E marte, 19.03.2024, 08:51 AM (GMT)

Shtesë » Historia

Moikom Zeqo: Aventura e pushtimit të kështjellës së Vlorës dhe Kaninës 312 vjet më parë

E shtune, 03.01.2009, 01:46 PM


Moikom Zeqo
Moikom Zeqo
Aventura e pushtimit të kështjellës së Vlorës dhe Kaninës 312 vjet më parë

Nga dr. Moikom Zeqo

Në vitin 1691 ka ndodhur një ngjarje tepër e habitshme që është harruar të përmendet në kronikat e historisë shqiptare. Historia që dotë tregoj më poshtë është kaq e papritur dhe në kufijtë e pabesueshmërisë saqë secili mund të bëjë pyetjen pse vallë nuk është shkruar ky subjekt tronditës.
312 vjet më parë, dhe konkretisht më 13 mars 1691, turqit ripushtojnë kështjellën e Vlorës dhe të Kaninës. Po pse vallë në 10- vjetëshin e fundit të shek.XVII kur Shqipëria e tërë ishte pjesë e Perandorisë Osmane bëhet fjalë për një ripushtim? Ç’kuptim ka ky ripushtim? Ripushtim brenda për brenda Perandorisë Otomane? A nuk fitoi Shqipëria pavarësinë 3 shekuj më vonë, më 28 nëntor 1912? A nuk qe pikërisht me origjinë nga Kanina Ismail Qemali, a nuk qe pikërisht Vlora qyteti shqiptar i ngritjes së Flamurit të Pavarësisë?
Duke shfletuar një numër të madh dokumentesh venedikas kam gjetur papritur një aventurë ushtarake të pabesueshme të Flotës së Venedikut dhe Ishullit të Maltës për të çliruar nga pushtimi turk Vlorën dhe Kaninën. Dokumentet në vetvete po të mblidhen përbëjnë një libër kronikor që i kalon të 100 faqet. Ta lexosh këtë libër është një kënaqësi e veçantë dhe të shumëfishohet kurioziteti. Të gjitha këto dokumente janë shkruar në italishten venedikase dhe kanë hollësira të pafundme dhe të çuditshme. Konkretisht dokumenti i epilogut të të gjithë kësaj historie tregon fundin e një periudhe gati 1- vjeçare kur ushtarët europerendimorë, venedikas dhe maltezë arritën të krijojnë një sektor të lirë dhe të pavarur, kundërshtues dhe luftarak brenda kuadrit të perandorisë otomane, në Hinterlandin e Gjirit të Vlorës dhe Malësisë së Kaninës. Po them disa hollësira nga këto dokumente. Është pikërisht Sulejman Pasha i Shkodrës, i cili organizoi jeniçerët për të ripushtuar Vlorën dhe Kaninën. Meçenigo, kapiten i përgjithshëm i ushtrisë evropiane të zonës Vlorë-Kaninë kishte 4 anije të drejtuara nga kapiten Nikola Picani. Ai dërgoi një përforcim prej 500 ushtarësh të komanduar nga Guvernatori i zonës Vlorë-Kaninë i quajtur Gjika. Sulejman Pasha kishte 6000 luftëtarë. Komandën e Kështjellës së Kaninës e kishte Karl Pisani. Garnizoni i tij me 400 ushtarë të komanduar nga majori Lano si dhe nga një major tjetër Virgjil Rotondo tentoi t’i kundërvihej sulmit turk. Por ra në pusinë e 1500 turqve që dolën në një pyll. Përleshja përfundoi me tërheqjen e turqve, por humbjet qenë të mëdha. Në fillim guvernator dhe kapedan i përgjithshëm i zonës Vlorë- Kaninë qe emëruar Kornaro, por ai vdiq papritur në Vlorë, në vend të tij u zgjodh Domenik Meçenigu. Baza përforcuese e operacioneve në Vlorë dhe Kaninë qe flota venedikase në Korfuz e drejtuar nga Agustin Sagredi. Proveditor i Venedikut në Kaninë qe Gjon Mate Benbo. Kurse Karl Pisani me 4 galera ushtarake qëndronte në Gjirin e Vlorës. Ndërkohë në kështjellën e Kaninës punonte me një grup ushtarësh për të meremetuar kullat dhe muret inxhinieri Bosinjani. Por ushtarakët evropianë të garnizoneve të Kaninës dhe të Vlorës për gati 1 vit patën vështirësi të mëdha. Ata nuk e përballonin dot të jetuarit dhe sidomos dimrin dhe shumë prej tyre nisën të dezertojnë për në Korfuz. U pa qartë se në një sulm tjetër turqit do të triumfonin duke rimarrë Vlorën dhe Kaninën. Para kësaj ngjarjeje u diskutua të hidhej në erë kështjella e Kaninës. U bë një shpërthim që hodhi në erë një pjesë të mureve të kështjellës dhe pastaj trupat evropiane u bënë gati të tërhiqen. Dokumentet në fjalë flasin me detaje për betejën, sidomos me mbrojtjen me artileri me topat nga Kanina, ku gjatë një aksidenti gabimisht u vra edhe vetë Proveditori i Kaninës Gjon Mate Bembo. Pas shumë peripecish dhe mbas një historie 1- vjeçare të operacionit ushtarak trupat evropiane u tërhoqën në mbrëmjen e 13 marsit 1691.

Po si është e vërteta e kësaj historie në fund të fundit?

Më 11 shtator 1690, Flota e Venedikut e ndihmuar nga Flota e Ishullit të Maltës si dhe e shtetit të Papës nisën veprimet operative për çlirimin e Vlorës, Kaninës dhe qytetit të Durrësit nga pushtimi otoman. Ky operacion pati rëndësi kolosale politike dhe ushtarake për kohën. Për gati 2 shekuj që nga pushtimi i Shqipërisë, pas vdekjes së Gjergj Kastriot Skënderbeut, në Evropën Perëndimore janë hartuar projekte nga më të çuditshmet për organizimin e një kryqëzate të krishterësh për çlirimin e Shqipërisë nga pushtuesit e urryer. Ideatorët dhe përpiluesit e këtyre projekteve kanë qenë figurat e mëdha të kombit shqiptar si fjala vjen Pjetër Bogdani, Frang Bardhi apo Pjetër Budi. Më 1685 vdiq tragjikisht në Prishtinë eruditi dhe kishtari i madh shqiptar Pjetër Bogdani. Ai ishte kreu i kryengritësve shqiptarë që së bashku me ushtrinë austriake të komanduar nga gjenerali Pikolamini bënë luftën e njohur austriako-turke me qëllim shërimin jo vetëm të Shqipërisë, por edhe të Ballkanit. Si Pikolomini ashtu edhe Bogdani vdiqën dhe forca e kryengritësve humbi. Por aksioni bëri përshtypje dhe ringjalli shpresat për një luftë kundër turqve jo më në brendësinë e Hinterlandit ballkanik por sidomos në bregdetin shqiptar. Shumë plane dhe projekte jo vetëm politikë po sidomos ushtarak janë përpiluar dhe diskutuar me këtë rast. Padyshim fatura financiare e një sulmi ushtarak ndaj Shqipërisë ka qenë shumë e madhe. Vetvetiu ky aksion ushtarak qe një ndërmarrje e përmasave evropiane. Qëllimi qe i qartë dhe tepër i lexueshëm: të çlirohej Shqipëria nga turqit dhe të bëhej kështu një pikënisje rrëzimi përfundimtar të Perandorisë Otomane streha e “myslimanëve të mallkuar”. Metafora e krishterë e aksionit ushtarak nuk mund të mohohet. Tre fuqitë ushtarake më të mëdha të kohës si Venediku, Papati i Romës dhe Urdhëri i Kalorësve të Maltës, u bashkuan me një qëllim të vetëm. Po pse u zgjidh pikërisht hapësira e Gjirit të Vlorës dhe lartësia e Kaninës? Qe planifikuar edhe shërimi dhe marrja e kështjellës së Durrësit në një fazë të dytë.
Fakt është që në 18 gusht të vitit 1690 një flotë e madhe që numëronte 6 galeaca, që ishin galera shumë të mëdha me tri bateri artilerie dhe me 1200 vetë si ekuipazh, me 22 anije të tjera dhe 35 galera, që ishin anije kryesore luftarake me 180 lopata si dhe 24 galeota, anije lufte pak më të vogla se galerat, etj., gjithsej në një numër të përgjithshëm prej 163 anijesh me vela ku barteshin 9000 këmbësorë dhe 800 kalores të Republikës së Venedikut si dhe 2900 ushtarë të Papës dhe Ishullit të Maltës, shto këtu dhe 3000 vetë ushtarakë nga ishulli Korfuz, nga Ksanti dhe Qefalonia, gjë që bëri që e tërë forca ushtarake të arrinte në 60000 ushtarë, të komanduar nga gjenerali Duka Guadini u drejtua drejt brigjeve të Shqipërisë. Qe lajmëruar dhe proveditori i përgjithshëm i Dalmacisë Molini për rrethimin e Vlorës. Flotilja e armatosur për shkak të erërave të furishme qëndroi 2 ditë në ishullin e Sazanit. Në dokumentet ushtarakë përshkruhet Gjiri i Vlorës me erëra të mëdha të Shirokut. Kështjella e Vlorës qe në trajtë 8-këndëshi me mure të trashë dhe të forta, por pa ushtri dhe përforcime nga ana e turqve. 4 milje larg Vlorës qe kështjella e Kaninës, në trajtë të parregullt përshtatur reliefit malor pajisur me mure dhe pirgje jo shumë të fortë. Këshilli i gjeneralëve të Flotës vendosi të sulmojë Vlorën dhe Kaninën. Zbarkimi u bë nën urdhërat e gjeneralit Spar. Shkelën bregun e Vlorës 7000 këmbësorë dhe 1500 kalorës. Një zbarkim i dytë u bë udhëhequr nga Duka Guadini dhe gjenerali Borro. Gjatë luftimeve gjenerali Sanfeliçe mbeti i plagosur në kokë nga një plumb pushke. Trupat e Maltës komandoheshin nga kalorësi Xhiameti, i cili u plagos nga një plumb pushke për vdekje. 2000 turq kundërshtuan zbarkimin. Qe roli i Bartolome Erikut që gjatë natës arriti të konstruktonte një bateri me disa topa për të qëlluar kundërkështjellës së Vlorës. U bë një sulm jashtë kështjellës së Vlorës ku u dalluan Xhovan Loredani si dhe majori Mikel Furiet. Gjeneral Rapeta dhe majori Karl Montanari komanduan sulmin e vijës së dytë. Sulmi qe i fortë edhe te Varroshi i Kaninës. Këtu ushtarët venedikas i drejtonte majori Pompeu kurse krahun tjetër të ushtarëve të papës dhe Maltës i drejtonte Duka Guadani. Europianët e pushtuan Varroshin e Kaninës, por mbeti i vrarë gjenerali, që ishte dhe markez Nikollë Boro dhe u plagos kalorësi Luigj Sagredi. Gjithashtu u plagos edhe kalorësi Morolie, leitnant gjenerali i Maltezit. Nga këto sulme turqve i hyri tmerri dhe ngritën flamurin e bardhë. Më në fund fare kështjella e Kaninës u dorëzua së bashku me atë të Vlorës. Në të dy kështjellat evropianët gjetën 1050 topa, shumica prej bronxi. Evropianët patën 100 të vdekur dhe 200 të plagosur. Dokumentet japin emra hollësisht të të vdekurve dhe të plagosurve. U dalluan në sulm gjeneralët Guadanji, Spar dhe Rapeta, majorët Furjeti, Montanari, Lano, Kleuter si dhe kontët Ludovik Montevekio dhe Guido Bonaventura. Mbasi u çlirua Vlora dhe Kanina nga turqit kapiteni i përgjithshëm i ushtrisë hyri në Vlorë, shndërroi në kishë xhaminë kryesore të qytetit dhe aty kreu ceremonitë kushtuar Jezu Krishtit. Garnizonin e Vlorës e komandoi Teodor Karraro, atë të Kaninës Gjon Mate Bembo. Pas kësaj beteje flota evropiane u largua nga brigjet e Vlorës dhe më 26 shtator 1690 arriti pranë Durrësit, por këtu një erë e fuqishme e Shirokut e pengoi atë t’i afrohej tokës dhe të bënte zbarkimin. Duke marrë parasysh se pushtimi i Durrësit mund të ishte një punë e gjatë, gjeneralët e ushtrisë së Maltës dhe ata të Papës gjykuan se meqë tashmë po mbaronte shtatori duhej ta kthenin anijen në limanet e veta në Perëndim. Dokumentet që vijnë më pas tregojnë periudhën kohore deri më 1891 kur zona Vlorë Kaninë qe një zonë operative krejtësisht e lirë nga pushtimi otoman. Dokumentet flasin për një përshkrim të rëndësishëm të kështjellës së Vlorës në trajtë 8-këndëshi. Del qartë që krerët ushtarakë evropianë bënë një marrëveshje me një numër të madh shqiptarësh mbi 500 vetë, që kishin hyrë në shërbim të Republikës së Venedikut me qëllim çlirimin e Vlorës dhe të Kaninës. Pra shqiptarët nuk ishin indiferentë, por qenë një foorcë aktive luftarake në aksionin e zbarkimit dhe shërimit. Batalioni i parë në zbarkim qe ai i Urdhrit të Kalorësve të Maltës, pastaj ai i ushtarëve të Papës dhe në fund fare repartet venedikase. Dokumentet nuk harrojnë të përmendin tërë emrat e të plagosurve dhe të vrarëve jo vetëm në betejë, por edhe të vdekurve gjatë përiudhes së lirisë të Vlorës dhe Kaninës. Padyshim që kjo ushtri evropiane kishte probleme të mëdha të organizimit dhe logjistikës. Ajo furnizohej nga deti me ushqime, por si në Vlorë dhe në Kaninë mungonte uji i pijshëm. Një mori specialistësh xhenierë dhe të artilerisë bënë atje punime përforcuese. Këto nuk përjashtuan dhe saranxhat e ujit dhe depot e municionit. Gati për 1 vit ishulli tokësor, nëse mund ta përdorim këtë term i Vlorës dhe Kaninës krijoi një mikro-Shqipëri të çliruar nga pushtimi perandorak otoman. Të habit moria e relacioneve dhe e faturave finaciare për këtë ngjarje. Shumë aktiv dhe i përgjegjshëm qe shteti i Republikës së Venedikut. Por me kohë ndodhi demoralizimi i trupave evropiane nga mungesa e furnizimeve dhe izolimi. Nuk u arrit të pushtohej nga evropianët edhe kështjella e Durrësit. Nuk ndodhi dhe ajo më kryesorja që sulmi i evropianëve që shoqërohej domosdo nga një kryengritje mbarëshqiptare. Evropianët mendonin pak a shumë si heronj si Çe Guevarra në shek.XX qe gjoja motori i vogël mund të ndizte motorrin e madh të kryengritjes, se gjoja mjaftonte një sulm i trupave evropiane për të ringjallur kryengritjen shqiptare dhe për të shporrur përfundimisht robërinë otomane. Mund të themi që ky aksion ushtarak tepër i çuditshme dhe origjinal në kohën e vet është nga subjektet më paradoksalë të shek.XVII që lidhet me Shqipërinë. Mundet që ky aksion të quhet dhe një dështim, por kështu thjeshtëzohet fare e vërteta. Ajo është më e ndërlikuar. Më 1691, 312 vjet më parë mësojmë qartë se politika europerëndimore nuk kishte hequr dorë për rrëzimin përfundimtar të Perandorisë Otomane të Lindjes. Në këtë hulli Shqipëria ishte një pikë strategjike e jashtëzakonshme. Karakteri strategjik i Shqipërisë kishte deri diku karakter unikal. Pse nuk u bë sulmi në Dalmaci apo në të tjera vende po pikërisht në Gjirin e Vlorës? Kjo ka një domethënie që nuk mund të shmanget duhet shkruar një libër për këtë ngjarje, që mund të lexohet si kronikë por edhe si një përmbledhje e një atmosfere të ngjeshur apokaliptike dhe çlirimtare në shek.XVII. Amen!

Somario
Gati për 1 vit ishulli tokësor, nëse mund ta përdorim këtë term i Vlorës dhe Kaninës krijoi një mikro-Shqipëri të çliruar nga pushtimi perandorak otoman. Të habit moria e relacioneve dhe e faturave finaciare për këtë ngjarje. Shumë aktiv dhe i përgjegjshëm qe shteti i Republikës së Venedikut



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora