E enjte, 25.04.2024, 05:20 AM (GMT+1)

Editorial

Engjëll Koliqi: Luftimi i dhunës nuk është dhunë

E marte, 06.01.2009, 11:00 PM


Engjëll Koliqi
Engjëll Koliqi
LUFTIMI I DHUNËS NUK ËSHTË DHUNË

Pavarësisht deklaratave kundër dhunës, të KFOR-it dhe të EULEX-it, në anën veriore të Mitrovicës dhuna po shtohet dhe atë, me akte terroristike. Është detyrë a pashmangëshme dhe e patjetërsueshme e institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës, që të angazhojnë shumë seriozisht dhe në nivelin maksimal policinë tonë, në luftë kundër dhunës, për të çrrënjosur në atë pjesë të vendit tonë dhunën dhe terrorin.

Nga Engjëll KOLIQI

Të gjithë ne qytetarët e Republikës së Kosovës, sikur edhe mbarë njerëzimi, jemi dëshmitarë të mrekullive politike-diplomatike, që kanë ndërruar historinë tonë, duke e përmbyllur njëherë e përgjithmonë epokën e dhunës e të tmerreve e duke i hapur udhë epokës së re – të lirisë, paqes e demokracisë. Pikërisht më 17 shkurt të vitit 2008, në Kuvendin  e Kosovës, me koordinim edhe të qendrave të arbitrazhit ndërkombëtar, u vulos fillimi i epokës së re, që në vendin tonë mba emrin Republika e Kosovës. Logjikisht, siç ndodh kudo në botën demokratike, institucionet tona shtetërore kanë marrë përgjegjësi të mbrojtjes së çdo pëllëmbe të territorit të vendit, si dhe të lirisë, paqes e demokracisë së mirëfilltë në shtetin tonë.

Nga qeveria e Beogradit, që historikisht është fabrikuese e tmerrit dhe terrorit, janë koordinuar tendosjet dhe janë dërguar terroristë, për të vazhduar me tendosje dhe dhunë në vendin tonë. Çudia më e madhe është fakti se para syve të organizmave ndërkombëtare (KFOR e UNMIK), shumë kriminelë serbianë, me detyra të agjentëve të Ministrisë së Brendshme të Serbisë, lirisht lëvizin dhe operojnë me njëmijenjë mënyra të mënxyrave terroriste, siç dijnë të organizojnë vetëm qeveritë e Beogradit, pa marrë parasysh se çfarë ngjyrimi politik kanë. Ishim optimistë se me shtrirjen e EULEX-it edhe në pjesën veriore të Mitrovicës, do të ndryshohet gjendja, por ngjarjet e ditëve të fundit atje po lënë hapsirë për shumë dyshime. Droja jonë është e arsyeshme, sepse ende dyshohet në misteret skandaloze të gjashtëpikëshit të Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara – Ban Ki-Moon, në harmoni me Qeverinë e Beogradit e nën umbrellën absurde të UNMIK-ut, ende po prodhojnë terror e tmerr në trojet tona. Edhepse gjithçka po shihet qartë në terren dhe tashmë edhe bashkësia ndërkombëtare ka bindjen se në strukturat paralele serbiane po veprojnë agjentë të stërvitur për terror, nga vetë Ministria e Brendshme e Serbisë, drejtuesit e ogranizmave ndërkombëtare n'atë pjesë të vendit tonë (KFOR, EULEX e UNMIK) vazhdojnë me avazin e vjetër të deklaratave kundër dhunës. Ditenatë trumpetojnë moton e tyre, se nuk do të lejojnë dhunë, ndërkaq që dhuna ndodh çdo ditë para syve të tyre. Duke analizuar ngjarjet e fundit dhe kërkesat e institucioneve e të popullit të Kosovës për normalizimin e gjendjes atje, kemi të drejtë të dyshojmë se deklaratat e ndërkombëtarëve që thonë se "nuk lejojnë dhunë", janë të drejtuara kundër vullnetit të institucioneve tona për normalizimin e gjendjes, duke dashur të thonë se nuk mund të ketë ndërhyrje të Policisë së Kosovës, që është kompetente për ruajtjen e rendit në mbarë territorin e Republikës. Në vorbullën e këtyre abdurdeve dyshimet i shton edhe fakti se policët e minoritetit serbë që janë larguar nga Policia e Kosovës, mbas shpalljes së pavarësisë - gati një vit vazhdojnë të marrin rrogat e tyre – të paguhen për veprimet e tyre destruktive antikushtetuese kundër shtetit.

Pa marrë parasysh deklaratat as vendimet e organizmave ndërkombëtare, Qeveria e Republikës së Kosovës duhet respektuar Kushtetutën dhe duhet ndërmarrur masa urgjente për normalizimin e gjendjes në pjesën veriore të Mitrovicës dhe në çdo pëllëmbë të territorit të vendit tonë. Siç veprojnë të gjitha shtetet demokratike në botë, edhe ne kemi të drejtë në ruajtjen e rendit në mbarë territorinn e vendit tonë, prandaj Policia e Kosovës – si kompetente për këtë, do të duhej të organizojë një operacion special dhe profesional për spastrimin e mbarë territorit nga elementet destruktive, që po shkaktojnë tmerr e terror në vendin tonë. Asnjë agjent i policisë serbiane nuk ka vend në vendin tonë dhe me spastrimin e territorit të Kosovës nga elemente të tilla, sigurisht që do të rikthehej menjëherë paqja e siguria dhe serbët e Kosovës do të integroheshin në jetën e përgjithshme, duke respektuar Kushtetutën e Republikës së Kosovës e duke gëzuar të gjitha të drejtat dhe privilegjet që u takojnë minoritarëve në vendet më demokratike. Me një akcion profresional të Policisë së Kosovës në veri të Mitrovicës, besoj do të zgjidhej problemi atje njëherë e përgjithmonë dhe do të ndalej menjëherë dhuna. Luftimi i dhunës nuk mund të vlerësohet si dhunë, sepse ata që shkaktojnë tmerr e terror, duhet shmangur edhe me dhunë.

Nga ana tjetër, opozita jonë, në këto çaste të ndërlikuara, në vend të kritikave ndaj Qeverisë dhe institucioneve të Republikës së Kosovës, do to duhej të bashkëpunojë me institucionet dhe t'i koordinojnë akcionet e nevojshme për tejkalimin e gjendjes së tendosur. Kritikat do të ishin të vlefshme, vetëm nëse në bashkëpunim me Qeverinë jepen propozime konstruktive, qoftë edhe alternative. Mendoj do të duhej një vendim special për tejkalimin e gjendjes dhe për mosnjohjen e programit gjashtëpikësh, një vendim që do të duhej të merrej me votat edhe të pozitës, edhe të opozitës.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora