Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Shevki Sh. Voca: Fra. Llovro Mihaçeviç: Të metat dhe vlerat e shqiptarëve

| E marte, 06.01.2009, 08:18 PM |


Shevki Sh. Voca
Shevki Sh. Voca
FRA. LLOVRO MIHAÇEVIÇ: TË METAT DHE VLERAT E SHQIPTARËVE

Nga Shevki Sh. Voca
 
Llovro Mihaçeviq, ka qenë një frat (prift) katolik i lindur në Kreshevë, në Bosnje. Ai si i tillë, ka qëndruar me detyrë fetare plot 14 vjet ndër shqiptarë kah fundi i shek XIX dhe në fillim të shekullit XX. Pas kthimit të tij në atdhe, ka botuar disa vepra mbi shqiptarët dhe Shqipërinë si dhe mbi gjendjen e kishës katolike në Shqipëri. Artikulli i tij i parë është: “Iz Albanije o Albaniji” (“Nga Shqipria për Shqipërinë”), Franjevacki glasnik, Sarajevë, 1909. Punimi tjetër i Mihaqeviçit që ka të bëjë me shqiptarë e që është vepra më e rëndësishme e tij titullohet: “Po Albaniji-Dojmovi s Puta” (Nëpër Shqipëri-Përshtypje nga udhëtimi), Zagreb, 1911. Izdala Matica Hrvatska. Dionicka Tiskara u Zagrebu, nga e cila ne me këtë rast për lexues kemi shkoqitur artikullin “Të metat dhe vlerat e shqiptarëve”.  “Crtice iz albanske povijesti” (Shënime nga historia shqiptare), Sarajevë, 1912, është vepra e tretë e tij e cila si tërësi jep një kontribut të dobishëm për të studiuar të kaluarën e shqiptarëve.   

***

Shqiptarët janë me zemër trimi për çka ndihen krenar, e çmojnë lirinë dhe atdheun, dhe për këto dy shenjtëri të tyren ata luftojnë me armik shumë më të madh dhe shumë më të fuqishëm. Kjo është arsyeja, pse edhe për botën e largët janë të njohura fitoret e betejave luftarake të bijve kreshnik të këtij vendi trime. Ata janë shumë luftarak; më me dëshirë shkojnë në luftë, se sa në gazmende. Për trimërinë e tyre, posaçërisht njihen  në Stamboll, ku me dëshirë i pranojnë në ushtri. Në ushtri ata i pushtojnë vendet e para, e këtë e arin në saje të trimërisë. Ata kanë një mënyrë luftarake të veçantë. Kur ballafaqohen me armikun, lëshojnë britmë të madhe duke shtirë pa ndërprerë me pushkë, e në këtë mënyrë e hutojnë dhe e frikësojnë armikun. Luftërat e tyre nëpër radhët e ushtrisë dallohen nga luftërat fisnore mes veti. Ata shumë bukur e shfrytëzojnë pozicionin e shtrirjes në tokë; nëse është rrafshinë, ata shtinë nga pozicioni i shtrirë, por dinë edhe të mbrohen pas ndonjë guri apo druri dhe nga aty të shtinë. Në armikun më me ëndje e ruajnë rastin të shtinë nga pusia. 
Kur nisen në luftë, e kanë bajraktarin, urdhëratë e të cilit mirë i dëgjojnë. Janë shumë të ushtruar në gjuajtje; është turp që mos të qëllohet caku. Më kot kur nuk shtinë. Po krisi
lufta mes tyre, mes fiseve, Shqiptari vazhdimisht mendon dhe thur plane, se cila kishte me qenë mënyra më e mirë për sulmin dhe dëmtimin e armikut. Në këto konflikte të tyre shpesh herë përzihej qeveria turke, e cila i detyronte në pajtim. Me pajtime merrej vetë qeveria, sepse për një kokë të gjakut të derdhur merrte nga 500 grosh, ndërsa që fiset për një kohë qëndronin në pajtim, deri sa prapë nuk përsëritej armiqësia e vjetër. 
    

Bajraktari i Grudës
Bajraktari i Grudës
Pranë anëve pozitive Shqiptarët  kanë edhe të metat e tyre, nga të cilat më të rënda janë përçarjet, grindjet dhe hakmarrjet. Historia e shqiptarëve qartë na dëshmon, se si qeveria turke gjatë 400 vjetëve diti ti shfrytëzojë këto të meta të tyre.
anë fetarë, dhe me dëshirë shkojnë nëpër faltore, klerikët i çmojnë dhe i nderojnë; lëmoshën e japin me kënaqësi, të sëmurit i vizitojnë dhe janë bamirës.
Ata, veçanërisht malësorët, do të vidhnin gjë sendet e huaja, por kurën e kurës agjërimin apo kreshmët e mëdha nuk do ti lënë pa i mbajtur. Për pak gjë e vrasin njeriun, ndërsa që në të njëjtën kohë janë në gjendje të vdesin për fe, nëse dikush ia sulmon dhe ofendon atë. Shkurorëzimin e mbajnë për krim të madh, ndërsa të martuarit me dy gra nuk e konsiderojnë për mëkat. Zënien e diellit dhe të hënës e konsiderojnë punë dreqi, dhe me të parë këtë zënie ata shtinë me pushkë, që diellin apo hënën ta shpëtojnë nga përqafimi i djajve. Shqiptarët u besojnë lugëtëve, syrit të keq, hajmalive, zanave të malit, maktheve, xhinëve, djajve etj. Kundër krejt këtyre shërbehen me të “shkruarit” e klerikëve. Duke i besuar kaderit (caktimit), që ata e quajnë “kësmet” shumica shpresojnë në fatin e tyre. Festat fetare dhe mbrojtësit e kishave të tyre i festojnë me përgatitje të mëdha. Në natën e buzmit kallin dushkaja, kurse gjatë Pashkëve fëmijët argëtohen me ngjyrosjen e vezëve. Më së shumti e festojnë Peshkopin Shën Nikoll dhe të shenjtin Anton Paduanski.
Ndokush i akuzon shqiptarët për shkak kalimit të tyre në fenë islame, si popull i pa vendosur dhe i pa përgjegjshëm për fenë dhe atdheun e vetë. Mirëpo ky kundërshtim është i pa arsyeshëm, sepse na është e njohur nga historia, kur ata gjatë kohës të trimit të Kastriotit, por edhe pas vdekjes së tij, edhe se ishin të pikëlluar nuk hoqën dorë në mbrojtjen e fesë dhe atdheut, megjithatë më në fund duke iu nënshtruar fuqisë më të madhe edhe feja u detyrua të pësojë disfatë.
     Në fillim rebelimet nga feja ishin shumë të rralla, deri kah përfundimi i shekulli XVI, kur u miratua ligji, me anë së cilës u epej e drejta në pronë vetëm atyre të krishterëve, të cilët kishin për ta edukuar ndonjë fëmijë të veten në fenë e Muhamedit. Atëherë, për ta ruajtur edhe atë të paktën pronë që kishin, filluan të turqizohen (lexo islamizohen Sh. V.). Kur i vizitonte hoxha familjet e krishtere që të takohet me pjesëtarin e fesë së vete, pra me atë fëmijë i cili ishte caktuar për fenë islame, ai me lehtësi mund të ndikonte edhe tek anëtarët e tjerë në familje që të turqizohen (islamizohen). Dhe kështu së pari filluan të kalojnë në islam të varfëritë e pastaj edhe ata të pasurit. Por edhe këta, që në këtë mënyrë kanë kaluar në islam, kanë kaluar pa bindje dhe vullnet, e që Shqiptarët edhe sot në aspektin fetarë janë shumë tolerant. Ata edhe tani me dëshirë martohen me krishtere dhe njashtu e japin motrën apo vajzën për krishterë, ndërsa edhe njëri edhe tjetri grave të veta u lejojnë lirinë fetare. Shqiptari më shumë krenohet me shqiptarizëm se sa me përkatësinë e vetë fetare. 
    
Fshatarët e Hotit
Fshatarët e Hotit
Shqiptarët mysliman, janë të vetë dijshëm për prejardhjen e tyre krishtere, dhe çdo kund me ata të krishterë (katolik) jetojnë në pajtim dhe harmoni. Bashkë me ta i festojnë të shenjtërit,  për shembull, Shën Gjinin, Zonjën e Bekuar, Shën Kollin, Shën Gjergjin, dhe Shën Anton Paduanskin. Ka famulli, ku pjesëmarrësve në mesh u bashkëngjiten edhe myslimanët.
     Kur kleri katolik shkon në famulli për të bekuar shtëpitë, ai duhet gjithsesi të kthehet edhe nëpër shtëpitë e myslimanëve, për ti spërkatur, ndërsa ata e nderojnë njëjtë si dhe katolikët, dhe sikur mos tu bënte vizitë shtëpive myslimane, do të ndiheshin të ofenduar dhe do të hidhërohen.
     Në ditët e verës famullitari shkon nëpër varreza për ta mbajtur meshën, dhe për t’i bekuar arat, ndërsa këtu vijnë edhe myslimanët e fshatrave për rreth, sepse në ato varre janë të varrosur edhe të parët e tyre. Dhe në mëngjesin e asaj dite shkon myslimani tek famullitari, paguan meshën, me vete në krah mbanë hejbet me fustanellat e spërkatura, dhe i qon në varreza, ndërsa vëllai i tij sjellë nga shtëpia dërrasat e veta, “altarin bartës”, të cilat ai i rruan në shtëpinë e vetë. Pas përfundimit të meshës myslimanët dhe katolikët i thërrasin shokët dhe miqtë e tyre në gosti, myslimani thërret myslimanin dhe katolikun, ndërsa katoliku, katolikun dhe myslimanin. Në këtë ditë shtëpitë e të dy palëve janë të mbushur me mysafirë, në të cilat pihet rakia, dhe lartë madhërohen Jezusi (Isa) dhe Muhamedi.
     Emrat i kanë të përziera, për shembull, Gjon Mehmeti dhe Mehmet Gjoni etj. Nëse në familjen e ndonjë myslimani sëmuret kush prej anëtarëve të familjes, atë e dërgojnë te famullitari që t’ia këndojë meshën dhe të ndezi qiri për nder të Shën Kollit apo Shën Antonit. Betimet i bëjnë ne fe të krishtere, kurse qytetarët e Krujës në katër librat e “shenjta” ungjillore.
         
Marrë nga libri “Nëpër Shqipëri-Përshtypje nga udhëtimi” Faqe 105-108, Zagreb 1911.

Shënim: Fotografit për këtë tekst janë nxjerrë nga libri.

 

 

Kryetarët e fisit Shoshi
Kryetarët e fisit Shoshi