| E premte, 28.07.2023, 07:58 PM |
Rugova dhe Demaçi kishin vizione të ndryshme!
Nga
Enver Bytyçi
Ibrahim
Rugova dhe Adem Demaçi predikuan dhe u zotuan për vizione, ide, alternative,
programe dhe strategji të ndryshme. Kjo është arsyeja e ndarjes midis tyre.
Prandaj dhe akademiku Rexhep Qosja gabon kur e trajton këtë marrëdhënie si ego
të “kundërshtarëve” të Demaçit!
Më
26 korrikun e kaluar i madhi Adem Demaçi pati 80 vjetorin e lindjes së tij.
Demaçi është dhe do të mbetet ikona e sakrificës për lirinë e Kosovës dhe të
shqiptarëve në ish-Jugosllavi. Eshtë dhe do të mbetet ndër shqiptarët më
vetmohues në historinë e re të shqiptarëve për më shumë se një shekull. Ai mund
të krahasohet me Mic Sokolin, Isa Boletinin e mund të qëndrojë në krah të tyre
si personalitet që u bë shembull i qëndresës së shqiptarëve kundër sundimit të
Serbisë.
Ta
vlerësosh Adem Demaçin është vërtet detyrim dhe nder për çdo shqiptar. Por
gjithkush që përpiqet t’i japë atij merita të paqena, vetëm sa e dëmton figurën,
veprën dhe lavdinë e tij! Akademiku Rexhep Qosja në këtë përvjetor u përpoq ta
bëjë këtë. Në një prememorie për Adem Demaçin e famshëm ai shkruan se “Adem
Demaçi është autoritet i madh, i pakrahasuar me askënd tjetër në Kosovë para
tij dhe pas tij: autoritet politik, kulturor e moral”! Dhe më pas kritikon
politikën e Kosovës, Akademinë e Shkencave dhe Arteve, si dhe institucionet e
shtetit për sjellje përjashtuese ndaj tij.
Qosja
shtron pyetjen: “Pse Demaçi nuk u bë deputet, kryetar i Kuvendit, kryeministër
ose kryetar i Kosovës”? Dhe nxjerr përfundimin se “Nuk ka dyshim se sjelljen e
këtillë ndaj Adem Demaçit e bënë arrivistët e pushtetshëm – ata që Adem Demaçin
e xhelozuan dhe e xhelozuan për shkak të të gjitha atyre meritave historike, që
ka ai për Kosovën dhe për popullin shqiptar në përgjithësi, për shkak të
autoritetit madhor me të cilin ai i bën gati të padukshëm gjithë të tjerët”.
Nga
e gjithë kjo paraqitje për mua dalin në dritë disa aksioma kontradiktore, me të
cilat duket se autori, akademiku Rexhep Qosja, përpiqet të përdorë. Së pari, ai
në këtë përkujtim të titanit Adem Demaçi më shumë shkruan për ata që ai i quan
kundërshtarë të tij, sesa për vetë figurën e heroit tonë kombëtar! Çka do të
thotë se zoti Qosja vuan nga kompleksi i mungesës së lavdisë për veten e tij.
Dikush do të më thotë se këtë gjë po e shpik unë. Në fakt Akademik Rexhep Qosja
vuan nga ky kompleks. Aq shumë sa ai i përjashton të gjithë, përveç vetes së
tij, për meritat që kanë.
Së
dyti, nuk po mat garën dhe peshën e personaliteteve shqiptare në historinë tonë
të vjetër e të re. Por mund të them me bindje se Ibrahim Rugova qëndron mbi të
gjithë e mbi gjithçka. Ai tejkalon edhe veprën e Gjergj Kastriotit Skënderbeut
dhe të Ismail bej Vlorës! Sepse Ibrahim Rugovën nuk e thirri asnjë personalitet
i botës për ta marrë në dorë fatin e Kosovës. Po të ishte për ata, ndoshta
Qosja kishte më shumë shanse dhe ishte më i përshtatshmi. Por Rugova, në
ndryshim nga heronjtë e tjerë kombëtarë, ishte i pari dhe i vetmi që e solli
fuqinë e botës në Kosovë. Ishte I vetmi ndër shqiptarët e pa emruar nga dikush
i fuqishëm jashtë, si në rastin e Ismail Qemalit! Kritika ndaj politikës dhe
institucioneve për “përjashtimin” e Demaçit adresohet në fakt e kryekëput
kundër Ibrahim Rugovës. Shkurt Qosja thotë: “Pse Rugova kryetar shteti e jo
Demaçi”? Që po ta përkthesh na del në variantin “Pse Rugova dhe jo unë, Rexhep
Qosja”!
Së
treti, të jesh hero, vetëmohues dhe të sakrifikosh për atdheun e kombin si Adem
Demaçi është vlera më sublime dhe më e jashtëzakonshmja! Megjithatë lidershipi
i suksesshëm vlerësohet për vizionin, strategjitë dhe taktikat që ndjek për
realizimin e qëllimeve politike. Dhe gjithkush e di se vizioni e strategjia e
Ibrahim Rugovës nga njëra anë dhe Adem Demaçit nga ana tjetër kanë qenë të
ndryshme. Demaçi u zotua se do të luftonte për një konfederatë ballkanike të
serbëve, shqiptarëve dhe popujve të tjerë me kryeqytet Beogradin. Rugova u
zotua në çdo rast për Kosovën e pavarur, unike, të lirë dhe demokratike,
fillimisht nën protektoratin e NATO-s.
Këto
dy vizione mund t’i konsideroj të kundërta. Në historinë e shqiptarëve
gjithmonë kanë vegjetuar këto dy alternativa për çeshtjen shqiptare: Njëra prej
të cilave kërkonte lidhjen me një ose më shumë Fuqi të Mëdha për themelimin e
shtet-ndërtimin. Tjetra kërkonte miqësi dhe marrëdhënie të ngushta me fqinjët,
kryesisht me serbët, për të realizuar objektivat tona kombëtare! Rugova u
mbështet te alternative e parë. Demaçi te e dyta. Alternativën e dytë e kanë
përkrahur vazhdimisht në histori serbët në Beograd! Ndërsa kanë punuar me
mjeshtri të sabotojnë alternativën e parë.
Edhe
kryeministri i Shqipërisë, vetë Rexhep Qosja, ish-presidenti Thaçi e të tjerë
liderë shqiptarë kanë përqafuar idenë e dytë.
Open
Balkan ishte tentativa e fundit e krijimit të Ballkaniadës së Demaçit. Ndërsa
ndarja e Kosovës para Ballkanit të Hapur ishte ide e dy Qosiqëve, Dobrocës në
Beograd dhe Rexhepit në Prishtinë! Edhe kjo po bëhej në kuadër të vizionit të
miqësive ballkanike, për t’u çliruar nga Fuqitë Jashtëballkanike, në emër të
paqes e stabilitetit!
Nëse
shqiptarët në politikë e lidership do të ishin të bashkuar në vizionin e tyre e
në strategjinë e aleancave për arritjen e qëllimeve politike, gjithnjë sipas
vizionit të Rugovës dhe paraardhësve të tij, duke filluar te Iljaz Pashë Dibra,
kryetar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, atëherë ne do të kishim sot një shtet
shqiptar në kufijtë etnikë. Por përçarja në vizione dhe në strategjitë e
aleancave na ka dëmtuar në favor të synimeve pushtuese e kolonizuese të Serbisë!
Dhe Rexhep Qosja vazhdon të na dëmtojë akoma edhe sot! Deri kur?!