Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Anton Nikë Berisha: Monografi e hartuar me dije dhe përkushtim

| E diele, 30.07.2023, 07:29 PM |


MONOGRAFI E HARTUAR ME DIJE DHE PËRKUSHTIM

Llesh Ndoj, Domgjoni. Në dokumente, gojëdhëna e histori. Botimi i dytë i ripunuar. Botoi Emal, Tiranë 2023, f. 464.

Nga Anton Nikë Berisha

Nga tradita gojore shumëshekullore në traditën e shkruar

Kush e njeh të kaluarën e popullit tonë, e di mirëfilli se nëpër rrjedhë të qindvjetshave ai ka krijuar dhe ka bartur gojarisht një trashëgimi të pasur shpirtërore nga se përmes kujtesës janë përcjellë përvojat jetësore, mendime, botëkuptimi; janë përcjellë gjuha, rite, zakone, mite, gojëdhëna, lloje të ndryshme letrare e shumëçka tjetër. Meqenëse ato nuk janë shënuar, nuk janë vënë në formën e shkruar, në pllaka të argjilës (siç ndodhi me shkrimin e “Epit të Gilgameshit”, rreth 4000 vjet më parë), në pergamenë ose në letër, shumëçka prej tyre është harruar dhe është zhdukur. Përmes kujtesës janë ruajtur ato gjëra që, për arsye të ndryshme, u kanë qëndruar kohëve dhe përzgjedhjes, kanë ngadhënjyer mbi të tjerat.

Gjetja e shkrimit, përkatësisht e të shkruarit u hapi rrugë të shumta përparimit dhe qytetërimit të njeriut; u shndërrua në “kujtesë” që i përballoi kohët. Zbulimi i shtypshkronjës dhe botimi i librave e përligji edhe më shumë rëndësinë e kësaj tradite. Së këndejmi, siç thotë Jorge Luis Borges, “Libri është një zgjatim i kujtesës dhe i imagjinatës”[1]. Si i tillë ai pati e ka një rëndësi të shumëfishtë, madje  të pazakonshme “[...] libri ka diçka të shenjtë dhe hyjnore. Nuk duhet ta nderojmë atë të shtyrë nga besëtytnia, por me dëshirën e madhërishme që të kridhemi në lumturi dhe në dije”[2]. Këtë rëndësi të librit e përligj dhe ky mendim i Stefan Cvajgut (Zweig): “Ishin librat ata që të parët më treguan pafundësinë e botës sonë, më mësuan dhe të shijoj kënaqësinë e zhytjes kokë e këmbë në këtë botë. Shumicën e lëvizjeve të shpirtit, shumicën e dëshirave tona, shpalosjen ngacmuese të ‘unit’ tonë ua kemi borxh librave[3]”.

Në qoftë se e kaluara ka punuar për të sotmen (ka ndikuar në të), atëherë edhe e tanishmja, e sotmja, siç thotë Voktor Hygo, duhet të punojë për të ardhmen[4], pra të bëjë për të nesërmen, duke i përcjellë asaj përvojën e dyfishtë: të së kaluarës dhe të së sotmes, ndryshe ajo do të jetë fluskore.

E bëra këtë hyrje të shkurtër që lidhet pandërmjetësisht me studimin monografik vëllimor të Llesh Ndojt “Domgjoni në dokumente, gojëdhëna e histori” (botimi i dytë me 464 faqe), një vend ngulim i Mirditës sa i rëndësishëm aq dhe i lashtë, për të cilin, mjerisht, kemi pak burime dhe të dhëna të hershme të shkruara për të mos folur për libra.

Fakte të shumta e ndriçime të rëndësishme

Shkrimtari dhe studiuesi, Llesh Ndoj, iu qas dhe e hartoi studimin monografik për vendlindjen e vet, Domgjonin, pos të tjerash për dy arsye kryesore.

E para: t’i vërë në formën e shkrimit, në libër, disa të dhëna në bazë të dokumenteve, po dhe të gojëdhënave, të përcjella prej një brezi tek tjetri, që dëshmojnë për lashtësinë dhe rrjedhën e gjallimit të këtij katundi të shquar të Mirditës, ku janë ruajtur gjurmë të lashta, por përcaktimi i saktë i tyre kërkon hulumtime nëpër arkiva e sidomos hulumtime arkeologjike, për t’u lënë të tjerëve, siç shprehej poeti i shquar anglez, Miltoni: “[...] trashëgim brezave të ardhmë diçka që mos ta harrojnë lehtë”[5].

E dyta: të dëshmojë se me flijim dhe me përkushtim mund t’u lihet brezave të sotëm e të ardhshëm, jo vetëm një varg të dhënash të shkruara për këtë qendër të rëndësishme mirditore, po edhe të dëshmojë një dashuri për çdo nderim për vendlindjen e vet, aty ku ka nisur formimin dhe është ballafaquar me ashpërsinë e jetës.

Është thënë me të drejtë se toka amtare, vendi ku ke lindur është parajsa e zemrës dhe se autori i kësaj monografie sikur është nisur nga mendimi se “[...] në qoftë se ne, me anë të dëshmisë sonë, i përcjellim brezit të ardhshëm qoftë edhe një pjezës të vërtetë, si gjurmë të asaj ngrehine të shembur, besoj se nuk do të kemi bërë diçka fare të kotë”[6].

Me këtë studim monografik Ndoj ka dhënë njëherit dhe një model që secili duhet të punojë me përkushtim për të ndriçuar të kaluarën e vendlindjes se vet, të dëshmojë një dashuri të thellë e të shumëfishtë, siç thoshte poeti i madh, Virgjili për atdheun: “Dashuria për atdheun është mbi të gjitha dashuritë”.

Dihet se vendlindja e secilit prej nesh mund të bënte pa ne, por po e hoqëm prej nesh atë që ajo ka mbjellë në ne, në shpirtin tonë, gjatë jetës, askush prej nesh nuk do të ishte i plotë dhe nuk do të ishte ai që është.

Vendlindja, si dhe atdheu, siç thotë Berne, nuk do dashuri të cunguar; ai që nuk bën gjithçka për të nuk bën asgjë; ai që nuk i jep gjithçka asaj, i ka mohuar gjithçka. Ngjet kështu për arsye se atë që njeriu e përjeton në vendlindje në fëmijëri, ajo i ngjizet në gjak dhe, pa marrë parasysh kohën, gjurmët e saj vështirë zhduken[7].

Në studimin e vet Llesh Ndoj ndriçon një varg dukurish e rrjedhash të Domgjonit nëpër shekuj. Në mënyrë të veçantë i vështron burimet natyrore, popullsinë, fiset, toponiminë, doket e zakonet, arsimin, kulturën, jep një varg portretesh të njerëzve të shquar të këtij vendbanimi të hershëm, fjala vjen, të atë Gjergj Fishtës (të parët e tij, të fisit të Thaçit, ishin nga Domgjoni), të vëllazërve Zef e Ndue Nekaj, të vëllezërve Çuni, po dhe flet për praninë e domgjonasve në disa katunde e qendra, edhe të Kosovës etj. Jo rrallë autori ndriçon dhe gjëra të “vogla”, po brenda të cilave fshihen fakte e kuptime të qenësishme, ashtu siç theksonte De Quincey, duke përsiatur për përrallën e Aladinit: “[...] bota është plot lidhje, tërë pasqyra magjike, dhe se çelësi për gjërat e mëdha gjendet te gjërat e vogla”[8].

Llesh Ndoj i ndërlidh gjërat dhe dukuritë, qoftë në vijën vertikale, qoftë në atë horizontale, duke hedhur dritë sa më shumë në historikun e këtij ngulimi për shumëçka të veçantë e të rëndësishëm.

Shpesh gjakon t’ia dalë asaj që thoshte njëri ndër filozofët e parë të Greqisë së lashtë, Talesi i Miletit (rreh vitit 626 deri 546 para Krishtit): “[...] në qoftë se një gjë ka dalë gjithmonë nga një tjetër, pa tjetër se ka një shkak të parë në zanafillën e lindjes së çdo gjëje[9]” ose të asaj që theksonte Edgar Allan Po: “Në unitetin fillestar të së parës gjë gjendet shkaku dytësor i të gjitha gjërave, bashkë me farën e asgjësimit të tyre të pashmangshëm”[10].

Pikërisht në thellësi shqyrtimi dhe analizimi të fakteve dhe të dhënave të hulumtuara dhe të mbledhura nga ai dhe të vjela nga studimet e autorëve të ndryshëm të Fanit dhe të Mirditës në përgjithësi, Llesh Noj synon t’i saktësojë rrjedhat dhe dukuritë, po duke lënë gjithmonë të hapur mundësinë e plotësimit dhe të ndryshimit nga ai dhe nga të tjerët, cilësi e studiuesve të shquar. Pra, në këtë monografi autori dëshmon për një qasje e punë studimore, për një konceptim dhe hartim të menduar të saj për ta shmangur “teorinë mjegullnajore”[11], e cila jo rrallë zbatohet te ne në librat e natyrës së këtillë. Edhe pse autori me përvujtëri thekson se librin e përbëjnë “[...] më tepër mbresa, gojëdhëna e konsiderata sesa të dhëna shkencore e dokumentare”[12], megjithatë dëshmohen vlerësime e mendime të mbështetura në fakte e të dhëna gojore e të shkruara, në hulumtime të vëmendshme, që lidhen me  lashtësinë e ngulimit, duke filluar nga emërtimi: “Jam i prirë t’i besoj lashtësisë së vendbanimit Domgjon, vijimësisë së ekzistencës së tij ndër shekuj, ashtu si edhe pranimit të marrjes së emrit të vendbanimit për shkak të dom Gjonit, klerikut katolik me prejardhje nga Gjakova”[13] ose “Domgjoni, me një emër tjetër nga ai që njihet aktualisht, është një vendbanim shumë i hershëm. Ekzistenca e tij, edhe pse jo plotësisht e studiuar dhe e dokumentuar, i përket periudhave shumë të hershme dhe është shumëshekullore. Dokumentet e studimet kushtuar Gurrës së Lashtë (Ujësjellësit) të këtij fshati, flasin për një vepër të shekullit VI, vepër unike në Shqipëri dhe e dyta në Ballkan. Një vepër e këtij niveli e realizimi inxhiniero-teknik nuk kishte pse të bëhej nëse aty nuk do të kishte banorë të cilëve u kishte lindur nevoja jetësore për këtë ujë dhe nga ana tjetër, një vepër e tillë flet për popullsi të qytetëruar”[14].

Rëndësinë dhe lashtësinë e këtij vendbanimi mirditor e dëshmojnë dhe një varg përbërësish të tjerë: “Edhe Qyteza-Kala, thuhet se është e hershme, më e hershme se Gurra, megjithëse ajo nuk është studiuar me gërmime të plota arkeologjike e ekspedita shkencore. Njihen dhe mund të shihen edhe sot rrënojat e këtij vendbanimi-kala, fatkeqësisht e cunguar në shtrirjen e saj nga erozioni masiv në të dy krahët (nga Vau e nga qendra e Domgjonit), të cilat shtrihen edhe në pjesë të tjera të pazbuluara ende, që të bëjnë të mendosh se banorët kanë pasur aty jetesën dhe prej aty, kanë dalë jashtë kalasë, me ndryshimin e kushteve e rrethanave të përgjithshme të jetesës, duke u zhvendosur gradualisht dhe duke populluar të gjitha vendbanimet e Domgjonit të sotshëm, nëpërmjet shtesës natyrore. Domgjonasit u përhapën gradualisht në Kodrën e Trojeve, Rrugjë (ndryshe quhen “Kopshtnajet”) e pastaj në Arat e Gjata (Ferth), Pla, Va, Gjakëz e më vonë në Hebe, Sang, Mollë Kuqe etj.[15]

Llesh Ndoj ndriçon dhe dukuri të veçanta, që përligjin një njohje të thellë jo vetëm të Domgjonit, po dhe të rrethinës e të Mirditës në përgjithësi: “Domgjonasit dhe Munella janë një binom i përjetshëm e i lidhur ngushtë mes tyre. Jeta e domgjonasve ka qenë dhe mbetet e lidhur me emrin e këtij mali, burimeve ujore e bjeshkës së mrekullueshme që “strehon” në gjirin e tij”[16] dhe “Gjithmonë krahina e Fanit është konceptuar si dy degë të ndara, ndoshta edhe për shkak të shtrirjes territoriale, pjesë të të njëjtit trung: Fanë e Domgjon. Aq e vërtetë është kjo sa po të pyesje dikë jashtë Fanit, se ku po shkonte, nëse ishte për Domgjon, do të përgjigjej “në Domgjon” dhe po të ishte për në fshatrat e tjera do të përgjigjej “për në Fanë”, pavarësisht se në cilin prej fshatrave të tij ishte nisur. Ndoshta një përjashtim të tillë e përbënte edhe Xhuxha, shkak i pozicionit të saj, por edhe tipareve të tjera që e shoqërojnë popullatën atje”[17].

Mendimet dhe vlerësimet e veta për ngulimin e Domgjonit, për të kaluarën dhe për të sotmen Llesh Ndoj i përligj edhe me të dhënat nga burimet e botuara në veprat e misionarëve ose të autorëve bashkëkohorë që janë marrë me studimin e të kaluarës së Mirditës), siç thuhet në librin: “Mirdita -Njohuri për Vendlindjen” (grup autorësh): “Nisur nga karakteristikat ndërtimore si dhe nga treguesit funksionalë të Ujësjellësit të Domgjonit, si kohë e ndërtimit të tij duhet të jetë periudha e antikitetit të vonë... Ujësjellësi ka qenë në funksion të Kalasë me emrin “Qytezë”, po në këtë fshat” (faqe 38). Gurrën studiues të ndryshëm nuk e lidhin detyrimisht me banorët vendës. Nisur nga fakti se Gurra ka një arkitekturë të jashtëzakonshme dhe është vepër e papërsëritshme në Shqipëri dhe në Ballkan, për nga teknologjia e lartë e përdorur, disa studiues hedhin edhe një hipotezë të dytë, sipas të cilës, në esencë, Qyteza-Kala nuk ka qenë vendbanimi i parë i paraardhësve të domgjonasve, as Gurra e Lashtë nuk është ndërtuar nga domgjonasit e në funksion të nevojave të tyre për ujë. Ekzistencën e këtyre veprave ata e lidhin me kushtet gjeostrategjike e historike të kohës dhe pikërisht me Perandorinë Romake të Lindjes dhe Justinianin si Perandor, si dhe me ekzistencën e rrugës së njohur romake “që kalonte nga Shkalla e Konajve në Batra, Qafa e Komit, për në Kukës në drejtim të Nishit”, duke pohuar se ajo, Kalaja pra, mund të ketë qenë “rezidencë e ndonjë komandanti të shquar, i cili mund të ishte ngarkuar me ruajtjen e rrugës shumë të rëndësishme”, e cila të çonte në Nish, dhe se ujësjellësi është vepër perandorake në funksion të kësaj rezidence”[18].

Rreth kësaj autori Ndoj thotë: “Dihet se i gjithë Domgjoni, i vendosur poshtë Munellës, i ka burimet ujore të lidhura me këtë mal. Edhe mbi Gurrën e Lashtë, Munella ka burime ujore. Edhe poshtë Gurrës, në një distancë të vogël, ka burime plot me ujë kristal që rrjedhin nëntokës prej atij mali magjepsës, por asnjëri burim nuk mund të shfrytëzohej për banorët e kohës në Kala, apo në Kodrën e Trojeve. Ky është kontesti i nevojës së lindur për ujë dhe Gurra mendoj se vjen si zgjidhje e kësaj nevoje. Pra duhet të kishte një nevojë të qëndrueshme që bëri të mundur kërkimin e gjetjen e zgjidhjeve, edhe pse të kushtueshme, por që janë afatgjata e me shumë përfitime. Nga ana tjetër domgjonasit kanë dëshmuar se kanë qenë e janë ustallarë të rrallë. Ky zanat, ai i zbulimit e shfrytëzimit të burimeve ujore, është trashëguar deri në ditët e sotme”[19].

Duke vijuar ndriçimin e veçantive të katundit të Domgjonit autori shkruan: “Natyrisht që vetë periudha e ndërtimit të kësaj vepre (Gurrës) do të duhet të ketë pasur kohëzgjatje, nisur nga fakti se punimet për zbulimin e ndërtimin e saj janë mjaft komplekse, kështu që përcaktimi i mësipërm për periudhën kohore të këtij objekti duket i saktësuar përfundimisht, gjë që nuk mund të vërtetohet për Gradishtën (Qytezën)”[20].

Llesh Ndoj i vështron dhe dukuri të tjera nga fusha e arsimit, e kulturës dhe jep një varg portretesh të intelektualëve të këtij  ngulim mirditor: “Domgjoni ka pasur, ka e do të ketë intelektualë e krijues të denjë, sepse është trualli i Atë Gjergj Fishtës - Poetit kombëtar, është trualli i dhjetëra intelektualëve të vjetër e të rinj, të cilët, krahas atyre më të hershëm e me përmasa kombëtare, përbëjnë një kurorë të vërtetë krenarie për të gjithë”[21].

²

Nga gjithë ajo që u tha dëshmohet se studimi monografik “Domgjoni. Në dokumente, gojëdhëna e histori” është një vepër e hartuar me përkushtim dhe dituri, një burim e mbështetje për të gjithë ata që do të merren me Domgjonin e me Mirditën.

Po e përmbyll këtë shkrim me mendimin e Viktor Hygosë, i cili thoshte se kryeveprën e krijon vullneti[22], por po shtoj se atë vullnet duhet ta mbështesë e ta përligjë dhe dija e mirëfilltë. Në studimin monografik të Llesh Ndojt për ngulimin “Domgjoni” të Mirditës përligjen të dy këta përbërës të qenësishëm.

Prishtinë, fund korriku 2023



[1] Jorge Luis Borges, Ligjërata. Përktheu nga frëngjishtja Feride Papleka, Tiranë 2013, f. 141.

[2] Jorge Luis Borges, Ligjërata, vep. e përm., f. 152.

[3] Stefan Cvajg, Legjenda dhe portrete. Përktheu Jorgji Doksani. Shtëpia botuese Uegen, Tiranë 2003, f. 118.

Për rëndësinë e shumëfishtë të librit Cvajgu thekson edhe këtë: “Aksioma e Emersonit se librat e mirë zëvendësojnë edhe universitetin më të mirë, për mua vazhdon të jetë plotësisht e vlefshme, dhe kam gjithnjë bindjen se njeriu mund të bëhet filozof, historian, gjuhëtar e jurist i shkëlqyer, si dhe gjithçka tjetër, pa shkelur në ndonjë universitet, madje pa mbaruar as gjimnazin”. Shih Stefan Zweig, Bota e djeshme. Kujtime të një evropiani. E përktheu nga origjinali Aristidh Ristani. Botimet “Santori”, Tiranë 2012, f. 102.

[4] Shih Victor Hugo, William Shakespeare. Përktheu nga origjinali frëngjisht. Abdulla Rami& Emira Xhomaqi – Godo, Onufi, Tiranë 2022, f. 60.

[5] Jorge Luis Borges, Ligjërata, vep. e përm., f. 129.

[6] Stefan Zweig, Bota e djeshme. Kujtime të një evropiani, vep. e përm., f. 10.

[7] Në qoftë se mbi bazën e thënies kineze se shtëpia jote mund ta zëvendësojë botën, por bota kurrë shtëpinë tënde, i qasemi vendlindjes, atëherë mund të thuhet e njëjta gjë: atë nuk mund ta zëvendësojë asgjë.

[8] Jorge Luis Borges, Ligjërata,. Përktheu nga frëngjishtja Feride Papleka, Tiranë 2013, f. 59.

[9] Edmund Jacoby, Filozofët. Filozofët më të mëdhenj të kohërave. Përktheu Nasi Lera. Shekulli. Tiranë 2006, f. 13.

[10] Edgar Allan Poe, Poesi dhe ese. Përktheu nga origjinali Dritan Thomollari, Plejada, Tiranë 2004, 121.

[11] Edgar Allan Poe, Poesi dhe ese, vep. e përm., f. 172.

[12] Llesh Ndoj, Domgjoni. Në dokumente, gojëdhëna e histori. Botimi i dytë i ripunuar. Botoi Emal, Tiranë 2023, f. 21.

[13] Llesh Ndoj, Domgjoni. Në dokumente, gojëdhëna e histori, vep. e përm., f. 40.

[14] Llesh Ndoj, po aty, f. 34.

[15] Po aty, f. 34.

[16] Po aty, f. 30.

[17] Po aty, f. 62.

[18] Shih Llesh Ndoj, Domgjoni. Në dokumente, gojëdhëna e histori, vep. e përm., f. 36 – 37.

[19] Po aty, f. 38 – 39.

[20] Po aty, f. 31 – 32.

[21] Po aty, f. 437.

[22] Shih Victor Hugo, William Shakespeare, vep. e përm., f. 116.