.

Në fakt, gjithmonë kam qenë i vetëdijshëm se në shoqatën e jetimëve, ka edhe njerëz dinjitoz, të ndershëm dhe të përkushtuar.

Por vetëm kaq është mundësia e tyre,  sepse nëpër duar u kanë mbetur vetëm “çelësat e kashtës”.

Ata  janë të detyruar të veprojnë ashtu si i porosit “Baba Ali” – Kadriu dhe këshilltari i tij,   financier Rruzhdiu.

Në atë artikull të lodhur dhe përpëlitës, nuk mungojnë edhe citime me të ashtuquajtura shkresa e stërshkresa, me data e numra vendimesh, të hartuara dhe vulosura plot nur e bukuri  me shijen  e “kapter” Rruzhdiut dhe të “PRESIDENT” Kadriut.

Shkresa të cilat, “vërtetojnë luftën triumfatore” mbi babëzinë që këta “baballarë me thinja” na paskan bërë “kundër korrupsionit”,  ndaj atyre individëve që për hir të së vërtetës, s’kanë  qenë gjë tjetër, veçse kundërshtarë dhe viktima të pisllëqeve dhe orgjive  që kanë për autor të vetëm dhe skenaristë  “PRESIDENT Baba Ali” – Kadriun  dhe kapter Rruzhdiun.  

Shashkë-artikullshkruesit, përmes delirit dhe egos të sëmurë, na mburren se na paskan marrë një dekoratë nga ish- Presidenti Moisiu.

Duke patur respekt dhe simpati për institucionin e Presidentit, më lejoni të bëjë me dije gjithë opinionin publik,  se ju dhe vetëm ju KADRI ALIA,  e keni përbaltur këtë Institucion – Nderi, pavarësisht se në ç’rrethana është marrë ajo dekoratë; mbi ç’merita dhe vlerash është dhënë ajo;  pavarësisht cili titullar me influencë në MPÇSSHB - që ti e ke quajtur “Miku im Ministër”  padrejtësisht ka penetruar deri tek Presidenti i Republikës  për të lëshuar atë dekoratë.

Dhe ju, “PRESIDENT Baba Ali” - Kadri Alia, në shenjë falenderimi e mirënjohjeje, i bëtë këtij ministri telefonatën e fundit “dëshpëruese dhe ngushëlluese” pas largimit të tij nga detyra : - “Alo! Zoti Ministër! Jam Kadri Alia. Më erdhi keq që të larguan nga detyra e  ministrit. Por këta pushtetarët  e korruptuar nuk i duan njerëzit e ndershëm si puna jote….”.

Të vjen edhe për të qarë, edhe për të qeshur.

Por këto nuk janë aspak çudira në Shqipërinë  tonë të lodhur nga korrupsioni dhe tranzicioni i gjatë. Sepse këtu tek ne,  gjithçka bënë vaki. Për këtë arsye ka dalë edhe një fjalë e urtë dhe e mençur e popullit tonë për tranzicionin,  kur thotë se në këtë kohë:  “…u ngritën halet,  që të rrëzojnë Malet”.

Në njërën nga këto të dyja,  zgjidhe veten se ku bënë pjesë z. “PRESIDENT Baba Ali” -KADRI ALIA.

Në të vërtetë,  mua nuk më shqetëson aspak kjo, por diçka tjetër që është më  serioze.

Për shkak të defiçencës morale, shoqërore, kulturore dhe intelektuale, ju e keni përdorur atë dekoratë si një “relike tregu” të këmbimit para – mall - para.

Për të qenë më i qartë më lexuesin, z. “PRESIDENT Baba Ali”  Kadri Alia, ju shëtitni si Nastradini  me atë dekoratë në çantën tuaj  rrugëve të Durrësit,  Tiranës dhe gjithë Shqipërisë, duke kërkuar dhe lypur para pa dinjitet tek  bisnesmenë, fondacione apo edhe ambasada,  kinse për “ndihma” në emër të fëmijëve jetimë.

Mjafton vetëm kaq të marrë  vesh i nderuari ish - Presidenti Moisiu, jam i sigurt  se edhe vetë ai do të bindet se  gabimi i vetëm dhe i paqëllimshëm në ushtrimin e funksioneve të tij presidenciale  është ajo dekoratë që ti e mban padrejtësisht dhe pa asnjë lloj merite në emër të shoqatës. 

Ju jeni bërë tepër qesharak dhe keni hyrë në librin e barsoletave me atë dekoratë,  të cilën,  herë e mbani në çantë kur ju nevojitet për rrugë, dhe ndonjëherë e mbani në zyrë kur planifikoni ndonjë takim me bisnesmenë dhe donatorë. 

Kështu keni vepruar dhe veproni edhe me portretet e personaliteteve shtetërore dhe shoqërore, duke i ndërruar çdo ditë fotot e tyre në zyrën e shoqatës,  sipas oreksit dhe interesave tuaja meskine e të fëlliqura.

Për  këto arsye, kam të drejtë për të  thënë se ju luani me trafikun e influencës si një pehlivan dhe matrapaz social, në përpjekjet tuaja të dëshpëruara për  të përbaltur edhe  emrin e mirë të Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëvë Shqiptarë, që ka bërë dhe po bënë  një luftë të hapur dhe pa kompromis me individët abuzues si puna  juaj.

Lufta  jonë e hapur ka qenë transparente, për të bërë një avokati të pastër dhe të drejtë në mbrojtje të jetimëve nga abuzuesit permanent si brenda institucioneve shtetërore, ashtu edhe brenda Shoqërisë Civile, ku ju aderoni padrejtësisht dhe e mbani peng atë shoqatë që prej 10 vjetësh, me forma dhe mjete spekulative, pa zgjedhje e të zgjedhur, pa mekanizma dhe struktura funksionale.

Ju jeni i kontestuar dhe i braktisur edhe nga ata pak anëtarë që tashmë ju kanë mbetur, sepse nuk besojnë më tek ju.

Fakti se jeni i papranueshëm nga një pjesë e mirë e degëve të shoqatave të jetimëve si në Tiranë, Sarandë, Korçë,  Vlorë, Berat, Burrel, Laç, Lushnjë, Ersekë, Elbasan, tregon se ju nuk jeni legjitim në detyrën që pretendoni se e meritoni.

Por, sfida më e madhe e Institutit tonë, është rikuperimi i imazhit të përbaltur që ju i keni bërë komunitetit të jetimëve, duke e çuar fatin e tyre tragjik në kufijt e ekstremit të mjerimit, të përbuzjes kolektive, të indiferencës shtetërore dhe përjashtimit social.

Fakti se Instituti Kombëtar i Integrimit të Jetimëve Shqiptarë është kthyer në një faktor të rëndësishëm dhe komplementar  në zhvillimin shoqëror të vendit, si një organizëm shpresëdhënës  i vlerave dhe i dinjitetit njerëzor për atë pjesë të brishtë dhe të pambrojtur siç janë fëmijët pa kujdes prindëror, tregon më së miri se e ardhmja  e jetimëve nuk mund të përfaqësohet më nga ju, por nga ata njerëz intelektual  dhe me integritet moral, që kanë përvoja jetësore të njëjta me atë të fëmijëve jetimë, që në fund të fundit, kanë vizione e potenciale, ide dhe kapacitete, alternativa dhe vlera morale të dobishme për të gjithë ata që shpresojnë për një të ardhme akoma më të mirë.

Së fundi, duke marrë shkas nga disa ankesa për ju dhe letra të mbërritura në zyrën time që prej 2 vjetësh, me shpresën se do të ishte në të mirën e sensibilizimit dhe ndërgjegjësimit të opinonit publik thënia e disa të vërtetave që e kanë përdhosur dhe cënuar rëndë institucionin tradicional të bamirësisë së shqiptarit,  vendosa të flasë në mënyrë më të drejtëpërdrejtë me ju, jo duke ju akuzuar, por duke ju pyetur publikisht::

1. z. “PRESIDENT Baba - Ali”, KADRI ALIA,  kur Shqipëria digjej në vitin 1997, a keni qenë i ftuar në një seminar për jetimët në Danimarkë dhe për ç’arsye  jeni kthyer 2 javë me vonesë në Shqipëri!? Nëse po, a keni kërkuar Azil Politik duke e shfrytëzuar këtë eveniment human ndërkombëtar për jetimët dhe duke i braktisuar përfundimisht ata? Shteti Danez nëpërmjet zyrë së  emigracionit për këtë gjest të ulët tuajin, a  ju ka shpallur person NON GRATA !?

2. A keni marrë gjatë këtyre 10 viteve nga Ambasada greke viza në emër të jetimëve për emigracion, dhe a  i  keni shitur  ato te persona të tjerë me dhrahmi, euro e dollarë!?

3. A është e vërtetë që jetimëve familjarë dhe të pastrehë, me iniciale  K.T, ( ka paguar 50.000 Lekë të reja), V.H, (ka paguar 30.000 lekë të reja), L.H (ka paguar 80.000 lekë të reja) ju kanë paguar me këto vlera për shkak të rryshfetit të kërkuar nga ju !?

4. Ju s’nguroni të manipuloni për të fituar kredite morale kur përmendni  në publik dhe në këtë artikull disa emra të nderuar të bisnesit shqiptar si,  Presidentin e kompanisë “Alpet”  z. Ibrahim Aktoz, Presidentin e Universitetit “UFO” z. Astrit Veliaj,  Administratorin e njërës prej Univeriteteve private z. Henri Çili, apo edhe organizatën UNICEF, të cilët sipas jush, kanë një partneritet dhe ju paskan besuar kur ju kanë ofruar ndihmë. Unë të siguroj që nuk është kështu. Ata më së shumti kanë besuar dhe ndihmuar çështjen e jetimëve dhe jetimët, pa menduar se ka njerëz spekullant, grykës dhe abuzues si puna jote, pa menduar  se ndihma e tyre është shpërdoruar nga matrapazë  kalibri  si puna jote.

Dhe me që jemi në këtë fushë,  unë do t’ju kujtoja zotërinjve të nderuar me anën e një pyetje publike që po ta  drejtoj se,  a është e vërtetë se pikërisht një koleg i tyre i nderuar, bisnesmen nga Durrësi, i ndjeri Monapat Aliko,  ka rënë viktimë e një mashtrimi spektakolar nga ana juaj të cilit i keni grabitur me anën e mashtrimit në vitin 1994 shumën prej 15.000.000 lekë, shumë të cilën kurrë nuk e morri prej jush!?  A është e vërtetë se pikërisht kjo ishte edhe arsyeja që shkaktoi zëmëratën e të ndjerit Aliko që pasoi edhe incidentin e një atentati me armë zjarri në klubin e njohur të Alo Bizhgës në Durrës, kundër teje!?

5. A është e vërtetë që shuma prej 1.000 USD, e dhuruar kesh nga ambasada greke për fëmijët jetimë në vitin 2000, dhe shuma prej 150.000 lekë të reja e dhuruar nga Kisha Orthodokse Autoqefale nëpërmjet zyrës së projekteve “Dhiakonia Agape” nuk u është dhënë jetimëve, por me urdhërin tuaj kjo shumë është ndarë si shpërblim për anëtarët e  kryesisë së shoqatës !?

6. A është e vërtetë që juve ju akuzojnë për shitjen e mauneve  me miell, të destinuara për bukën e gojës të nënave dhe fëmijëve jetimë !?

7. A është e vërtetë që ju akuzojnë për shpërdorimin e vlerës së 500.000  lekëve rinj që  Kompania “Vodafonë Albania” ka dhënë për fëmijët jetimë në Ditën e Jetimëve më 20 Maj 2007!? A është e vërtetë që kjo vlerë nuk është përdorur për 600 fëmijët jetimë, por ju u keni dhënë atyre dhurata dhe hamburger  në vlerën 100 – 200 lekë për fëmijë, ndërsa faturat kalkuloheshin nga financieri shashkë-artikullshkrues Rruzhdi Memaga me shifra që justifikonin vlerën e 500.000 lekëve të reja !?  Të njëjtën pyetje do të bëja edhe për vlerën prej 470.00 të rinj, që ka akorduar UNICEF më 20 maj, 2008. Si janë përdorur këto para?

8. A është e vërtetë që në iftarin që shtroi Ambasadori  i Arabisë Saudite, i cili u kishte përgatitur si dhuratë fëmijëve jetimë zarfa me nga 2.000 lekë të rinj, ju i keni futur në çantë sekretares tuaj 7 zarfa me lekë  dhe të nesërmen kolegët tuaj në shoqatë ju uronin për kostumin e ri që kishit  veshur!?

9. A është e vërtetë, se me paratë e kuotizacioneve të  jetimëve që i paguajnë në shoqatë për mbarëvajtjen e punëve, ju keni afro 3 vjet që i shpenzoni personalisht këto para çdo ditë nga 300 lekë të rinj, për vajtje-ardhje me destinacion Durrës-Tiranë-Durrës!? Dhe, a është e vërtetë se brenda kryesisë, ky veprim i juaj është konsideruar shkelje dhe abuzim  me detyrën ku dhe jeni detyruar për t’i kthyer këto para të shpenzuara padrejtësisht në arkën e shoqatës!?

10. A është e vërtetë se me vulën e shoqatës që vetë e përdorni, ju emëroni me komandim kryetarë shoqatash nëpër rrethe, që nuk janë rritur jetimë dhe s’kanë asnjë lidhje me jetimët, pa përfillur strukturat e shoqatës, ndërmjet tyre edhe një punonjëse dogane në Pogradec, duke shkelur rregulloren dhe statutin e shoqatës!? A është e vërtetë se këta që ju komandoni, zëvendësojnë ata që ju braktisin dhe ju lënë vetëm juve!?

11. A është e vërtetë se në takimin me Presidentin e Republikës z. Bamir Topi, më datë 14.Shkurt.2008, qëllimisht ju keni mënjanuar në këtë takim protokollar anëtarët e këshillit Drejtues të Shoqatës, (të cilët janë edhe kundërshtarët e tu), dhe si të tillë keni prezantuar në takim kompjuteristen, sekretaren dhe financierin,  (i cili, ky i fundit sipas statutit nuk mund të marrë pjesë ne protokolle të tilla) !? Pra, a e keni mashtruar Presidentin e Republikës z. Bamir Topi!?

12. Në takimin që Kryeministri organizoi me OJF-të që merren me jetimët në sallën e Hotel Tirana - International në qershor të këtij viti, a është e vërtetë që ju e mashtruat z. Berisha se në Shqipëri ka 80.000 familje me fëmijë jetimë !?  Nëse po, cila ishte arsyeja e këtij mashtrimi publik dhe mediatik!? 

13. Ju z.Kadri jeni shumë i kujdesshëm në përdorimin e  fondit  prej 800.000 lekë të rinj që shteti i jep si ndihmë çdo vit shoqatës së jetimëve për mbarëvajtjen e punëve.

Për këtë, ju mbani dokumentacion të rregullt dhe shpesh mburreni se Kontrolli i Lartë i Shtetit ju ka gjetur në rregull. 

Pyetja ime është: për pjesën e donimeve nga bisnesmenë e fondacionet arabe, individë, persona fizik dhe juridik, ambasadat e huaja, etj, (e cila është edhe  pjesa me e konsiderueshme e të ardhurave në shoqatën tuaj),  pse nuk arkëtohen dhe pasqyrohen në librin e arkëtimeve të shoqatës!?

A është e vërtetë se për këtë arsye,  ju dhe ndihmësi juaj financieri Rruzhdi Memaga keni zhdukur dokumentacionin financiar për pjesën e dokumentacionit të  donimeve sepse nuk e keni kurajon të përballeni me donatorët për paratë e përfitura prej tyre për shkak të mirëbesimit që kanë patur tek ju!?

Dhe në fakt, nëse do të ndërhynte këtu Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe krimi ekonomik, ju nuk do t’a kishit kurrë shansin të mburreshit se KLSH ju ka gjetur në rregull.

14. Një pyetje kam  edhe për ju z. shashkë-artikullshkrues Rruzhdi Memaga. Në vitin 1995, kur ish-kryeministri Aleksandër Meksi akordoi 5 bursa për të drejta studimi në shkollat e larta për të rinjtë jetimë, përveç 2 jetimëve që i përfituan ato, të tjerat cilëve  j’ua  keni shitur!?

Pyetje e ngjashme si kjo është edhe për ju z. “PRESIDENT Baba-Ali”, KADRI ALIA. Në kohën e “Qeverisë Nano”, bursat për shkollë të lartë që u dhanë nga Ministria e Arsimit për jetimët, disa prej tyre kujt i’a keni shitur!?

15. Ndërsa kjo është një pyetje pak “konfidenciale” për të dy ju. 

Ç’farë ju lidh ju z. shashkë-artikullshkrues Rruzhdi Memaga me vendin e quajtur “Ylli i Detit”, që ndodhet  në vendin midis Plepave dhe Kavajës? A keni ndonjë pronë ku ju  çdo verë kaloni pushimet tuaja plot relaks!? Po pronë tjetër pas ish - Ambasadës Jugosllave në rrugën e “Durrësit” në Tiranë a keni, dhe në emër të kujt!? Nëse i keni  këto dhe diçka më shumë se kaq,  me ç’farë parash i keni blerë si i papunë prej 20 vitesh, tani në pension!?

Po ju z. “PRESIDENT Baba Ali” - KADRI ALIA, a keni ndonjë pronë në Golem të Kavajës, përveç apartamentit  1+1 që ju thoni se e keni në Durrës!? Nëse e keni, me ç’farë parash e keni blerë si i papunë prej 10 vjetësh në krye si  “PRESIDENT – FALAS” i  jetimëve!?

16. A është e vërtetë z. “PRESIDENT Baba-Ali” – KADRI ALIA, se  me instiktin e profesionit të vjetër që ju keni,  po ngulmoni me çdo kusht t’i mbushni mëndjen Kryetarit të Bashkisë së Vlorës z. Shpëtim Gjika dhe z. Vangjush Dako, Kryetar i Bashkisë së Durrësit, për të të vënë në dispozicion toka dhe troje për të “ndërtuar”  pallate për jetimët,  me paratë që do të na “vijnë si lumë dhe bujarisht nga Bota Arabe”!? Nëse po, a janë transparente këto para që sipas jush do të “bëhet Deti Kos” edhe për jetimët e gjorë !? A është e vërtetë se në përpjekjet dhe marëdhëniet tuaja okulte,  ju keni  premtuar dhe premtoni  përqindje e ku ta di unë se ç’farë, për të gjithë ata që do të ndihmojnë në “realizimin e këtij projekti të madh”  për jetimët !? Unë dëshirojë dhe uroj që të gjitha këto të mos jenë të  vërteta. Sepse mendja ime që nuk “shkon dhe aq larg sa mendja jote e ndritur”, më thotë se 2 kryebashkiakët e nderuar z. Gjika dhe z. Dako nuk kanë lajthitur akoma që të besojnë tek mashtrimet dhe fantazitë e tua utopike.

17. Ndërsa kjo e fundit nuk është pyetje, por është një akuzë e drejtëpërdrejtë që unë ju bëjë në publik si dëshmitar okular.

Përse mashtroni donatorët, institucionet shtetërore, tryezat e rrumbullakëta dhe ngado që shkoni duke thënë dhe u mburrur se ju keni qenë nismëtari i themelimit të Shoqatës së Jetimëve?

Ju kujtoj se kur ne, një grup nismëtarësh të vërtetë, ish – fëmijë të rritur jetimë nëpër Shtëpitë e Fëmijëve të përbërë nga Hekuran Hysa, Faik Bollati, Ilir Çumani, Shpetim Çarçani dhe Bashkim Rustemi, themeluam atë shoqatë në Mars të vitit  1991 dhe deri në  janar të vitit 1997,  fytyrën tuaj as e kemi parë dhe as e kemi njohur deri atëherë, sepse ju punonit në zanatin tuaj të preferuar në lokalet e Durrësit si bufetier dhe kamarier. Ndaj mos gënje, sepse të ka dalë boja me kohë. Me këto mashtrime dhe protagonizma shterpë, je kthyer në një personazh grotesk për të gjithë ata që të njohin.

Të njohin i madh e i vogël në qytetin tënd të Durrësit. Ke vite që e braktis fshehurazi  dhe vjedhurazi çdo ditë këtë qytet, sepse del  herët që në mëngjes nga shtëpia për të ardhur në Tiranë. Në Tiranën e madhe e të zhurmëshme,  ku ti vërdallitesh që prej 10 vjetësh si ujku përmes mjegullës,  i uritur dhe me dhëmbë të skërmitura si grabitqar. Pastaj rikthehesh vonë në të ngrysur,  në “strofkullën” tënde atje në Durrës,  për  të mos parë askush nga ata që të njohin.

Pyetje të tjera si këto,  kam shumë, por nuk dua të zgjatem.

Ndërsa për shpifjet dhe fyerjet në adresë të personit tim pa baza dhe fakte,  ju  kujtoj se keni  konsumuar veprat penale të fyerjes, (neni 119, Kodi Penal) dhe  të shpifjes,  (nenin 120 Kodi Penal), për të cilat ju personalisht do të përballeni me mua përpara organeve të drejtësisë.

Dhe, për t’ju hequr merakun z. “PRESIDENT” Baba Ali – Kadri ALIA, po të deklaroj publikisht se e vetmja pasuri e imja është një apartament i blerë në vitin 2000, saktësisht  3 – vjet më parë se të merrja detyrën e Drejtorit të Institutit.

Pasuria tjetër e imja është familja, bashkëshortja dhe fëmijët të cilët i rrisim me dinjitet dhe pa cene e vese të shëmtuara  si këto që u përmendën në këtë shkrim për ju.

Ju  kujtoj gjithashtu, se në gjithë këto vite të tranzicionit, kam punuar si asistent i çështjeve ligjore pranë zyrave të shërbimit të avokatisë, ku kam qenë një nga tatimpaguesit e rregullt që nga viti 1994 e deri tani. Ende vazhdoj të paguaj detyrimet si tatimpagues edhe për ty z. “PRESIDENT-FALAS” i jetimëve, por edhe për kolegun tuaj shashkë-artikullushkruesin Rruzhdi Memaga, që prej 20 vjetësh jetoni me asistencën dhe lëmoshat e jetimëve dhe  mbuloni kokën si struci në rërë.

Mbase, do të më duhej t’i kërkoja ndjesë lexuesit për kohën që i mora. Ndoshta edhe për ndonjë shprehje që më detyruan të dalë nga etika ime profesionale,  por në fund, po e mbyll sërish me një fjalë të urtë të popullit që thotë: “Mos u zhyt në një llucë me derrat, se me derrat do të ngatërrojnë…”.

Ndaj, nuk kam ndërmend të zhytem në këtë llucë, sepse ngado që shkoni, kundërrmoni erën e keqe të pisllëkut tuaj social…

 

 

 

Shënim:

 

Ky Koment, është botuar në gazetënAlbania”, “Republika”, “SOT”, 

 

                                                              Zyra e Shtypit

Pranë

INSTITUTIT KOMBËTAR TË INTEGRIMIT TË JETIMËVE SHQIPTARTË

 

* Drejtor i Përgjithshëm i Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë