E hene, 09.12.2019, 03:57 PM (GMT)

Sporti » Legjenda

Përparim Kovaçi

E diele, 08.05.2005, 02:51 PM


Kovaçi, legjenda e futbollit beratas

Kush është mjeshtri i skuadrës së Tomorrit

Përparim Kovaçi ose siç e thërrasin në Berat Rimi, është futbollisti më i mirë e më popullor i të gjithë brezave të Tomorrit, dhe pse jo njeriu gol i kësaj skuadre. Në prag të 50–ave, Kovaçi kujton plot mall 18 të vjet karrierë me skuadrën e qytetit të tij. Ai numëron mbi 100 gola të shënuar me ekipin e Tomorrit, ku ata më decizivët, si për çudi janë dhe më të bukurit që ai kujton. Përveç titujve të shumtë që i janë akorduar nga federata dhe shteti shqiptar, Përparim Kovaçi ka qenë pagëzuar nga tifozeria beratase edhe si “Maradona i Tomorrit”. Modestia dhe thjeshtësia e këtij njeriu ndihet në çdo aspekt të jetës së tij. “Nuk mendoj se jam bërë mit i futbollit në Berat. Ky ka qenë pasioni im dhe nuk gënjej kur them se kam dashur t’i ngjaj vetëm vetes”, shprehet Kovaçi. Mbresat e tij janë të shumta, por më e paharrueshme për të mbetet takimi me Besëlidhjen më 1976, ku ai shënoi golin më të bukur të karrierës së tij dhe e ngjiti Tomorrin në kategorinë e parë.

Fillimet e një karriere

Ai e nisi futbollin që fëmijë, ku aktivizohej në kampionatet e lagjeve. Shënonte në çdo ndeshje dhe kjo ka qenë e mjaftueshme për të nxitur trajnerin Zoi Ikonomi ta aktivizonte me ekipet zinxhir. Në sezonin ‘72 – ‘73 aktivizohet për herë të parë me formacionin bazë të skuadrës së Tomorrit. Që nga kjo kohë dhe deri në vitin 1990, kur i dorëzoi fanellën me numrin 10-të talentit tjetër beratas, Kliton Bozgos, Kovaçi do të bëhej idhulli i tifozerisë dhe lideri i skuadrës. Ai ka luajtur përkrah emrave të Hodos, Hoxhës, Buzës dhe çdo ditë që kalonte e bënte atë më të besuarin e trajnerit Guxim Mukli, që sipas tij, mbetet trajneri më i mirë që ka pasur ndonjëherë Tomorri. Më pas, karriera e Kovaçit do të pasurohej me episode e ngjarje nga më interesantet për të ardhur te goli më i bukur i shënuar në takimin ndaj Flamurtarit. “Kërceva mbi të gjithë dhe me dorën pak mbi kokë shënova duke ai vjedhur gjyqtarit. Falë atij goli më pagëzuan me emrin “Maradona i Tomorrit”, thotë mjeshtri Kovaçi.

Njeriu–gol

Në vitin 1984 gazetari sportiv, Vlashi Pambuku, hapi në Berat ekspozitën “Kovaçi dhe goli” për nder të kësaj legjende të futbollit beratas. Kjo, sepse Rimi dhe goli ishin binom i pandarë aq sa ai vazhdon të thirret edhe sot “Njeriu gol”. Janë mbi 100 gola që mbajnë firmën e Kovaçit dhe ai vazhdon të jetë golashënuesi më i mirë i të gjitha brezave të Tomorrit. Madje, në sezonin 1978 – 1979, ai shpallet golashënuesi më i mirë i vendit me 18 gola. Duke kujtuar me respekt emrat e mjeshtërve të njohur si: Targa, Çipi, Taho, Kokalari, përballë të cilëve ai ka pasur rastin të luajë, Kovaçi kujton se shënimi i golit është një zanat më vete që jo kushdo di të bëjë ashtu siç duhet. Këtu veçon golin e shënuar më 1983-in me Skënderbeun, gol që shpëtoi beratasit nga rënia nga kategoria. Për mjeshtrin e golave, pjesë e veçantë e ditarit të tij sportiv mbeten katër ndeshjet ndërkombëtare që ai zhvilloi me ngjyrat e Flamurtarit të Vlorës. “Kam luajtur kundër AEK-t dhe Mostar dhe në të katër takimet shënova nga një gol edhe pse Vlora nuk arriti të fitonte turneun ballkanik”, kujton Kovaçi. I larguar nga futbolli në moshën 34-vjeçare, mjeshtri Përparim Kovaçi, nuk mund të harrojë që i është dashur të luaj ndaj Partizanit pa ditur që kishte kaluar verdhëzën. “Luajta dhe mbaj mend se në atë ndeshje, mbrojtësi i Partizanit, Karriqi, në pamundësi për të më mbuluar, më grisi fanellën”, thotë ai. I njëjti episod përsëritet edhe në vitin 1980 në ndeshjen me Labinotin e Elbasanit. Ndërsa miqtë kryesonin 2 - 0, Kovaçi edhe pse i sëmurë futet në fushën e lojës dhe shënon dy gola duke barazuar rezultatin.

Shtatshkurtësia e lë mjeshtrin jashtë kombëtares

Përparim Kovaçi në 18 vjet karrierë sportive me Tomorrin ka krijuar një histori më vete në futbollin shqiptar. Ai ka dhuruar spektakël dhe emocione që tifozët nuk kanë për t’i harruar asnjëherë. “I vetmi peng që nuk mund ta harroj është fakti që nuk arrita të luaj të paktën një takim zyrtar me fanellën e ekipit tonë kombëtar dhe kjo jo për fajin tim”, vazhdon Rimi. Nepotizmi i drejtuesve e trajnerëve të asaj kohe nuk kanë shëruar ende “inatin” apo “brengën” e mosaktivizimit me skuadrën përfaqësuese. “Me gjithë respektin që kam për trajnerin e madh, Loro Boriçi, nuk mund t’ia fal faktin që nuk më grumbulloi me kombëtaren, vetëm se isha i shkurtër, gjë që nuk është kriter vlerësues për një futbollist”, thotë Kovaçi. Ai ka mundur të triumfojë mbi portierë si Jani Kaçi e Ilir Luarasi. Me përjashtim të katër ndeshjeve me Flamurtarin, të vlefshme për Kupën Ballkanike, Përparim Kovaçit nuk iu hap kurrë drita jeshile për të kontribuar për ngjyrat e ekipit tonë kombëtar.

Skeda

Emri: Përparim
Mbiemri: Kovaçi
Vendlindja: Berat
Pozicioni: Sulmues
Skuadra: Tomorri
Gola të shënuar: 100
Nr.i Bluzës: 10
Fillimi i karrierës: sezoni ‘72 – ‘73
Mbarimi i karrierës: sezoni ‘89 – ‘90

Ka marrë pjesë në katër takime ndërkombëtare me ekipin e Flamurtarit, ku ka shënuar katër gola.

Titujt

Kampion i kategorisë së dytë 1976 - 1977
Mban titullin Mjeshtër Sporti
Fitues i titullit Futbollisti i shekullit
Mban titullin Nderi i futbollit beratas
Është disa herë fitues i Anketës Sportive “10 futbollistët më të mirë të vitit”
Golashënuesi më i mirë për edicionin 1978 – 1979 me 18 gola të shënuar.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Kujtim Majaci Anton Mazreku

Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT