E premte, 29.03.2024, 08:19 AM (GMT)

Mendime

Adnan Abrashi: Çka jeni në horoskop Fatmir, Hashim...?!

E diele, 04.01.2009, 07:31 PM


ÇKA JENI NË HOROSKOP FATMIR, HASHIM...?!

 

Nga Adnan Abrashi

 

Në rrethin e shoqërisë sime të ngushtë, gjithmonë kur ndonjë nga bashkëshoqëruesit tanë fillon ta teproj me krekosje dhe lëvdata  për vete, ose bëhet i mërzitshëm me muhabetin e tij, për ta ndërprerë që të vazhdoj më tej, praktikonim që në atë moment, ndokush nga ne të ndërhyjë me pyetjen karakteristike të formulës paralajmëruese: “Çka je në horoskop bre filan-fistek?”. Kështu që, për momentin kushdo që kishte fjalën dhe i bëhej kjo pyetje, menjëherë e kupton se e ka tepruar diku.

Kjo formë e shprehisë së ndërprerjes së dikujt që flet dokrra, kohën e fundit më është instaluar në mua  si një ves i keq, dhe këtë mënyrë të ndërhyrjes pak sa të pahijshme ndaj të tjerëve, e praktikoja edhe në vende dhe situata të tjera jashtë shoqërisë sime. Çuditërisht,  kjo shprehi e formuar, nuk reagonte vetëm kur dëgjoja ndonjë “muhalife” nga dikush  aty për aty prezent, por automatikisht atë e thuaja në vete edhe gjatë leximit të ndonjë fjalimi apo artikulli si edhe kur dëgjoja ndonjë deklaratë apo lajm alla si dokrra në televizion. Në ditën e fundit të vitit të vjetër, ngjashëm  reagova me zë edhe në fjalimin festiv të presidentit Fatmir Sejdiu dhe kryeministrit Hashim Thaçi, drejtuar popullit dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës. Pasi isha i ngopur me lëvdatat dhe krekosjet e tyre përplot optimizëm të rrejshëm që na dhuronin këta,  neve qytetarëve të mjerë atë  ditë parafestive, ëmbël qesha në vete dhe spontanisht nga brendia e qenies sime më doli me zë të lartë ajo pyetja sarkazmatike si shprehi: “Çka je ti bre Hashim në horoskop?  Po  ti Fatmir... ?“, e kështu radhazi reagova edhe në rastet e shumë paraqitjeve të fundvitit të ministrave si dhe përfaqësuesve të institucioneve tjera qeveritare dhe publike të Kosovës.  

Asgjë interesante këtu! Por, mbi të gjitha, kulmimi i tendosjes sime nervore arriti kur në TV lajmet ditore, dëgjova konferencën për shtyp të përfaqësuesve të KEK-ut dhe shpalljen e vitit 2008  nga ta, si vit më produktiv dhe tejet të suksesshëm. Me këtë rast, jo vetëm që isha i befasuar, por u bëra i çmendur.

“Çka është tepër, është tepër!” -  thash në vet, dhe nga “nervoza”  mahinalisht e ndala televizionin

Nuk është kjo e tëra! Kur u qetësova dhe më kaluan emocionet e tendosura, tentova që sërish ta kuçi TV aparatin. Merrni me mëndë?!  Ai  në atë moment nuk më punoi fare, sepse nuk kishte rrymë...!?

Mu në natën më të hareshme të ndarjes së dy mot – motove që shënohet në tërë botën, unë nuk pata rrym dy orë, ndërsa, po në natën e  ditës së parë festive të Vit të Ri 2009, nuk pata rrymë katër orë.!

A thua, ku mbaron te ne marrëzia?!

Gëzuar Vitin e Ri 2009, Kosovë...!

 

 Edhe pak misticizëm!

 

Alkimia është një urtësi e fshehtë e civilizimeve të lashta, e cila, në mes tjerash, merret edhe me njohjen dhe deshifrimin e shenjave paralajmëruese për parashikimin e së ardhmes sipas gjuhës mistike të ndodhjeve të fenomeneve në natyrë dhe lëvizjeve të vogla  por specifike si sjellje kolektive të njerëzve dhe grupeve një shoqëri. Ajo, çdo ngjarje apo efekt natyror dhe shoqëror, tenton ta deshifroj si sinjal metaforik për diçka të madhe dhe më të keçe konkrete që mund të na ndodhi në të ardhmen.

Nëse së paku për momentin tentojmë që të jemi alkimist, atëherë ajo çka ndodhi si paralajmërim në fundvit me burgosjen spektakulare të 10 shqiptarëve të Kosovës Lindore nga policia speciale e Serbisë, si dhe, ajo çfarë ndodhi në ditët e para të Vitit të Ri 2009, në pjesën veriore të Mitrovicës, qytetit të Kosovës së “pavarur” dhe “sovrane”,  aktualisht të njohur nga më shumë se 50 shtete, dhe që, sipas premtimit të Skënder Hysent, gjatë vitit 2009, do të njihet edhe nga më shumë se 70 shtete tjera, bazuar në metodat e gjuhës interpretuese alkimiste, nuk po më duket se, në të ardhmen, po na shkruhet mirë neve në Kosovë, mu ashtu sikur na uruan udhëheqësit tanë në fjalimet e tyre përmbyllëse festive të fundvitit.?!

Duke vazhduar më tutje me stilin tim sarkazmatik, nuk do ta pyes Kosovën se çka është në Horoskop, sepse mirë e di se ajo ka lindur më 17 shkurt dhe sipas zodiakut i takon shenjës së UJORIT.  Por, edhe kur e shikoj kartelën natale të parashikimit astrologjik të kësaj shenje për vitin 2009, ajo nuk më bënë aq optimist.?!!

Duke bërë shpesh në shkrimet e mija komperacione figurative astrologjie me gjendjen tonë të tanishme politike në Kosovë, këto ditë, nga një lexues që jeton në SHBA,  pranova një letër me përmbajtje specifike. Aty, në mes tjerash, ai më quante “ astro- analist shalatan”. Shumë interesat, pa dyshim. Dhe, përgjigja ime atij, ishte kështu:

“Edhe presidenti i juaj BUSH, sikur të qëndronte vetëm një javë këtu, do të fillonte të merrej me ASTROLOGJI, sepse ne në Kosovë nuk kemi rrymë edhe nga 6-8 orë në ditë (besa ndonjëherë edhe me ditë të tëra ). Kështu që, këto rrethana specifike, na mundësojnë që t’i shohim yjet në qiell edhe në pikë të ditës, e lere më natën.”.

Për kuriozitetin tuaj, miku im amerikan, nuk më është përgjigjur ende në këtë letër. E, sa për horoskopin  e KOSOVËS si UJOR, atë më gjerësisht do ta prezantoj së shpejti.  Pikërisht në vigjilje të ditëlindjes së saj të parë.

Gëzuar Vitin e Ri  2009, Kosovë...!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora