E marte, 19.03.2024, 06:48 AM (GMT)

Shtesë » Historia

Fatos Baxhaku: "Bëmat" tona të vjetra në Irak

E diele, 04.01.2009, 12:41 PM


Trupat shqiptare marrin pjesë në një ceremoni në aeroportin Nënë Tereza përpara se të nisen për në Irak në prill 2004
"Bëmat" tona të vjetra në Irak

Nga Fatos Baxhaku

Kur një grusht djelmoshash shqiptarë u nisën për në njërën prej zonave më të nxehta të globit, për në Irak, atje ku sot e kësaj dite mesatarisht vriten jo vetëm civilë vendas, por edhe shumë ushtarë të huaj, shumë veta e vranë mendjen me merak të madh: A duhej vepruar kështu? A duhej që ky hap i madh të ishte bërë më parë objekt i ndonjë votimi më të gjerë? Apo duhet të na zërë gjithnjë tendenca e të ecurit pas më të fortit? Sikurse ndodh gjithnjë në një vend që ka nevojë të mbështetet te një superfuqi, diskutimet për djemtë e Shqipërisë që shkonin në luftë, sikur të shkonin në ndonjë stacion pushimi a llixhash, kaluan shpejt e pa u ndjerë. Njësoj sikur të donim t‘u thoshim atyre dhe familjeve të tyre: Nisuni njëherë, pastaj do shohim e do bëjmë, sepse ashtu është një punë... Që t‘i kuptojmë më mirë do punë, bëjmë mirë të kujtojmë edhe disa histori të vjetra, nga ato që nisin me stuhitë e rërës. Kështu do ta marrim vesh se gjërat në ato anë nuk janë edhe aq të thjeshta sa duken në shikimin e parë. Që të "udhëtojmë" në këto zona të trazuara do të na ndihin historitë e disa personazheve kuriozë, të gjithë nga Shqipëria. Edhe ata në kohën e tyre ishin në shërbim të një perandorie, të asaj osmane.

Shiitë e sunitë

Iraku, vendi i Babilonisë së lashtë, është vendi i përplasjes së madhe mes dy pjesëve të mëdha të Islamit, mes sunitëve dhe shiitëve. Të parët, politikisht kanë pasur gjithnjë në krah Perandorinë Osmane, të dytët shahët e Iranit. Nga ky konflikt- sikurse shihet përditë në kronikat e lajmeve -kanë gjalluar përplasje të ashpra, gjakderdhje, mërira, inate dhe luftëra. Që në kohë të hershme shqiptarët kanë qenë protagonistë në këtë lojë të ashpër, me të cilën i lidhte vetëm një gjë: dëshira për t‘i shërbyer ushtarakisht një fuqie të madhe.

Aty nga 1508, Shahu i Persisë, mbrojtës i madh i shiitëve, Ismail-al-Safavi, pat shtënë në dorë një pjesë të mirë të Irakut Verior, gjë që e pat shtyrë Sulltanin e atëhershëm, Selimi I, të drejtonte një ekspeditë të madhe ushtarake për të rivendosur pushtetin e tij. Një nga komandantët më të suksesshëm të fushatës është një i quajtur Ahmet Pashë Dukagjini. Letërsia arabe përshkruan gjerë e gjatë se si Dukagjini i myslimanizuar i drejtoi trupat osmane drejt fitores në Çalldiran më 1514. Fitorja ishte e rëndësishme. Aventura e shqiptarëve në troje të Irakut kishte nisur mirë. Kush e di nëse ua kanë thënë komandove tanë të sotëm këtë histori.

Paraardhësit shqiptarë të guvernatorëve

Jo vetëm komandot shqiptarë kanë paraardhës. Edhe administratorët e dikurshëm amerikanë kanë pasur të tillë, madje njëri prej tyre, një nga më të suksesshmit, është shqiptar. Nga 1544 deri më 1548 në krye të Irakut ishte shqiptari Ajaz Pasha. Sikurse ndodh shpesh për gjithë të mëdhenjtë, pavarësisht nga koha, Ajaz Pashës i janë kushtuar shumë poezi, ku sigurisht ai rrëfehet si "njeri tejet bujar". Një vlerësim që mbetet për t‘u provuar.

Vite më vonë, Porta e Lartë dërgoi në Bagdad një tjetër shqiptar, Nasuh Pashën. Njësoj si në historinë e Skënderbeut, valiu i ri shqiptar i Bagdadit, mësoi se qyteti i kishte rënë në dorë një vendasi falë një fermani të falsifikuar. Nasuhu nuk pati edhe aq fat në një betejë që u bë mes dy rivalëve në afërsi të Bagdadit. Iku i plagosur rëndë për në Stamboll, porse i ndihu fati dhe u bë, si shumë shqiptarë të tjerë, Vezir i Madh, pra Kryeministër, pasi qe martuar më parë me njërën prej vajzave të shumta të Sulltanit. Ja ku na dolën dy paraardhës shqiptarë të guvernatorëve të huaj në Bagdad.

Njerëzit e luftës

Historianët arabë ende i përmendin bëmat e disa komandantëve shqiptarë në vitet që pasuan. Më 1626, Tikriti, vendi i origjinës së Sadam Hyseinit, ishte ende në duart e iranianëve, të cilët e kishin pushtuar disa vjet më parë. Një shqiptar, Omer Pasha, luftoi në krye të një grushti njerëzish me një ushtri shumë herë më të madhe. Omer Pasha, komandanti, ishte i vetmi që shpëtoi nga masakra që pasoi. Legjenda thotë se e shpëtoi kali i tij i shpejtë.

Ca vjet më vonë historia përsëritet. Tashmë është Ahmet Kuçuk Pasha, edhe ky shqiptar në shërbim të Sulltanit, që komandon trupat turke në betejat rreth Tikritit. Si e pa që nuk kishte shpëtim, atëherë u ul dhe nisi t‘i falej Allahut. Sigurisht që njëri nga ushtarët iranianë ia preu kokën dhe e dërgoi në Teheran. Shahu, në shenjë respekti, lejoi që koka e prerë e Ahmet Kuçuk Pashës të varrosej në një teqe në Damask, në Siri. Pashai plak e kishte menduar edhe këtë. Vite më parë kishte ndërtuar një vend të shenjtë për vete.

"I mirë, por pinte verë"

Nga fundi i shekullit të 17, presioni i ushtrive iraniane gati sa se bllokoi ekonominë në Bagdad. Porta e Lartë u alarmua. Bllokimi i ekonomisë në këto anë donte të thoshte trazira edhe në vendet arabe fqinje. Sërish na shfaqet një shqiptar. Ai është Abdurrahman Pasha, i cili u caktua vali i qytetit. Abdurrahmani ishte njeri i drejtë. Ai nuk lejoi që nëpunësit të vidhnin në kurriz të popullit, liroi njerëzit nga taksat abuzive dhe arriti të sjellë normalizimin e tregut. Në historinë e Irakut shqiptari me emrin Abdurrahman mbahet mend edhe për dashamirësinë e tij ndaj poetëve dhe artistëve të tjerë, ndonëse, nën zë thuhet se ai e kishte një çikë qejf verën. Një xhami e ndërtuar prej tij ka qenë në këmbë deri vonë në Bagdad. Ajo quhej Maruf-al-Karhi.

Iraku në duart e shqiptarëve

Kush e di përse ne shqiptarët e paskemi pasur fort për zemër Irakun, madje aq për zemër, saqë të arrijmë edhe atje sa që të themelojmë një dinasti tonën shqiptare në krye të Bagdadit. I pari i kësaj dinastie shqiptare në zemër të Arabisë ishte një dibran, Hasan Pasha, i cili nisi punë në këto anë më 1704. Si shqiptar i vërtetë, Hasani e nisi punën duke emëruar djemtë e tij ndër provinca, duke kërkuar kështu bashkimin e njësive të copëtuara irakiane në një vilajet të vetëm. Më pas, duke u mbështetur në një ushtri të re krejt të reformuar, Hasan Pasha nga qëndrimi në mbrojtje ndaj iranianëve, i hyri detyrës së vështirë që të sulmonte. Nuk arriti ndonjë sukses të madh, megjithëqë kishte arritur të depërtonte në Iran. U varros me nderime të mëdha në Bagdad, në motin 1724. Thonë se në kryeqytetin irakian emrin e tij e mbajnë xhami dhe lagje.

Vendin e Hasan Pashës e trashëgoi i biri, Ahmet Pasha, një i ri ambicioz, i cili e kishte ndarë mendjen të vazhdonte udhën e të atit. Ahmeti vazhdoi të sundonte deri aty afër fundit të shekullit 18. Pas kësaj, dinastia shqiptare në Bagdad është e përfshirë nga një "stuhi rëre", gjatë së cilës emrat e sundimtarëve vazhduan të zëvendësohen me ritme të shpejta.

Një shkrimtar për guvernator

Duhej të kalonin disa vite të trazuara derisa shqiptarët të shfaqeshin në krye të Irakut. Syrri Pasha - vali nga 1899 deri më 1890 - ka hyrë në historinë e Irakut si ndërtuesi i një dige të rëndësishme dhe si mbrojtës i madh i poetëve. Sipas historianëve vendas, Syrriu futi në veprim edhe një ide tjetër, atë të ndihmës sociale. Të varfrit dhe vejushat arritën të merrnin një përkrahje modeste sociale. Syrriu i dha udhë një veprimtarie me tradita në lëmin e poezisë.

I fundmi i dinastisë shqiptare në Bagdad ka qenë një farë Abdulvehab Pasha, që qëndroi në rolin e valiut vetëm një vit. Për të dihen pak gjëra, nëse përjashtojmë ndonjë poezi oborri që servilët e kanë shkruar me zell për të. Era e re kishte nisur të frynte gjithandej. Nuk kishte më nevojë për njerëz të luftës, a më mirë me thënë kishte nevojë për një luftë ndryshe. Dhe kjo nuk vonoi të vinte. Lufta e Parë Botërore ia hoqi Portës së Lartë zotërimet në Arabi. Për këtë rajon kishte nisur një epokë tjetër, ajo e zotërimit të naftës.

Një lidhje e lashtë

Shqiptarë e arabë janë takuar shumë herët, aq herët sa që të dyja palët besojnë legjenda që sot tingëllojnë disi të çuditshme. Deri vonë ka qenë e përhapur legjenda se kishën e Shirgjit, buzë Bunës, e patën ndërtuar disa ardhacakë të ikur nga Siria, sepse nuk pranuan të myslimanizoheshin. Ata vinin nga një qytezë siriane që quhej Rosafa, nga vendi ku u martirizuan Shën Shirgji dhe Shën Baku, dhe shumë veta besojnë ende se pikërisht nga kjo ka lindur legjenda e magjishme e Rozafatit.

Andej nga fillimi i shekullit të 15, kohë në të cilën Spanja ishte superfuqia e vetme detare, katër vëllezër shqiptarë: Uruçi, Hajredini, Isaku dhe Iljazi, ia dolën mbanë të ngrinin një flotë të tërë që tmerroi krejt Mesdheun Jugor. Ndërsa spanjollë e arabë vriteshin në luftëra gjakatare e hakmarrëse, flota e katër vëllezërve shqiptarë ruante brigjet e Algjerit, Tunisit dhe qyteteve të tjera arabe. Për pak kohë Uruçi ia doli mbanë të krijonte në Algjer një fortifikatë gjigande, e cila arriti të zmbrapste sulmet e spanjollëve. Në 1518, me vrasjen e tij, i vëllai, Hajredini, kërkoi mbrojtjen e sulltanit. Kështu, formalisht, Algjeria u bë zotërim osman.

Në 1808 zë fill dinastia shqiptare e zotërimit të Egjiptit. Mehmet Ali Pasha, shqiptari reformator, iu përvesh reformave për modernizimin e vendit të Nilit. Krejt i pavarur, në luftë me të gjithë, edhe me sulltanët, Mehmet Aliu arriti deri në portat e Stambollit. Dinastia e krijuar prej tij vazhdoi të sundojë Egjiptin deri më 1952, deri në kohën kur Naseri përmbysi mbretin e fundit të dinastisë shqiptare, Farukun.

Një nga shqiptarët më të shquar, elbasanlliu Arkitekt Sinani, qëndroi ca kohë në Jerusalem. Historianët arabë i njohin autorësinë e një xhamie, një medreseje dhe një imareti. Një shekull më vonë, gjatë viteve të qeverisjes së Kara Mustafa Pashë Qypryliut nga Roshniku i Beratit, në Jerusalem ishte guvernator një kushëri i beratasit, Mehmet Pashë Qypryliu. Ai ndenji në këtë post për 6 vjet, aq sa qëndroi në krye të Perandorisë kushëriri i tij në Stamboll. Nuk mbahet mend për ndonjë gjë të madhe. Kronikat e kohës mjaftojnë të thonë se ishte "një qeveritar i mirë".

Deri në kohën kur pas Luftës së Parë Botërore Perandoria Osmane i humbi zotërimet arabe, shumica e zyrtarëve të lartë në këto anë, guvernatorë, komandantë xhandarmërie, komandantë garnizonesh, gjykatës ishin në shumicë shqiptarë. Pashka Vasa dhe Mehdi Frashëri janë vetëm dy nga emrat më të njohur që drejtuan në Liban e Palestinë duke lënë pas një nam që ruhet ende sot e kësaj dite. Një nga figurat më interesante të historisë së Arabisë së shekullit XX, oficeri anglez i quajtur "Lorenci i Arabisë", ua njohu mirë vlerën luftarake disa prej këtyre komandantëve shqiptarë atëherë kur luftonte në krye të arabëve të tij kundër garnizoneve osmane të vendosura në shkretëtirë.

Gjatë Luftës së Parë Botërore ngritja e një shteti izraelit në Palestinë tashmë ishte objektiv i ngulitur i anglezëve. Thuhet se në radhët e trupave osmane, që luftuan kundër britanikëve, kishte afër 4 mijë ushtarë shqiptarë.

Qendra e ofensivës angleze në 1917 ishin pozicionet e divizionit që komandohej nga shqiptari Esat Pasha, vëlla i vezirit të madh Izet Pasha. Përballë gjeneralit shqiptar ishte i famshmi Alenby. Divizioni i Esatit u shpëtoi për mrekulli disa sulmeve të egra të anglezëve dhe më pas zhvilloi shumë beteja të suksesshme rreth e rrotull Jerusalemit.

Edhe pas pushtimit të Jerusalemit, shqiptari kokëfortë vazhdoi të rezistonte në një fortesë në qytetin al-Salt, porse aty u plagos rëndë dhe kështu mori fund rezistenca e tij.

Më 1920 pushtimi anglez i Palestinës u legalizua krejtësisht dhe përpjekjet për të themeluar shtetin e Sionit nisën të bëhen edhe më konkrete. Kur nisi lëvizja e armatosur kundër Izraelit në 1948, shumë nga shqiptarët e vjetër ishin përkrah arabëve. Shumë prej atyre që ishin vendosur këtu në kohën e Ibrahim Pashës u vendosën në Palestinën Perëndimore.

Me ngjarjet e 1967, pra me pushtimin e rripit të Gazës dhe të territoreve të tjera palestineze, shumë familje al-arnauti emigruan në Jordani, porse shumë të tjera vazhdojnë të jetojnë në Palestinën e gjakosur nga bombat.

Për hartimin e këtij shkrimi janë përdorur të dhëna nga: "Muhamed Mufaku, shqiptarët në botën arabe", Rilindja, Prishtinë 1990.

Ne në Palestinë

Në mesin e shekullit të 18-të Ahmet Pasha ishte Vali i Palestinës. Disa e quajnë shqiptar e disa të tjerë boshnjak. Një gjë është tashmë e provuar, një mijë këmbësorë shqiptarë dhe 800 kalorës boshnjakë kishte ushtria, e cila nën urdhrat e Ahmetit kishte për detyrë të mbronte Jerusalemin e shumëkërkuar. Shqiptarët e shpëtuan komandantin e tyre sa herë që ndonjë oficeri tekanjoz i tekej të bënte grusht shteti. Ahmeti, që e kishte nisur karrierën e tij si ushtar i thjeshtë në Egjipt, u forcua aq shumë, sa që të kundërshtonte edhe sulltanin. Nën drejtimin e tij, qendra e Vilajetit kaloi nga Damasku në Akka, më afër Jerusalemit.
Në 1798-ën, armatat e Napoleon Bonapartit kishin ngritur flamurin francez në majën e piramidave të Egjiptit. Jerusalemi dhe më pas Siria, të gjitha vende të kënduara nga Bibla, ishin ëndrra e madhe e Perandorit. Një vit më vonë, Bonaparti marshonte në krye të ushtrive të tij përgjatë vendeve të shenjta të Palestinës. Kështjella e parë që mori ishte Al-Arish. Thuajse të gjithë mbrojtësit ishin shqiptarë. Bonaparti i liroi të gjithë shqiptarët e kapur rob me kusht që të ktheheshin në vendin e tyre. Nuk ndodhi kështu. Kur pushtoi Gazën, Bonaparti i njohu edhe një herë shqiptarët në mesin e mbrojtësve robër.

Në marsin e 1799-ës, Bonaparti hasi në një rezistencë kokëfortë në muret e Xhafës. 13 mijë ushtarë francezë përballeshin me katër mijë shqiptarë. Pas disa ditësh, shqiptarët u dorëzuan në besë. Robërit jetuan për disa ditë vetëm me bukë e ujë nën diellin përvëlues të këtyre anëve. Pas dy ditësh, një takim i Bonapartit me gjeneralët e tij e dha vendimin fatal. Të vriten të gjithë. Katër mijë shqiptarë u ekzekutuan brenda pak orëve në shkretëtirë. Askujt nuk i dihet varri. Kufomat e tyre ushqyen për shumë kohë korbat dhe hienat. Porse shqiptarët nuk kishin mbaruar akoma. Në qytetin më të afërt, në Akka, trupat mbrojtëse ishin shqiptarët e Ahmet Pashës. Të tmerruar nga lajmi i masakrës, që kishte ndodhur pak ditë më parë, shqiptarët luftuan me tërbim, për t‘iu shmangur fatit tragjik. Udhëtimi i gjatë, lodhja e njerëzve dhe rezistenca e shqiptarëve e bëri të vetën. Bonaparti mblodhi njerëzit dhe i nisi për në Francë. Ai nuk mundi të shkelë kurrë më këtyre anëve të shenjta.

Ibrahim Pasha, djali i Mehmet Ali Pashës së Egjiptit, njësoj si i ati kishte vetëm një ëndërr: të shkëpuste arabët nga pushteti i Sulltanit. Në 1831-in ai hyri triumfalisht në Jerusalem. Për Palestinën kishte nisur një epokë e re. Deri pak kohë më parë Palestina ishte e mbërthyer nga anarkia, aq sa njerëzit nuk dilnin dot në rrugë. Ibrahim Pasha riktheu rendin. Në historiografinë arabe ai është i njohur si njeriu që vuri në themel të pushtetit barazinë mes feve të ndryshme, aq prezente në Jerusalem. Muhamed Mufaku, historiani i njohur kosovar, citon një letër të tij dërguar një kleriku mysliman: "...Sikurse e dini, Jerusalemi i shenjtë ka faltore e manastire, te të cilat shkojnë të krishterë e hebrenj prej kombeve dhe vendeve të ndryshme. Meqë këta vuanin shumë për shkak të taksave që u duhej të paguanin gjatë rrugës, ne urdhëruam, për hir të bashkëjetesës, heqjen e taksave nga të gjitha rrugët...".

Ibrahim Pasha, i kishte idetë e qarta. Ai, në 1838, vendosi shërbimin e detyrueshëm ushtarak për të gjithë, pa dallim kombësie. Kjo i preku arabët, të cilët deri më atëherë ishin mësuar që në vend të tyre të luftonin të tjerët, kryesisht ushtarët shqiptarë. Puna shkoi aq keq, sa që arabët e acaruar e rrethuan valiun e tyre shqiptar diku në Jerusalem. Për të shpëtuar të birin u nis nga Egjipti vetë Mehmet Aliu.

Rendi dhe pushteti i Ibrahim Pashës shpëtoi deri aty nga 1840, kohë në të cilën Ibrahimi, nën presionin e fuqive të mëdha u detyrua të tërhiqej nga Palestina. Mijëra ushtarë shqiptarë u tërhoqën të fundit nga Gaza për në Egjipt në shkurtin e 1841. Shumë shqiptarë ndërkohë ishin martuar me vendase, kishin marrë tokë dhe ishin ngulitur mirë në jetën arabe. Me këtë histori martesash zë fill një histori tjetër, jo më me luftëra e intriga, por me punë e jetë normale. Kështu ka ndodhur që edhe sot e kësaj dite shumë arabë të atyre anëve kanë mbiemrin al-Arnauti.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora