| E premte, 04.08.2023, 07:55 PM |
Pesë a gjashtë njollat e zeza të BE-së dhe një problem yni për Kosovën!
Nga
Enver Bytyçi
Spanja,
Qipro, Sllovakia, Rumania dhe Greqia, të pesë këto vende të Bashkimit Europian,
prej më shumë se 15 vitesh refuzojnë ta njohin shtetin e Kosovës. Edhe duan
stabilitet në Ballkanin Perendimor, edhe i kontribuojnë konfliktit! Edhe thonë
pse morën pjesë në sulmet e NATO-s për çlirimin e Kosovës, sërishmi thonë se
“Kosova është pjesë e Serbisë”! Edhe e dinë që 95 përqind e popullsisë së
Kosovës kurrë nuk do të pranonte t’i kthehej Serbisë prapë se prapë prej 15
vitesh këto vende refuzojnë ta njohin vullnetin e banorëve të këtij vendi!
Ndërkohë që thonë se respektojnë demokracinë, lirinë e të drejtën, pikërisht
këto attribute të demokracisë ia mojonë një populli prej rreth dy million
banorëve.
Sllovakia
dhe Rumania ndjehen të kërcënuar nga agresioni rus në Ukrainë. Por ngurrojnë që
ta shohin si masë mbrojtëse të territorit të tyre njohjen e shtetësisë së
Kosovës! Greqia prej gati dy vitesh një dorë e mban në revani e tjetrën në
bakllava. Pra është mirë edhe me Kosovën, edhe me Serbinë! Dhe duket se dëshiron
që të dyja duart t’i mbajë në të dy tepsitë e ëmbëlsirave të preferuara të saj.
Ndaj nuk e njeh ende pavarësinë e Kosovës. Qipro dhe Spanja janë akoma më larg
se tri vendet e tjera në angazhimin e tyre të njohjes.
Spanja
ka privilegjin që të ketë të vetin të ngarkuarin për Punë të Jashtme dhe Siguri
në Europë, zotin Borrell. Por nuk ia jep privilegjin tjetër që të punojë me
drejtësi për zgjidhjen e konfliktit midis Kosovës dhe Serbisë. I ka kërkuar
ish-shefit të saj të diplomacisë që të përkrahë Serbinë, në vend që të përkrahë
njohjen e shtetësisë së Kosovës. Po ashtu Sllovakia vepron me emisarin
europian, Miroslav Lajçak. Edhe ky ishte dikur shef i diplomacisë sllovake.Të
dy këto vende jo vetëm nuk e njohin Kosovën, por ndikojnë dhe kërkojnë nga
përfaqësuesit e tyre në BE ta sabotojnë këtë pavarësi.
Të
pesë vendet që përmendëm më sipër janë pesë problemet e Bashkimit Europian, por
që cënojnë paqen, sigurinë dhe stabilitetin në Ballkanin Perendimor. Pesë
shtete, pesë pengesa, pesë mendje, pesë pishmanllëqe, pesë kontribute në
interes të armiqve të Europës dhe të Kosovës, sidomos të Rusisë. Pse? Thonë na
krijohet precedenti! Përralla! Nuk ka precedent në një demokraci. Demokracitë
funksionale dhe liberale nuk ndikohen nga liria dhe pavarësia e Kosovës, përkundrazi
përfitojnë prej saj. Demokracitë funksionojnë si një organizëm i gjallë e në
harmoni. Autokracitë janë ato që krijojnë problem. Ishte dhuna, terrori,
genocidi serb i Milosheviçit në Kosovë arsyeja e ndërhyrjes së NATO-s dhe e
çlirimit të Kosovës nga makineria ushtarake e policore e Serbisë. Po ashtu edhe
arsyeja e shtetësisë dhe pavarësisë së saj, sepse nuk ka liri pa shtetësi e
pavarësi.
Kjo
arsye u mungon të pesë shteteve, Greqisë, Spanjës, Sllovakisë, Rumanisë dhe
Qipros, nëse ato e konsiderojnë veten demokraci dhe vende të lira! Qipro thotë
se po krijoka precedentin e ndarjes së Qipros së Veriut?! Hahahaha! Po ishin
qipriotët grekë të jugut ata që votuan kundër bashkimit në referendumin e para
18 viteve, organizuar nga OKB! Nuk ishin qipriotët turq! Megjithatë BE e
favorizoi Qipron, duke e pranuar në union!
Tashmë
kur kanë kaluar 15 vite do të duhej implementuar pavarësia, liria, shtetësia e
Kosovës. Por është mos-njohja e këtyre pesë shteteve që e ka sjell situatën
deri në këtë pikë, sa Europa vetë të përjetojë vazhdimisht ankthin e
shpërthimit të një konflikti të ri në rajon. Problemi i gjashtë për mua janë
disa vende europiane që e kanë njohur shtetësinë e pavarësinë e Kosovës dhe nga
ana tjetër e pengojnë atë në rrugën e integrimeve. Edhe këto vende i
kontribuojnë destabilitetit ballkanik e europian. Më së shumti Franca dhe
Hungaria. Kjo e fundit ishte vëzhguese e iniciatvës serbe të Open Balkan. Ky
problem është po aq serioz dhe i rrezikshëm sa edhe mos-njohja e pesë vendeve.
Madje moralisht më keq se kaq. I dënueshëm, sepse njohja rezulton si hipokrizi,
si përpjekje për mashtrim. Çfarë efekti do të kishte një njohje e shtetit të
Kosovës e ndërkohë shteti njohës të votonte vite me radhë kundër liberalizimit
të vizave ose kundër nënshkrimit të MSA?!
Dhe
së fundmi, ne shqiptarët kemi një problem tonin. Fatkeqësisht, për herë të parë
problemi ynë është kryeministri i Shqipërisë dhe mbështetësit e tij për
rrënimin e lirisë, pavarësisë, integritetit territorial, institucioneve dhe
sovranitetit të Kosovës. Gjithnjë në marrëveshje dhe në bashkëpunim me Serbinë.
Madje akoma më ngushtësisht se dy të dërguarit e dy vendeve mos-njohëse,
zotërinjve Borrell e Lajçak.
___________
E
gjeni ne libraritë “Dukagjini” e te Albanologjiku në Prishtinë! Po ashtu në Adrion
te Pallati i Kulturës në Tiranë!
Gjendet
edhe në Prizren e Pejë! Së shpejti do të jetë në Shkup, Tetovë, Gostivar dhe
qytete të tjera të Maqedonisë së Veriut!