E hene, 25.05.2020, 06:12 PM (GMT+1)

Plus » Historia

Fatos Baxhaku: Në Arbanë me historitë e Luftës

E hene, 05.01.2009, 01:17 AM


Në Arbanë me historitë e Luftës

Nga Fatos Baxhaku

Ato janë një varg kodrash, që zbresin butë-butë drejt Erzenit të qetë. Janë kodrat e Arbanës. Vetëm gjashtë kilometra në jug të Tiranës, me një klimë të mirë dhe toka pjellore, fshatarët e këtyre anëve kanë çuar një jetë të paqtë, deri kur furia e Luftës së Dytë përfshiu edhe Shqipërinë. Fati i tyre - për disa i mirë e për disa i keq - e desh që njeriu më autoritar në krejt zonën të ishte Myslym Peza. "Baba" vendosi të lidhej me komunistët. Kështu bënë dhe fshatarët e këtyre anëve dhe pastaj përballuan luftën.

Mbase nga që është ende mëngjes herët, apo mbase kështu është në këto anë në çdo orë të ditës, në fillim hasim me një qetësi thuajse të plotë dhe, sigurisht, me asnjë shenjë lufte. Vetëm disa mullarë që i kanë vënë në radhë, njësoj si një togë luftëtarësh gjigandë, vetëm këta mbase mund të na kujtojnë disi një formacion luftarak. E kapërcejmë Erzenin në Fortuzje dhe ecim edhe për pak minuta, në kërkim të ndonjë të moshuari. A ka mbetur njeri që të kujtojë betejën e 9 tetorit të 1943, atë që e bëri të njohur dikur fshatin? Me këtë pyetje në mend, gëzohemi kur takojmë dy fshatarë që po përziejnë llaç në anë të një lokali. Një djalë fare i ri përzihet edhe ai në bisedë. Eshtë Klodi, banakieri. "Ik n‘shkolle ti, hik", i thotë gjysmë me të qeshur njëri nga fshatarët. "Ça shkolle me, e kom bo un. E kryva të tetën", përgjigjet Klodi. Biseda jonë për të moshuar dhe për "nji luftë t‘modhe" që qenka bërë dikur këndej me siguri që i duket në një gjuhë tjetër. Sido që të jetë, tashmë i kemi disa emra në blloqe. Ndahemi me miqtë dhe me Klodin, që tani sheh si i përhumbur kodrat, ku dikur paskëshin qenë fshehur të parët e tij.

"Si i maj men gjermont"

Ali Aga tani është në prag të tetëdhjetave. E ka zakon që të ulet paraditeve në një stol të drunjtë, përballë shtëpisë së tij në Fortuzje. Takon ndonjë mik, shkëmben ndonjë muhabet dhe pastaj vazhdon punët e tij të zakonshme.

Aliut i kujtohet fort mirë ajo kohë. "Si nuk m‘kujtohet, kom qenë 14 vjeç atëherë - nis e tregon Aliu - pushka ka plas n‘mjes herët. Gjermanët erdhën nga Ura e Farkës dhe ecën nëpër Erzen deri në Bulticë. Partizanët kishin zënë kodrat. Familjet tona dhe me gra e fëmijë kemi shku në majë të asaj kodrës atje lart. Andej nuk kishte luftë dhe atje u strehuan të gjithë banorët. E kujtoj mirë si tani. Të dyja palët kishin mitraloza të rëndë. Partizanët kishin disa që ia kishin marrë italianëve. Këta kishin një krisëm si më të thatë e më të lehtë. Kurse krisma e mitralozave gjermanë ishte më e fortë dhe më gjëmuese. Gjerman me nji fjalë. Luftë e madhe është bërë për një mulli. Mullinjtë janë prej guri dhe janë pikë e mirë me u mbrojt. Mbaj mend se për të mbrojtur atë pikë u vranë disa gjermanë, por pjesa më e madhe janë vrarë pasdite andej nga Bultica, kur një pjesë prej tyre mbetën të rrethuar". Aliu e ndez një cigare. "Eh gjermont - shton pak pas çastesh - kan qenë trima. Një herë hynë në shtëpi për kontroll. Ne ishim të gjithë të vegjël, aso kohe. Unë isha më i madhi. Pleqt u trëmbën për ne. Por gjemani na fërkoi kokën lehtë ne fëmijëve dhe doli. Lufta ka qenë e keqe për të gjithë. Po ju shkoni një herë andej nga Hati, se edhe ai kaq sa unë ka qenë atëherë".

Hat Sulëstafa jeton në Damjone, një fshat fare afër Fortuzjes, në rrëzë të kodrave. Hati është ende i fortë dhe ka dalë në arë. Ndërsa presim Hatin, na bën përshtypje një shtëpi fare e vjetër, tani e pabanuar, ku të bie menjëherë në sy pllaka e famshme: Kjo shtëpi ka qenë bazë e Luftës… Tani është hauri i lopës së Hatit, i cili ka ndërtuar në krah shtëpinë e re. Kush e di se sa net pa gjumë duhet të jenë kaluar në këtë shtëpi në pritje të ndonjë ekspeditë të përgjakshme, apo të ndonjë lajmi, me ankth, shpresë, frikë, apo me të gjitha këto të përziera bashkë. Nga larg gjëmon zëri i fortë i Hat Sulstafës: "Ho çuna, e paskët pa shpinë e vjetër? Se luj unë kte, ka historina kjo?".

Hati i shton edhe disa elementë të tjerë historisë së betejës. "Gjermanët arritën me ardhë deri në Bulticë, duke ecur përgjatë Erzenit. Kur kanë arritë në Arbanë, kanë parë disa ushtarë italianë dhe kanë nisur të gjuajnë shumë fort. Atëherë si u hap lajmi që ka nisur lufta, shumë familje dolën në mal. Në Alltatë, te Li Cenalla, ishin të mëdhenjtë e Shtabit, anglezët. Unë anglezët i njifsha edhe vetë, se kishin qenë edhe në shtëpinë time. Na bote përshtypje neve atëhere se kur merrshin buke ose ushqime të tjera, nuk pranonin të iknin nëse nuk do të paguanin. Ishin shumë korrektë. E që thoni ju nji mitraloz ka qenë pak metra larg shtëpisë ku jemi, majë kodrës". Po Enveri - e pyesim plakun - a është e vërtetë që edhe ai ka komanduar luftimet? "Duhet të pyesni ndonjë të modh mër çuna. Ajo që dimë ne është se atëherë emrat më të njohur ishin Babë Lymi, Mustafa Gjinishi, Kajo Karafili, Adnan Qatipi, kush i ma men mo, po atëherë ne Enverin nuk e njifshim. Për mua, drejtues i vërtetë i asaj lufte ka qenë Liman Karruli, komandanti i atëhershëm i çetës, ushtarak kavajas. Maliq Muço e pat shkarkuar më vonë si komandant. Thuhet se vetë Limani e vrau Maliqin në një pritë dhe u bashkua me Ballin. Pastaj u arratis jashtë, ku edhe vdiq".

Eshtë një dhomë e veçantë kjo e Hatit. Ndërsa në bisedën tonë përzihen krisma vrastare me emra njerëzish dhe fate tragjike nëpër dhomë fluturojnë nja pesë-gjashtë harabela. Kanë gjetur derën hapur dhe kanë hyrë. Tani vërtiten mbi kryet tanë duke na rikthyer në të sotmen. "Nuk i përzej, janë shons", thotë Hati. "Kshtu pra, andej nga nata u vranë shumë gjermanë, afër 80. Një pjesë të kufomave i tërhoqën vetë gjermanët, po shumë të tjerë mbetën të shpërndarë. I mori lumi, ose i hongrën qentë. Disa të tjerë i dogjën fshatarët, sepse nisën të qelbeshin. Përfunduan keq…". 80 gjermanë thotë Hati, librat thonë 52. "Qi kanë qenë vra shumë, janë vra shumë, numrat masnej rregullojini vetë ju", e mbyll diskutimin me diplomaci Hati nga Damjonia.

Dy lapidarë në pak metra

Arbana është një fshat i madh. Shtrihet që nga rrëza e kodrave drejt luginës pjellore të Erzenit. Pikërisht këtu, gjermanë e partizanë u përleshën për vdekje me njëri-tjetrin. Në anë të rrugës ndalojmë te një lapidar. Duket që është ndërtuar vetëm në këto vitet e fundit. Lapidari bën fjalë për themelimin e një batalioni të Grupit të Pezës, pikërisht në ditën e betejës më 9 tetor 1943. Pikërisht ky duhej të përbënte bazën e brigadës që nuk arriti të mblidhej, të tretës. Vetëm ca më tutje më në fund gjejmë ca gjallëri. Zëra fëmijësh na bëjnë me dije se tani jemi afër shkollës. Në oborrin e saj një tjetër lapidar. Mbi një basoreliev partizanë të vendosur shtyjnë përpara një top. Krejt para lapidarit një djalë i vogël çapitet mbi paterica. Eshtë Klejdi. E ka humbur këmbën që kur ishte tre vjeç, në një aksident automobilistik. Tani i duhet të bëjë tre orë rrugë në këmbë, deri në shtëpinë e tij matanë kodrës. Klejdi ngre supet kur e pyesim për lapidarin, të cilin e shikon përditë. "Partizont m‘duket", përgjigjet thjesht.

Sikur të mos njiheshim me Shabanin e vogël, atëherë nuk do të kishim takuar as Shabanin e madh. "Histori me luftë di gjyshi im", na thotë Shabani dhe ne marrim udhën së bashku me të përgjatë një monopati, që të ngjit deri në mes të lartësisë së një kodre. Shaban Mema ka qenë korrier i Çetës së Pezës. "Shkojsha në Pazar te nji dyqan qymyri, atje më jepshin nji letër. Unë e futsha në samar të gamores dhe e çojsha në Pezë. Kët punë kam bo unë gjatë luftës. Kur filloi lufta, ishte mushë vendi me partizon. Ishte bo morri si bërthomë ullini. Partizont kishin edhe nji top që e drejtoshin disa italion. I gjithë mileti u çu e shkoi lart nëpër kodra se u bo luftë e modhe. Atje në breg të Erzenit, në Bulticë, ishte mushë veni me gjermon të vramë. Partizont i dogjën trupat dhe ça ngeli i mori lumi". Shabani, ish-korrieri, sodit një copë herë hartën e asaj beteje. "Po, ktu në Picallë ka qenë Kajo Karafili", thotë sikur t‘i flasë vetes. "Shaba Xhunior" shikon me kuriozitet nga ato shigjetat e kaltra dhe të kuqe që përzihen me njëra-tjetrën. Ashtu, në letër duken vërtet paqësore, njësoj si lodra fëmijësh.

Misteri i nipit të Geringut

E gjithë zona deri në Pezë dhe përtej është përshkuar disa herë nga operacionet ndëshkimore të gjermanëve. Si Hati edhe Shabani na kujtuan një histori, për të cilën është shkruar edhe më parë. Hati tregon për një gjerman të çuditshëm. I veshur shqiptarçe, gjermani ecte bashkë me dy të tjerë, për të cilët nuk u mësua kurrë gjë tjetër. Hati tregon se në Çaush, fshat mes Arbanës dhe Pezës, një fshatar dyshoi dhe qëlloi me gjermanin. Sipas Hatit gjermanit që vdiq pas pak çastesh iu gjetën në trup tre palë dokumente, polake, sovjetike dhe gjermane, me emrin Von Essen. "Kërkonte vendin se ku i merrshim ne furnizimet, me sa duket - kaq di të thotë Hati për gjermanin e mistershëm - po duhet të ketë qenë ndonjë i madh shumë, sepse gjermanët e kanë kërkuar gjatë trupin e tij. U tha se ishte një i afërt i Hitlerit, por nuk di gjë më gjatë. Trupin e tij e hodhën në përrua, kush e di se si përfundoi". Dhe atëherë nga rrëfimi i Hatit, na kujtohet se kohë më parë u thur një gjysmëlegjendë. Një diçka në mes së vërtetës dhe legjendës. Gati-gati një lloj dëshirë e fshehtë për të thënë se edhe ne në luftë nuk kemi vrarë ushtarë dosido. Shumë kohë më parë u fol për një toger të rënë në Shqipëri. Historia më e përhapur atëherë këmbëngulte se gjermani enigmatik ishte as më shumë e as më pak sesa vetë nipi, apo djali i adoptuar i Geringut, Feldmareshalit të Ajrit.

Në Arbanë, Shabani flet për një histori të ngjashme në Çaush, porse, sipas tij, oficeri gjerman ishte kapur rob dhe nuk kishte pranuar të fliste asnjë fjalë. Vetëm kishte përsëritur vazhdimisht "Heil Hitler", derisa kishte dhënë shpirt. Shabani nuk di ndonjë gjë më tepër për fatin e kufomës. "Si të tjerët mo". Kjo do të thotë ose e përlarë nga përroi, ose e mbuluar cekët me dhe, dhe e dëmtuar nga kafshët. Me këto mendime në kokë marrim ngadalë udhën e kthimit. Lemë pas fushën dhe kodrat e përskuqura nga vjeshta dhe ngatërrohemi me morinë e makinave që hyjnë në Tiranë.

Vdekja i bën të gjithë bashkë

Ato janë tre simbole, që qëndrojnë edhe afër edhe larg njëra-tjetrës. I pari është një gur i rëndë, mbi të cilin shkruhet: Nga 1945 deri në 1972 këtu ndodheshin Varrezat e Dëshmorëve të Luftës Nacionalçlirimtare. Pak metra më tej, pllaka guri ngrihen në nderim të anglezëve të vrarë në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore. Simboli i tretë, më i ri se dy të parët, është ai i të mundurve të djeshëm, gjermanëve. Pak metra më tej po bëhen përgatitjet e fundit për të përuruar një memorial të ri për ta. Atje do të prehen mbi 50 ushtarakë gjermanë të vrarë në luftë. Në Shqipëri zyrtarisht janë vrarë gjatë Luftës së Dytë 2400 gjermanë. Vetëm afër 1800 prej tyre u njihen emrat. Varre ushtarësh gjermanë ka në 87 pika të Shqipërisë. Në kolonat prej graniti janë gdhendur emrat e rreth 60 gjermanëve. Disi me ndrojtje, si zakonisht në ngjarjet që u kujtojnë Luftën e Dytë, gjermanët kanë hedhur në dy gjuhë mbishkrimin: Këtu prehen persona të rënë në Luftën e Dytë Botërore. Nderoni kujtimin e tyre dhe viktimat e të gjitha luftërave.

Pak nga pak bie nata. Simbolet që përfaqësojnë palët që u përgjakën keq gjatë luftës bëhen një me pyllin e errët të Tiranës. Tani janë vetëm ata, të tre bashkë në heshtje, të rrethuar nga kujtime të përgjakta dhe, hera-herës, ndonjë çift që do t‘i fshihet syve të kalimtarëve kuriozë. Për dreq, shumë herë vetëm vdekja i ka bërë njerëzit bashkë.

Ky shkrim nuk ka marrë përsipër të rindërtojë një histori të detajuar të betejës së Arbanës dhe as të zgjidhë ndonjë mister të luftës. Ai ka pasur si qëllim vetëm të mbledhë ato çka mbajnë mend dëshmitarët më të moshuar vendas, kështu që në të mund të mos jenë përmendur emra, vende dhe protagonistë të tjerë po aq të rëndësishëm sa edhe këta që janë përmendur nga vetë fshatarët. Për orientim historik janë përdorur: Historia e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar, Vëllimi III, Tiranë 1988, Herman Frank, Landser, Kurst und Shkipetaren. Bandenkampf in Albanien, Heidelberg, 1957 si edhe një shkrim i koleges Admirina Peçi.

9 tetor 1943

Përgjakja rreth Tiranës

Duhet të ketë qenë një mëngjes i kthjellët e i butë vjeshte, ai i 9 tetorit të 1943 në fshatrat rreth Tiranës. Mbase njësoj si ky që ne përjetojmë tani, mbas 63 vjetësh. Vendi kishte rënë në qetësi, që kur se ishte mësuar kapitullimi i Italisë dhe krismat ishin bërë më të pakta. Fshatarët e Arbanës, Domjes, Fortuzes, Baldushkut, Vishjes kishin nisur të merreshin me punët e tyre, si në çdo vjeshtë. Dushqet sapo kishin nisur të skuqeshin dhe vendi ishte përflakur nga vjeshta. Askujt nuk i shkonte mendja se e gjithë krahina do të përflakej ndryshe, nga flakët e luftës së vërtetë.

Në fillimin e tetorit të 1943, Enver Hoxha dhe komunistët e kishin shpallur tashmë thuajse hapur dëshirën e pamatë të tyre për të marrë pushtetin të vetëm. Enveri dhe anëtarët e tjerë të Shtabit të Përgjithshëm shpejtojnë t‘i afrohen Tiranës dhe u vendosën në Alltatë, një fshat i vogël, disi më i mbrojtur se të tjerët, vetëm pak kilometra larg Tiranës. Po këtu ishte vendosur themelimi i Brigadës III, një brigadë që do të ketë një fat disi më të ndryshëm se "shoqet" e tjera. "Ne do ta kryejmë sulmin mbi Tiranën, vetëm atëherë kur të jemi të bindur se ky sulm është i domosdoshëm, se prej tij do të kemi vetëm fitime, dhe, kryesorja, vetëm në rast se zbarkojnë aleatët për ta paraqitur veten si çlirimtarë. Ne e çmojmë luftën e tyre, por në Shqipëri çlirimtarët e vërtetë kemi qenë e jemi vetëm ne dhe pushteti do të jetë vetëm në duart tona". Kështu mendonte Enver Hoxha, para luftës së Arbanës. Do t‘i duhet të presë edhe diçka më shumë se një vit që të shkelë sërish bulevardin e madh të kryeqytetit.

Deri në tetor, gjermanë e shqiptarë e njihnin shumë pak njëri-tjetrin. Disa përpjekje sporadike që kishin zhvilluar çetat e Ballit dhe partizane në Jug vetëm sa i kishin çuditur gjermanët. Shumë prej tyre vinin nga vende ku lufta ishte bërë në fronte prej mijëra kilometrash, tani i duhej të luftonin me "hije", me njerëz që qëllonin befasisht dhe pastaj zhdukeshin në malet e paarritshëm. Herman Frank, është njëri prej oficerëve gjermanë që luftoi atë ditë në Arbanë. Veteran i Stalingradit, në 1957, ai botoi ditarin e tij. Prej tij e kemi përshkrimin e asaj çka mendonin ushtarët e rreptë gjermanë, ndërsa vazhdonin të mitralonin kodrat përballë tyre, në atë ditë të ngrohtë vjeshte.

Gjëmimi i topave është dëgjuar që në të gdhirë. "U kapëm në vështirësi", do të pranonte më pas Enveri. Si do që të jetë gjermanët - 2 mijë vetë sipas historiografisë komuniste - që kishin depërtuar përmes luginës së Erzenit dhe të Zhllimës, hasën në rezistencë të fortë dhe shumë prej tyre u zunë si në çark brenda ndër lugina. "Armiku ka marrë përforcime të reja - shkruan Franku - tani gjithë puna është të qëndrojmë sa të erret, sepse nuk është e mundur të bëhet shkëputja e armikut me ditë. Por, edhe po të presim sa të erret, ekziston mundësia tjetër, që armiku të na rrethojë plotësisht. Pra, e kemi keq nga të dyja anët… Sot duket sikur dielli ka vendosur të mos perëndojë kurrë". Luftimet kanë vazhduar deri në të rënë të errësirës. 52 gjermanë dhe pesë partizanë raportohen të vrarë nga historianët e kohës së Enver Hoxhës. "Vetvetiu plani për të çliruar kryeqytetin ra nga rendi i ditës", mjaftohet të thotë Enveri pas betejës. Të dyja palët tani ia njihnin mirë forcën njëri-tjetrit. Lufta do të zhvillohej ndryshe.

Nëntë ditë më vonë, nga kodrat e Saukut, fare afër vendeve ku u zhvillua beteja, një grup partizanësh dhe xhenierësh italianë lëshuan një predhë topi drejt vendit ku gjermanët kishin mbledhur Asamblenë Kushtetuese. Zona u përshkua më pas nga ekspedita të forta ndëshkimore. Brigada fatkeqe e III ishte nga të parat viktima. Duket se që nga lindja asaj i ishte parashkruar një fat i keq. Shumë prej partizanëve të saj u kthyen nëpër shtëpia, në pritje të kohëve më të mira, ndonjë tjetër preferoi Ballin dhe shumë të tjerë nënshkruan deklarata se kurrë më nuk do të bashkoheshin me komunistët. Vetëm pas disa kohësh, brigada u organizua në malësitë e Elbasanit.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora