E marte, 19.03.2024, 10:26 AM (GMT)

Shtesë » Historia

Sami Repishti: Nën hijen e Rozafës (XXIX)

E shtune, 03.01.2009, 03:35 PM


SAMI REPISHTI
Nën hijen e Rozafës
Narrativë e jetueme

XXIX

Viti i Ri 1958! Në familjen time festohej së bashku fillimi i vitit të ri me gëzimin e madh të pranisë sime, e me shpresën për ditë ma të mira. Përpara të gjithëve ndiehesha i gëzuem. Shikojsha për rreth nanën, vëllaun, motrat, nipat e mbesat që flitshin, këndojshin e shijojshin ushqimet e frutat mbi tryezë...nji herë në vit. Radioja e vogël transmetonte muzikën e rastit. Ishte ngrohtë në dhomë, e të gjithë ishin të çlodhun. Por ma shumë se të tjerët, nana tregonte nji kënaqësi të veçantë. Ajo jetonte si në andërr familjen e plotë, e së bashku. Para saj, ishte ushqimi e të gjithë festojshin. Sikur nuk u besonte dyve! Ora 12 e mesnatës! Radioja dha sinjalin e momentit të pritun. Të gjithë u ngritëm në kambë e filluem urimet e përqafimet. Edhe unë nuk e besojsha se isha pjesë e kësaj mbramje plot gëzim. Përqafova nanën me gjithë shpirt, ndërsa ajo derdhte lotë gëzimi. Të gjithë më urojshin “nji punë ma të mirë” për vjetin që vinte. Unë buzëqeshja. Asnji nuk pati guxim me më thanë “vitin që vjen në liri” megjithëse të gjithë e dëshirojshin. Frika kishte hy në palc të kurrizit, e paralizue nji popullsi të tanë. Atë mbramje u kënaqa, fola me të gjithë, e u dëfreva me ma të vegjëlit. Prishja e nji atmosferë të këtillë do të kishte qenë nji krim.

Të nesërmen, mbas nji nate të gëzueshme, pushova në shtëpi. Lexova por kuptova pak. Mendja e zemra ishin në lëvizje pa pushim. Ndiehesha i mbyllun, e dëshirojsha me dalë jashtë kësaj dhome që më merrte frymën. Kisha nevojë për ajër të pastër me mbijetue! Në atmosferën e vështirë, të krijueme nga gjendja politike, ekonomike e shoqënore e vendit, në pragun e nji krize paralajmëruese e katastrofës, fryma e kompromisit kishte rrethue vendin. Ndoshta edhe ma keq. Ishte nji atmosferë që njihte dhe përshëndeste krimin e kriminelin, shtypjen e shtypsin, të çmendunin e çmendurinë. Ishte nji atmosferë ku duartrokitej dhuna, padrejtësia, gënjeshtra e hipokrizia. Pushkatimet masive të të pafajshmve, dhjetra mija të burgosun, e familje të panumërta në kampet e dëbimit nuk kishin mjaftue me zgjue nga gjumi i randë ndërgjegjen e nji turme të mpime nga droga e pashërim e moskokëçarjes dhe e individualizmit egoist e të turpshëm. O turmë e pandjenja! Ku do të ishte drita e ardhmënisë sonë po të mos kishim me vehte kujtimet e shekujve të kaluem, e pishtarët e dritës jetëdhanëse që shkyen pa frikë pëlhurën e zezë të errësinës që mbështjelli, shpesh për shekuj me radhë, njerëzimin e pafat? Vetëm kryenaltësia që ndiejmë me qenë vëllaznit e motrat e tyne njerëzore mjafton me i dhanë jetës sonë shije e kuptim. Na, duhet të mbijetojmë! Edhe kur mbulojmë fytyrën nga frika sa herë që duem me qa, prap se prap duhet të mbijetojmë, në mos tjetër të paktën me këndue lavdinë e përhershme të Prometheut në pranga...! Rreth e rrotull meje, dukej njerëzia jetonte pa u shqetësue për atë që ngjiste në vendin tonë. Të dërrmueme nga puna skllavnuese e përditshme, të hutueme nga frika e përhershme e arrestimit, e torturës e persekutimit që kishin copëtue pëlhurën e shoqënisë shqiptare ashtu si e njihsha unë, “qytetarët” ishin dobësue, i kishte lëshue zemra, u kishte vdekë ora, e nuk gjejshin rruge tjetër veçse me dorëzue pa kushte fatin e përbashkët në duer të “udhëheqësve”, nji gjendje e pakonceptueshme disa vjet ma parë. Nga kjo “kontratë sociale” e detyrueshme, “udhëheqsit” nxjerrshin përfundimin se interesi i përgjithshëm shërbehej ma së miri, dhe punët e “Shtetit”, këtij monstri modern, kryheshin si duhet sa herë që ndiqeshin çapkënllëqet e tyne, zbatoheshin urdhënat e tyne që përfundojshin në thellimin e matejshëm të kësaj gjendje të smurë. Tue vue “Partinë” mbi ligjin, e politikën e ditës mbi të dyja, “udhëheqsit” komunistë kishin pasë sukses me vendosë sundimin e tyne absolut, e me ngritë institucionin e tiranisë. Frika e qenies “i ndryshëm” nga të tjerët, frika e kritikës, e ndëshkimit, frika e shkatërrimit të plotë ishin aleatët ma të mirë për lulëzimin e tiranisë. Hendeku në mes të atyne që dorëzoheshin e atyne që detyrojshin të tjerët me u dorëzue rritej çdo ditë e ma shumë, aq sa humnera rrezikonte me përpij të dy palët. Vetëm vdekja do të përjetësonte kujtimet e dhimbshme të njenit, e për tjetrin do të kishte vetëm mallkim...!

Ka mjaft kohë që më ashtë dobësue pamja. Mjeku i syve gjindej në Tiranë. Kisha të ndalueme qarkullimin jashtë qytetit të Shkodrës, dhe u detyrova me marrë leje nga Policia. Me letrën shoqënuese e “pasaportën” e mbrendshme që mbante gërmën “D” (i dyshimtë) të shtypun me bojë të zezë në faqen e parë, u nisa për kryeqytet. Udhëtimi zgjati kater orë. Policia e kontrollit të dokumentave na detyroi të ndalohemi pesë herë. Sa herë që shikojshin “pasaportën” time me shenjimin “D” qëndrimi i policëve ndryshonte, sikur të kishin zbulue nji kafshë ekzotike. Fillonte nji “hetuesi” e vogël: “Nga vjen? Ku shkon? C’punë bën? Pse shkon në Tiranë? Ku do të qëndrosh? Sa ditë? Do të takosh njeri atje? E ke lejen nga vendi i punë”...e tjera, u përgjegja me gjakftohtësi të gjitha pyetjeve. Të tjerët më shikojshin. Kuriozitet i çuditshëm! Asnji nuk më fliste, e udhëtimi deri në kryeqytet vazhdoi pa shkëmbye asnji fjalë. Mjeku më kontrolloi sytë, mendoi pak, e m’u drejtue pa të keq: - Duhet të kisha ardhë ma herët”, më tha. “Pse ke pritur kaq shumë?” - Kam qenë në burg”, përgjegja. “Dhjetë vjet!” Ai u kthye menjiherë nga unë, vuni dorën mbi supin tim e shtpi me nji za që tregonte se ishte prekë: “Ke nevojë për syza...Besoj se sytë nuk kanë ndonjë smundje. Miopi” e buzëqeshi. E falenderova për shërbimin, ofrova të paguej, por ai refuzoi. E falenderova përsëri, i dhashë dorën e i urova ditën e mirë. Në pamundësi me u kthye në Shkodër atë natë, u detyrova me kërkue strehim në nji hotel. Çdo nëpunës kërkonte “pasaportën”. Gërma “D” ishte sinjali i refuzimit. “Nuk ka vend!” ishte përgjegja. Me afrimin e natës, u drejtova pa vullnet drejt shtëpisë së nji të afërmi. Ai u trondit kur më pau te praku i derës. I spjegova se hotelet ishin plot e kështu kisha nevojë për strehim. Më pranoi! Gjatë darkës, bisedimi ishte shumë formal. Asnji ngjarje e ditës nuk u zu me gojë. Shëndeti i të gjithëve u ba qendra e bisedës. Kuptova menjiherë atmosferën e frikës që mbretnonte në ate shtëpi. Nuk u ndigjue transmetimi i radio Tiranës. Zonja e shtëpisë më lajmoi se “krevati është gati!” “Duhet të jeshë i lodhur”, më tha me nji buzëqeshje ngjitëse. E falenderova, urova “natën e mirë!”, e hyna në krevat. Isha i dërrmuem nga çdo gja që dëshmojsha për rreth, e sidomos nga nji mur izolimi që më rrethonte, i padukshëm, në çdo kand që shkojsha. Me gjithë zemrimin e përmbajtun, nji ndjenjë mëshirimi për këto krijesa të trembuna më mbuloi. Si kalohet jeta në këtë gjendje? Ku ishte shpirti i rezistencës së këtyne individëve që jetojshin me frikë? Ku mbetej shpresa e nji lëvizje të fuqishme, spontane, që do të tundte nga rranjët nji rregjim kaq shtypës? Frika, arma ma e fortë e nji diktaturë të ndërgjegjshme për aktet e veta, po tregohej si mjeti ma i mirë për krijimin e nji gjendje që pak mendje të hapuna e kishin parapa: gjumin e përgjithshëm! Të nesërmen në mëngjes, u ngrita herët. Të tjerët shkojshin në punë. Përjashta dielli ndriste për bukuri. Vendosa me marrë autobusin e mbasdrekes, e të ec pak nëpër rrugët e Tiranës që nuk kisha pa për vite të gjata. Vizitova Stadiumin e Qytetin e Studentëve. Nga tribunat shihej e bukur mirëmbajtja e fushës së futbollit. Pamja më solli në mendje ndeshjet sportive. Zhurma e tifozëve që shkonte deri në qiell dikur më tingëllonte në vesh, tue sjellë kujtimet e bukura të ditëve të nji rinie pak të shkujdesun. Nga larg shihej “Blloku i udhëheqësve”. E dijsha se ekzistonte “Kremlini i vogël” si e quejshim na atëherë, e se qarkullimi i popullsisë në atë zonë ishte rreptësisht i ndaluem. Udhëheqja e populli ishin të ndamë me nji gardh policësh e civilësh informatorë, detyra e të cilëve ishte me sigurue rehatinë absolute të nji diktatori që nuk flinte nga bremja e ndërgjegjes për krimet e kryeme...! Rreth e rrotull meje, kalimtarët sikur vrapojshin, seicili në punën e vet. Nuk pashë grupe të grumbullueme, as qytetarë në shëtitje në ato orë të pasdrekes. Ishte nji lëvizje e vazhdueshme që më kujtonte qendrat e mëdha urbane. Tirana ishte rritë në popullsi, e kjo turmë i jepte gjallëni qytetit. Por ishte nji gjallëni pa gëzim. Fytyrat e shumicës ishin të vrenjtura, ose të paktën serioze, e shenjat e gëzimit e kënaqësisë nuk dukeshin fare në atë turmë qartësisht të preokupueme me hallet e ditës. Pak ma larg, grupe studentësh drejtoheshin me hapa të shpejtë drejt ndërtesës së universitetit. Në mes të kësaj popullsie që shpejtonte, unë isha i vetmi kalimtar që ecte ngadalë, e vëzhgonte me kujdes pothuejse çdo lëvizje të tjerëve. Kisha dëshirën e madhe me kuptue këtë shoqni që, në vendin tim, ishte e huej për mue.

Korrieri i Ndërmarrjes lajmoi drejtorinë e kantierit të punës për mbledhjen në qendër dhe pjesmarrja ishte e detyrueshme për të gjithë. Në sallën e zhurmshme dhe plot tym duhani, drejtori doli në tribunë. Pa asnji parathanje ai filloi me tregue randësinë e mbledhjes. Si zakonisht, me nji fjalor rrugaçësh bërtiste: - More të poshtër!” (Ishim të gjithë “reaksionarë”!) E dini ju kush do të vizitojë vendin tonë? Udhëheqsi ma i naltë i Bashkimit Sovjetik, njeriu ma i fuqishëm në botë...e kuptoni?” E tue ju drejtue nji punëtori që nuk tregonte vëmendje, i tha: - Ej ti, zotqen, pse nuk ndigjon? E din ti se kush do të vijë? Ashtë zëvendësi i Stalinit të Madh. Ai nderon vendin tonë sikur të ishte Stalini vetë...A e kupton?” E tue ngritë zanin përsëriti: “A e kupton?” Askush nuk foli! Në atë atmosferë surreale nuk dijsha nëse të qesh për sjelljen e drejtorit, apo të vajtoj për gjendjen tonë prej skllavi. Drejtori vazhdoi: - Nesër, do të vini këtu përsëri. Do të ju tregojmë mbi organizimin, kohën, vendin e të tjera. Mos harroni të visheni me rrobat me të mira...t’i tregojmë mysafirit të shtrenjtë se jemi të lumtun në socializëm...” Drejtori fliste. Të gjithë ndigjojshin pa asnji pyetje. Ma në fund u shpërndamë. Edhe unë u drejtova kah shtëpia, por nji frikë e madhe më pushtoi se Sigurimi mund të arrestonte “të dyshimtët” me spjegimin e “masave të sigurisë”. Ideja se mund të kalojsha disa dite në burg më mundonte, por nuk kisha asnji rrugëdalje! Ky incident ngriti sensin e pasigurisë e nevojën urgjente me planifikue arratisjen sa ma shpejt. Ideja më entuziazmonte, e më friksonte njikohësisht. Atë mbramje, mbas darkës, u kredha në mendime. Isha i heshtun, e nana e mjerë shqetësohej shumë nga tërheqja e ime. Kishte frikë se do t’a shkelmojsha nji ditë, e rrezikojsha internimin e saj të dytë. Por nuk e kishte thanë kurrë, e përpiqej me qëndrue e qetë. Çdo ditë më tregonte vuejtjet e tjerëve, të fqinjve, të shoqeve të saja me hollësi. Mandej përfundonte me nji shprehje “si të tjerët” ose “bota ka halle”, “disa ma shumë disa ma pak” ose “nuk jemi vetëm, çka të bajmë tashti, na zuni...e ban Zoti mirë...!” E mjera nanë! Atë natë u tremb shumë kur unë nuk përgjegja, e në heshtjen time kuptoi si duhet frikën time. Fjala ishte lidhë në grykë. Atëherë pashë se lotët filluen të rrokullisen poshtë faqeve të saja të rrudhuna nga mosha. U përpoqa, e përqafova, e u përpoqa ta bindë se isha shumë i lodhun nga puna. Por ajo nuk e besonte. Zemër nane, më kuptonte shumë mirë! Ditën e vizitës së Krushcevit në Shkodër, u mblodhëm në oborrin e Ndërmarrjes. Simbas urdhënit, të gjithë ishim veshë ma së miri. Por drejtori që kontrolloi ma shumë se treqind punëtorë të rreshtueme, nuk dukej i kënaqun. Shumica kishin rrobe të pastra por të vjetra. Drejtori u mendue pak, mandej urdhënoi të tërhiqen treqind pardesy të rij nga magazina. Brenda nji ore të gjithë kishim marrë nga nji. Por ishte ditë e nxehtë maji, e rroba e gjatë na bani të djersitemi pa masë. Kërkuem leje ta heqim me porosi që kur të afrohet kolona e udhëheqësve, ne do të vishnim pardesytë e reja. Të rreshtueme në të dy anët e rrugës, treqind punëtorë ndërtimi mbajshim mbi supe pardesy me shtesë gome të bame për ditë shiu. E gjithë kjo pamje absurde ishte e pabesueshme! Krah për krah me ne ishte popullsia në këmisha me mangë të shkrutra për konfort, e pranë tyne, na, treqindë kufoma vertikale të mbulueme me pardesy të gjatë. Nuk e di se çfarë duhet të ketë mendue “vizitori i shtrenjtë” për ne, por na qëndruem pa lëvizë për të gjithë kohën tue duertrokitë, e brohoritë: “Rroftë Bashkimi Sovjetik!” Atë ditë, pashë për herën e parë, të vetme, diktatorin e vendit tim. I veshun me elegancë, me nji kapelë “borsalino”, qëndronte i ulur pranë Krushcevit e shoferit në nji limuzinë të madhe. Nuk fliste as buzëqeshte. Me nji krah të ngritun, jepte urdhëna për shoqënuesit. Ftohtësia e plogështia e tij më lanë nji përshtypje të keqe, ndoshta sepse e shikojsha me synin e urrejtjes së pafund, e përbuzjes që nuk njihte kufij...! Kolona përfundoi në Prefekturën e qytetit...Mbas nji pushimi të shkurtë, udhëheqja sovjetike e ajo shqiptare, ecën deri në sheshin kryesor. Me qindra malësorë e katundarë, burra e gra, të veshun me kostume karakteristike të vendit, bajshin nji dekor sa tërheqës aq edhe të mjerueshëm. Me urdhën të shoqnuesve, marionetat e theatrit zyrtar, duertrokitshin, thërrisnin parulla të caktueme, qëndrojshin si statujë në rresht, e pritshin momentin solemn të kalimit të udhëheqësve, që as i vunë re fare...! Në sheshin qendror, udhëheqsi sovjetik foli për bukurinë e vendit tonë, klimën e përshtatshme, dhe mundësitë e zhvillimit bujqësor, e sidomos pemtarisë. Ai foli edhe kundër “imperializmit amerikan”. Duertorkitje, përsëri duertorkitje! Në sallat e mëdha të Prefekturës u shtrue nji “drekë” madhështore për pesëqind pjesëmarrës të zgjedhun, me ushqime jashtë masës. Nji pjesmarrës tregonte se Krushcevi tue pa mishrat e pjekun mbi tryezë, kishte komentue: “Këtu paskeni bollëk! Shqipëria qenka vend i pasur...” Të gjithë e kishin aprovue! Menjiherë pas ceremonisë, punëtorët u kthyen në kantjer e dorëzuen pardesytë e reja... Kjo eksperiencë do të kishte kalue pa ndonji mbresë të veçantë sikur të mos kishin qenë transmetimet e agjensive të hueja, e interpretimet e tyne mbi qëllimin e vizitës së Krushcevit në Shqipëni, sidomos vizitës tij në Vlorë, ku gjindej nji bazë navale. Shqipënia pa dyshim po tregohej si pjesmarrëse e plotë në nji skemë strategjike që tejkalonte shumë kufijt e saj. Shqipënia, ashtu si në kohën e pushtimit italian të vendit, e “bashkimit” me Jugosllavinë ma vonë, kishte lidhe fatin e vet me atë të fuqive të jashtëme, e kësaj radhe me nji superfuqi shumë larg nga kufini i saj. Fati saj vendosej në kryeqytetin e nji vendi të huej që nuk frymëzonte mirëbesim. Flitej se kufijt e saj ishin tashti ma të mbrojtun. Pjesetare e nji blloku të madh ushtarak, vendi kishte sakrifikue sovranitetin e lirinë e veprimit për hir të “ndërtimit të socializmit” nën ombrellën e nji superfuqie atomike, agresive, që synonte dominimin e mbarë botës....

Të dielën, përsëri vetëm, vendosa të vizitoj kështjellin Rozafat. Nga pirgjet e nalta prej ku admirohet bukuria e rrallë e natyrës, liqeni paqsor, Buna e Drini që rrjedhin ndamas, derisa bashkohen, urat tërheqse, rrugët gjarpnuese, udhëtarët që shkojnë e vijnë pa pushim, e pamja e qytetit të Teutës që shtrihet mbi fushën e gjanë, deri në kodrat që e rrethojnë, e sidomos hija e randë e Taraboshit plak që ngrihet sikur dëshiron me mbrojtë qytetin nga çdo armik, të gjithë së bashku, krijojnë përshtypje që nuk harrohen shpejt. Brenda kështjellit, pothuejse gjithçka ishte shkatërrue! Pamja e mjerueshme reflektonte kohët që kaloi kjo fortesë legjendare. Rrënojët sikur vajtojshin nji të kalueme ma të mirë, që nuk kthehej përsëri. Rozafa e harrueme më këputi shpirtin. Kujtimi i ngjarjeve historike që kështjelli dëshmoi për ma shumë se tridhjetë shekuj, ledhet e kësaj fortese që u qëndroi kohëve dhe ushtrive pushtuese, më mbushën me krenari. Megjithatë, mjerimi që jetojsha në Shqipni ishte ngulë thellë në mendjen e zemrën time, saqe kujtimet e lavdishme kalojshin para meje si nji fllad pranveror e i përkohshëm, që nuk largonte vapën djegëse të gushtit përvëlues...! Brenda Rozafës, më dukej sikur zani i banorëve të lashtë që lanë gjurmët e tyne në këtë seli mbretnore e shekullore, pyeste pa ndërpremje çdo vizitues që thyente heshtjen mbytëse të shekujve të njimbasnjishëm: “Kalimtar! Cili je ti? Nga vjen e ku shkon? Cilin kërkon? Fol, o krijesë rebele! Ç’kërkon nga këta shkambij të pajetë e megjithatë, të përhershëm?” Në qetësinë e madhe që më rrethonte e i ndërgjegjshëm për vogëlsinë time para madhështisë së vendit ku gjindesha e kohës shumë shekullore, përgjegja: “Jam biri yt i humbun, o Rozafa legjendare, kalimtar i përkohshëm, por i gjallë, plot vullnet, e i djegun nga dëshira me farkëtue të ardhmen time, me duert e mia...Unë njeriu i brishtë, të ndërtova. Ti, më shërbeve! E jam unë ai që i jep kuptim ndërtesës sate të përhershme, megjithëse i ndërgjegjshëm për fundin që më pret,...dhe ndoshta edhe harresa! Jam unë ai që të këndon me lahutë, o rrënojë legjendare, jam unë ai që shkruen elegji për ty e shkambijt tuej të lyem me gjak njeriu kokëfortë, që refuzon nënshtrimin me çmimin e jetës, jam unë ai që kalon brez mbas brezi emnin tand e ndërton lavdinë tande mbi kujtesën e breznive që nuk kanë fund...edhe pse jeta ime shuhet si vesa prej diellit, para permanencës tande, o landë e vdekun, monument që ruen heshtjen e përjetshme...!” Sa shumë ka ndryshue vendi im! Sa iluzione të ushqyeme me kujdes, kanë ra për tokë! E çfarë randësie kishin të gjitha këto kujtime për mue e, marshet, e fitoret, e herozimat e së kaluemes, para gjakderdhjes së përgjithshme, vuejtjeve konkrete të mia, të familjes, e të nanës plakë, që shkonte në krevat pa ngranë, sepse dy djelmt e saj nuk kishin mundësi me sigurue për vete e për atë, bukën e përditshme? Çfarë randësie kishte sot kështjelli legjendar, para nji të tashmeje që ndrydhte e asgjasonte? Poshtë, në qytet jetonte nji popullsi që nuk gëzonte tjetër, veç vlerave të trashëgueme, e rrezikonte me u zvetënue nga frika e vorfnia e padurueshme. Ajo ishte aq afër degjenerimit moral që kërcënonte vendin, sa rrezikonte ramjen në humnerën e pakthim. Dukej sikur bukuria e qytetit dhe e banorëve, ishte venitë nën zjarrin përvlues të diktaturës që digjte e digjte, pa mend e pa shpirt. Shkodra nuk ka qenë Venediku i bukur e përrallor. Por qyteti im ka qenë foleja e nji historie shumëshekullore, vendbanimi i nji popullsie fisnike brez mbas brezi, e qendra e veprimtarive, kushtue se mirës e së bukurës, që mbajtën nalt fisnikërinë e banorëve të saj. E sot, shoh shokët në brigadat e muratorëve në vendin e punës, këto proletarë “reaksionarë”, të himnizuem me hipokrizi nga kalemxhinjt e diktatorit, që bajshin çdo përpjekje me i ikë punës me krahë, ndigjoj tregimet e tyne rrënqethëse, kuptoj frikën e tyne të përhershme, e lexoj në sytë e tyne, që në çast dëshprimi të thellë ngrihen drejt qiellit, e me nji fshamje që më këput zemrën, përsërisin thaniet ma karakteristike të banorëve të qytetit, në ditët e vështira: “Ndihmo, o Zot!” e “Mos ma keq, o Zot!” ...Atje poshtë, në qytetin tim, nji histori e nji popull që e shkroi atë me gjak, djersë e pendë, duket sikur jeton orët e agonisë përfundimtare...!

Malsori plak nga katundi Rec, që jetonte vetëm për hakmarrje, kishte vdekë. Ka qenë nji nga rastet ma të rralla që takova gjatë vjetëve të burgut. Nji ditë, Sigurimi kishte arrestue të birin njizet e gjashtë vjeçar, e kishte torturue deri në vdekje, dhe kishte hedhë kufomën në pusin septik. Të gjithë në pushtet, heshtën! Kur lajmi mori dheun, baba i viktimës kërkoi shpjegime. Nuk mori asnji. Plaku i tërbuem filloi mallkimin e të gjithëve, publikisht. U arrestue për “agjitacion e propagandë kundër pushtetit”, e u dënue me vjetë të gjata në burg. Në dhomën ku e sollën, plaku u vetizolue. Kishte vetëm nji shok të pandamë, duhanin. Hante shumë pak, e nuk lëvizte fare. Përshëndeste me bujari ata që i afroheshin. Megjithatë, herë mbas here, e thonte haptas se nuk do të vdiste pa marrë hakun e djalit. Mbas largimit tim në kampin e punës, nuk e pashë ma. Pesha e urrejtjes në brendinë e njerëzve, më friksoi; isha mësue me mendue që dashunia për të tjerët ishte ndjenja ma e fortë që gjallnonte qeniet njerëzore mbi tokë. Nga plaku, kuptova se ishte edhe urrejtja!

Përsëri nji vdekje tjetër. Ishte Marku, “djali i Dukagjinit” si e quejshim na, shokët e tij. Bashkë me të kishim kalue dhjetë vjet në burg e kampe pune të detyrueshme. Mbas “lirimit”, ai kishte gjetë punë si magazinier. E takova disa herë në qytet. Më tregoi punën që bante e si jetonte “si mos ma keq!” në nji barake, pa dhomë fjetjeje. “Kam vue së bashku disa drrasa, e kam shtrue krevatin brenda në zyrë...Vera kalon disi”, më tha, “por dimni asht i padurueshëm...Hyn era, shiu, bora...Vij në qytet me biçikletë çdo të premte mbrama, me kalue kohën me nanën që jeton këtu... Nuk kam vend atje ku punoj...” E me atë të qeshunin e zakonshëm, shtonte “...si mos ma keq!” Nji mëngjes, e kishin gjetë të vdekun në krevat. Ishte tridhjetë e pesë vjeçar...! U varros thjeshtësisht, ashtu si kishte kalue gjithë jetën. U ktheva nga funerali i tornditun. Përqafova nanën, e nji ndjenjë turpi më mbuloi nga ideja që nji ditë do ta shkelmojsha, në kërkesë të nji bote ku mund të merrsha frymë lirisht. Ajo u kënaq me përqafimin tim, më puthi në të dy faqet, e më ledhatoi kokën...

Vdekja e papritun më krodhi në mendime të reja. Tashti, asgja nuk më shqetësonte ma shumë se frika e vdekjes, i harruem, i përbuzun, në nji vend që më ofronte vetëm boshllëkun. Uria e vuejtja fizike, të shkaktueme nga puna e randë, ishin ba petku i përditshëm, jeta ime ishte pa gjallni, zvarritej ditë mbas dite, pa pushim, pa çlodhje e pa shpresë përmirësimi. Nji vazhdueshmëni e këtillë shtroi sheshin e rrokullisjes pa pengesë. Gjithçka ishte bajate e pa kuptim. Atëherë, erdhi çasti dramatik fatlum: për nji sekond, si plumb pushke që fishkullon mbi kokë, pa dijtë se nga vjen e si vjen, e prishte qetësinë mbytëse. Hallkat e zinxhirit të monotonisë kërcasin si akulli që thyhet, e si mrekullia që gjithëherë vjen e papritun, hapën sytë...! Njeriu sheh, ndigjon, prek, nuhat e shijon atmosferën e re të krijueme, sikur, pa pritë, të ishte hapë nji botë tjetër. Njeriu jeton përsëri! E kaluemja ngrihet para nesh si nji kështjell kartë e pavlerë, e pakuptimtë, tmerrëisht kërcënuese. Vetëm atëherë kuptojmë se, nuk kemi jetue, se e kaluemja ka qenë nji grabitje e pamëshirshme e banale e ditëve të ekzistencës sonë...Asht fillimi revoltimit e i hymjes në jetën e njimendtë! Ky “çast fatlum” për mue, erdhi kur vendosa të arratisem! Ishte e domosdoshme që fija e jetës së përditshme të këputej, të theje veriga që ngushtonte ditët e mia, që më mohonte jetën e, në përplasjen e pafalje, të krijonte nji gjendje të re. Atëherë, me ndërgjegje të plotë do të hidhsha poshtë, kambëngulës e me fuqi, atë që mbetej ende në duert e mia: jetën time monotone. Me jetue të paktën për nji çast, minutin e pohimit fitimtar të jetës, me mbushë gjoksin me frymën e zotnimit të plotë të vetes, aq shumë, sa të ballafaqojsha vdekjen me afshin e martirit, tue e shikue në sy, pa frikë: “O monstër jetëngranës, ti nuk ke fuqi me më nënshtrue! Përkundrazi, kërcënimi yt për asgjasimin e jetës sime, më ngren deri në qiell,... ai më gjallnon!” Ideali, si dehje e pafrenueme, përbuz të zakonshmen, prozaiken e qenieve që jetojnë, pse ushqehen në tryezë. Ai ekzalton e asgjason, njikohësisht. Ekzaltimi, si ushtrim i detyrueshëm i aftësive që kalojnë kufijt e fuqive tona, vendos idealistin e etshëm për të pakufishmen, në prakun e humnerës që tërheq e largon, që frymëzon e rrezikon, por që krijon pvr të, çastin suprem të jetës, minutin fatlum të qenies së lirë, plotësisht të lirë, mospërfillës i vdekjes së paevitueshme.


Brigada jonë e punës mori përsipër në ndërtimin e nji “pallati” trekatësh në rrugën kryesore, pothuejse ballëpërballë me ndërtesën e Sigurimit. Ideja se do të kisha parasysh, çdo ditë muret që më kishin ndrye për javë e muej gjatë hetuesisë, më tronditi. Por tashti, kisha “probleme” tjera ma të mëdha; kisha bukën e gojës, për veten e familjen, që varej nga puna ime. Ideja e ndërtimit të plotë të nji “pallati”, m’u duk mjaft interesante. “Ustallarët”, pleq, që njihshin mirë zanatin e tyne, nuk kuptojshin vizatimet teknike të projekteve në letër. Fillova me deshifrue këto vizatime e me udhëzue shokët e punës. Me hedhjen e themeleve, ngritja e mureve prej guri më shkaktoi lodhje e pakënaqësi. Tulla ishte uniformë dhe e rrafshët. Guri, i marrun nga gurorja e qytetit, kërkonte mjeshtri me e përgatitë e vendosë në mur, me zanë vend, i mbështetun mirë e me faqen e përpunueme përjashta. Kur erdhëm në naltësinë e katit të parë, ndërtimi i soletës kërkonte kujdes, sepse ishte nji operacion ma i komplikuem. Së bashku me shtresën, shtyllat vertikale e horizontale me hekur e çimento, duhej ndertue edhe shkalla e betontë. Betonimi duhej ba menjiherë, pa ndërpremje, e kjo kërkonte punë deri në mesnatë. Aty zbulova kenaqësinë e madhe të punës ndërtuese! Kërkova nga “ustai” të më lejonte me ndërtue armaturat e shkallës e të ballkoneve. Ishte hera e parë. Në përfundim, u derdh betoni në kallëpe. U kujdesova deri në fund që gjithçka të delte sa ma mirë. Tri ditë ma vonë, çmontova kallëpet. Pamja e ballkoneve dhe e shkallës, më mbushi me nji krenari të pashpjegueshme. Ato ballkone që vareshin në ajër, si krahë të shkurtë e të shpalosun zogjsh fluturues, sikur i jepshin jetë e shije kuadratit të ndërtesës. Dola në njenin ballkon. Mandej në tjetrin, sikur dojsha me zbulue fortësinë e tyne. Ata qëndruen. Por akti krijues tejkalonte dobishmëninë e tyne. Me dorën time kisha ndërtue diçka, e nji diçka që tërhiqte për bukurinë e vet. Oh! Sa i lumtun duhet të jetë artisti, shkrimtari, skulptori e kushdo tjetër që, në forma të thjeshta ose me art të përsosun, ia dalin me krijue të bukurën, këtë dhuratë hyjnore. Arti, në esencë, asht nji formë gare me Krijuesin...! Mbas përfundimit të ndërtesës, sa herë që kalojsha para saj, e shikojsha banuesit në ballkone, nji valë gëzimi me mbushte gjoksin: “Ky asht ballkoni im, ndërtue me duert e mia!”, përsëritsha me krenari. Por ndërtesa, mure guri të trashë, shtresë çimentoje, dritore të vogla, korridore të ngushtë, nevojtore primitive, mungesë drite e pa asnji kujdes për estetikën, për të bukurën, për të kandshmen që i jep shije jetës sonë e lehtëson peshën e randë të punës së përditshme, ishte nji vendbanim i ftohtë, nji shpellë në mes të qytetit, që nuk sillte, as gëzim, as kenaqësi. Ishte thjeshtësisht nji mbrojtje nga shiu e bora, era e të ftohtit, por nji mbrojtje pa ngrohtësi për ata që e banojshin. Gjatë vjetve të punës së detyrueshme në kampe, hapja e kanaleve kulluese e vaditëse, ndërtimi i aerodromeve e ma vonë, puna në Ndërmarrjen e Ndërtimit në Shkodër, megjithë vuejtjet e mëdha që më shkaktojshin, më jepshin edhe njifarë kënaqësie, që më zbuste vuejtjen fizike. Puna më bante të përqendrohem në cilësinë e madhështisë njerëzore, në aftësinë e në vullnetin e individit, koshient me i vu vulën e vet natyrës së vdekun, të pagojë, dhe të pamend! Ky ballafaqim i dy kundërshtarëve të papajtueshëm dhe lufta e tyne e pandërpreme, sikur më ngrinte nalt e më jepte sigurimin e “qenies” që jeton e vepron mbi natyrën e vdekun....qe nuk mungoi kurrë me më tregue se fitorja e fundit, nuk ishte e imja dhe se, para saj, nuk isha asgja ma shumë se nji kryengritës i vdekshëm, i infektuem me virusin e heroizmit të pashërueshëm...!

Çdo ditë e ma shumë kisha përshtypjen se, eksperienca komuniste në Shqipni, kishte marrë karakterin e aventurës që shkelmonte logjikën e përfundimet logjike. Megjithë pretendimet fisnike se “ata” frymëzoheshin nga dëshira e largimit të miliona viktimave nga vuejtja e vorfnia, eksperienca komuniste tregonte se ata i afroheshin vuejtjes e vorfnisë, ma shumë. I mbyllun brenda burgut tragjik të komunizmit stalinian, edhe nga nji mur i dytë i përpunuem me duert e veta, komunistët e pashkolluem shqiptarë kishin hy në nji rrugë pa dalje. Shqipnia vorfnohej çdo ditë e ma shumë! Në këtë atmosferë mbytëse, “udhëheqja” doli në skenë me flamurin e dashunisë së shqiptarëve për vendin e lindjes, dhe e shtrembnoi atë në nji nacionalizëm agresiv: e gjithë bota ishte kundër Shqipnisë! Nji spatë e këtillë, gjithmonë e mprehtë, ironikisht binte pa mëshirë mbi kokat e zemrat e atyne që ushqejshin këtë dashuni, i coptonte ata, me qëllim që të poshtnoheshin aq shumë, sa që viktima te pranonte dekompozimin moral e të strukturës mendore, që përbajshin bërthamën e krenarisë e të qenies shqiptare...! Komunizmi në Shqipni po zhvishte shqiptarin nga rrobet e trupit e të shpirtit njikohësisht! Lum ata që e besojnë! Në rrugën e ndjekun, ata gjejnë dorën e Krijuesit, e shtrime drejt tyne, e gatshme me i ndihmue, me i marrë në gji... E për të tjerët? A do të jemi përsëri si ma parë, si breznitë e panumërta që ndoqën njena-tjetrën, për ma shumë se tremijë vjet, në këtë tokë të lashtë e të pasun në histori, pengje të rendit të ngurruem të të vdekunve për të, robër të pëlhurës së endun me emocione e kundërveprime të imponueme nga ngjarjet historike? A do të jemi nesër, përsëri, robër të së kaluemes që na dominoi deri sot, kambëngulëse dhe e pakundërshtueshme?

Hapet fjala si vetima se, dyqani i ushqimit ka djathë e ullinj. Largohem nga puna pa leje, e bashkohem me rrjeshtin e gjatë të qytetarëve që presin në radhë. Pa pritë, pashë plakun Zef, ish-i burgosun. U afrova. Ai buzëqeshi kur më pa; ishte diçka e përzieme: vula e vuejtjes e kënaqësia që më pau, gjurmë e së kaluemes së tij urbane. - Mirëdita, zotni Zef, - e përshëndeta. – Si je? - Po baj gjyq me Zotin, - u përgjegj. – As unë vetë nuk e di pse jetoj... Kam ardhë këtu për nji copë djathë...Zakonisht, kur Bashkimi Sovjetik nuk pranon prodhimet tona, i kthen,...e qeveria i shet në dyqane...! Lum djali, Zoti na ka harrue...na ka lëshue dorë...asht e qartë...” I dhashë zemër, por pa bindje. Në brendinë time, nji tip si plaku Zef, i dorëzuem plotësisht në krahët e Krijuesit e tue pritë gjithçka prej Tij, më irritonte. Nuk i përgjegja ma gjatë. Vetëm për vetëm përballë fatit të pamëshirë e të pakuptim, duhej me i mbushë mendjen vetes se, kishte ardhë koha me përqendrue fuqitë e mia, me u ba plotësisht koshient për gjendjen e re të krijueme, me përbuzë shtypsin e, jo ma pak shpresën gënjeshtare, me shtrëngue muskujt e me kërcitë dhambët, me u hedhë pa frikë në përleshje me fatin e me bindjen e plotë e të patundun se, alternativa ishte vetëm nënshtrimi e vdekja në harresë... Ngrehu, o qenie njerëzore që më jep ndjenjën e kryenaltësisë për emnin që mbaj! E ti, o zemër, mbushë sot me vner e ideal, shpërthe, trego se jeton akoma, e se jetën e ke në duert tueja, po ta dëshirosh ti, ti vetë, e vetëm ti...! E ju, “të tjerët”, bashkatdhetarët e mi të nënshtruem e vllazën, nëqoftëse zgjedha e tiranisë nuk ju rrjep lëkurën e zverkut, nëqoftëse samari i diktaturës nuk jua ban kurrizin me plagë, nëqoftëse ajri i ndytë i organizimit të gënjeshtrës e mashtrimit të pafund nuk ju zen frymën e nuk pengon ajrin e domosdoshëm me ruejtë pastërtinë e gjakut tuej, atëherë, o tungjatjeta, shtypja asht bashkudhëtarja juej, ajo asht kalorsi i stërvitun që shijon rehatllëkun e nji shale të punueme për të e për kurrizin tuej, o ju të mjerë, që preferoni me qenë kafsh nga frika e qenies njeri, o ju që nuk njihni thirrjen madhështore të dinjitetit që ndryni brenda vetes, ju o landë e patrajtë që lindni e vdisni, pa pa, pa ndie, e pa jetue...!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora