E enjte, 28.03.2024, 10:26 AM (GMT)

Editorial » Latifi

Blerim Latifi: Ata ishin tridhjetë vetë

E marte, 25.07.2023, 06:59 PM


Ata ishin tridhjetë vetë

Nga Blerim Latifi

Prej një jave 30 burra, gjysma e të cilëve ishin të plagosur, po përpiqeshin të dilnin nga zona e rrethuar. Jo për të shpëtuar veten, por të mos lejuar që trupi i prijësit të tyre të plagosur për vdekje të binte në duart e ushtarëve serbë. Mijëra ushtarë, xhandarë, civilë serbë të armatosur e hafije shqiptarë ishin vënë ndjekje të tyre. Ata kishin bllokuar të gjitha rrugët, shtigjet, fushat dhe malet. Sa ka dushk në mal, aq kishte ushtarë ato ditë - thotë një tregim i ardhur nga ajo kohë e zymtë. Urdhëri i Zhupanit ishte i prerë: E dua të gjallë o të vdekur Azem Bejtën. Shefi i tij në Beograd ia kishte bërë të qartë dëshirën e tij: duam ta ekspozojmë në sheshin e Beogradit, t'ia përdhosim trupin publikisht, që t'u japim një mësim se çfarë fundi i pret të gjithë ata që guxojnë të çojnë krye kundër Kralit.

Komitët e dinin këtë. E kishin mësuar nga rastet e mëhershme. Shumë shokë të tyre i kishin zvarritur shesheve duke ua masakruar kufomat e duke ua hedhur më pas qenve të rrugëve. Prej kohëve që nuk mbahen mend tiranët i kanë përdorur skena të tilla për t'i tmerruar njerëzit, për t'ua shuar çdo ëndërr rebelimi. Tiranëve nuk u mjafton vetëm pushteti mbi trupat e të gjallëve. Ata e duan edhe pushtetin mbi trupat e të vdekurve, sidomos të vdekurve që në të gjallë guxojnë të vënë në pikëpyetje pushtetin e tyre.

30 komitët e kishin vendosur të mos ia plotësonin këtë dëshirë tiranit në Beograd. Me asnjë çmim. Por gjithçka dukej e pashpresë. Ishin aq pak. Gjysma të plagosur. Kishin mbetur me pak municion në pushkët e tyre, prej ditësh nuk kishin futur gjë në gojë dhe shtëpive duhej t'u shmangeshin sepse nuk ishin të sigurtë që do të gjenin mikpritje. Hafijet ishin gjithkah. Ata u ndihmonin ushtarëve dhe xhandarëve për të hyrë në shtigjet e panjohura prej tyre.

Në natën e 24 korrikut, derisa po pushonin në një përrua të thellë, prijësi u zgjua nga kllapia dhe i tha Hamit Bajçinovcit, mjekut të komitëve, që i rrinte te koka: - Kallma nji duhan! Dikush nga çeta reagoi: - Drita e cigarës mund të na zbulojë para ushtarëve. Prijësit i erdhi rëndë kjo. Me zanin e dobësuar të njeriut që po jep shpirt, tha: - Mos u tutni, a jeni me babën!

Ashtu duke ia mbajtur cigarën e ndezur, prijësin e kapi përsëri kllapia. Në mëngjesin e hershëm të 25 korrikut ai dha frymën e fundit. Mes maleve të Përçevës. 30 komitët i mbuloi pikëllimi, por shpejt e morën veten, sepse përpara e kishin amanetin: As i gjallë as i vdekur n'dorë t'Kralit!

Ndërkohë një lajm tjetër i keq u erdhi nga shoku i tyre i armëve Halim Ngucati: ushtria serbe kishte rrethuar Dushin, Gjurgjevikun dhe po shkonte drejt Gllarevës. Lajmin e bënte edhe më të trishtueshëm pjesa tjetër e tij: shumë shqiptarë të shitur ishin bashkuar me ushtrinë. Çfarë lajmi i kobshëm!  Kjo e bënte situatën edhe më pashtegdalje. Dikush nga çeta tha: Kemi veç një rrugë për të mos e lanë kufomën e Azemit të bjerë në duart e shkive, ta djegim. Halim Ngucati kundërshtoi: -Jo, shqyptari se ka zakon me djegë trupin dhe qysh kallet gjith' ky trim. Ai u tha se dinte një shpellë nëntokësore, e cila ishte shumë e thellë dhe nëse betohen se nuk do t'i tregojnë askujt, aty nuk do t'i shkojë askujt mendja se është varrosur Azemi. Me të rënë nata komitët u nisën drejt shpellës, në funeralin më të rëndësishëm të jetës së tyre. Shpella, e kthyer në varr, e mori në thellësinë e saj misterioze prijësin e tyre legjendar.Amaneti i tij ishte përmbushur. Tirani më kot do të priste trofeun e tij makabër. Komitët u besatuan për ta ruajtur sekretin deri në vdekje. Ruajtja e sekretit do ta mbante gjallë lidhjen e tyre. Vetë mitin për prijësin e tyre. Dhe bashkë me mitin edhe shpresën se do të vinin të tjerë që do të guxonin të ngrinin krye kundër shtypjes.

________

Deri në shpikjen e armëve të zjarrit, shpata ka qenë arma kryesore e ushtrive. Në këtë hartë shihen fjalët e përdorura në gjuhët europiane për emërtimin e kësaj arme. Vendet me ngjyrë të kuqe tregojnë ndikimin latin në këtë emërtim. Në to bëjnë pjesë edhe Shqipëria e Kosova, bashkë me Italinë, Spanjën, Portugalinë, Francën dhe Rumaninë. Spada(Itali), Spada ( Rumani), Espada ( Spanjë, Portugali), Espasa ( Francë jugore), Shpata ( Shqipëri, Kosovë). Të gjitha variante të formës latine "spatha". Kjo ásht pra gjuha shqipe, lidhja jonë e lashtë me Europën latine, lidhja që s'ia doli asnjë fuqi ta këpuste.

________

Klima e vendeve shumë të nxehta, i bën njerëzit pasivë, dembelë, ua shkakton përtacinë e mendjes, ua vret kureshtjen, shpirtin e sipërmarrjes dhe i zhytë në fatalizëm.

Kështu thotë Monteskjë në librin e tij famoz "Fryma e ligjeve". E kanë kritiku shumë për këtë pikëpamje, e njohur si "teoria klimatike e mendjes".

Por mjafton me dalë pak në rrugë dhe me provu vapën përvëluese të këtyre ditëve, për ta kuptu se tezat e Monteskjesë nuk janë dhe aq të pabazuara.

Paramendojeni të jetuarit e përhershëm në një vapë të tillë përvëluese dhe pa teknologjitë moderne të freskimit! E paqa n'qafë në i shkoftë kujt mendja për art, shkencë, filozofi, kulturë, politikë, e gjëra të tjera të qytetërimit! Krejt preokupimi reduktohet në gjetjen e ndonjë hije të mirë, sigurimin e ujit të mjaftushëm dhe eventualisht edhe të ndonjë birre të ftohtë. E po ndodhi që birrat t'i ndalojnë me ligj, atëherë edhe ma keq puna.

Vapa ekstreme dhe i ftohti ekstrem i paralizojnë forcat krijuese të shpirtit njerëzor. Duhet ekuilibri psikofizik midis njeriut dhe natyrës që këto forca të shpalosin mrekullitë e tyre. Në fakt, ekuilibri është themeli mbi të cilin mbështetet jo vetëm qenia njerëzore, por krejt rendi kozmik.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora