E premte, 29.03.2024, 06:38 AM (GMT)

Mendime

Albert Zholi: Emigrantët e Greqisë emigrantë dhe në Atdheun e tyre

E enjte, 03.08.2023, 06:59 PM


Emigrantët e Greqisë emigrantë dhe në Atdheun e tyre

Nga Albert Z. ZHOLI

Historia shqiptare e dhjetëvjeçarit të fundit është e lidhur në mënyrë të ngushtë me emigracionin, kryesisht atë ekonomik. Pas proceseve demokratike të viteve ‘90, mungesa e një strategjie konkrete, si dhe mosvlerësimi real i pasojave të këtij fenomeni, çuan në mosmarrjen e masave efikase në drejtim të parandalimit të tij. Për pasojë nga vitet ‘91 e në vazhdim, emigracioni mori përmasa të gjera. Eksodet masive të shqiptarëve në drejtim të Italisë, të cilat u shoqëruan me një sërë tragjedish, që çuan në humbjen e jetëve njerëzore si ajo e Otrantos, ende vazhdojnë të përbëjnë një aspekt të hidhur të së kaluarës mbi emigracionin. Me qëllim parandalimin e fenomeve të tilla si dhe plotësimin e angazhimeve të ndërmarra në nivel ndërkombëtar nga shteti shqiptar, u morën masa të rrepta për kontrollin e rrugëve detare të trafikut. Në këto kushte, destinacioni i shumicës së emigrantëve shqiptarë u bë Greqia. Emigracioni drejt shtetit grek, i favorizuar edhe nga kushtet gjeografike e bën mjaft të vështirë vënien nën kontroll të plotë të kufijve. Shumë emigrantë shqiptarë të paligjshëm kalojnë kufirin nëpërmjet maleve. Kjo plagë e shoqërisë shqiptare, jo në pak raste është shoqëruar edhe me fenomene negative, që lidhen me mungesën e një trajtimi të përshtatshëm për emigrantet shqiptarë. Përmendim "operacionet fshesë" të ndërmarra nga policia greke që lidhen me dëbimet masive të emigrantëve shqiptarë nga territori grek. Këto operacione shpeshherë kanë shërbyer si mjet për të fshehur mungesën e një politike të mirëfilltë emigracioni ose edhe të parandalimit të kriminalitetit nga qeveria greke. Në raste të tilla janë vënë re cënime të të drejtave dhe lirive themelore të emigrantëve shqiptarë. Por jo të gjitha rastet e shkeljeve të të drejtave të tyre janë bërë publike ose janë rivendosur.

Të jesh emigrant shqiptar në Greqi

Të jesh emigrant shqiptar në Greqi ka qenë një arsye për t'u përballuar me padrejtësitë. Paragjykim i sjelljes së shqiptarëve, ekzagjerim i incidenteve, ku është pjesëtar ndonjë emigrant shqiptar, veprim të nxituar e agresiv nga policia, qëndrim ekstrem nga drejtësia. Kështu, mbijeton racizmi edhe pas miratimit të fundit të ligjit kundër racizmit. Shqiptarët, pa u bërë hetimi përkatës, shpallen si autorë edhe pse, shpeshherë, as që janë të dyshuar. Nga individ e qarqe të veçanta cilësohen si keqbërës aq sa publikisht u bëhet thirrje vendasve të marrin malet për t'i përzënë. Jo gjithnjë e kudo, por shpesh përballen me një realitet aspak "vëllazëror" edhe pse me shumë zhurmë ndërmjet dy vendeve trumbetohet për ekzistencën e një politike e miqësie shumë të mirë. Përkundrazi, racizmi kundrejt shqiptarëve arrin deri në episode të dhimbshme. 20 vjet rresht shteti grek nuk arriti të formulojë asnjë politikë efikase për emigracionin, për këta emigrantë që varfëria dhe papunësia i shtyu të gjenden në Greqi. Akoma më e dhimbshme; vrasjet makabre ndaj emigrantëve shqiptarë ende nuk janë hetuar, pasi dosjet janë mbyllur njëherë e përgjithmonë nga drejtësia greke, duke lënë në errësirë arsyen përse u vranë këta emigrantë? Mos hetimi i vrasjeve përcjell një imazh të keq për viktimat, ku eshtrat e tyre ende presin një pafajësim nga drejtësia. Familjet e viktimave i kërkojnë shtetit shqiptar për të filluar sa më shpejt negociatat me vendin fqinj për hapjen e këtyre dosjeve, sepse nuk është fjala për një apo dy, por për dhjetëra vrasje të emigrantëve shqiptarë të pafajshëm. Duke nxjerrë në dritë të vërtetën mbi këto vrasje makabre të emigrantëve shqiptarë nuk bëjmë gjykimin, por kërkojmë drejtësi. Për hir të së vërtetës, nuk janë llogaritur plagosjet dhe vdekjet në fushat e minuara të Greqisë, apo mbytjet në lumin Ebro në detin Egje. Gjithashtu, nuk është llogaritur numri i vdekjeve të emigrantëve në ambientet e punës, as aksidentet e tjera që ndodhin në jetën e përditshme.

Dikur turist shqiptar

Një vitalitet mbinjerëzor për të mbijetuar me një prirje vetëshkatërruese dhe teoria tjetër shqiptaro-fobe, si njerëz me atavizma fiziologjike, si p.sh, të prapambetur, inferiorë, të paditur etj, të parë nga një optikë tejet e zezë. Për fat të keq, nga kjo optikë u panë dhe u bënë të njohur emigrantët shqiptarë me mbërritjen e tyre në tokën greke, në fillim të viteve 90 nga qarqe të caktuara, por jo nga populli grek. Besoj se të gjithë e kemi dëgjuar shprehjen ofenduese raciste, gjithë ironi "einai albvanos turistas (është turist shqiptar), shprehje, e cila e kishte prejardhjen ose më mirë rrënjën e saj në një prej justifikimeve të nxjerra nga vetë emigrantët shqiptarë, që hynë në këtë vend, për të arsyetuar qëndrimin dhe për të ruajtur sadopak atë krenarinë, që i karakterizonte. Por nuk shiheshin vetëm nga ana ofenduese e prizmit, ekzistonte dhe ana tjetër, ata që shiheshin me keqardhje dhe aspak me ironi ishin ata emigrantë që për hir të interesave të tyre mohonin gjithçka, ishin njerëz të paditur, ose më mirë vetëkarakterizoheshin si tibetianët e Europës. Kishte diçka të vërtetë në këtë vetëkarakterizim, niveli i ulët i jetesës dhe liria e kufizuar..., por jo padituria. Fluksi i madh i emigrantëve shqiptar e gjeti krejtësisht të papërgatitur shtetin grek, në të cilin mungonin institucionet e mirëfillta të specializuara për integrimin social dhe ekonomik të emigrantëve në këtë shoqëri të re, një shtet në të cilin nuk ekzistonte, as statusi i emigrantit. Të ardhur me shpresën, të mbartur me ëndrra dhe mendime pozitive, emigrantët që në vitet e para të qëndrimit të tyre humbën diçka të rëndësishme, optimizmin dhe u përballën me zhgënjimin dhe deziluzionin, që i detyruan të harrojnë kuptimin dhe esencën e mendimeve pozitive të nisura dikur si dhe variacionin e mënyrës së jetesës dhe kthimit në një monotoni të plotë pesimizmi. Premtime, premtime pambarim, iluzione, që zbeheshin ngadalë dhe rikthim në një realitet të ashpër, të përballur me probleme, të cilat nuk merrnin kurrë rrugën e zgjidhjes. Nga njëra anë, emigrantët bëheshin çdo ditë e më shumë një forcë jetike e vyer në ekonominë dhe shoqërinë greke dhe nga ana tjetër aq më shumë i largoheshin për shkak të burokracisë, që mbizotëronte, integrimit të plotë në atë vend që për shumicën ishte bërë atdheu i dytë që kishin zgjedhur. Një nga problemet më të theksuara, racizmi i paarsyetuar. Ksenofobia, një plagë që skalitej çdo ditë dhe nuk mbyllej me asnjë gjasë. Shumica e emigrantëve duke pranuar realitetin, reagonin me indiferentizëm, por me kalimin e kohës racizmi u bë diçka disi e pranueshme dhe ky indiferentizëm bëri që racizmi, mos të ndikonte më në jetën e përditshme të tyre ose më mirë gjetën një forcë të brendshme, të mundeshin të mos bëheshin robër të kësaj gjendje. Problem tjetër, tepër i theksuar, që ekziston akoma, trafiku i qenieve njerëzore...indiferentizmi i plotë, gjendja jo e mirë ekonomike, mungesa e përgjegjësisë së organeve ekzistuese të drejtësisë, bashkëpunimi i individëve me forca politike e shtetërore, mungesa e sensibilizimit të opinionit publik, bënë që ky fenomen të marrë përmasa të gjera në kohën e fluksit të emigracionit në shtetin grek. Dhe është për t’u çuditur me faktin, se, ndërsa ishim vendi me tradita më të lashta për mbrojtjen e familjes dhe të nderit, papritur me hapjen e kufijve, u zhdukën të gjitha këto principe të hijshme. Dhe si rrjedhojë, me "të thatin u dogj dhe i njomi", një arsye më shumë që të përforconte atë mendim të gabuar, që kishin krijuar për shqiptarët, vendasit grekë. Entuziazmi i momentit ia la vendin një realiteti të dhimbshëm, që lidhet me krizën ekonomike të viteve 2004-2011. Viktimat e para të kësaj krize mbërtheu Greqinë, ishin emigrantët shqiptarë. Ishin të paktë ata që  mundën të ruajnë vendet e punës dhe të shumtë ata mbushën sheshet, ku kërkohej punë dhe akoma më shumë ishin ata emigrantë, që u detyruan të marrin rrugën e kthimit. Për ku? Në Atdhe! Ato ku papunësia ishte më e madhe dhe korrupsioni galopant. Edhe në atdhe ata u ndjenë sërish të huaj. Asnjë politkë ekonomike lehtësuese. Asnjë mbështetje nga qeveria. Trokisnin në dyer që s’u zgjidhnin hall! Kjo është fytyra e vërtetë e emigrantëve shqiptarë të Greqisë.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora