| E enjte, 03.08.2023, 07:59 PM |
Emigrantët e Greqisë
emigrantë dhe në Atdheun e tyre
Nga
Albert Z. ZHOLI
Historia
shqiptare e dhjetëvjeçarit të fundit është e lidhur në mënyrë të ngushtë me
emigracionin, kryesisht atë ekonomik. Pas proceseve demokratike të viteve ‘90,
mungesa e një strategjie konkrete, si dhe mosvlerësimi real i pasojave të këtij
fenomeni, çuan në mosmarrjen e masave efikase në drejtim të parandalimit të
tij. Për pasojë nga vitet ‘91 e në vazhdim, emigracioni mori përmasa të gjera.
Eksodet masive të shqiptarëve në drejtim të Italisë, të cilat u shoqëruan me
një sërë tragjedish, që çuan në humbjen e jetëve njerëzore si ajo e Otrantos, ende
vazhdojnë të përbëjnë një aspekt të hidhur të së kaluarës mbi emigracionin. Me
qëllim parandalimin e fenomeve të tilla si dhe plotësimin e angazhimeve të
ndërmarra në nivel ndërkombëtar nga shteti shqiptar, u morën masa të rrepta për
kontrollin e rrugëve detare të trafikut. Në këto kushte, destinacioni i
shumicës së emigrantëve shqiptarë u bë Greqia. Emigracioni drejt shtetit grek,
i favorizuar edhe nga kushtet gjeografike e bën mjaft të vështirë vënien nën
kontroll të plotë të kufijve. Shumë emigrantë shqiptarë të paligjshëm kalojnë
kufirin nëpërmjet maleve. Kjo plagë e shoqërisë shqiptare, jo në pak raste
është shoqëruar edhe me fenomene negative, që lidhen me mungesën e një trajtimi
të përshtatshëm për emigrantet shqiptarë. Përmendim "operacionet fshesë"
të ndërmarra nga policia greke që lidhen me dëbimet masive të emigrantëve
shqiptarë nga territori grek. Këto operacione shpeshherë kanë shërbyer si mjet
për të fshehur mungesën e një politike të mirëfilltë emigracioni ose edhe të
parandalimit të kriminalitetit nga qeveria greke. Në raste të tilla janë vënë
re cënime të të drejtave dhe lirive themelore të emigrantëve shqiptarë. Por jo
të gjitha rastet e shkeljeve të të drejtave të tyre janë bërë publike ose janë
rivendosur.
Të jesh emigrant
shqiptar në Greqi
Të
jesh emigrant shqiptar në Greqi ka qenë një arsye për t'u përballuar me
padrejtësitë. Paragjykim i sjelljes së shqiptarëve, ekzagjerim i incidenteve,
ku është pjesëtar ndonjë emigrant shqiptar, veprim të nxituar e agresiv nga
policia, qëndrim ekstrem nga drejtësia. Kështu, mbijeton racizmi edhe pas
miratimit të fundit të ligjit kundër racizmit. Shqiptarët, pa u bërë hetimi
përkatës, shpallen si autorë edhe pse, shpeshherë, as që janë të dyshuar. Nga
individ e qarqe të veçanta cilësohen si keqbërës aq sa publikisht u bëhet
thirrje vendasve të marrin malet për t'i përzënë. Jo gjithnjë e kudo, por
shpesh përballen me një realitet aspak "vëllazëror" edhe pse me shumë
zhurmë ndërmjet dy vendeve trumbetohet për ekzistencën e një politike e miqësie
shumë të mirë. Përkundrazi, racizmi kundrejt shqiptarëve arrin deri në episode
të dhimbshme. 20 vjet rresht shteti grek nuk arriti të formulojë asnjë politikë
efikase për emigracionin, për këta emigrantë që varfëria dhe papunësia i shtyu
të gjenden në Greqi. Akoma më e dhimbshme; vrasjet makabre ndaj emigrantëve
shqiptarë ende nuk janë hetuar, pasi dosjet janë mbyllur njëherë e përgjithmonë
nga drejtësia greke, duke lënë në errësirë arsyen përse u vranë këta emigrantë?
Mos hetimi i vrasjeve përcjell një imazh të keq për viktimat, ku eshtrat e tyre
ende presin një pafajësim nga drejtësia. Familjet e viktimave i kërkojnë
shtetit shqiptar për të filluar sa më shpejt negociatat me vendin fqinj për
hapjen e këtyre dosjeve, sepse nuk është fjala për një apo dy, por për dhjetëra
vrasje të emigrantëve shqiptarë të pafajshëm. Duke nxjerrë në dritë të vërtetën
mbi këto vrasje makabre të emigrantëve shqiptarë nuk bëjmë gjykimin, por
kërkojmë drejtësi. Për hir të së vërtetës, nuk janë llogaritur plagosjet dhe
vdekjet në fushat e minuara të Greqisë, apo mbytjet në lumin Ebro në detin
Egje. Gjithashtu, nuk është llogaritur numri i vdekjeve të emigrantëve në
ambientet e punës, as aksidentet e tjera që ndodhin në jetën e përditshme.
Dikur turist shqiptar
Një
vitalitet mbinjerëzor për të mbijetuar me një prirje vetëshkatërruese dhe
teoria tjetër shqiptaro-fobe, si njerëz me atavizma fiziologjike, si p.sh, të
prapambetur, inferiorë, të paditur etj, të parë nga një optikë tejet e zezë.
Për fat të keq, nga kjo optikë u panë dhe u bënë të njohur emigrantët shqiptarë
me mbërritjen e tyre në tokën greke, në fillim të viteve 90 nga qarqe të
caktuara, por jo nga populli grek. Besoj se të gjithë e kemi dëgjuar shprehjen
ofenduese raciste, gjithë ironi "einai albvanos turistas (është turist shqiptar),
shprehje, e cila e kishte prejardhjen ose më mirë rrënjën e saj në një prej
justifikimeve të nxjerra nga vetë emigrantët shqiptarë, që hynë në këtë vend,
për të arsyetuar qëndrimin dhe për të ruajtur sadopak atë krenarinë, që i
karakterizonte. Por nuk shiheshin vetëm nga ana ofenduese e prizmit, ekzistonte
dhe ana tjetër, ata që shiheshin me keqardhje dhe aspak me ironi ishin ata
emigrantë që për hir të interesave të tyre mohonin gjithçka, ishin njerëz të
paditur, ose më mirë vetëkarakterizoheshin si tibetianët e Europës. Kishte
diçka të vërtetë në këtë vetëkarakterizim, niveli i ulët i jetesës dhe liria e
kufizuar..., por jo padituria. Fluksi i madh i emigrantëve shqiptar e gjeti
krejtësisht të papërgatitur shtetin grek, në të cilin mungonin institucionet e
mirëfillta të specializuara për integrimin social dhe ekonomik të emigrantëve
në këtë shoqëri të re, një shtet në të cilin nuk ekzistonte, as statusi i
emigrantit. Të ardhur me shpresën, të mbartur me ëndrra dhe mendime pozitive,
emigrantët që në vitet e para të qëndrimit të tyre humbën diçka të rëndësishme,
optimizmin dhe u përballën me zhgënjimin dhe deziluzionin, që i detyruan të
harrojnë kuptimin dhe esencën e mendimeve pozitive të nisura dikur si dhe
variacionin e mënyrës së jetesës dhe kthimit në një monotoni të plotë
pesimizmi. Premtime, premtime pambarim, iluzione, që zbeheshin ngadalë dhe
rikthim në një realitet të ashpër, të përballur me probleme, të cilat nuk
merrnin kurrë rrugën e zgjidhjes. Nga njëra anë, emigrantët bëheshin çdo ditë e
më shumë një forcë jetike e vyer në ekonominë dhe shoqërinë greke dhe nga ana
tjetër aq më shumë i largoheshin për shkak të burokracisë, që mbizotëronte,
integrimit të plotë në atë vend që për shumicën ishte bërë atdheu i dytë që
kishin zgjedhur. Një nga problemet më të theksuara, racizmi i paarsyetuar.
Ksenofobia, një plagë që skalitej çdo ditë dhe nuk mbyllej me asnjë gjasë.
Shumica e emigrantëve duke pranuar realitetin, reagonin me indiferentizëm, por
me kalimin e kohës racizmi u bë diçka disi e pranueshme dhe ky indiferentizëm
bëri që racizmi, mos të ndikonte më në jetën e përditshme të tyre ose më mirë
gjetën një forcë të brendshme, të mundeshin të mos bëheshin robër të kësaj
gjendje. Problem tjetër, tepër i theksuar, që ekziston akoma, trafiku i qenieve
njerëzore...indiferentizmi i plotë, gjendja jo e mirë ekonomike, mungesa e
përgjegjësisë së organeve ekzistuese të drejtësisë, bashkëpunimi i individëve
me forca politike e shtetërore, mungesa e sensibilizimit të opinionit publik,
bënë që ky fenomen të marrë përmasa të gjera në kohën e fluksit të emigracionit
në shtetin grek. Dhe është për t’u çuditur me faktin, se, ndërsa ishim vendi me
tradita më të lashta për mbrojtjen e familjes dhe të nderit, papritur me hapjen
e kufijve, u zhdukën të gjitha këto principe të hijshme. Dhe si rrjedhojë, me
"të thatin u dogj dhe i njomi", një arsye më shumë që të përforconte
atë mendim të gabuar, që kishin krijuar për shqiptarët, vendasit grekë.
Entuziazmi i momentit ia la vendin një realiteti të dhimbshëm, që lidhet me
krizën ekonomike të viteve 2004-2011. Viktimat e para të kësaj krize mbërtheu
Greqinë, ishin emigrantët shqiptarë. Ishin të paktë ata që mundën të ruajnë vendet e punës dhe të shumtë
ata mbushën sheshet, ku kërkohej punë dhe akoma më shumë ishin ata emigrantë,
që u detyruan të marrin rrugën e kthimit. Për ku? Në Atdhe! Ato ku papunësia
ishte më e madhe dhe korrupsioni galopant. Edhe në atdhe ata u ndjenë sërish të
huaj. Asnjë politkë ekonomike lehtësuese. Asnjë mbështetje nga qeveria.
Trokisnin në dyer që s’u zgjidhnin hall! Kjo është fytyra e vërtetë e
emigrantëve shqiptarë të Greqisë.