E shtune, 20.04.2024, 01:24 AM (GMT+1)

Kulturë

Anton Nikë Berisha: Fjalor i rëndësishëm që pret përgatitjen dhe mbështetjen për botim

E merkure, 23.08.2023, 08:10 PM


FJALOR I RËNDËSISHËM QË PRET PËRGATITJEN DHE MBËSHTETJEN PËR BOTIM

Mark Palnikaj - Fjalori i Lukës nga Monte Xhove

“Dizionario Italiano – Albanese” (Fjalor italisht – shqip) i autorit Atë Luka nga Monte Xhove (Padre Luca da Monte Giove) i hartuar para vitit 1848 në botimin anastatik

Nga Anton Nikë Berisha

Studiuesi Mark Palnikaj e ka botuar fjalorin e atë Lukës në formën anastatike dhe pret që ndonjë nga institucionet tona ta marrë përsipër përgatitjen e botimit të tij.

Priftërinjtë – misionarë italianë qindvjetsha me radhë dhanë një ndihmesë të jashtëzakonshme në ruajtjen dhe në zhvillimin e besimit të krishterë, sidomos atij katolik, por dhe të zhvillimit të kulturës e të arsimit në gjuhën shqipe[1].

Për t’u bindur për këtë mjafton të shfletohen dy botimet e bëra së fundi nga Mark Palnikaj, dorëshkrimet e Fra’ Giacinto da Sospello[2] dhe të kryipeshkvit të Arqipeshkvisë Shkup – Prizren, Dario Bucciarelli[3].

Në këtë rrjedhë hyn edhe vepra e lënë në dorëshkrim e at Luca da Monte Giove (Luka nga Monte Xhove) Vocabolario Italiano – Albanese (Fjalor italisht – shqip) i hartuar para vitit 1848, të cilin studiuesi, Mark Palnikaj e botoi në formën anastatike, me kopje të kufizuara.

Para se t’i them disa fjalë rreth këtij fjalori që, për pakujdesinë tonë, për të mos thënë për mjerimin tonë, vazhdon të mbesë në dorëshkrim edhe sot e gjithë ditën, po përmend se prifti – misionari italian në Shqipëri të Jugut, Nilo Catalano (Nilo Katalano), i cili vdes (në Himarë) në vitin 1693, kishte lënë në dorëshkrim një fjalorth në dy gjuhët “Lessico italiano-albanese e albanese-italiano”, për të cilin na dëshmojnë Zef Krispi dhe Zef Skiroi. Në këtë dorëshkrim janë gjetue dhe dy tetëvargshe nga “Cuneus Prophetarum” i Bogdanit dhe rapsodia Pal Golemi[4]. Mjerisht as ky fjalorth nuk ka parë dritën e botimit.

Fjalori “Vocabolario Italiano – Albanese” i At Luka nga Monte Xhove (Luca da Monte Giove) është hartuar para vitit 1848 dhe ka në dorëshkrim 328 faqe. Është ruajtur në gjendje të mirë dhe duhet të përmbajë edhe fjalë të rralla të Shqipërisë së Veriut, sidomos të revës së Ipeshkvië së Pultit, ku atë Luka ka Atë Luka nga Monte Xhove punoi një kohë të gjatë në Ipeshkvinë e Pultit në Shqipëri dhe ka mbajtur detyrën Prefekt i Misionit Apostolik në këtë Dioqezë, duke kryer edhe detyrën e famullitarit në Kishën e Shalës dhe në disa kisha të tjera të këtij Misioni. Pos këtij fjalorit atë Luka bëri dhe botime të tjera, që janë shfrytëzuar nga institucionet fetare dhe jo fetare.

Studiuesi, Mark Palnikaj, në Hyrje të botimin anastatik të këtij fjalori, shkruan: “Ky fjalor është i treti në serinë e fjalorëve të gjuhës shqipe mbas fjalorit Latinisht – shqip të Frang Bardhit me titull “Dictionarium Latino – Epiroticum” të vitit 1635 dhe atij të Fra Françesko Maria nga Leçe me titull “Dittionario Italiano – Albanese” të vitit 1702, prandaj rëndësia e tij është shumë e madhe për studimin e ndryshimeve dhe evoluimit të gjuhës shqipe ndër shekuj. Askush nuk e di arsyen se si ka përfunduar ky dorëshkrim në këtë bibliotekë mbasi ai është hartuar kur autori i tij punonte si mësimdhënës në Kolegjin San Pietro di Montorio në Romë në distancë më pak se tre kilometra nga Selia e Shenjtë, ku normalisht duhet të ishte ruajtur”[5].

Duke dhënë veçanti të këtij fjalori Mark Palnikaj shkruan: “Të dhëna mbi fjalorin Dorëshkrimi ruhet me kodin “Cod. 224”, në formatin 8°, dhe ka 328 faqe. Është ruajtur në gjendje shumë të mirë, pa dëmtime. Ka gjithsej 182 fletë ku një pjesë e tyre nuk janë të shkruara dhe as të numëruara. Autori i dorëshkrimit ka bërë shënimin e numërimit të fletëve sipas mënyrës së tij, të cilën do ta përshkruajmë më poshtë. Punonjësit e bibliotekës kanë bërë më vonë një shënim numërimi me laps duke shënuar vetëm numrin e fletëve, gjithsej 180, duke nënkuptuar shënimin klasik të faqeve para prapa (r, v, recto verso)”[6].

Po e mbyll këtë shkrim për botimin anastatik të Fjalorit të atë Luca da Monte Giove (Luka nga Monte Xhove) Vocabolario Italiano – Albanese me fjalët e vetë Palnikajt: “Shprehim bindjen tonë të thellë se botimi i këtij fjalori do të jetë një ndihmë e vyer për studiuesit e gjuhës shqipe dhe do ta pasurojë edhe më tej fondin e veprave mbi historikun e lëvrimit të gjuhës shqipe nga autorë shqiptarë dhe të huaj gjatë shekujve”[7].

Uroj qe kjo thirrje të mos bjerë në veshët e shurdhër të akademive tona e të institucioneve të tjera përkatëse, disa prej të cilave sikur kanë rënë në gjumë letargjik përkundër faktit se janë themeluar të merren dhe me dorëshkrime të tilla!

Prishtinë, fund gusht 2023

[1] Shih më gjerësisht për këtë punimin tim Një vepër shumëfish e rëndësishme e rrjedhës jetësore në arbërinë e viteve 1634 – 1650  për veprën e atë Xhaçinto Sikardi nga Sospello (P. Giacinto Sicardi da Sospello) “RELACION universal i zanafillës dhe i suksesit të Misionit apostolik të Fretërve minorë observantë të reformuar të atit serafik Shën Françeskut në Mbretërinë e Shqipërisë i viteve 1634 – 1650” (botuar në portale) dhe parathënien time Të dhëna dhe dëshmi të rëndësishme të rrjedhës së jetës në vilajetin e Prizrenit në vitet 1866 – 1868. Në Dario Bucciarelli, Relacioni sinoptik i ngjarjeve të ndodhura brenda Pashallëkut të Prizrenit nga 26 gushti 1866 deri më 6 mars l868. Përgatitur për botim nga Mark Palnikaj, Tiranë 2023, f. 5 – 16.

[2] Fra’ Giacinto da Sospello, Relazione universale dell’origine della Missione Apostolica dei Frati Minori Osservanti Riformati del serafico P.re S. Francesco nel regno d’Albania. A Cura di Mark Palnikaj, “Fast Print”, Tiranë 2022.

[3] Shih Dario Bucciarelli, Relacioni sinoptik i ngjarjeve të ndodhura brenda Pashallëkut të Prizrenit nga 26 gushti 1866 deri më 6 mars l868. Përgatitur për botim nga Mark Palnikaj. Parathënien Anton Nikë Berisha, “Fast Print”, Tiranë 2023.

[4]Shih punimin tim Në mbretërinë e simbolikës dhe të metaforave. Mbi Rapsodinë Pal Golemi të “Dorëshkrimit të Kieutit”, 1735 – 1750 në “Interpretime të letërsisë së arbëreshëve të Italisë”. Paraqitjen – Presentazione di Domenico Corradini H. Broussard. Shtëpia botuese Faik Konica, Prishtinë 2013, f. 53 – 61.

[5] Padre Luca da Monte Giove, Dizionario Italiano – Albanese. Përgatiti për botim Mark Palnikaj, Fast Print, Tiranë 2023, f. 3 – 4.

[6] Padre Luca da Monte Giove, Dizionario Italiano – Albanese, po aty. f. 4.

[7] Padre Luca da Monte Giove, Dizionario Italiano – Albanese, po aty. f. 5.



(Vota: 2 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora