E enjte, 25.04.2024, 05:46 PM (GMT+1)

Kulturë » Mërkuri

Timo Mërkuri: Dhimbja që ka emrin Petrit Ruka

E diele, 06.08.2023, 07:55 PM


DHIMBJA QË KA EMRIN PETRIT RUKA

Nga Timo Mërkuri

I-Odise Kote në krijimtarinë letrare të krijon përshtyjen e një njeriu të “sertë”, imazh që të krijohet kryesisht nga tonaliteti i “rëndë” i fjalës dhe vargut të tij poetik, por duke qënë se poezitë e tij në tërësi shfaqin imazhin e monumenteve, ku dominojnë ato prej guri, pa përjashtuar dhe ato prej bronxi apo të lara me flori, ku mjafton të  vendosësh veshin në vargje , si te monumenti, do të ndjesh se pas metaforave, si pas brinjëve, rreh një zemër e madhe, e dhimshur, të cilën ai më kot përpiqet ta fshehë. 

Odise Kote e krijon poezinë e tij me metafora, si kollonat antike prej mer-meri të gdhëndur,  jo si mure me gurë të skalitur, por  një poezi, vetëm një poezi e ka ngritur pa metafora, por me drithërima dhe rrahje zemre. Vetëm një poezi ai e ka gdhendur brenda zemrës me fjalë të thjeshta e të dhimshura, fjalë që i shpreh vetëm një dashuri vëllazërore, një poezi që mund ta quajmë “ e vërteta ulëritëse për Petrit Rukën”, ku thjeshtësia e saj tejkalon bukurinë, forcën dhe vizionin poetik të dhjetra metaforave. Poezi të tilla si kjo me titullin e thjeshtrë “Poeti” kushtuar Petrit Rukës, me vargje të qarta e të kristalta si loti, drithëruese si vajtime nënash në mort i krijojnë vetëm poetët e mëdhenj. Të shkruash për këtë poezi do të thotë të shkruash për vetë shpirtin kur dhemb, për fjalën kur ulërin në heshtje, për dritën e diellit të ëndërruar në thellësi të tuneleve, ku bllokohen minatorët nga shembjet.

II-“Poeti blen duhan rruge, të lirë, të hapur /dhe pi cigarë të dredhur…” na jep Kote imazhin në lëvizje të poetit Petrit Ruka, me  fjalë të thjeshta që rrëshqasin  në varg si uji i shiut nëpër xhamin e dritares. Ne e ndjejmë se kjo lagështirë nuk është ndonjë shi (jemi në një korrik të thatë sivjet, dhe do e dëshironim një shi) por një lagështirë në sytë e poetit tek shkruan pas reve të dendura të kujtimit të mikut të tij. Këtë lagështirë në sytë e Kotes do ta ndjejmë në gjithë poezinë, por ai dëshiron ta fshehë nga lexuesi, do ti krijojë atij mendimin se gjoja këtë ja shkakton tymi i duhanit të fortë të Petrit Rukës dhe se ja mjegullon pakëz shikimin. Përpjekje e kotë gjithsesi: Petrit Ruka vërtet pinte duhan të dredhur, por gjithmon ishte i kujdeshëm që tymi i duhanit të tij të mos bezdiste miqtëdhe shokët  e pranishëm. Kot e ka Odisea që “dredhon”, Petrit Rukën nuk e ka përballë, sado që do e dëshironte këtë, Petrit Rukën ai e ka brenda tij, në zemër dhe në kujesë dhe ky tym duhani vjen nga brenda shpirtit e zemrës së tij, i njom pakëz sytë dhe rrëshqet nëpër vargje, dhe mqse  me këto vargje ai e mbyll poezinë, vargjet voziten si varka mbi liqen. Është i kripur shumë ky liqen lotësh ndaj në brigjet e tij nuk kanë mbirë metafora.

Sikur të mos mjaftonte kjo, Kote e vazhdon vargun me fjalët: ”e kollitet rëndë” fjalë që na godasin si  grushta të  fortë dhe na palosin mendimin si në një nokaut. Ata që kanë pirë duhan e dinë se çfarë është ajo “kollë e rëndë”, por e dimë më mirë ne që kemi qënë e mbetem miq të Petrit Rukës, ne që: (“me cabrioleta të pastër/(nuk) Hyjnë në ministri, dikastere e kuvend”).

III-“Poeti gjithë ditën pi veç një kafe të zezë” shkruan Kote dhe mua mu shfaq imazhi i poezisë “Baladë pensionistësh” të  Petrit  Rukës me vargjet: “Në lagjen tjetër, një kafe e hidhur,/Kushton dhjetë lekë më pak” me atë mbylljen e saj si një këmbanë morti: “Po Atdheu, atdheu, ku është që s`e shoh,/Do jetë shkrehur në vaj”? Ky imazh varfërie i Petrit Rukës më kujtoi përgjigjen e atij mini-strit francez të kulturës që, kur e pyetën gazetarët e huaj se: pse e kishin lënë në varfëri të skajëshme poetin e shquar (Alfred de Musse, nqse nuk gaboj) ai qetësisht u përgjegj: “Varfëria e poetit është pasuria e Francës”.  Sado cinike që tingëllon kjo përgjigje e ministrit francez, në qasje me Petrit Rukën është fatkeqësisht e saktë: varfëria e Petrit Rukës është vërtet pasuria e Shqipërisë. Ajo varfëri e shkaktuar nga pesëmbëdhjet vjet papunësi, ai tension për mbijetesë i dha impuls krijimtarisë së tij poetike falë të cilit krijoi ato perla aq të dashura dhe të kërkuara nga  lexuesit. Unë do them se më shumë se sa poezitë perla, Petrit Ruka është prurësi i baladave shqiptare nga mugëtira e shekujve, të cilat si kështjella të të restauruara dhe pastruara nga myshku e pluhuri i kohërave, i vuri në rrugëkalimet kyçe të letërsisë shqipe, në mbrojtje të identitetit të kombit. Për të restauruar një pikturë apo mur bedene shteti paguan jo pak, po për të restauruar një kështjellë arti gojor, sa do ti kushtonte vallë?

IV-“Poeti thur baladat, si në balada tretet” rrënkon në vargje poeti Kote, dhe mua më përshkroi një mornicë si një rrymë trefazore, pse mu kujtua se pikërisht shprehjen “tretem mbi baladë” ma pati thënë dikur vetë Petrit Ruka. Në një bashkëbisedim telefonik me atë para se të shkruante baladën  “Kostandini dhe Jurentina”, i thashë: Erdhi koha të mirresh me Kostandinin dhe besën e tij, Petrit. Vetëm ti mund ta risjellësh mes nesh këtë baladë, ndaj leri fare baladat e tjera. Të gjitha ato bashkë nuk kanë peshën dhe vlerën e saj.  –E di mu përgjegj ai, por po të them se kam plot pesë vjet që po lodhem, stërlodhem e tretem mbi atë baladë, por të “jap besën” se do ta përfundoj së shpejti.  Kjo “së shpejti” ishte vërtet “shpejt”, pse ai e publikoi baladën e tij brenda dy muajsh.

U drodha kur e lexova këtë frazë te Odise Kote. Ku e dinte Odiseja këtë

thënie të sivëllait Ruka, se unë askujt nuk ja kam thënë gjer më sot. Në fakt nuk duhet të habitem shumë, miqësia mes poetëve krijon mes tyre diçka të ngjashme me vëllezërit siamezë, me ndryshimin se mes tyre nuk trasmento-het gjaku, por ndjenjat e mendimet. Kështu shpjegohet që Odise Kote në vargun e tij ka cituar fjalën e Petrit Rukës. Sikur të mos mjaftonte kjo, Odise Kote na sjell vargun: “si një shenjt po vdes pak e pak”. Në fakt ky varg nuk më tronditi shumë sepse atë: “vd..s pak e pak” e kisha ndjerë qysh te ajo “tretja” e tij mbi baladë, por ajo që më hutoi ishte krahasimi ”si një shenjt”, prej nga mua mu shfaq imazhi i Shën Jeronimit, ashtu i dobët nga të pangrënët, ose më saktë nga mospasja kohë për të ngrënë sepse po përkthente Biblën. Dhe Petriti nxitonte të shkruante ndaj s’kishte kohë as për të ngrënë, tretej mbi vargje, e largonte gjumin me vargje…

Unë ju them se Petrit Ruka është vërtet një shenjtor i letërsisë shqipe, ai besonte dhe ishte vënë në shërbim të Perëndisë Art dhe Odise Kote është i pari që e shprehu këtë të vërtetë. Ne duhet vetëm ta besojmë Odisenë dhe ta lexojmë Biblën poetike të Petrit Rukës.

Thamë më sipër se: Për të restauruar një pikturë apo mur bedene shteti paguan jo pak, po për të restauruar një kështjellë arti gojor, sa do ti kushtonte shtetit vallë? Petrit Ruka  jo vetëm që nuk u pagua për kështjellat -balada që ripruri në kohën tonë, në ruajtje të gjuhës dhe identitetit kombëtar, por edhe ato pak kursime që kishte i shpenzoi për shkrime e botime dhe kur erdhi koha, ai : “për seanca me rreze kobalti s’ka lekë”. Një ngulç të mblidhet në shpirt, gati për të shpërthyer në ulërimë, por na  ngec në fyt kur shohim se: “Miq të dikurshëm, që i vjedhin idetë,/ vargjet e tij recitojnë në parlament”.  Dreq o punë kjo: po ku dinë deputetët të lexojnë poezi? Po të dinin të lexonin, eh po të dinin të lexonin, së paku të lexonin poezitë e Petrit Rukës, sa mirë do qe, sa punë të mira dhe të bukura do bënin: s’do mërgonte rinia duke plakur vendin, s’do “qante atdheu” ditë e natë. Ja që deputetët, miq të dikurshëm të poetit dinë vetëm “t’i vjedhin idetë’, ato ide që shfaqin vizione për rrugët e së ardhmes, ata i përddorin për asfaltimin e rrugëve të së shkuarës. Të vjen të shkosh para parlamentit kur hyjnë apo dalin ata dhe tu ulërish para fytyrës, por çfarë do fitonte Petrit nga kjo? Ne se ndihmuam dot kur pati nevojë, ndaj ndjehemi  fajtorë për ikjen e tij. Ndjehmei fajtor që nuk u bë ndonjeri nga ne ministër apo drejtor dikasteri, të bënte një tender koruptiv, sa për ti paguar poetit shepnzimet e seancave me rreze kobalti, sigurisht pa i treguar gjë atij, të mirit, të ndershmit, të tepelentit të madh Petrit Ruka. Sepse nuk e ndihmuan as ata:Miq të dikurshëm, që e lanë të papunë,/ (që për vete) ngrejnë grataçiela dhe kulla binjake”.

V-“Poeti hyn në tekste librash, mediume,vetmitar..” shkruan Kote. Sigurisht që Poeti do hyjë nëpër tekste librash, ngarkuar me baladat e poezitë e tij, siç hynte në portën e shtëpisë prindi ditën e rrogës ngarkuar me ushqimet e porsablera të familjes për muajin dhe fëmijët vrapojnë e i mblidhen rreth për ëmbëlsirat e mundëshme që ka prurë.

Veçse Petrit Rukës nuk i mblidhen rreth baladave vetëm fëmijët, por edhe pleqtë e moshuar i dëgjojnë me ëndje dhe i japin uratën aty ku ka rënë në gjumin e gjatë. Madje dhe Atdheu i dëgjon baladat e tij, përlotet dhe e shtrëngon lehtë në gjoksin e tij me dashuri e ëmbëlsi nëne, e përkëdhel lehtë lehtë dhe përpiqet ta mbajë sa më gjatë ashtu të bukur. Atdheu nuk e ka plagë në zemër Petrit Rukën, Atdheu e ka këngë në zemër Poetin.

Vetëm “Miq të dikurshëm, kanë gati fjalimet /Për mëshirë një titull dhe një dekorate”, do mblidhen nëpër salla nëpër përvjetorët e ikjes së tij, do flasin  me pasion për madhështinë e (pakuptueshme prej tyre) të tij, do citojnë vargje e libra të poetit, do…, por unë nuk do jem aty. Unë nuk do jem në asnjë përvjetor të ikjes së poetit sepse unë, diku, vetmitar, në përvjetorët e botimeve të poetit do çfletoj librat e tij. Sigurisht që do vijë dhe Petrit Ruka e do flasim për poezinë shqipe, të  sotme e të djeshme, do përmendim poetët e mëdhenj (si ai) të shpërfillur nga institucionet, pavarësisht dashurisë, bukurisë, finesës dhe forcës metaforike të vargut të tyre. Do këmbngul në bisedë për baladat që ai i ripruri në kohën tone, si një flamur që shpalosej në sulmin mbi hordhitë që synonin kështjellat tona. Sigurisht që do të flasism për poetin Odise Kote  dhe monumentet e tij poetike, dhe si rastësisht unë duke nxjerr ndezur celularin do ti them: Shih si shkruan Odise Kote te poezia “Poeti” për ty.. Shih sa bukur të ka shpirtëruar në vargje!

Sarandë, më gusht 2023

POETI

- Petrit Rukës

Poeti blen duhan rruge, të lirë, të hapur,

dhe pi cigarë të dredhur e kollitet rëndë.

Miq të dikurshëm, me cabrioleta të pastër,

Hyjnë në ministri, dikastere e kuvend.

Poeti gjithë ditën pi veç një kafe të zezë,

për seanca me rreze kobalti s’ka lekë.

Miq të dikurshëm, që i vjedhin idetë,

vargjet e tij recitojnë në parlament.

Poeti thur baladat, si në balada tretet,

nuk ka kura speciale, s’blen dot as ilaçe.

Miq të dikurshëm, që e lanë të papunë,

ngrejnë grataçiela dhe kulla binjake.

Poeti hyn në tekste librash, mediume,

vetmitar, si një shenjt po vdes pak e pak.

Miq të dikurshëm, kanë gati fjalimet,

Për mëshirë një titull dhe një dekoratë.

Poeti blen duhan rruge, të lirë e të hapur,

dhe pi cigarë të dredhur e kollitet rëndë.

Miq të dikurshëm, me cabrioleta të pastër,

Hyjnë në ministri, dikastere e kuvend.

6 korrik 2023



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora