E enjte, 25.04.2024, 08:43 AM (GMT+1)

Mendime

Idriz Zeqiraj: Deli Balidemaj, malsori i Martinaj, deputet në Bavari

E diele, 30.07.2023, 07:55 PM


DELI BALIDEMAJ - MALSORI I MARTINAJ, DEPUTET NË BAVARI TE EPERME

NGA IDRIZ ZEQIRAJ

I lindur më 27 korrik të vitit 1967 në Martinaj, Komuna e Plavës, në një familje të një nëpunësi komunal përparimtar, i rcili i shkolloi të katër djemtë dhe vajzën. Djali i katert, Deliu, Shkollën fillore e mbaroi në vendlindje, të mesmën dhe Fakultetin Elektroteknik në Prishtinë. Që nga viti 1997 jeton e punon në kryeqytetin e Republikës së Bayernit-Myni

Pasi ka përfunduar specializimin në shkencat Kompjuterike, nga viti 2002 punon  per Qytetin e Mynihut, aktualisht në repartin e IT -IT@M.

Në vitin 2010 angazhohet në Partinë e të Gjelbërve, parti kjo që iu kushton vëmendje të veçantë çështjeve të ambientit, atyre sociale dhe të drejtave të njeriut. Partia e Gjelbërt viteve të fundit ka bërë ngritje të vazhdueshme. Si anëtar në Kryesinë e të Gjelbërve, për Veriun e Munihut, mbanë përgjegjësi edhe në drejtimin e partisë, duke u bërë ndër zërat më të suksesshëm në politikën gjermane.

Në mars të vitit 2014, Ing. Deli Balidemaj, e gjejmë në detyrën e Nënkryetarit të dytë,  në Ansamblenë Komunale të Rrethit, Munih – Milbertshofen am Hart, si dhe përgjegjës për Integrime.

Nga Tetori i vitit 2018 z. Balidemaj është deputet në Parlamentin e Bavarisë së Epërme.

Nga marsi i vitit 2020, Ing. Deli Balidemajn, e gjejmë në detyrën e Nënkryetarit të parë,  në Ansamblenë Komunale të Rrethit, Mynih – Feldmoching- Hasenbergl, si dhe përgjegjes për Integrime.

Zotëri Deli Balidemaj tash e tutje do të mbajë një pozitë të rëndësishme në shtetin gjerman. Ai është emëruar këshilltar bashkiak i qytetit të Mynihut, duke pasuar z. Bernd Schreyer i cili dha dorëheqje nga mandati i tij të hënën për shkak të një relativizimi të Holokaustit. Schreyer e kishte krahasuar kritikën aktuale të politikës së të Gjelbërve me persekutimin e hebrenjve.
Ai kishte kërkuar falje për këtë dhe kishte paralajmëruar tërheqjen e tij si pasojë.

Në një artikull përkushtues, gazeta gjermane "Abendzeitung", shkruan se "Balidemaj, 55 vjeçar, ka ardhur në Mynih nga Martinajt, Plavë e Guci, para 25 vitesh. Është i martuar dhe ka dy fëmijë të rritur. Sipas artikullit, ai aktualisht punon për kompaninë e qytetit it@M, e cila kujdeset për digjitalizimin në qytetin e Mynihut.

Rreth dhjetë vjetë më parë, Balidemaj filloi të përfshihej në politikë dhe në zgjedhjet e vitit 2018 u zgjodh në parlamentin e Bavarisë së Epërme. Ai është anëtar i komitetit të rrethit Feldmoching-Hasenbergl që nga viti 2020, ku u zgjodh nënkryetar i parë dhe gjithashtu mban detyrën e përgjegjësit për integrime. Integrimi është gjithashtu një nga prioritetet e tij politike.

Përpos politikave integrative edhe politikat e digjitalizimit, çështjeve sociale, strehimit, sportit dhe gjithëpërfshirjes, janë tema me prioritet në veprimtarinë politike të z. Balidemaj”, shkruan mes tjerash gazeta gjermane.

Ajo madje edhe citon Balidemajn. “Unë e di, nga përvoja ime, për pasojat e një politike të vonuar integruese dhe për këtë arsye kam filluar të përfshihem në politikë. Jam shumë i lumtur që tani mund ta bëj këtë në Këshillin Bashkiak të Mynihut. Ndihem i nderuar që mund t’i shërbej qytetit tim në këtë mënyrë”, - citohet të këtë thënë ai.

Zotëri Deli Balidemaj rrëfen për një angazhim dhe kundërshti që pati, me pushtetarët e Bavarisë, lidhur me një padrejtësi cinike, e cila u bëhej emigracionit kosovarë, që kërkonin shtetësinë gjermane:

"Organet e Ministrisë të Brendshme bavareze, marrjen e shtetësisë gjermane, pas shpalljes të Pavarësisë të Kosovës, e kushtëzonin me heqjen jo vetëm të shtetësisë kosovare, por edhe serbe, të cilën nuk e kishin. Kjo ishte shumë e rëndë, e komplikuar, e kushtueshme, demoralizuese, nënçmuese e provokative! Shoqatat dhe aktivistë të komunitetit kosovar, u angazhuan të hiqet kjo padrejtësi!

Edhe në Parlamentin e Bavarisë, disa herë, me iniciativën time,  u bë kërkesa në Komisionin kushtetues, për këtë çështje. Kundërshtimi vinte çdo herë nga partia në pushtet CSU, e cila kishte një marrëdhënie të veçantë me Serbinë, dhe, së fundmi, iu bashkangjitën edhe "Fraue Wähler" dhe AFD. Ndërkohë, të gjitha partitë tjera e përkrahnin kërkesën tonë.

Që  nga data 08.10.2021, me një vendim të Ministrit të Shtetit, z. Herrman, edhe Bavaria ndjekë rrugën e Republikave tjera dhe nuk kërkon më që kosovarët të heqin shtetësinë e Serbisë."

Me rastin e ngritjes në postin drejtues të zotëri Deli Balidemaj dhe zgjedhjeve të pritshme partiake, bëmë një bisedë, me atë, i cili, me veprimtarinë e tij, i kudondodhur edhe në mesin e mërgimtarëve të të gjithë etnikumit shqiptar, me arritjet e tij politke në shoqërinë gjermane, është bërë frymëzim motivues, për brezin rinor të emigracionit shqiptar.

“Bota sot”: Z. Balidemaj, ju jeni deputet dhe tani edhe Këshilltar në Këshillin Bashkiak të qytetit të Mynihut, si e ndjeni vehten?

Deli Balidemaj: T`i shërbesh Qytetit që e don, qytetit ku më kanë lindur dy fëmijë, qytetit që m`i ka afruar të gjitha mundësitë e një jete të mire, është një nder dhe krenari e papërshkruar për mua. Njëkohësisht, të jeshë këshilltar i Këshillit Bashkiak të qytetit të Mynihut, është një përgjegjësi shumë e madhe. Qyteti i Mynihut  ka përafërsisht 1,5 milion banorë, i ndarë në 25 Këshille të rrethit, (Asamble) dhe ka një Këshill Bashkiak prej 80 këshilltarëve. Buxheti për vitin 2023 ishte 8,6 Miliardë Euro. Në Mynih jetojnë 180 nacionalitete dhe flitën 200 gjuhë te huaja. Të jeshë pjesë e vendimmarrjes, në qytetin ku jeton mbi 26 vjetë me familje dhe shoqëri, është për mua diçka e veçantë dhe shumë bujare.

"Bota sot": Cilat tema do të jenë preokupimi i juaj?

Deli Balidemaj: Në fushatën zgjedhore temat kryesore ishin diversiteti në shoqëri, arsimi dhe digjitalizimi. Arsim më inovativ dhe efektiv; të drejta të barabarta në arsim dhe punësim, për të gjithë. Garantimin e të drejtave të personave të hendikepuar; komunikacioni urban dhe ndërurban; mbrojtja e mjedisit; integrim më të mirë dhe cilësor të të huajve në shoqërinë gjermane. Ajo që sot shqetëson njerëzit në Gjermani dhe Evropë, është se flitet shumë për urrejtje, ka një shtim të gjuhës së urrejtjes. Ne të Gjelbërtit dhe unë, posaçërisht, nuk fokusohem vetëm tek kjo. Sigurisht, që ka sfida që duhet t’i trajtojmë me guxim, por ne duhet të ofrojmë zgjidhje dhe ide të zgjuara, jo gjithmonë me ankesa, ngase me ankesa nuk zgjedhen problemet.

“Bota sot”: Ju jeni edhe përgjegjës për integrime, ku është kufiri mes integrimit dhe asimilimit?

Deli Balidemaj: Të integrohesh është të kesh jetë më të mirë dhe të jesh pjesë aktive e shoqërisë. Këtu ka çdo qytetar/e të drejtën e pjesëmarrjes. Mëvaret nga individi sa merr pjesë në proceset shoqërore dhe çfarë përfitimesh ka. Integrimi, pjesëmarrja në rrjedhat shoqerore, nuk do të thotë se duhet të harrohet vendlindja, Atdheu! Përkundrazi, këtë gjë duhet ta kuptojnë dhe ta kenë gjithmonë parasysh bashkëkombasit e mi dhe të tjerët. Sa më të integruar, shoqërisht dhe profesionalisht, aq më shumë ka mundësi të ndihmohet vendi i lindjes. Neve nuk duhet dhe nuk mund të mohojmë kurrë prejardhjen tonë.

Shqiptarët dhe të huajt e tjerë që jetojnë jashtë vendit dhe janë aktivë në politikë dhe në fushat e tjera, mund të sjellin vetëm gjëra pozitive, si eksperienca dhe kultura të reja pune, për vendet e prejardhjes me një përkushtim dhe punë të madhe! Së pari, krijohen marrëdhënie mes njerëzve dhe shteteve dhe së dyti, fitohen njohuri dhe pikëpamje nga një këndvështrim tjetër, se si funksionon Gjermania, Europa si dhe politika gjermane, europiane.

P.sh. Shqiptarët këtu, në Gjermani, janë mirë të integruar, të vetëdijshëm se vetëm me punë dhe me përkushtim mund të arrijnë rezultate. Unë jam çdo herë i gatshëm për të biseduar rreth mundësive dhe ideve te reja të cilat do të avanconin pozitën e bashkatdhetarëve në Gjermani. Dhe, pres gjithashtu reagime, propozime si edhe kritika nga të gjithë bashkëkombasit.”

“Bota sot”: Si e shihni politikën e Kosovës dhe sa keni bashkëpunim me Konsullatën në Mynih?

Deli Balidemaj: Politika Kosovare, vitet e fundit, ka pasur zhvillime pozitive, edhe pse  është e rrënjosur thellë në strukturat ekzistuese apo të trashëguara. Dhe, nuk mund ose nuk kanë vullnet të shohin jashtë “rrethit të tyre”. Kohë të gjatë janë bërë gabime të njëpasnjëshme dhe, tani, nëse tentohet të ndryshohen ato praktika dhe të futën standarde të reja, ka rezistencë, që e bëjnë shumë të vështirë ndryshimin. Të gjithë ankohen se diçka nuk po funksionon, por, në anën tjetër, nuk përkrahen ndryshimet pozitive. Mjafton të dëgjosh gjithë ata analistë, që nuk kanë të bëjnë asgjë me realitetin, por vetëm me interesat e tyre vetanake dhe te punedhenesve te tyre. E tmerrshme, po e mbajnë një popull në pasiguri dhe ankth!

Qeveria ka bërë shumë punë, natyrisht, ka bërë edhe punë të mira. Normalisht se ka edhe gabime, kush nuk ka? Sa i përket bashkëpunimit me Konsullatën, nuk kam bashkëpunim, ngase nuk kemi gjetur gjuhë të përbashkët.

"Bota sot": Bashkimi Europian, së fundmi, i vuri Kosovës Sanksione! Si e vlerësoni këtë veprim?

Deli Balidemaj: Veprim shumë i gabuar dhe për cdo gjykim. Qeveria e Kosovës ishte një bashkëpunëtore e mirë gjatë bisedimeve. U mundua me gjithë mekanizmat egzistues ta mbrojë shtetesinë dhe ligjshmërinë e Republikës së Kosovës, njekohesisht, duke iu përbajtur në cdo pikë Marrëveshjeve. Fati ishte i tillë, që shumica e Emisarëve në bisedime nuk ishin neutral ndaj dy palëve.

Besoj se Qeveria do ta kishte shumë më të lehtë, nëse do ta kishte, paraprakisht, një pajtueshmëri në proceset kryesore dhe të ishin të njëzëri me opozitën. Është, vërtet, për keqardhje mosbashkëpunimi, respektivisht, qasjet, pothuajse, të kundërta të Qeverisë dhe Opozitës, edhe pse të dyja palet do të duhej të punonin për të mirën e vendit.

“Bota sot”: Ju jeni shumë aktiv dhe i angazhuar në përfshirjen dhe integrimin e bashkatdhetarëve në Bavari. Cili është mesazhi juaj për bashkatdhetarët?

Deli Balidemaj: Unë jam çdo herë i gatshëm, për të biseduar rreth mundësive dhe ideve të reja, të cilat do të avanconin pozitën e bashkatdhetarëve në Mynih-Bavari dhe pres gjithashtu reagime, propozime si edhe kritika nga të gjithë bashkëkombasit. Në të ardhmen, nga obligimet e shumta edhe nuk mund te jem gjithandej, por jam i hapur për bashkëpunim dhe të mirën e komunitetit. Arsimimi, puna e ndershme, respekti dhe, mbi të gjitha, familja e ngritur janë themelet, për një të ardhme të ndritur. Mendimet e ndryshme nuk duhen parë negativisht, pasi na bëjnë të reflektojmë! Vetëm të bashkuar do të mundemi të arrijmë qëllimet madhore

"Bota sot": Mandati juaj, si deputet në Parlamentin e Bavarisë së Epërme, përrfundon këtë vit. Cilat janë planet për të ardhmen?

Balidemaj: Po, kam kandiduar edhe për një mandat të dytë, me Programin e poshtë skicuar:

Demokracinë dhe Diversitetin në shoqëri;

Garantimin e të drejtave të personave të hendikepuar;

Për arsimim më kualitativ dhe efektiv;

Të drejta të barabarta për Arsim dhe Punësim;

Për një përkujdesje njerëzore të të moshuarëve;

Për integrim më të mirë të huajve në Shoqërinë Gjermane;

Për një përkujdesje më të mirë Psikologjike dhe Neurologjike të fëmijëve, të rinjëve dhe të rriturëve.

I ftoj te gjithë qytetarët e Oberbayernit, (Bajerni i Epërm), me të drejtë vote, që më 08 tetor 2023, të më përkrahin me votën e tyre. Unë nuk premtoj mrekullira, por premtoj se do të angazhohem, për aq sa kam mundësi dhe hapsirë, për Temat dhe Projektet që do t`i kemi përpara

Për fund, zotëri Balidemaj?

Balidemaj: Bota po ndryshon shpejtë, derisa politika ka ngecur tek strukturat e vjetra. Kjo tregon se kemi nevojë për njerëz të rinj, të cilët njohin mirë të gjitha sferat shoqërore dhe janë të profesionalizuar në sfera të veçanta.

Demokracia jonë frymon nga pjesëmarrja aktive e qytetarëve, nëse ata nuk votojnë, ajo dobësohet.

Unë vij nga një brez, ku nuk është më e rëndësishmja nga vjen, çfarë beson dhe çfarë ngjyre të lëkurës ke. Jam për një politikë gjithëpërfshirëse, pa asnjë dallim. Në Mynih, diku, një e treta e qytetarëve, kanë një prejardhje të huaj. Këta njerëz ndihmuan në ngritjen dhe ndërtimin e vendit. Nuk duhet të fshehemi, këtë duhet ta tregojmë ballhapur", - përfundon bisedën e çiltër dhe argumentuese, Dipl. Ing. Deli Balidemaj, anëtar i Parlamentit për Oberbayern.

Balidemaj aspiron dhe dëshiron të jetë një shembull për brezat e rinj. Ai me këtë dëshiron të inkurajojë brezat e rinj, se politika është jo vetëm reale, por edhe e arritshme.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora