Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Auschvitz, "fabrika" e vdekjes

| E shtune, 03.01.2009, 11:55 AM |


Nga Alba Kepi
 
Gjashtëdhjetë e tre vite më parë, më 27 janar 1945 trupat e armatës ruse të frontit ukrainas të komanduara nga mareshali Konjev, shkallmuan portën e hekurt dhe u futën në ngrehinat ku ishte shuar jeta e mbi një milion njerëzve. Plot 63 vjet më parë bota do të njihte makabritetin e fjalës Auschvitz. Kampi i Auschvitz-it qe një bashkësi kampesh përqendrimi e shfarosjeje të ndërtuar gjatë pushtimit nazist në Poloni, pikërisht pranë qytetit polak Osviecim apo Auschvitz, 60 km nga qyteti i Krakovës

Në Evropën e shekullit të njëzetë u krijua "fabrika" më e madhe e vdekjes e njohur në tërë historinë e humanitetit, Auschvitz. Çdo qenie njerëzore duhet ta dijë se kjo "fabrikë" ka ekzistuar, ta kuptosh atë është e pamundur, por ta njohësh është pothuajse një domosdoshmëri. Auschvitz nuk ka lidhje me luftën, nuk është një episod, as një formë ekstreme. Lufta është një fakt i dhimbshëm, tragjik që ka shoqëruar e vazhdon të shoqërojë përherë historinë e njerëzimit, kurse Auschvitz ishte jashtë e kundër çdo norme humane.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore një nga projektet kryesore nga më makabret, që krijoi e konkretizoi çmenduria e Rajhut të tretë, nën bashkëveprimin total apo të pjesshëm të qeverive apo të lëvizjeve politike të shteteve aleate, që vrasja sistematike deri në shfarosje e popullsisë hebre. Në Evropë nga fundi i viteve ‘30 deri në 1945-n u vranë mbi 6 milionë hebrenj e Auschvitz luajti një rol fondamental e efikas në të ashtuquajturën "zgjidhja finale e çështjes hebraike", e cila do të ndërpritet vetëm falë fitores militare të shteteve antifashistë e të lëvizjeve të rezistencës, që u shtrinë në shumë vende, sidomos të Evropës.

Më 27 janar 1945, ushtarët e armatës ruse të frontit ukrainas nën udhëheqjen e mareshalit Koniev shkallmuan hekurat e portës mbi të cilën qe shkruar: "Arbeit Mach Frei"(puna të bën të lirë). Ajo portë kishte mbajtur mbyllur horrorin më mizor të njerëzimit, i njohur tashmë si Holokausti apo Shoah (në fjalorin hebraik nënkupton katastrofë). Plot 63 vjet më parë bota do të njihte makabritetin e fjalës Auschvitz. Kampi i Auschvitz-it qe një bashkësi kampesh përqendrimi e shfarosjeje të ndërtuar gjatë pushtimit nazist në Poloni, pikërisht pranë qytetit polak Osviecim apo Auschvitz, 60 km nga qyteti i Krakovës. Ndërtimi i këtij kampi nis me letrën që inspektori gjeneral i kampeve të përqendrimit, Richard Gluks, i dërgon më 21 shkurt 1940 ministrit të Brendshëm të Gjermanisë Naziste, Heinrich Himmler. Në atë letër famëkeqe zona e Auschvitzit përshkruhet si më e përshtatshmja për ngritjen e një kampi, falë sidomos lidhjeve hekurudhore që ajo kishte, nëpërmjet të cilave transportimi i qenieve njerëzore të destinuara për të mos e jetuar më jetën (O Zot si mund t'u privohej jeta, gjëja më shtrenjtë, të cilën ua kishte dhuruar e plotfuqishmja Perëndi!). Më 27 prill 1940 Himmler urdhëron fillimin e punimeve, duke shfrytëzuar punën e të burgosurve nën komandën e komandantit Rudolf Hoss. Nga ajo zonë u evakuuan 1200 banorë, e u shembën 123 shtëpi për të lehtësuar ndjekjen në raste arratisje nga ana e të burgosurve. Gjatë fazës fillestare, e cila lidhet me ndërtimin e godinave të para u shfrytëzua puna e 300 të burgosurve hebrenj. Më 20 maj Hoss urdhëron ardhjen e 30 kriminelëve ordinerë me kombësi gjermane të ngarkuar si mbikëqyrës, të cilëve u dorëzohen dhe numrat e parë të këtij kampi nga 30. Më 29 maj arrijnë nga Dachau (kamp i ndërtuar qysh në 1933 në Bavari në afërsi të qytetit Mynih, një grup burrash të ngarkuar për ndërtimin e rrethimit të kampit, kullave të mbikëqyrjes, nivelimin e terrenit etj. Për sheshimin e atij trualli, që më vonë do të quhej sheshi i apelit u përdor një rul çimentoje i tërhequr nga të burgosurit nën komandën e një kapokrimineli, i cili lëshonte egërsinë e tij mbi cilindo që humbte ritmin. Në dy muaj kampi i parë nazist në tokën polake ishte i gatshëm për të pritur të burgosurit. Më 14 qershor në Auschvitz mbërrijnë 728 të burgosurit e parë, të gjithë polakë me moshë 18-19 vjeç, që ishin kapur në kufirin francez gjatë përpjekjeve për t'u bashkuar me ushtrinë polake. Secilit prej tyre menjëherë u konfiskoheshin sendet e rrobat personale, u qetheshin flokët e dezinfektoheshin. Në krahun e majtë u tatuohej një numër, i cili do të shoqëronte ekzistencën e tyre në kamp. Pas këtij numri nuk qe më një njeri, por veç një objekt, i cili deri sa është i vlefshëm vazhdon të ekzistojë, në rast të kundërt eliminohet. Çdo i burgosur vishej me uniformën me viza e në anën e majtë pranë gjoksit qëndisej një trekëndësh me ngjyra. Trekëndëshi i kuq identifikonte të burgosurit politikë, një yll me gjashtë cepa i verdhë u qepej të burgosurve hebrenj, trekëndëshi rozë për homoseksualët, jeshilë për kriminelët ordinerë (domosdo atyre ua kishte garantuar gjithnjë të hapur jeshilen nazizmi hitlerian), ylli bojë kafe identifikonte romët, violet për Dëshmitarët e Jehovait etj. Detyra e tyre qe puna e bindja. Ky kamp kishte një kapacitet mbajtës 15 000-20 000 të burgosur e gjatë ekzistencës së tij u masakruan mbi 70 000 të burgosur.

Vetëm 3 km larg kampit kryesor, në Brzeznika u ngrit kampi i shfarosjes Auschvitz 2 me një kapacitet prej 30 000 të burgosurish, i quajtur Birkenau (Vernichtunglager) e më 7 tetor 1941 ai u bë operativ. Në të u ndërtua një kompleks vdekjeje, i cili kishte në përbërje katër krematorë gjigandë si dhe dhomat e gazit me objektiv shuarje jete, 4166 njerëz brenda një dite ktheheshin në kufoma. Këtu gjetën vdekjen mbi 1 milion të burgosur.

Kampi i tretë që përmblidhte Auschvitz, qe ai i punës Monowitz (Arbetislager), vetëm 7 km larg kampit kryesor. Kampi i punës përfundoi së ndërtuari më 31 tetor 1942. Në këto kampe vdekja vinte jo vetëm nga dhomat e gazit, nga mosushqimi, nga sëmundjet si rezultat i kushteve jashtë çdo limiti të jetë, nga puna e stërmundimshme, por dhe nga eksperimentet që mjekët me uniformën e SS kryenin mbi të burgosurit. Mes tyre më i famshmi qe Josef Menegel i mbiquajtuar me disa epitete: "Ëngjëlli i vdekjes", "Doktor vdekja", apo "Boa (gjarpër) i Auschvizit", i cili kishte krijuar në kamp pikërisht në bllokun 10, një laborator të vërtetë studimi.

I bindur në teorinë e pabarazisë raciale ai e konkretizojë atë duke eliminuar me eksperimentet e tij mijëra jetë të konsideruara inferiore si hebrenjtë, romët etj.

Makabre e të papërshkrueshme janë eksperimentet e tij mbi sistemin biologjik të binjakëve si çelës kryesor në krijimin e një race të pastër ariane. Pasi maste e analizonte çdo centimetër të trupit të tyre, ai i vriste me një injektim në zemër. Eksperimente mizore iu bënë dhe homoseksualëve në kërkim të një kure hormonesh për t'i kthyer në heteroseksualë, grave me qëllim sterilitetin, handikapatëve iu bënë injektime virusesh të tmerrshme si lebroza, tifo etj. Eliminimi në masë kryhej në mënyrë sistematike me lista të detajuara viktimash prezente apo të ardhshme.

Më 4 prill 1944 një aeroplan amerikan që mbikëqyr kampin merr provat e para ndaj këtij makabriteti. Më 15 maj 1944 fillon sjellja e hebrenjve hungarezë në Auschvitz nga ku përfunduan në dhomat e gazit dhe në krematoriume rreth 500 000 prej tyre. Për 5 vjet me radhë fjala Auschvitz shkaktonte terror të tmerrshëm, të paparë të padëgjuar asnjëherë në popullsinë e vendeve të pushtuara nga Hitleri. Në të u realizua shfarosja e kundërshtarëve të regjimit hitlerian pa respektuar racën, nacionalitetin, fenë e bindjet politike.

Shteti e nacionaliteti i të burgosurve, që "banuan" në "fabrikën" e vdekjes me emrin Auschvitz gjenden të regjistruar në dokumente të shumta hitleriane, nga të cilat kuptohej se Auschvitz qe zgjedhur si vendi kryesor i eliminimit të hebrenjve.

Me përparimin e trupave antifashiste më 6 nëntor të 1944-s Hitleri urdhëron shkatërrimin e krematorëve e më 18 janar 1945 evakuimin e përgjithshëm të Auschvitz-it, duke marrë me vete rreth 60 000 të burgosur drejt një marshimi vdekjeje. Shumica e tyre për shkak të gjendjes jo të mirë fizike mbetën të vdekur gjatë rrugës. Më 27 janar trupat e armatës ruse që çliruan kampin e gjetën ende gjallë 7 650 të burgosur. Në magazina trupat ruse zbulojnë 7000 kg flokë të mbyllur në thasë prej letre 25 kg, të cilët kapot e kampit nuk kishin arritur t'i dërgonin në Bavari pranë firmës "Alex Zinc", ku përdoreshin për fabrikimin e tekstileve. Çmimi i shitjes qe 50 pfening për kg. Nga analizat e bëra u verifikua prezenca e cianurit të hidrogjenit, helmi i vdekjes së tyre. "Arbeit Mach Frei" (gjermanisht) "Puna të bën të lirë", e shkruar mbi portën e hekurt tingëllonte aq cinike sa nuk mund të përshkruhet.

Plot 63 vjet më parë trupat ruse zbuluan një nga turpet më të mëdha të njerëzimit. Të kujtosh këto viktima vlen për të ruajtur memorien e ekzistencës së tyre e përsenë e ndërprerjes së kësaj ekzistence. Gjithsesi, përkujtimi i kësaj të kaluare na ndihmon për të ndërtuar të ardhmen. Më 18 tetor 2002 Këshilli i Evropës (KE) vendosi futjen e një date përkujtimore ndaj Holokaustit e parandalimit të krimeve kundër njerëzimit. Kjo datë u lidh me eksperiencën historike të çdo vendi. Sot Auschvitz është kthyer në një event politik e internacional, e ajo çka mbeti nga ky kamp është tashmë pasuri e njerëzimit, që kurrsesi nuk do ta dëshironte atë, por vetëm fakti se memoria e saj e gjithhershme, do të ndërgjegjësojë qenien humane mbi të djeshmen, të sotshmen e të ardhmen.

Berati, për shpëtimin e hebrenjve

Në kuadrin e 27 janarit, Ditës Ndërkombëtare të Kujtesës (njohur ndryshe si përkujtimi për Holokaustin (Shoah) si edhe kontributit unik që Shqipëria dhe populli shqiptar ka dhënë për shpëtimin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, nën kujdesin e Bashkisë së Beratit, Konsullatës së Nderit e Izraelit në Tiranë dhe Akademisë së Shkencave u organizua dje në Berat konferenca shkencore me titull: “Berati, për shpëtimin e hebrenjve”.

Konferenca organizohet në qytetin e Beratit, pasi ky qytet është i njohur për kontributin e veçantë për mikpritjen dhe mbrojtjen e hebrenjve. Nga 2264 hebrenj të strehuar në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore, 600 prej tyre gjetën strehë dhe mbrojtje në Berat. Në konferencë marrin pjesë akademikë, studiues të njohur, historianë si edhe përfaqësues të disa institucioneve ndërkombëtare me seli në Tiranë.

Seanca e parë e konferencës drejtohet nga akademik prof. dr. Jorgo Bulo, ndërsa dy të tjerat nga Prof. dr. Aleksandër Meksi dhe prof. dr. Kostas Giakoumis. Prof. Jorgo Bulo tha në çelje të konferencës se “Shqipëria nuk ka probleme me ndërgjegjen e vet sa i takon holokaustit. Në Shqipëri nuk ka pasur “Shoah”, shqiptarët shpëtuan jo hebrenjtë e vet rezidentë, por ndoshta edhe 3 mijë hebrenj të tjerë të ardhur në Shqipëri prej Evropës Qendrore dhe Ballkanit gjatë kryqëzatës naziste”.

Pastaj konferenca u përshëndet nga kryetari i Bashkisë Berat, z. Fadil Nasufi; ambasadori i SHBA-së në Shqipëri, z. John L. Withers; ambasadore e Izraelit për Shqipërinë, znj. Amira Arnon; konsull nderi i Izraelit në Shqipëri, Bardhyl Canaj. Më pas nga Bashkia Berat u dhanë tituj mirënjohjeje për qytetarët që shpëtuan hebrenj gjatë luftës.

Konferenca vijoi me kumtesat e përgatitura nga studiues dhe historianë lidhur me aspekte të historisë së hebrenjve në Shqipëri si kumtesat e prof. dr. Ferit Duka “Bashkësia hebraike e Beratit në periudhën osmane”; Prof. dr. Pëllumb Xhufi; “Gjurmë të pranisë së hebrenjve në Shqipërinë e Jugut dhe në Berat para shekullit të 15-të”; Prof. dr. Kostas Giakoumis (BirminghamUniversity): “Çështje të simbiozës mes të krishterëve dhe hebrenjve në kuadër të ish-Perandorisë Osmane në Ballkanin Perëndimor”. Një interes të veçantë ngjallin kumtesat e prof. dr. Jovan Basho: “Të dhëna rreth mundësisë së një udhëtimi incognito të Einstein-it në Shqipëri”; Prof. dr. Shaban Sinani: “Divizioni “SS“ “SKANDERBEG“ i Kosovës nuk ka ushtruar Holokaust”; Dr. Nikolin Kurti (Tiranë): “Roli i institucioneve fetare për fshehjen e identitetit të hebrenjve në kohën e luftës”; Simon Vrusho (Berat): “Hebrenjtë në kujtesën e beratasve” e të tjera.

Shqipëria dhe populli shqiptar konsiderohen nga opinioni botëror si një rast unik në qëndrimin që mbajtën ndaj hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe pushtimit fashist, jo vetëm duke mirëpritur, ruajtur hebrenjtë e shpërngulur dhe të ardhur këtu gjatë luftës, por edhe duke meskallëzuar pranë autoriteteve pushtuese naziste asnjë prej tyre.

G. Standard 26/01/2008