Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Enver Bytyçi: Rugova dhe Demaçi kishin vizione të ndryshme!

| E premte, 28.07.2023, 06:58 PM |


Rugova dhe Demaçi kishin vizione të ndryshme!

Nga Enver Bytyçi

Ibrahim Rugova dhe Adem Demaçi predikuan dhe u zotuan për vizione, ide, alternative, programe dhe strategji të ndryshme. Kjo është arsyeja e ndarjes midis tyre. Prandaj dhe akademiku Rexhep Qosja gabon kur e trajton këtë marrëdhënie si ego të “kundërshtarëve” të Demaçit!

Më 26 korrikun e kaluar i madhi Adem Demaçi pati 80 vjetorin e lindjes së tij. Demaçi është dhe do të mbetet ikona e sakrificës për lirinë e Kosovës dhe të shqiptarëve në ish-Jugosllavi. Eshtë dhe do të mbetet ndër shqiptarët më vetmohues në historinë e re të shqiptarëve për më shumë se një shekull. Ai mund të krahasohet me Mic Sokolin, Isa Boletinin e mund të qëndrojë në krah të tyre si personalitet që u bë shembull i qëndresës së shqiptarëve kundër sundimit të Serbisë.

Ta vlerësosh Adem Demaçin është vërtet detyrim dhe nder për çdo shqiptar. Por gjithkush që përpiqet t’i japë atij merita të paqena, vetëm sa e dëmton figurën, veprën dhe lavdinë e tij! Akademiku Rexhep Qosja në këtë përvjetor u përpoq ta bëjë këtë. Në një prememorie për Adem Demaçin e famshëm ai shkruan se “Adem Demaçi është autoritet i madh, i pakrahasuar me askënd tjetër në Kosovë para tij dhe pas tij: autoritet politik, kulturor e moral”! Dhe më pas kritikon politikën e Kosovës, Akademinë e Shkencave dhe Arteve, si dhe institucionet e shtetit për sjellje përjashtuese ndaj tij.

Qosja shtron pyetjen: “Pse Demaçi nuk u bë deputet, kryetar i Kuvendit, kryeministër ose kryetar i Kosovës”? Dhe nxjerr përfundimin se “Nuk ka dyshim se sjelljen e këtillë ndaj Adem Demaçit e bënë arrivistët e pushtetshëm – ata që Adem Demaçin e xhelozuan dhe e xhelozuan për shkak të të gjitha atyre meritave historike, që ka ai për Kosovën dhe për popullin shqiptar në përgjithësi, për shkak të autoritetit madhor me të cilin ai i bën gati të padukshëm gjithë të tjerët”.

Nga e gjithë kjo paraqitje për mua dalin në dritë disa aksioma kontradiktore, me të cilat duket se autori, akademiku Rexhep Qosja, përpiqet të përdorë. Së pari, ai në këtë përkujtim të titanit Adem Demaçi më shumë shkruan për ata që ai i quan kundërshtarë të tij, sesa për vetë figurën e heroit tonë kombëtar! Çka do të thotë se zoti Qosja vuan nga kompleksi i mungesës së lavdisë për veten e tij. Dikush do të më thotë se këtë gjë po e shpik unë. Në fakt Akademik Rexhep Qosja vuan nga ky kompleks. Aq shumë sa ai i përjashton të gjithë, përveç vetes së tij, për meritat që kanë.

Së dyti, nuk po mat garën dhe peshën e personaliteteve shqiptare në historinë tonë të vjetër e të re. Por mund të them me bindje se Ibrahim Rugova qëndron mbi të gjithë e mbi gjithçka. Ai tejkalon edhe veprën e Gjergj Kastriotit Skënderbeut dhe të Ismail bej Vlorës! Sepse Ibrahim Rugovën nuk e thirri asnjë personalitet i botës për ta marrë në dorë fatin e Kosovës. Po të ishte për ata, ndoshta Qosja kishte më shumë shanse dhe ishte më i përshtatshmi. Por Rugova, në ndryshim nga heronjtë e tjerë kombëtarë, ishte i pari dhe i vetmi që e solli fuqinë e botës në Kosovë. Ishte I vetmi ndër shqiptarët e pa emruar nga dikush i fuqishëm jashtë, si në rastin e Ismail Qemalit! Kritika ndaj politikës dhe institucioneve për “përjashtimin” e Demaçit adresohet në fakt e kryekëput kundër Ibrahim Rugovës. Shkurt Qosja thotë: “Pse Rugova kryetar shteti e jo Demaçi”? Që po ta përkthesh na del në variantin “Pse Rugova dhe jo unë, Rexhep Qosja”!

Së treti, të jesh hero, vetëmohues dhe të sakrifikosh për atdheun e kombin si Adem Demaçi është vlera më sublime dhe më e jashtëzakonshmja! Megjithatë lidershipi i suksesshëm vlerësohet për vizionin, strategjitë dhe taktikat që ndjek për realizimin e qëllimeve politike. Dhe gjithkush e di se vizioni e strategjia e Ibrahim Rugovës nga njëra anë dhe Adem Demaçit nga ana tjetër kanë qenë të ndryshme. Demaçi u zotua se do të luftonte për një konfederatë ballkanike të serbëve, shqiptarëve dhe popujve të tjerë me kryeqytet Beogradin. Rugova u zotua në çdo rast për Kosovën e pavarur, unike, të lirë dhe demokratike, fillimisht nën protektoratin e NATO-s.

Këto dy vizione mund t’i konsideroj të kundërta. Në historinë e shqiptarëve gjithmonë kanë vegjetuar këto dy alternativa për çeshtjen shqiptare: Njëra prej të cilave kërkonte lidhjen me një ose më shumë Fuqi të Mëdha për themelimin e shtet-ndërtimin. Tjetra kërkonte miqësi dhe marrëdhënie të ngushta me fqinjët, kryesisht me serbët, për të realizuar objektivat tona kombëtare! Rugova u mbështet te alternative e parë. Demaçi te e dyta. Alternativën e dytë e kanë përkrahur vazhdimisht në histori serbët në Beograd! Ndërsa kanë punuar me mjeshtri të sabotojnë alternativën e parë.

Edhe kryeministri i Shqipërisë, vetë Rexhep Qosja, ish-presidenti Thaçi e të tjerë liderë shqiptarë kanë përqafuar idenë e dytë.

Open Balkan ishte tentativa e fundit e krijimit të Ballkaniadës së Demaçit. Ndërsa ndarja e Kosovës para Ballkanit të Hapur ishte ide e dy Qosiqëve, Dobrocës në Beograd dhe Rexhepit në Prishtinë! Edhe kjo po bëhej në kuadër të vizionit të miqësive ballkanike, për t’u çliruar nga Fuqitë Jashtëballkanike, në emër të paqes e stabilitetit!

Nëse shqiptarët në politikë e lidership do të ishin të bashkuar në vizionin e tyre e në strategjinë e aleancave për arritjen e qëllimeve politike, gjithnjë sipas vizionit të Rugovës dhe paraardhësve të tij, duke filluar te Iljaz Pashë Dibra, kryetar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, atëherë ne do të kishim sot një shtet shqiptar në kufijtë etnikë. Por përçarja në vizione dhe në strategjitë e aleancave na ka dëmtuar në favor të synimeve pushtuese e kolonizuese të Serbisë! Dhe Rexhep Qosja vazhdon të na dëmtojë akoma edhe sot! Deri kur?!