Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Përparim Hysi: Pse dallëndyshja e bën folenë tek"koka e njeriut"?

| E merkure, 02.08.2023, 06:47 PM |


Pse dallëndyshja e bën folenë tek"koka e njeriut"?

(tregim)

Nga Përparim Hysi

Sivjet nuk kam parë dallëndyshe.Duket i ka"vrarë" betoni dhe zhdukja e pemëve e gjelëbrimi rreth e qark. Dallëndyshja nga shpendët dhe bleta nga insektet,  jo vetëm janë miqtë tanë,  por në një"studim serioz e shkencor" janë dëshmi që ndikojnë në jetën e  njerëzve.

*     *    *

Sot do tregoj një tregim për dallëndyshet që është paksa si përrallë. Përrallë që përkon me një realitet të prekshëm nga gjithë njerëzit në botë. Është një fakt shumë domethënës:dallëndyshet i bëjnë foletë në shtëpitë tona. Dhe kurrë s'e kemi vrarë mendjen:-Pse ndodh kështu?

Sidoqoftë,  ka ardhur gojë pas goje,  përmjet të moshuarëve që tregojnë pse ndodh kështu?

*       *     *

Udhëtonin me një vapor shumë pasagjerë. Veç njerëzve,  - tregojnë që në vapor,  ishte një dallëndyshe,  një mushkonjë dhe një gjarpër. Kur vapori ish mes ujërave,  befas përson një  avari. Hapet një vrimë rrethore që,  sado e vogël,  duhej mbyllur menjëherë,  se ndryshe vapori,  me gjithë pasagjerë do mbytej. Kapiteni i vaporit dha alarmin dhe kish vetëm një alternativë:o të mbyllej vrima,  o  humbnin me gjithësej. Në këtë kohë,  foli gjarpëri:-Vrimën e zë unë,  por dua  si shpërblim që të pi gjakun më të ëmbël! Gjakun vete e kërkoj unë,  - tha mushkonja dhe u nis fluturim. Gjarpëri u mblodh "kutullac" dhe e zuri vrimën. Mushkonja u vu në kërkim të gjakut më të ëmbël dhe,  pasi pickoi kafshë,  shpezë e njerëz,  vuri re që gjakun më të ëmbël e kishte njeriu. U kthye në vapor dhe klithi:- O gjarpër,  gjakun më të ëmbëj e ka nj...,  dallëndyshja,  pas kësaj "nj" tak dhe ia preu gjuhën mushkonjës.Mushkonja vetëm bënte"cëz". Gjarpëri nuk e mori dot vesh për gjakun më të ëmbël,  por veprimin e dallëndyshes e pa dhe iu lëshua me inat dallëndyshes:- Moj dallëndyshe ti që i preve gjuhën mushkonjës,  nuk do shpëtosh nga mallkimi im. Unë nuk do të lë qoftë dhe një zok tëndin në fole.

Mua,  - foli dallëndyshja,  - ti do më marrësh të keqen,  se unë folenë time do ta bëj mu "tek koka e njeriut". Dhe prej asaj kohe.dallëndyshet foletë i bëjnë në shtëpitë tona dhe kurrë ne nuk i prishim foletë e dallëndysheve.Ato janë aq të dashura për njerëzit,  sa ç'është buka. Mushkonjat vazhdojnë e bëjnë"cëz" dhe gjarpëri nuk sulmom veç njerëzit.

Kjo vërtet është përrallë,  po sa të vërteta ka brenda. Unë e shkrova në këtë vapë,  se janë shtuar mushkonjat dhe,  për fat të keq,  nuk kam parë dallëndyshe këtej pari.

Tiranë,   1 gusht   2023