E enjte, 28.03.2024, 10:38 AM (GMT)

Mendime

Mentor Nazarko: 2009 për shqiptarët

E marte, 06.01.2009, 05:58 PM


Mentor Nazarko
Mentor Nazarko
2009 për shqiptarët

Nga Mentor Nazarko

Vitin që hymë prej pak  ditësh parathotë mjaft elementë në dorë të njeriut, që si zanatçi i prognozës apo analizës dëshiron të  parashikojë ecurinë e tij në hapësirën shqiptare. Janë disa plane shikimi të shpejtë për një editorial gazete: politik, ekonomik, ai i marrëdhëni-eve ndërkombëtare të Shqipërisë e të Kosovës, etj.
Le të nisim me planin politik. Shqipëria do të hyjë në zgjedhjet parlamentare, duke përdorur një sistem të ri zgjedhor të miratuar me një lloj konsensusi, por që mbart në vetvete shumë probleme. Përplasja që do të duhet të administrojë një sistem proporcional i importuar prej Spanjës pritet të jetë e ashpër. Kontestuesit janë Edi Rama që në rrugën e tij  drejt pushtetit prej 1998 deri më tani ka njohur vetëm fitore (ministër kulture, tre herë kryetar bashkie i Tiranës dhe kryetar i PS) ndërsa pret të mos ndalet në këtë garë të re përballë Sali Berishës së ëmbëlsuar pak si shumë me pushtetin, që përdori 4 vjet, ndërsa e fitoi kur askush nuk e priste. Detanta e vendosur në fund të 2008-ës me Kodin zgjedhor apo ligjin “Për prokurorinë”, mund të prishet që në fillim të 2009 me ligjin “Për kontrollin e territorit”. Megjithëse realisht ky ligj duhet të impononte konsensus më shumë se çdo ligj tjetër, për shkak të nevojës për të vënë rend në plaçkitjen e burimeve natyrore të shkatërruar gjatë qeverisjes së dy palëve, me shumë gjasa ai do të jetë rast i mirë për përplasje të fortë. Është ligj që duhet të ndajë pushtetin mbi këtë territor, mbi burimet e tij, mbi lejet e ndërtimit, të biznesit të vetëm që tërheq trenin e ndryshkur të ekonomisë shqiptare. Nuk pritet pra të ketë qetësi në klimën politike të mëmëdheut sa kohë që axhenda politike fillon me këtë ligj, me refuzime të pritshme të ligjit “Për dosjet”, dhe kur në fund të fundit fushata zgjedhore është disa muaj larg. E vetmja pauzë në luftën politike mund të jetë gjatë zhvillimit të samitit të NATO-s në prill, por situata me shumë gjasa, për shkak të asaj që luhet nga protagonistët e vetëm të kësaj fushate elektorale, do të ndizet shumë shpejt. Proceset e rëndësishme ndaj politikanëve si ai për rrugën Durrës-Kukës që fillon në janar, ai për ngjarjen e Gërdecit, etj., do të shërbejnë mjaft për të ushqyer zjarrin politik të një fushate zgjedhore, që pritet të përqendrohet rreth dy personazheve Berishës dhe Ramës.
Por, ndërsa situata politike në Shqipëri pritet të ndizet, në Kosovë problemi është i kundërt. Opozita nuk ka forcë të imponojë diçka në axhendën e ngjarjeve të brendshme. Mungesa e Haradinajt në Kuvend, apo e Veton Surroit, Blerim Shalës dhe e ndonjë tjetri, klima e detantës me opozitën e manjatit Pacolli, nevoja për një lloj qetësie të brendshme në përballimin e axhendës së shtetformimit, tradita e oponencës së qytetëruar ca e frymëzuar nga zakoni, ca nga prania e ndërkombëtarëve, ofrojnë një panoramë krejt tjetër nga ajo e Shqipërisë. Një drejtim i butë, jo reaktiv i ekzekutivit nga Thaçi i instruktuar mjeshtërisht nga ekspertët e huaj, i përngjitur panoramës së mësipërme prodhojnë një rezultat përgjithësisht të pazakontë: nëse pas zgjedhjeve popullariteti i krerëve të ekzekutivit bie, në Kosovë ngrihet. Me shumë gjasa as zgjedhjet e parashikuara nga plani Ahtisaari nuk do të zhvillohen, kështu që status quo-ja ku pesimizmi i ngjan optimizmit do të vazhdojë dhe më.

Plani ekonomik

Por kjo nuk do të thotë se Kosova nuk ka probleme të rëndësishme, që ziejnë poshtë borës së akullt, me të cilën ka nisur 2009. Problemet ekonomike janë po aty: Gjatë 2008 nuk se është bërë ndonjë përparim i madh në luftimin e papunësisë që prej krizës së pritshme ekonomike dhe mund të rritet. Njëlloj bllokade ekonomike e Serbisë për mallrat “made in Kosova” mund të krijojë vështirësi, nëse zgjidhet reagimi i anasjelltë bllokues i mallrave serbe, sa kohë që ekonomia kosovare varet shumë prej tyre. Statusi i paqartë i pronës publike do të bllokojë zhvillimet ekonomike dhe euforia apo mbështetja për qeverinë mund të gërryhet me rritjen e papunësisë, me mungesën e investimeve të mëdha ndërkombëtare, apo të brendshme. Shitja e disa ndërmarrjeve të rëndësishme publike si PTK dhe KEK mund të krijojë pretekst për korrupsion të madh, për pasojë dhe polemika të mëdha, por brenda normës kosovare. Me shumë gjasa dhe mbështetja e premtuar në Konferencën e Donatorëve mund të tkurret: ca prej krizës, ca prej traditës së këtyre lloj konferencave, ashtu dhe prej vështirësive për të ofruar projekte që mund të shfrytëzojnë burimet financiare të premtuara. Të ardhurat nga emigrantët si kudo, pra dhe në Shqipëri do të zvogëlohen, por kjo nuk është një fjalë goje. Kriza ekonomike apo financiare ndërkombëtare do të fillojë të ushtrojë pra, efektet e veta në të gjithë hapësirën shqiptare. Disa shenja ka pasur që tani dhe disa lëvizje kapitalesh drejt bankave mëma mund të krijojnë probleme në 2009. Nevoja për shpenzime elektorale për rrugë apo projekte të tjera (Berisha premton pa iu dredhur syri një magjistrale të re të jugut me fonde buxheti), do të bëjnë reston në krijimin e vështirësive specifike të 2009-ës, ndërsa rruga Durrës-Kukës po drenon apo than thuajse tërësisht fondet e investimeve të një buxheti krize dhe buxheti elektoral njëherësh. Asnjë premtim themelor nuk është mbajtur sa i takon procesit të legalizimeve, të kthimit të pronës, të ndërtimeve të apartamenteve për të pastrehët, për ujin e pijshëm, për furnizimin me energji, etj., etj., dhe as mbyllja e privatizimeve të mëdha strategjike nuk do të ketë efekte imediate që në 2009-ën. Investimet e premtuara në energjetikë duan kohën e tyre për të parë ndonjë përfitim.
Shqiptarët mund të bëjnë më shumë në 2009 për të riorientuar ekonominë e tyre drejt njëri-tjetrit. Përballimi i efekteve të embargove eventuale nga Serbia dhe Bosnja për mallrat kosovare, vendosja në efektivitet e rrugës Durrës-Kukës, komplementariteti i sektorëve energjetikë, janë disa drejtime në të cilat mund të punohet.

Në planin ndërkombëtar

Por 2009 pritet megjithatë, të jetë vit historik për shqiptarët. Shqipëria do të hyjë në NATO me shumë gjasa, pavarësisht problemeve që mund të krijojë politika e brendshme e ekzekutivit udhëhequr nga Sali Berisha. Kjo do të përforcojë ndjeshëm pozitën ndërkombëtare të Shqipërisë. A do të përkthehet menjëherë në përfitime konkrete të shqiptarëve, kjo do të varet shumë nga shumica, që do të vijë në pushtet. Duhet besuar se nuk do të vijohet me linjën e përplasjes me SHBA-në dhe se përkundrazi do të ketë afrim të mëtejshëm si pasojë e anëtarësimit, që është meritë më së pari e vetë amerikanëve dhe frymës properëndimore të shqiptarëve. Ndërsa Kosova pritet të ketë të hapur shumë fronte lufte, atë të Gjykatës Ndërkombëtare, të Mitrovicës, të njohjeve të reja, veçanërisht nga vendet e BE-së apo ato islamike, fronte që nuk mund të përballen thjesht e vetëm me Ministrinë e Jashtme të improvizuar në një vit. Kosova nuk e ka luksin të injorojë ata politikanë tranzicioni që kanë mbetur jashtë, qoftë dhe prej delirancës së tyre. Ndoshta një klimë e re detante midis Rusisë së prekur nga kriza ekonomike dhe SHBA-ve udhëhequr nga Barak Obama, mund të favorizojë procesin e njohjes, sa kohë që shumë vende kushtëzohen në këtë njohje prej qëndrimit rus. Reston pritet ta bëjë aktivizimi i ri energjetik i të rikthyerve në administratën amerikane të udhëhequr nga Hillari Klinton.
Me këtë shikim të shpejtë, viti 2009 për hapësirën shqiptare është vit zhvillimesh të rëndësishme, ku dështimi ecën krah suksesit dhe për njeriun e prognozës dhe analizës puna është e vështirë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora