E marte, 23.04.2024, 03:30 PM (GMT+1)

Udhëpërshkrim

Ndue Dedaj: Munella, një 'bankë' në natyrë

E enjte, 27.07.2023, 09:00 PM


MUNELLA, NJË “BANKË” NË NATYRË

Nga Ndue Dedaj

Munella i ka të gjitha, përfshi dhe “Orën e Mirditës” (shkruar nga Gjergj Fishta, ashtu si orët e tjera të maleve shqiptare), që e kalon verën tue u flladit gurrave dhe tue i lëshue zâ e çue falmeshëndet Orës së Dukagjinit... Po cili është sot “zëri” që i lëshojnë njëra-tjetrës zanat e bjeshkëve? Kuptohet, jo për duele mes kreshnikësh e krajlash, por për një tjetër ardhmëri të tyre në epokën moderne…

Zakonisht malet i kundrojmë nga bukuria, madhështia, ana panoramike, por përtej formave të relievit dhe pozitës gjeografike, etnokulturës së pasur me mite, legjenda, toponime, zeje, rituale etj., sa i përket anës ekonomike, pyjeve, kullotave, burimeve ujore, mineraleve, turizmit etj., ato janë një “bankë” në natyrë nga më të lakmueshmet. Na vjen të themi se as bankat nuk janë grabitur më shumë se malet, por me një ndryshim, se, nëse për grabitjen e bankave, në mes të Tiranës, është ngritur policia në këmbë, me sirena që nuk kanë pushuar deri sa janë kapur grabitësit, për grabitjen e thesareve të maleve shteti as që është dëgjuar, në mos i ka ndihmuar “hajdutët” me anë të ndarjes së plaçkës, në rastin e pyjeve të prera, të dhënies së liçensave minerare a për hidrocentrale kundrejt rryshfeteve të majme etj.

Kushdo që e ka përshkuar Munellën deri në lartësi ka parë denatyrimin natyror, rrjepjen e malit nga punimet minerare e prerjet e paligjshme të pyjeve për vite e vite, plot rrugë qorre që nuk të çojnë askund, ndërkohë që në gjithë këtë mal “zviceran” nuk ka dhe një pëllëmbë asfalt. Kemi shkruar në gazetën “Puna”, në vitin 1979, kur po ndërtohej rruga automobilistike për në Gurth – Spaç, njëherësh me aksin rrugor për në Fan, po nëse ky i fundit pati fat autostradën e parë shqiptare, Udhën e Kombit, rruga e Gurthit është po ajo e 44 viteve më parë, pa asnjë ndryshim, edhe pse Spaçi vazhdon të nxjerrë përditë mineral bakri etj. Si duket ka një “pakt” të heshtur midis pushtetarëve të Tiranës, ata me marrë pjesën e tyre nga kjo “banka” e mineraleve dhe mos me ia ditë për banorët e këtyre anëve.

Me vendimi qeverie, nga data 26 janar 2022, Munella është shpallur “park natyror”, që e përfshin atë në zonat e mbrojtura, çka do të nënkuptonte dhe logjistikë përkatëse. Në këtë mal janë regjistruar 459 specie bimore, ndër të cilat disa endemike. I kanë mbijetuar sëpatës së tranzicionit dhe zjarreve disa rrobuj qindravjeçarë, monumente natyrore më vete, por është dëmtuar rëndë pisha e zezë nga proçesionarja.

Mali i Munellës, strehë e një qeverie të Pavarësisë

Ti thuash dikujt se në këtë qafë të Munellës, në Spaç, ka kaluar një qeveri, njëlloj si një karvan krushqish me “nusen” mbi kalë, nuk e beson njeri. Por është e vërtetë...

Në fillim të qershorit, na çoi fjalë Fatmir Toçi për një kafe në Rrëshen, qytetin e vogël ku kemi kaluar bashkë fëmijërinë. Kafen do ta pinim herët, pasi ai bashkë me të shoqen, Irenën do të udhëtonin për në Panairin e librit në Prishtinë. Fatmiri kishte lënë atë mëngjes takim aty dhe më një arbëresh, që vjen vazhdimisht në Mirditë, në gjurmë të gjyshit të tij Terenc Toçi, politikan i njohur shqiptar për afro gjysmë shekulli, me fat tragjik, i cili ishte dhe “kumbara” i “Qeverisë së Kimzës” të prillit 1911, që u krijua në Fan nga krerët e maleve shqiptare, por që, për t’u mbrojtur, shtegtoi nëpër Munellë dhe u vendos në kullën e Zef Ndojt në Kimëz, ku kemi shkuar dhe ne në përvjetorët e saj. Fatmiri vitet e fundit ka shkruar një libër të rëndësishëm “Arberëshët midis realitetit dhe mitit”, por ai është dhe një ambasador i letrave dhe kulturës shqiptare me arbëreshët. Me mbështetjen e tij, Terenci i ri kishte ardhur kësaj here me synimin e binjakëzimit të Bashkisë së Mirditës me një komunë arbereshe, çka urojmë të mundësohet këtë vjeshtë....

Ja, edhe për këtë qeveri të Pavarësisë në Munellë do t’iu tregohet nesër turistëve, po dhe për të gjitha gjurmët e tjera të historisë në këto vise të epërme, edhe për ato që përbëjnë kundrarrjedhë, si dy kamp-burgje politike, të Spaçit dhe Qafë-Barit.

Nëntoka e Munellës, depo e nëndheshme e arit dhe argjendit

Munella nuk është vetëm një mal vigan, gjashtë km i gjatë, tre i gjërë dhe dy i lartë, që shtrihet në dy rrethe, Mirditë e Pukë, midis dy luginave të mrekullueshme, të Fanit të Madh e të Fanit të Vogël, por dhe një areal fshatrash malorë, vendosur nga rrëza, nëpër shpate e gjer në kreshtat e sipërme, si Spaçi, Gurth Spaçi, Kodër - Spaçi, Qërshiza, Mushta, Mesuli, Kalivarja, Kimza, Lak - Rroshi, Qafë-Bari, Tuçi, Domgjoni, Hebja, Sërriqja, Mollkuqja etj.

Miniera e Munellës, që shkon me rrethin e Pukës, njihet sot si një nga tri minierat më të mëdha të bakrit, krahas Lak Roshit dhe Karmës (Shkodër), por dhe si miniera polimetalore më e madhe në vend, shqip një minierë e shumë metaleve, si bakri, piriti, ari, argjendi, zinku, plumbi, seleni etj. Thënë ndryshe, një “Trepçë” e dytë shqiptare. Ari në minierat e bakrit është diçka e njohur, ku sa i përket Mirditës, përmbajtja e tij më e lartë ka qenë në vendburimet Rubik, Kurbnesh, Perlat, Gurth – Spaç dhe më vonë, vendburimi i Munellës, me një trup të pasur prej 1 milion tonësh mineral, ku sipas përllogaritjeve rezerva e arit këtu është 4 ton. Nuk është zanati ynë të merremi me shifrat dhe përqindjet, as se kush e si e shfrytëzon teknikisht nëntokën tonë, mbase dhe në mënyrë selektive - duke marrë vetëm bakrin e pasur dhe shoqëruesit e tij (vendburimet e bakrit prej rreth njëzet vitesh shfrytëzohen nga kompani të huaja konçensionare), çështja në këtë rast është sa përfitojnë komunitetet dhe bashkitë nga ky thesar? A tepron diçka nga renta për dy-tri rrugë makine normale, deri te minierat dhe matanë tyre? Nuk është “bamirësi” e askujt, por diçka e domosdoshme për t’i mbajtur gjallë këto male, që kanë shkuar në të fikmit. Zor se ndokund tjetër në botën e qyteruar banorët nuk do të përfitonin nga një “bankë” floriri në natyrë si Munella mbi e nëntokësore!?

Për kurreshtjen e lexuesit, minerali i parë i Munellës ka qenë ujët, “zbuluar” nga vendasit që nga shekulli IV i erës së re, kur hynë me tunel rreth një mijë metra në zemër të malit dhe ndërtuan në Domgjon një nga ujësjellësit e rrallë të Ballkanit, në mos të vetmin të një inxhinierie të lartë. “Gurra e Domgjonit”, siç njihet në popull, është nga atraksionet unike shqiptare.

Gurth - Spaçi, ftesa më e re e turizmit në Mirditë

Kur të gjithë vendasit po iknin, ishte një e huaj Marianne Graf, e cila i tha ndal “ikjes” së tyre, duke e kthyer Gurth - Spaçin në një fshat turistik. Nuk është ajo ndonjë “sheike” që e ka blerë bjeshkën për vete, nuk ka vënë asgjë në tapinë e saj, por ua ka dhuruar njerëzve me xhamadanin vija-vija. Ka nxitur ndërtimin e një bujtine, ka ndërtuar një kullë për turistët, një urë mbi një përrua të vogël malor, një kishëz për lutje, një mulli bloje me ujë, një vathë tradicional blegtorie, ka vendosur një kumbonë në një majë mes pishash, objekte që turistët i vizitojnë me kënaqësi. Mos prisni që në Spaç të takoni të moshuar. Tri herë që kemi shkuar atje kohët e fundit, nuk kemi takuar asnjë të tillë, ndërsa të rinj po, bile dhe fëmijë të vegjël. Artani, që bashkë me nusen e tij me emrin Sarajeva, menaxhon bujtinën “Natyra”, ka ikur nga këtu për në Rubik kur ishte 12 vjeç dhe është kthyer pas afro një çerek shekulli, për t’u marrë me agroturizëm. Mund të thuhet se ëndërra e kësaj familjeje sapo ka filluar, një ëndërr për t’u përballë me borën dhe dimrin, mungesën e një rruge normale etj. Sot kanë miq në bujtinë njëzet mësues të shkollës së mesme të Gjadrit, Lezhë, nesër disa polakë, kështu ditë pas dite “shtëpia” pret e përcjell turistë vendas e të huaj.

Kemi shkuar në Gurth -Spaç me Nik Nikollin, drejtorin e Info-kulla Rubik, i cili është një “kurator” i kullave të vjetra e resorteve të reja. Ai është njeriu që flet me gjuhën e projekteve dhe njeh me imtësi çdo shteg, shpellë, kanion, majemal, lëndinë, objekt arkeologjik etj., që duan të vizitojnë turistët. Nuk ka kohë të merret as një çast me promocionin, pasi është gjithnjë në terren, në Velë, Spaç, Trangë etj., ku diçka e re lind dita-ditës në lëmin e turizmit, me kontributin e Marianne Graf, si një “pajtore” e turizmit në Shqipërinë e epërme.

Vetëm kur sheh të realizuar projekte të tilla në bjeshkët e Munellës e ndjen se sa i rëndësishëm është dhe një curril uji, një krua, le pastaj një përrua malor. Çdo gur e shkrep, çdo fije bari e lis. Kupton sa i nevojshëm është prodhimi i gështenjave, arrave, rrushit, mollëve, kulumrive etj.

“Mbreti” i Munellës, rrëqebulli...

Munella është e pasur me kafshë të egra, si ariu, ujku, derri i egër, gjeli i egër, macja e egër, dhelpra, lepuri etj. “Arusha ka shkue deri te tufa e dhive dhe bareshës plakë i janë çuar flokët përpjetë”, - thotë me humor njëri nga banorët. Por Munella ka fatin e asnjë mali tjetër në Shqipëri, të jetë “mbretëria” e rrëqebullit, streha e vetme e tij në Ballkan.

Sipas një kronike televizive, rrëqebulli i këtushëm, një nga speciet më të rrezikuara në botë, është filmuar në një video të rrallë nga kamerat “kurth” në malin e Munellës. Për herë të parë, pas disa vitesh monitorim, është arritur të filmohet sjellja e veçantë e njërit prej 4 individëve, disa klithma, që sipas studiuesve janë thirrjet e tij për çiftim. Për rrëqebullin kujdeset në mënyrë të specializuar shoqata “Ruajtja dhe Mbrojtja e Mjedisit Natyror në Shqipëri”, kurse banorët thjeshtë dinë që duhet ta ruajnë këtë kafshë që e bën malin e tyre edhe më të pasur. Ngaqë është e pamundur të bësh fotografi me ata pak rrëqebuj që gjendën në këtë bjeshkë, turistët bëjnë foto me bustin e rrëqebullit, sipër në kullën me shkallë rrethore...

Në mesin e korrikut iu drejtuan Munellës dhe një grup biologësh austriakë, Riçard dhe Stefan, atë e bir, që u njohën më parë me parkun natyror Divjakë - Karavasta, duke zbuluar vlera të rralla ekologjike, siç u ngjitën dhe në malin e Velës. Bjeshkët shqiptare i ka shkelur njëqind vjet më parë dhe botanisti i njohur Antonio Baldaçi etj. Kemi parë shpesh referime të studiuesve tanë nga përshkrimet dhe studimet e atyre të huaj, që kanë shkelur me pëllëmbë gjer shpellat e fshehura e pak të njohura, por nuk dimë nëse këta tanët ngjitën dhe vetë për eksplorime gjeografike, biologjike, speleologjike...

Investohet  dhe sensibilizohet me të drejtë për rrëqebullin, apo speciet e tjera në zhdukje, por zor se kjo bëhet për dhitë e delet, që nuk i kërcënon zhdukja natyrore, por një “ftohje” e malësorit me profesionin e blegtorit. Na folën vetëm për dy tufa sezonale në Munellë, njëra shtegtuar nga Proseku, e Nardit dhe Gertës dhe tjetra nga Gjegjani, e Pashk Lalës. Kurse në një tjetër malësi, atë të Koprishtit të Kelmendit është zhvilluar para pak ditësh festa e barinjve, përcjellë nga gazetarja Kozeta Bruçi, e cila na bën me dije se ajo festë ishte një organizim vullnetar i antropologes franceze Martina Volf dhe barinjve të zonës, si një lobim për të futur në mbrojtjen e UNESCO kulturën e lashtë të staneve, ku pritet që viti 2026 të shpallet në gjithë botën si viti i blegtorisë, pikërisht për të ruajtur nga zhdukja traditat kombëtare të popujve në këtë lëmë.

*

Ka pesë vjet që Munella përshkohet deri në Majë të Kryqit nga grupet e shtegtarëve, organizuar fillimisht nga “High Albania Mountain Club” etj. Ja diku, në këto rrëpira të Munellës, është kujtesa e ngrirë e Ndoc Mulajt, që ishte ndër ata që kishte kultin e maleve dhe i donte ato që t’ia “kthente” njeriut, alipinizmit, turizmit. Një lajmëtar i lartësive, edhe nga mungesa.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora