E premte, 13.12.2019, 10:00 AM (GMT)

Sporti » Legjenda

Rudi Vata

E shtune, 28.05.2005, 02:56 PM


Ish Lideri i Ekipit Kombetar, Rudi Vata

Flet ish-kapiteni i kombëtares

Rudi Vata: Ja klanet në kombëtaren shqiptare

Rudi Vata ka qenë një nga liderët e ekipit tonë kombëtar për më shumë se 10 vjet. I larguar që prej vitit 1991 nga Shqipëria, Vata është aktivizuar në klube me emër në arenën ndërkombëtare si: Sëlltiku i Gllasgout, Apolloni i Qipros dhe Këlni i Gjermanisë. Në këto klube ai mori atë pjekuri që e karakterizon nga çdo futbollist tjetër që ka luajtur dhe luan me ekipin kombëtar. Puna dhe stërvitja serioze kanë qenë në thelb të karrierës dhe jetës së tij. Shkodrani është shquar gjithashtu, për kritikën e vazhdueshme në drejtim të federatës dhe burokratëve që e rrethojnë atë institucion. Në një intervistë për gazetën “Tirana Observer”, Rudi Vata hedh shigjeta ndaj kombëtares së Brigelit, pamundësinë e tij për të ndërtuar një ekip të mirë, por edhe grupet dhe klanet e futbollistëve që ndahen sipas shteteve ku luajnë. Ai flet edhe për nivelin e klubeve tona, por edhe për planet për të ardhmen. “Kam dëshirë të jem trajner i përfaqësueses”, thotë ai.

Si e shikon Rudi Vata kombëtaren e Brigelit, në krahasim me atë të kohës kur luante ai?
Kur fillova të luaj unë me përfaqësuesen ishin kohë të tjera. Mbaj mend se në vitin 1991 kur disa nga ne shkuam në Evropë, futbollin tonë dhe futbollistët tanë pothuajse nuk i njihte njeri. Kështu që para nesh doli nevoja e një prezantimi para botës evropiane, ku mund të them se nuk u arrit ashtu si duhet dhe në mënyrë dinjitoze nga të gjithë. Pavarësisht se ne u munduam që t’i krijojmë një ide futbollit evropian se ka edhe futbollistë të mirë në Shqipëri. Provoni të mendoni ju sesi do t’ju shikonte një francez apo një anglez në vitin 1991, ku shumë prej këtyre nuk e dinin se ku binte edhe gjeografikisht Shqipëria. Pastaj futbollistët që luanin në atë kohë në kombëtare ishin për mua heronj të vërtetë. Shumë nga ju duhet të mbajnë mend se në ç’ gjendje ndodhej Shqipëria në ato vite tranzicioni dhe se sa e vështirë ishte që të luaje futboll kur të mungonin edhe gjërat më elementare. Megjithatë, neve na bashkonte shpirti i shqiptarisë dhe dëshira për të luajtur me kombëtaren. Luanin me gjithë shpirt, edhe pse nuk e kishim të nevojshme po ta marrësh nga njëra anë që ta bënim këtë gjë. Tani shumë gjëra kanë ndryshuar. Ka shumë futbollistë që luajnë jashtë dhe njohin mirë futbollin evropian. Kanë ndryshuar idetë dhe rregullat e lojës dhe federata ka filluar të investojë më shumë se në atë kohë për futbollin, edhe pse për hir të së vërtetës jemi ende larg standardeve evropiane.

Cili është mendimi juaj për trajnerin Brigel?
Brigeli erdhi në Shqipëri me atë mentalitetin prej gjermani për të ndryshuar diçka, dhe të them të vërtetën, në fillim u duk sikur ai do t’ia dilte mbanë në detyrën e tij. Në fillim, ai zhvilloi ndeshje të bukura dhe po krijonte një skuadër cilësore. Por, ai bëri një gabim. Harroi se ku ndodhej. Harroi se ndodhej në Shqipëri, ku trajneri i kombëtares shumë shpejt e ndien veten të pafuqishëm, para futbollistëve dhe sidomos para federatës. Në ekipin tonë kombëtar ekzistojnë klane të veçanta futbollistësh. Klani i atyre që luajnë në Gjermani, klani i atyre që luajnë në Greqi, klani i atyre që luajnë Itali dhe gjetkë dhe kështu fillojnë dhe bëhen gjithmonë dhe më shumë të pakontrollueshëm. Ekzistonte edhe në kohën time kjo gjë, sidomos, në vitet ‘97 – ‘00, ku t’ju them të drejtën, unë jam gjendur gjithmonë i vetëm. Ata që më njohim mirë besoj se tani po gjejnë vetveten në fjalët e mia. Kështu që është shumë e vështirë që të drejtosh skuadrën përfaqësuese, aq më tepër kur të dalin fjalë të vërteta apo të paqena në media. Kam dëgjuar se Bigelin e kanë bërë hero, tradhtar, dhe kohët e fundit e kanë bërë menaxherin e futbollistëve shqiptarë që luajnë në kampionatin vendas. Atëherë, edhe para futbollistëve të bie personaliteti dhe nuk duan t’ia dinë shumë më për të. Trajneri nuk është më i plotfuqishëm dhe i qetë që të drejtojë skuadrën. Gjithashtu, nuk besoj se tani futbollistët e kombëtares kuptojnë rëndësinë e kombëtares dhe kuptojnë thelbin e lojës së saj, edhe pse sot marrin shpërblime të majme, që ne në ata kohë as që i ëndërronim. Më kujtohet se vetëm një herë na kanë dhënë federata shpërblim, për barazimin e arritur në Letoni dhe në mos gaboj ka qenë 100$ dollarë për çdo futbollist. Por përsëri, ne vazhduam që të luajmë dhe ta duam skuadrën përfaqësuese. Provoni tani t’u jepni 100$ dollarë futbollistëve dhe shikoni nëse do të vijnë apo jo të luajnë me ekipin kombëtar.

Cilët nga trajnerët që ju ka drejtuar do të kishit dëshirë të veçonit në kombëtaren tonë?
Asnjërin prej tyre. Për mua kanë qenë njerëz të zgjuar, të ndershëm dhe shumë punëtorë. Duke filluar që me Bejkush Birçen, Neptun Bajkon, Astrit Hafizin dhe Mehdi Zhegën. Është naive të mendosh se ata nuk ishin të aftë që të drejtonin ekipin kombëtar. Kishin një seriozitet në punë dhe ishin shumë të kujdesshëm me të gjithë futbollistët që të mos krijonin pakënaqësi. Sidomos me ata që luanin në kampionatin grek dhe atë gjerman. Por në Shqipëri ndodh diçka shumë qesharake. Federata porsa zgjedh një trajner nuk mundohet që ta ndihmojë dhe ta lehtësojë punën e tij si nga ana logjistike morale dhe financiare, por më shumë e pengon. Më pas vihen në gjetjen e një trajneri të ri pa i lënë kohën e nevojshme që ky i fundit të krijojë një ekip ose të futin në të përvojën dhe eksperiencën e tij. Unë kam qenë dhe do të jem gjithmonë kritik karshi federatës për politikat e saj burokratike që vazhdon akoma të ndjekë që prej 15 vjetësh. Për këtë gjë jam “sulmuar” gjithmonë nga njerëzit e federatës. Të them të drejtën nuk kam pasur asnjëherë frikë të them të vërtetën, ashtu siç është në realitet. Unë nuk jam një nga ata shqiptarë që rrahin gjoksin me punën e të tjerëve. Nuk kam nguruar ndonjëherë të lavdëroj punën e federatës kur ka qenë për t’u lavdëruar dhe nuk kam nguruar që t’i kritikoj ashpër kur ka qenë për të kritikuar. Unë jam një djalë që vij nga një familje e varfër dhe e ndershme shkodrane. Jam rritur me dashurinë dhe respektin për tjetrin. Kam punuar dhe vazhdoj të punoj duke qenë koshient se vetëm puna të bën të krijosh diçka të bukur dhe me vlerë në këtë botë. Nuk arrij të kuptoj se edhe pse kanë kaluar plot 15 vjet, njerëzit e federatës dhe të futbollit i “zgjidhin” problemet e tyre akoma nëpër kafene. Një gjë e tillë, nëse akoma nuk e dinë, në botën evropiane nuk ndodh.

Çfarë mendimi keni për kampionatin tonë të futbollit?
Kam pasur një eksperiencë të shkurtër në kampionatin shqiptar të futbollit dhe nuk jam në gjendje të jem shumë i saktë për nivelin aq të dobët të skuadrave shqiptare. Sipas meje, nëpër skuadra mungon stërvitja e mirë dhe serioze. Futbollistët janë pothuajse moskokëçarës në drejtim të trajnerit. Ka një mungesë të theksuar të gjendjes fizike të lojtarëve. Pata rastin të shikoj finalen e Kupës së Shqipërisë ndërmjet Teutës dhe Tiranës dhe vura re një futboll shumë poshtë nivelit mesatar. Futbollisti nuk ka fuqi të shkonte nga njëra portë në tjetrën. Rrallëherë të binte në sy ndonjë sprint, por jo më shumë se 50 metra. Kjo është skandaloze po të mendosh se futbolli evropian, po bëhet gjithmonë e më shumë fizik sesa taktik. Pastaj është e kotë të flasim për teknikë, gola të bukur dhe lojë tërheqëse. Ky futboll nuk justifikon aspak interesimin e sportdashësit dhe as të atyre biznesmenëve që kanë investuar në skuadra të ndryshme.

Cilat janë planet tuaja për të ardhmen?
Për momentin unë jam licencuar pranë FIFA-s dhe jam një nga menaxherët e saj. Jam munduar që edhe pse nuk kam shumë eksperiencë të jap sadopak ndihmesën time në këtë fushë. Tashmë jam i njohur në rrethet e FIFA-s, UEFA-s dhe në botën e futbollit evropian, pasi kam udhëtuar në mjaft skuadra, duke punuar shumë seriozisht dhe duke lënë përshtypje shumë të mira. Prej datës 5 deri më datën 13 do të jem në një kurs trajnimi që zhvillon UEFA për trajnerët e rinj. Dëshiroj që të mësoj sa më shumë dhe të marr edhe licencën e trajnerit, për të ushtruar si zanat në një të ardhme të afërt.

A do ta shikonit veten tuaj në të ardhmen në pankinën e përfaqësueses sonë?
Kjo është një nga ëndrrat e mia. Do të punoj dhe do të pres ditën kur do të më jepet (nëse do të më jepet) mundësia që të drejtoj kombëtaren.

Cila do të ishte gjëja e parë që do të bënit në rolin e trajnerit të kombëtares?
Do të bëja një seleksionim të futbollistëve jo në bazë të emrave dhe skuadrave të mëdha ku ata luajnë, por në bazë të seriozitetit në stërvitje të shpirtit të garës dhe sakrifikimit në fushë për ekipin kombëtar. Do të lija jashtë një herë e mirë arrogantët dhe atyre që iu është rritur mendja se luajnë me ndonjë ekip të madh ose që fitojnë ca lek më shumë. Përfaqësuesja është diçka tjetër, është nderi i kombit dhe nëse nuk e kanë kuptuar deri tani është e mira që të vijnë ndërmend se në cilën botë jetojmë dhe se nga vijmë.

Ju keni qenë një lider i vërtetë i ekipit kombëtar. A mendoni se këtë gjë do të mund ta arrijë dikush tjetër?
Unë e uroj me gjithë shpirt dhe do të jem i pari që të bëj publike, por brezi ynë ka qenë shumë herë më i ndryshëm se brezat që po vijnë tani. Mendoj se do të jetë e vështirë që dikush të arrijë të jetë një lider i padiskutueshëm në kombëtaren shqiptare. E kujtoj plot nostalgji, kur Litbarski më thoshte se unë kisha lindur për të qenë një lider. Kanë qenë fjalë që më kanë ngritur vërtet moralin, dhe jam ndier shumë krenar që isha kapiteni i ekipit kombëtar.

Skeda

Emri: Rudi
Mbiemri: Vata
Datëlindja: 13.02.1970
Vendlindja: Shkodër
Gjendja Familjare: I martuar
Gjatësia: 1,84 m
Pesha: 80 kg
Pozicioni: Mbrojtje
Ekipet ku ka luajtur: Vllaznia, Dinamo, FC Much 74, Lemans, Celtic Glasgow, Apollon Limassol, Energie Cottbus, LR Ahlen, Köln

Ndeshjet me kombëtaren

Debuton me ekipin kombëtar më 30/05/1990 në ndeshjen Islandë – Shqipëri 0-2. Ka zhvilluar 59 ndeshje me kaombëtaren. 5 takime miqësore, 28 takime për ndeshjet kualifikuese botërori, 20 takime për ndeshje kualifikuese evropiani, dhe 6 turne të ndryshme. Ka shënuar 5 gola me ekipin përfaqësues. Ndeshja e fundit me ekipin përfaqësues, më 01/09/2001 në takimin Shqipëri – Finlandë 0-2

Dashuritë e Rudi Vatës

Martuar me Ann Frances, Rudi Vata është babai i dy fëmijëve. “Jam shumë i lumtur dhe kjo falë edhe bashkëshortes sime, e cila më ka ndihmuar vazhdimisht edhe në kohë të vështira”, ka thënë Vata. Ashtu si shumë të tjerë edhe atij i është dashur të ambientohet dhe të mësojë shumë nga kultura dhe të qenit evropian në një botë ku fatkeqësisht populli shqiptar vuajti shumë injorancën e 40 viteve të diktaturës. “An më ka ndjekur kudo ku kam shkuar për të luajtur, më ka dhuruar dy fëmijë të mrekullueshëm që i dua shumë dhe për këtë i jam gjithmonë debitor”, përfundon Rudi. Natyrisht, pas një burri të fortë si fizikisht dhe moralisht, gjithmonë ka qëndruar një grua e zonja dhe e zgjuar.

Historia e 5 golave me kombëtaren

Goli I, Chinsau, Moldavi – Shqipëri 3 – 2, 07/07/1995
Goli II, Hanover, Gjermani – Shqipëri 4 – 3, 10/02/1999
Goli III, Tiranë, Shqipëri – Maqedoni 2 – 0, 10/02/1999
Goli IV, Valeta, Shqipëri – Andorrë 3 – 0, 06/02/2000
Goli i V, Tiranë, Shqipëri – Maltë 3 – 0, 15/11/2000

Karriera

Sezoni - Klubi - Ndeshje - Gola
04/05 - Partizani Tiranë - 0 - 0
03/04 - Saint Johnstone FC  15 - 0
2003  - Yokohama FC - 24 - 3
02/03 - SK Tiranë - 0 - 0
01/02 - LR Ahlen - 0 - 0
01/02 - Energie Cottbus - 1 - 0
00/01 - Energie Cottbus - 30 - 1
99/00 - Energie Cottbus - 25 - 1
98/99 - Energie Cottbus - 25 - 0
97/98 - Apollon Lemesos - 24 - 5
96/97 - Apollon Lemesos - 25 - 4
95/96 - Celtic Glasgow - 6 - 0
94/95 - Celtic Glasgow - 7 - 1
93/94 - Celtic Glasgow - 10 - 1
92/93 - Celtic Glasgow - 22 - 2
92/93 - Dinamo Tiranë - 0 - 0
91/92 - Tours FC - 0 - 0
91/92 - Le Mans UC 72 - 0 - 0
90/91 - Dinamo Tiranë - 0 - 0
89/90 - Vllaznia Shkodër - 0 - 0
88/89 - Vllaznia Shkodër - 0 - 0



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT