E marte, 23.04.2024, 08:09 AM (GMT+1)

Kulturë

Dragi Mihajllovski: “Skënderbeu im” i shkrimtarit maqedonas

E marte, 06.01.2009, 07:50 PM


Nga Nehas Sopaj

Libri "Skënderbeu im" i autorit Dragi Mihajllovski, i përkthyer shqip pasi kish përjetuar dy ribotime maqedonisht, është një lajm i mirë që duhet përshëndetur për shumë arsye. Të shkruash për një hero të një populli tjetër sot në këtë kohë dhe në këtë ambient, dhe të shkruash objektivisht pa "ngatërruar" asgjë nga historia dhe realiteti, dhe ç'është më kryesorja, të shkruash me dashuri, ky është nder dhe respekt ndaj të vërtetës absolute. Kjo ndjenjë, për aq më tepër rritet dhe forcohet edhe më shumë kur heroi ynë, Skënderbeu pra, nuk trajtohet nga këndi i historisë dhe literaritetit dokumentar që ia ka dhënë historia, por nga këndi i imagjinatës së lirë krijuese të autorit. Kështu libri "Skënderbeu im" nuk është vetëm një vëllim me tregime për Skënderbeun, por edhe roman postmodern në të cilin personazhi kryesor në çdo tregim e fsheh vetë autorin, kurse trimi ynë Skënderbe bëhet model i njeriut i të gjitha kohërave, të idealizuar prej autorit, që mund të transmetohet si profil i njeriut se si do të duhej të ishte secili njeri në këtë rruzull, prandaj edhe vetë autori, si do të shpreheshim ndryshe.

Qasje e kujdesshme

Libri ka një unitet përmbajtësor formal, edhe kur temat e tregimeve janë të ndryshme dhe kur hapësira dhe kohërat janë të ndryshme dhe kur personazhet marrin pozitën e vëzhguesit nga një neutralitet. Edhe kur personazhi kryesor duket se s'është vetë autori, po edhe kur vërtetë edhe ai nuk është, prej së largu, nga një element rrëfimor, çdo gjë flet për autorësinë, çdo gjë, edhe përmbajtësore dhe formale, i nënshtrohet autorësisë, prandaj harmonisë së plotë narrative, kështu që lexuesi ndahet i kënaqur nga ajo që lexon. Edhe veta e tretë e rrëfimit në të cilin rrëfen narratori, edhe emrat e ndryshëm të personazhit kryesor që e fshehin autorin, flasin jo kaq për elementet autobiografike, sa për larminë e temave të ndryshme të cilat, mu kur na duken se po ikin nga optika e qarkut autobiografik (që me automatizëm e bëjnë të harmonishëm kallëzimin e autorit), edhe formalisht kanë organizimin shumë domethënës dhe rrëfejnë gjëra të ndryshme që e kënaqin lexuesin. Ajo që bie në sy në këtë libër është mënyra shumë e kujdesshme e autorit ndaj qasjes së figurës së Skënderbeut, dhe trajtimit në mënyrë origjinale i temave të ndryshme, fare tjetër nga ajo që na ka rënë t'i lexojmë nga autorët e ndryshëm botërorë, dhe kjo shihet nga tregimet e para ku figura e tij nis të "qesë" kokë gradualisht, gjithnjë duke u rritur, për t'u bërë më vonë, në tregimin e fundit Magjistranti, sintezë e të gjitha rrëfimeve në një tërësi unike. Kjo qasje, kjo mënyrë e zgjerimit të figurës së Skënderbeut në tërësinë e librit, sikur ia përcakton edhe zhanrin dhe cilësinë e librit: libri nuk është vetëm një vëllim me tregime, por një roman postmodern, ku figura e Skënderbeut nga "hija" e bashkëkohësisë proporcionalisht fillon të "rritet", pastaj nis ta "pushtojë" librin për t'u bërë në fund një figurë emblematike, sintezë e ideve kryesore të shkrimtarit. Kështu, libri nga një vëllim i thjeshtë me tregime që pikat e integrimit i mban larg, shpejt shndërrohet në një roman anakronik në të cilën lidhëzat e unitetit, tok me mënyrat e rrëfimeve, shndërrohet "ideologji" e shkrimtarit, parim dhe besim gjithënjerëzor. Linjën e parë dhe kryesore e përbëjnë tregimet e ndryshme të cilat shkojnë duke zgjeruar fushat tematike nga jeta e përditshme e njerëzve të qytetit të Manastirit, Shkupit etj. që në mënyrë graduale nisin të zgjerohen dhe ta "pushtojnë" etosin e përgjithshëm letrar të autorit me figurën e Skënderbeut si artefakt të "rrëmbyer" nga rrota e historisë shqiptare e që është linja e dytë e rrëfimit, linjë që i "gëlltit" të gjitha tregimet me historinë e gatshme e cila vjen duke u identifikuar me linjën e parë. Në tregimet e para në të cilat figura e Skënderbeut është vetëm referencë e rrëfimtarit a gjuhës së folur të personazheve ose ku ai nuk është figurë qendrore, gjatë thellësisë së librit, figura e tij fillon të "rritet", për t'u bërë më vonë figurë qendrore, në mënyrë që në tregimet Pajtimi, Teatri nëntokësor dhe Magjistranti S Skënderbeu të jetë figura qendrore e rrëfimit.

Thyerja e paragjykimeve

Lexuesi megjithatë, s'duhet të presë rrëfime klasike çfarë zakonisht jemi mësuar të lexojmë në krijimet klasike për Skënderbeun. Mënyra e rrëfimit është tipike postmoderne dhe plasimi i ideve në tërësinë e librit udhëhiqet nga një stil eseistik ku figura e heroit tonë kombëtar, Skënderbeu, është kënd dhe përqasje biblike e gjetur mjeshtërisht ku "gumëzhijnë" tre Gjergja - Gjergj Kapadokiu, Gjergj Kastrioti dhe Gjergj Kërpaçi që i alternojnë tri kohërat, Mesjetën e Hershme (koha e Dioklecianit), Mesjetën e Vonshme (koha e Skënderbeut) dhe kohën e sotme dhe këtë lexuesi e gjen te tregimi Pajtimi. Shkrimtari me mjeshtri dhe paralelizëm, sikur do të tregojë se flijimi i tyre (Gjergjave pra), është shenjë e flijimit për amshim, interkalim nga një gjendje reale në gjendjen tjetër, në gjendjen e amshueshme. Janë shumë impresive rrëfimet e ballafaqimit të zotave: zotit totem të Dioklecianit dhe Jezu Krishtit. Më impresiv është Gjergj Kastrioti, i cili pas çdo fitoreje në fushëbetejë, ndjen dhembje sa për viktimat e shqiptarëve që e mbrojnë pragun, ndjen dhembje edhe për pushtuesin, një ndjenjë dhembjeje biblike për vdekjet pa marrë parasysh prej nga vijnë, gjë që e bëjnë heroin tonë, para së gjithash, emblemë prej njeriu fatin e të cilit e do gjithkush. Kjo temë/ide, në fund të fundit, nuk e përshkon vetëm figurën e Skënderbeut, po edhe te figurat e tjera të këtilla me personazhe te të cilat autori do ta "mundë" të keqen. Në tregimin e fundit, Magjistranti, narratori Metodija lexon pjesë nga magjistratura e tij, dhe për kureshtje të lexuesit, po shkëpusim këtë frazë: "Për Gjergj Kastriotin Skënderbe, heroin më të njohur shqiptar dhe ballkanas në luftë kundër robëruesve turq nga shekulli XV, ekziston një produksion i madh historik letrar, sidomos në vendet e Evropës perëndimore dhe jugore. Popullariteti i tij që zgjerohet në tokat e Amerikës Veriore dhe të Azisë (kemi një njohuri të reja se vepra letrare për Skënderbeun janë shkruar edhe në Filipine), u kushtohet, para së gjithash, luftërave të suksesshme kundër udhëheqësve shumë më të fortë osmanë, Muratit të Dytë dhe Mehmetit të Dytë (pushtuesit të Konstantinopojës), por edhe figurës së tij, e cila në mënyrë të përsosur është këpujë e virtyteve më bujare të një kalorësi mesjetar që në mënyrë të patundur luftoi edhe për lirinë e popullit të vet, popullit shqiptar, por edhe për çlirimin e Evropës së krishtere. Që këtu, në mënyrë të natyrshme është fakti se sot në Shqipëri, Skënderbeu është ngritur në rrafshin e një legjende dhe simboli nacional". Natyrisht, nuk janë shkruar të gjitha tregimet e këtij libri në këtë stil eseistik, që mund ta ngushtonte rrethin e lexuesve vetëm në qarkun e intelektualëve, tregimet e autorit janë gërshetim i stileve të ndryshme brenda tematologjisë së përgjithshme dhe ato nuk e ngushtojnë receptimin dhe kënaqësinë estetike që mbruan libri më vete. Që këtu, i shkruar në epokën e një borhesizmi ballkanas ku autori i stërvitur stilistikisht, duke qenë në hap me kohën ka menduar për të gjithë lexuesit, prandaj ndonjë nga tregimet që në fillim ishin temë magjistrature, me përpunimin e tyre mund të lexohen si prozë artistike. Më me rëndësi është të thuhet se shkrimtari i ka thyer paragjykimet e ditës rreth të kaluarës, çfarë zakonisht i cilëson shkrimtarët e vegjël me profil të një patriotizmi lokalist që mund t'i kënaqë vetëm njerëzit shpirtvegjël, duke dalë me një profil krijuesi të madh.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora