E premte, 29.03.2024, 06:09 AM (GMT)

Shtesë » Historia

Sami Repishti: Nën hijen e Rozafës (XXVIII)

E premte, 02.01.2009, 02:34 PM


SAMI REPISHTI
Nën hijen e Rozafës
Narrativë e jetueme

XXVIII

Tetor 1956. – Në Hungari shpërtheu revolucioni që synonte dëbimin e forcave ruse nga ai vend, rrëzimin e diktaturës së kuqe, e vendosjen e demokracisë e të marrëdhanieve me botën perëndimore. Revolucioni fisnik hungarez u shtyp nga tankset sovjetike, por heroizmi i popullit maxhar la mbresa të pashlyeshme në atë vend, dhe në botën mbarë. Mbas Berlinit, e Poznanit vinte Budapeshti. Cili do të ishte qyteti i katërt hero? Në Shqipëni, atmosfera u randue shumë, e organet e Sigurimit të Shtetit u shqetësuen deri në atë pikë sa që planifikohej marrja e masave ekstreme. Në mungesë të lajmeve radiofonike, boshllëku u mbush me thashë e thanje që ndigjoheshin kudo, shpesh herë të ekzagjerueme. Unë ndigjojsha, shpresojsha e nuk flitsha. Në mentalitetin e Sigurimit, të gjithë ish të burgosunit politikë ishin “kryengritës të mundshëm” dhe të gatshëm me u ngritë me rastin ma të parë e të përshtatshëm. Me qëllim që të na kujtonte praninë e tij të përhershme, Sigurimi arrestonte e internonte periodikisht dy ose tre ish të burgosun, tue mbajtë kështu të gjallë tensionin në mes nesh, e frikën e përgjithshme. Në këtë gjendje të tendosun, u informova se për rrethin e Shkodrës ekzistonte nji listë e mshehtë prej afër katërqind “elementësh armiq” të caktueme për ekzekutim me shenjën ma të parë të nji lëvizje revolucionare, si ajo e Hungarisë. Lista përmbante edhe emnin tim! Lajmi i papritun krijoi nji ndjenje paniku. Mundësia e ekzekutimit pa gjyq në nji moment “kritik” për diktaturën e kuqe, jo vetëm më frikësonte por këpuste edhe çdo shpresë që unë ushqejsha për vjete të gjata se nji ditë, në nji mënyrë ose në nji tjetër, do të shihsha ditën e lirisë qoftë nga ndryshimet e brendshme qoftë nga nji arratisje jashtë shtetit. Qyshë ditën e parë mbas lirimit nga kampi isha plotësisht i vendosun mos me provokue, organet e diktaturës së kuqe, qoftë gojarisht qoftë me gjeste të pamendueme. Heshtja ishte mbrojtja ma e mirë. Puna e përditshme ishte e domosdoshme me largue dyshimet, e vetëizolimi që fillova me kultivue me kujdes plotësonte kuadrin e nji individi që synonte vetëm nji jetë të qetë e pa trazime. Me afrimin e stinës së shinave, puna në kanalizime u pezullue. Grupi i punëtorëve u caktue në punë të ndryshme. Drejtori i Zyrës së Punës, që më urrente qyshë nga dita e parë, më urdhënoi me shkue çdo ditë në Bushat, në nji kamion të zbuluem, e si punëtor krahu në ndërtim. Shpesh herë, nën shiun e pandërpremë, tetë punëtorë transportoheshim gjatë nji udhe 14 kilometra të gjatë si ndihmë për muratorët vedas. Aty mbajshim gurë e tulla, përgatitshim llaçin me gëlqere, ranë e çimento, e furnizojshim muratorët. Shpesh herë puna nuk ndalej edhe kur biente nji shi i imtë. Mbuloheshim me kartë çimentoje, por konditat e vështira nuk lejojshin plotësimin e normës, e pagesa ditore pakësohej, si rrjedhim. Ajo që bante këtë gjendje edhe ma të padurueshme ishte era e ftohtë që na ngrinte kockat, sidomos kur ishim të qullun nga shiu gjatë udhëtimit. I zanun keq e pa rrugëdalje, u këshillova me nji shok të vjetër që punonte në arsim. Ai me sugjeroi të regjistrohem për kurse nate në çfardo profesioni, sepse kjo më siguronte punë brenda qytetit. Të nesërmen, në Zyrën e Punës paraqita kërkesën time. “Vij vonë nga Bushati, e nuk kam kohë me shkue në shkollë” thashë. Drejtori më shikoi me egërsi e pa kundërshtue, më caktoi punën në ndërtimin e Teatrit “Migjeni”, në qendër të qytetit. Tashma kisha hy në listën e punëtorëve të rregullt. Punojsha mirë e nuk lejojsha të krijoheshin dyshime të çfarëdo lloji. Para meje kishte vetëm nji objektiv: me fitue bukën e gojës derisa nji plan i mirë për arratisje të përpunohej si duhet. Problemi kryesor që më pengonte ishte ndihma për nanën e motrën. Për fat të mirë, ky problem u zgjidh me kthimin e vëllaut nga ushtria, e punësimi tij pa vonesë. Me shtimin e të ardhunave, gjendja jonë ekonomike u përmirësue. E mjera nanë! Sikur nuk u besonte syve kur shihte dy djelmt në shtëpi, të punësueme, e tryezën e bukës me ushqim. Nganjiherë, sikur donte me u sigurue për këtë ndryshim fatlum, hidhte krahët mbi supet tona, e na mbante ashtu pranë pa folë. Na nuk e trazojshim në këto çaste lumtunie të plotë...! Por ardhja e vëllaut nxiti dëshirën time me u largue sa ma parë nga vendsi e nga nji regjim që me kërcënonte jetën pa pushim. Nji ndjenjë padurimi mbizotënoi. “Nuk mundem ma!” përsëritsha me vete. Punojsha çdo ditë, pa fjalë, e kthehesha në shtëpi herët. Jetojsha i ndërgjegjshëm nji jetë me dy faqe. Megjithatë, vetmia e zgjedhun vullnetarisht filloi me më lodhë. Mbas arrestimit çdo gja ishte sekuestrue, e në radhë të parë librat, fotografitë e dëftesat shkollore. Kur nana më njoftoi se Sigurimi kishte marrë fotografitë e mia të ditëve të fëmijnisë nji zhgënjim i thellë më përshkoi. Ideja se ky monstruozitet synonte me më shkatërrue të kaluemen time, gjithçka që kisha qenë unë para arrestimit, shokët e kujtimet e mia, thelloi edhe ma shumë urrejtjen për vandalët e ditëve tona. Përbuzje e tyne për çdo njeri e çdo gja që nuk i përshtatej kuadrit të “botës së re” që ndërtojshin pa ndjenja, pa zemër e pa mend, ishte e pakufishme. U përpoqa me gjetë ngushëllim me leximet e bibliotekës publike, por lista e librave ishte aq e vorfën sa që mbetej me lexue materialet e propagandës zyrtare, ose këndime për fëmij. Kërkesa për libra serioze mund të ngjallte dyshime. Nëpunësi raportonte e Sigurimi i Shtetit nxjerrte konkluzionet e veta...! Atëherë, bana përpjekje me drejtue vëmendjen time në mësimin e gjuhëve të hueja. Për fat, në dyqane shitej revista sovjetike “Temps Nouveaux”, dhe edicioni anglisht “New Times” që unë fillova me ble rregullisht. Në shtëpi lexojsha kopjen frëngjishte, nji gjuhe që e kisha studiue në lice. Mandej, edicionin anglisht, e vejsha krahas atij frëngjisht, e në mungesë të fjalorit, krahasojsha fjalitë dhe nxirrsha kuptimin e tyne. Ajo anglishte e pakët që kisha mësue në burg më ndihmoi shumë. Megjithë vështirësitë e përballueme, aftësia me lexue anglisht u rrit, e fjalori u zgjanue. Edhe kjo përpjekje, pavarësisht nga vullneti im i fortë më lodhi ma parë, e më dekurajoi ma vonë. Rashë në nji depresion që shqetësoi familjen. Isha i heshtun edhe me nanën që dëshironte aq shumë bisedimet me mue. Nji ditë, mbas kthimit nga puna, gjeta mbi tryezë nji radion të vogël. Nana më tregoi se ishte dhuratë e motrës së madhe. E besova! Motra kishte qenë gjithmonë kaq e mirë me mue. Por dyshojsha në qëllimin e kësaj dhurate të veçantë. Ishte gjithëherë shpresa e nanës se radioja do të më krijonte nji lloj “dëfrimi” e do të më nxjerrte nga depresioni ku kisha ra. Për pak ditë ashtu ngjau. Çdo mbramje ndigjojsha stacionet e hueja në gjuhët europiane. Lumi i lajmeve që transmetoheshin më dha idenë e botës së jashtme që na mohohej. Referencat e vazhdueshme për Evropën e orientueme kah bashkimi, e forcimi i NATO-s si murojë kundër kërcënimeve sovietike, tregojshin se bota kishte kuptue jetën në vendet përtej “perdes së hekurt” dhe rrezikun që përbante për botën e qytetnueme kjo shoqëni e mbyllun hermetikisht. Ideja e nji botë të lirë e të përgatitun ushtarakisht e aftë me kundërshtue rrezikun komunist, më mbushi me entuziazëm. Berlini, Poznani, Budapesti u banë faltoret e mia. Nga fundi i ferrit ku kisha ra dukej rrezja e shpresës se nji ditë kjo botë e lirë do të zgjanonte kufijt e saj, e se vendi im europian do të bahej nji ditë pjesë e Europës. Ishte nji andërr për mue, por nji andërr që jetonte me mue, e që nuk do të vdiste për sa kohë që e ushqejsha me shpirt e zemër. I ndezun nga fantazia e andrrave të mia, kalova orë të tana me radion time të vogël. Zakonisht, dritoret e dhomës përdheckë ku jetojsha ishin të mbylluna, drita ishte e fikun, e zani i radios ishte aq i ulët sa vetëm unë isha në gjendje me ndigjue. Vetëm kur vinte programi muzikor i radios së vendit, ngrihej zani, hapeshin dritoret, e ndizej drita e dhomës. Ishte ba si rregull për të gjithë. Deri në nji mbramje kur vuna re se nana linte dhomën kur fillojshin emisionet e hueja. Në fillim nuk kuptova. Kureshtja më shtyni me e ndjekë. E mjera plakë! Çdo natë dilte përjashta, ecte rreth e rrotull shtëpisë, pranë dritoreve, me u sigurue që askush nuk gjurmonte jetën tonë në dhomën përdheckë ku jetojshim. Kur mbaronte emisioni, ajo kthehej pa asnji fjalë, pa asnji ankim. Ky gjest i plakës më plagosi në zemër. Egoizmi im ishte nji dënim i randë e i pamerituem për nanën e motrën, e nuk isha në gjendje me e durue ma gjatë. Në fillim, shkurtova kohën e ndigjimit; ma vonë, e këputa fare. Heshtja e dy viktimave të pashpirtësisë së organeve të diktaturës randonte mbi mue ma shumë se çdo vërejtje tjetër që mund të vinte nga kushdo. Por ata e kishin pranue me qenë kurbanë, e me u sakrifikue në heshtje. Nana nguli kambë me rifillue ndigjimet, por unë nuk pranova. Ajo ndjeu veten fajtore, e kuptonte fare mirë se gjesti im do të sjellte nji gjendje të randë shpirtnore për mue, e dëshironte me e pengue me çdo kusht. Por unë nuk kisha fuqi me mospërfillë frikën e saj!

Nji ditë, gjatë punës për Teatrin “Migjeni” më vizitoi motra. Dukej e shqetësueme, megjithëse përpiqej mos me e tregue. “Policia” më kishte kërkue në shtëpi. Nanës i thanë se duhej të paraqitesha në “Policinë Qendrore brenda ditës”. -Mos u shqetësoni,” i thashë. “Do të shkoj gjatë orës së drekës. Mos u shqetësoni...” -Nana nuk kishte fuqi me ardhë!” përgjegji motra. “Dridhet prej frikës.” Unë ula kokën. Isha plot pluhun çimentoje e baltë betoni. Vizita të këtilla zakonisht nuk ishin shenj e mirë, as pritshe nji te mirë nga autoriteti. Por në gjendjen time kërkohej bindja e plotë pa krijue asnji dyshim. Përsëri, shkuemja me kambë të mia në Polici ishte pothuejse hymje e padetyrueshme në burg. U paraqita te roja, e i tregova letër-thirrjen. Ai më kërkoi dokumentin personal, më shikoi me vërejtje trupin e rrobet e pluhunosuna, më pyeti ku punojsha, shikoi disa shkresa para vetes, e mbasi u sigurue se nuk kisha ndryshue adresën, më lejoi me u largue. Jashtë portës më priste motra. E qetësova, e përqafova, e u nisa për vendin e punës. Por në mbrendinë time u trondita. Ishte padyshim e domosdoshme me ardhë në nji përfundim. Çdo ditë, çdo orë, mund të siellte katastrofën finale.

Në mbledhjen e kolektivit të punës u njoftue se do të hapeshin kurse kualifikimi për muratorë e karpentierë. Për ata që kishin nji arsim të mesëm parashikohej të ndjekshin kurse për ndihmës-teknike e teknike ndërtimi. Pa mendue fare, u regjistrova. Kurset jepeshin nji herë në javë, e me forma praktike nga ustallarë të zgjedhun. Megjithë shplodhjen e ditës nuk mungova asnjiherë. Në fund të kursit u shpërndanë dispensa me elementë themelorë të zanatit, si plotësim teorik i praktikës. E gjithë kjo veprimtari nuk më randoi fare. Pjesa teorike ishte e thjeshtë. Në provimin para Komisionit që kryesohej nga Drejtori i Ndërmarrjes – që unë njihsha mirë e që më sulmonte çdo herë që më shihte! – u përgjegja korrekt pyetjeve që m’u drejtuen. Drejtori u nervozue. -Mor ti, zotqen, ne e dijmë që je intelektual...por më thuej, a mundesh me vue dy tulla njenën mbi tjetrën? Nuk duem fjalë këtu...A je në gjendje me ba punën?
-Po shoku drejtor!” përgjegja. “Kam fitue eksperiencë gjatë këtyne muejve të fundit.”
-Këtu nuk ashte punë mendesh e punë shkolle...A më kupton? Na duem punë me kualitet, përndryshe...”
Nuk e mbaroi fjalën. Më urdhënoi të dalë përjashta të pres përfundimin. Kur më thirrën me hy, ai më tha:
-Po të japim kategorinë e katërt, zotqen, se ti për teori din ma shum se na...Ndigjo! Pushteti ka besim se do të punosh me ndërgjegje...përndryshe...” Tue u sjellë nga e djathta, ju drejtue inxhinierit të kantierit:
-Ky ka aftësi me u ba teknik i mesëm,” tha. “Pse nuk e keni marrë?”
-Nuk ka kërkue shoku drejtor... Por me kohë do të shqyrtojmë edhe këtë problem...”
Dola nga zyra. Ne errësinën e natës më erdhi nji e qeshun e papërmbajtshme. Farsa që luhej atje, në atë dhomë, ishte e qartë. “Pushteti” kërkonte me shfrytëzue “aftesitë” e mia, e unë kërkojsha nji punë që paguente ma mirë, e që nuk kishte përgjegjsi. Me marrë diplomën për teknik ndërtimi donte të thotë me drejtue punimet në nji kantier pune. Për çdo gja që nuk shkon duhet të japësh llogari. Nuk mund të pranojsha këtë zgjidhje të problemit. Ajo ishte nji rrugë e hapun për akuza sabotimi; ishte nji grackë ku unë nuk do të bijsha brenda. Dy ditë ma vonë, u caktova për punë pranë Spitalit Civil, si pjestar i nji brigade nën drejtimin e nji muratori plak, profesional e me nji zemër florini. Quhej Shuk. Rreth e rrotull meje, punëtorë e ustallarë punojshin pa pushim, me norma e në kondita të vështira. Pothuejse të gjithë ishin “proletarë”. Jetojshin vetëm me rrugën dyjavore të nxjerrun nga puna e përditshme dhjetë orëshe. Dy orët e fundit ishin pa pagesë, si “dhuratë” e klasës punëtore për “Partinë e lavdishme”. Asnji nuk ishte i kënaqun. Disa me heshtje, të tjerët me “barcaleta” të mprehta, shfaqshin pakënaqësinë e tyne për punën, për jetën, për vështirësitë që na rrethojshin.

Nji natë, në muzgun e mbramjes, ndërsa kthehesha në shtëpi, nji ish shok i shkollës me ndaloi, e kërkoi të falun që nuk kishte guxim me përshëndetë gjatë ditës “sepse më vështrojnë” më spjegoi. “Të kuptoj” i thashë tue e shikue drejt në sy. Në errësinën e natës, kjo krijesë e zhveshun nga petku i sedrës njerëzore më detyroi me e mëshirue. Por që nga ajo natë e mbrapa humba çdo respekt për të. Për mue, ai ishte nji leckë e pavlerë, landë e gatshme për manipulim nga “pushteti”.

Ishte festa e Pashkëve katolike. Vendosa me vizitue “usta Shukun”, kryetarin e brigadës së punës. Ai e vëllau i tij Jaku, dy dukagjinas, ishin punëtorë të aftë e të ndershëm. Kisha besim të plotë tek ata, e kur në çast lodhje e dëshprimi lëshojshin nji shprehje fyese për “pushtetin” sjellshin kohën kah unë, e qeshnin. Edhe në heshtje kuptojshim mirë njeni-tjetrin. Dy vëllaznit ishin besimtarë të devotshëm, e persekutimi i egër i klerit katolik i kishte tjetërsue nga “pushteti” në mënyrë të përhershme. Për ata, “komunistët shqiptarë” ishin “anti-Krishti”. Ishte nji dënim i pafalshëm, e përfundimtar! Në shtëpinë e usta Shukut më pritën mirë. Ndërtesa përdhecke ku jetonte gjindej në nji lagje të periferisë së qytetit. Dhoma e vetme ishte prej dheu, pa dysheme, me disa karrika, nji tryezë, e dy shtretën. Usta Shuku nuk u shqetësue. Më ofroi nji gote raki, simbas zakonit, e tue ngritë dollinë: “Qoftë lëvdue Jezu Krishti!” përshëndeti. Bisedimi ishte i lirë, i thjeshtë, i mbushun me barcaleta. Por mbi të gjitha ishte thellësisht miqsor. Në fund të vizitës, kur i shfaqa dëshirën me vizitue edhe Jakun, plaku uli kokën e me tha me za të ulët: “Mos shko! Jaku nuk ka raki me të gostitë...me tre fëmij mezi siguron bukën e gojës...Do të turpënohet...Ma mirë mos shko...!” “Të shoh nesër në punë, usta!” i thashë, e u largova pa fjalë. Gjendja e Jakut më turbulloi mendjen. Festa e Pashkëve ishte festë gëzimi: vezët e kuqe, rrobet e reja, drekët e plota, vizitat me shokë e të afërm, Mesha në Kishën e Madhe, e nji paradë skenash gazmore që e ndjekshin. Si duhej të ndiehej Jaku atë ditë kur nuk kishte as edhe nji gotë raki për nji mik? Vetëm zemra e tij e dinte! Por, tashti e mbrapa, Jaku, muratori i heshtun, nuk do të ishte vetëm nji shok pune për mue, por edhe nji qenie tjetër ma shumë që vuente si unë, ndoshta ma shumë se unë. Në bashkësinë e të vorfënve ku jetojshim na ishim vellazën... Dashunia për njeriun, për këtë krijesë kaq fisnike e kaq të ndrydhun nga shtypja e vorfënia mbetej pa dyshim ndjesia ma e thellë, ma e randësishme, dhe e përhershme për mue! Gjendja e Jakut e nxori në shesh përsëri. E megjithatë, vazhdimisht e ndiejsha veten të vetmuem, e të tjerët për rreth që i dojsha me gjithë shpirt ishin aq të ndryshëm nga unë. Edhe Jaku, mendojsha me nji farë turpi, edhe ai nuk e mbush vetminë time. Nuk vuejsha ma pak se të tjerët, e ata nuk ishin ma të lumtun se unë. Ndoshta, ky ishte kyçi spjegues i afrimit tonë: ndjenja e vuejtjes së përbashkët! Por si individ, ndjehesha nji njisi e ndame, e veëueme, e dënueme me qenë e vetmueme, si çmim i pashmangshëm e i detyrueshëm që duhej të paguejsha me qenë ai që isha, korb-zi mbi tokë, por i pajisun me nji zemër skifteri, e synin e mendjen në hapësinën e pambarim, i lirë...e pa shoqëni! Gjatë shëtitjeve të së diellës mbas dreke në qendrën e qytetit asnji nga shokët nuk guxonte me me shoqënue. Disa përshëndetshin për së largu me nji buzëqeshje. Të tjerët nuk më njihshin fare...! Ishte e qartë se isha i ruejtun nga “spiunët” e i shikuem me frikë nga “të tjerët”. Fillova me evitue “piacën” e me kalue orët e çlodhjes në periferinë e qytetit. Më dilte përpara figura e Jean Valjean-it të V.Hugo-s që frikësonte kalimtarët. Nji herë i dënuem, unë isha dënue për gjithë jetën.

Me ardhjen e stinës së shinave, puna u ngadalësue. Norma nuk plotësohej, e për ditët e shiut, paguhej vetëm gjysma e rrogës. Ky sistem vështirësoi pa masë konditat e jetesës, e zbriti të ardhunat dyjavore aq sa u banë të pamjaftueshme. Nji ditë u ktheva nga puna i lodhun si zakonisht. Mbas pastrimit më rrethoi heshtja. Në fillim nuk kuptova derisa nana e theu. -Nuk kemi darkë!” më tha. Fytyra e nanës e vështirësia e saj me më dhanë lajmin e randë se mbas dhjetë orë pune krahu nuk kishte darkë, më vrau ma shumë se mungesa e darkës. Vëllau nuk kishte ardhë ende. Shikova motrën ulë në nji kand të dhomës së vogël që, pa folë, ndiqte me vëmendjen ma të madhe çdo gjest e fjalë timen, tue drejtue shikimin e dhimbshëm herë nga unë herë nga nana. E mjera motër! Në pamundësi me gjetë nji punë të përshtatshme, jetonte me ndjenjën shkatërruese të parazitit, të fajtorit, të personit pa vlerë...! E tmerrshme! Në moshën njizetë e pesë vjeçare ajo ishte vu në nji pozitë të atillë sa që nuk e dëshironte jetën ma gjatë në kurrizin tim, ose nji tjetri kurdoherë që do të dilte fati. Nuk gjesha fjalë me thanë. I hutuem, vendosa me dalë nga shtëpia, me ecë, me vrapue pa drejtim, vetëm të mos isha ma gjatë dëshmitar i pamjes së nanës së dërrmueme. Këtij mishnimi të vuejtjes së pandame. Në çastin kur po kalojsha prakun e derës së jashtme, nji za që m’u duk sikur ishte ai i komshiut të dehun, më tingëlloi si çekan mbi kokë: “Hape Radio Tiranën...ka muzikë popullore në këtë orë...!” Pa e kuptue fitova fuqi të reja në trup. Mbylla derën me zhurmë, shpejtova hapin, e pak minuta ma vonë vrapojsha si nji i çmendun në errësinë. Më dukej sikur e gjithë ndërtesa e shpresave të mia, e vetëkënaqësisë që më mbante si gogël mbi ujë sa herë që mendojsha se diçka kisha krye, se isha në rrugë të mbarë, se ecsha përpara me hap të rregullt, çdo herë ma larg, ma nalt në përpjekje me prekë nji qiell që më tërhiqte e më mashtronte njikohësisht, si “fata morgana” në shkreti, po shembej atë natë. Më dukej në atë çast se nji boshllëk i madh sa vetë zemra ime po krijohej përmbrenda e më linte me gojë hapët e të frikësuem nga mungesa e diçkaje konkrete ku mund të mbështetsha... Asgja, asgja me shpresue! E gjithë e kaluemja kishte qenë nji andërr e keqe; nuk kisha nji të tashme, e nuk e vlente me mendue për nji të ardhme. Nji ndjenjë e plotë pafuqie më zotënoi, e nji ndërgjegjshmëni për pakuptimin e jetës që jetojsha ato ditë sikur më shkatërroi vullnetin me u përpjekë për nji rrugëdalje. Fryma e pesimizmit më mbështjelli, e nji dëshprim i thellë aq sa të më shtyjë drejt aktit përfundimtar, e të pariparueshëm...! Çdo dorë e shtrime mund të ishte në atë çast nji urë e hjedhun mbi humnerë, e vetmja lidhje me botën që ofronte alternativën. Çka mund të ngjiste me mue në qoftë se kjo “urë” që ofrohej nuk ishte tjetër veçse dora e ngjyeme me gjak deri në brryl e vrasësit, e xhelatit të kuq...? I lodhun, i uritun, i dëshpruem nga pamundësia me ushqye vehten e familjen me gjithë punën e përditshme dhjetë orëshe, u ktheva në shtëpi. Në dhomën e vetme gjeta përsëri nanën e motrën. I përqafova, i ngushëllova, i sigurova se nuk isha i zemruem me ata për mungesën e darkës, por për rrethanat që na detyrojshin me u nënshtrue para nji situate të këtillë, të paaftë me kundërveprue. Të nesërmen u zgjova me kohë e shkova në punë si përherë.

Nji ditë pune, kantieri u vizatue nga “përfaqësuesi i bashkimeve profesionale” të ndërtimit. Ishte nji “shoqe” me të cilën kisha punue para burgimit në Seksionin e Rindërtimit. Me kujtohet habitja e saj kur më pau mbas dhjetë vjetë ndamje. Në fillim më shikoi me vëmendje sikur dëshironte me u sigurue se nuk ishte gabim. Unë e njoha menjiherë, e buzëqesha. M’u kujtuen të gjitha bisedimet që kisha pasë me të ma parë, e sidomos natyra e saj e ambël, e buzëqeshja e përhershme. Ato kohë, ishte thellësisht e ndërgjegjshme për mungesën e arsimit e aftësinë e kufizueme me punue në zyrë. Por kishte besimin e “Partisë”, nji privilegj që nuk e keqpërdori asnji herë me mue. Zemërmirë për natyrë, ajo e tregoi me nji shprehje mëshirimi për gjendjen ku kishte ra. U drejtue kah unë, e për çudinë e të tjerëve, më dha dorën, më pyeti për shëndetin, për punën, gjithherë buzagaz, e pa heqë sytë nga unë. Përgjegja me nji ton shoqënuer, pa u ankue, e pa dhanë përshtypjen e pakënaqësisë. U interesue për konditat e punës në kantier, e u largue. Sa “komuniste” ishte “shoqja”? “Ashtë fanatike” më thanë, që në gjuhën e përditshme donte të thotë “e rrezikshme”, sepse raporton çdo gja që sheh e ndigjon. Atëherë, pse u tregue kaq e njerëzishme me mue? Ishte natyra e saj e mbrendshme! Komunizmi dukej se nuk kishte asgjësue natyrën e saj. Kur ajo takonte nji të njohun me kujtime të mira, natyra e saj e njimendte dilte në sipërfaqe, si “dobvsi borgjeze”. Shoqja e bashkimeve profesionale nuk ishte çnjerëzore, ajo nuk ishte “komuniste”. Gjatë kthimit në shtëpi, mu kujtue fëtyra e kushërinit të pushkatuem nga nazistët. Me nji ndjeshmëni të theksueme për padrejtësinë e nji inteligjencë të rrallë, i paisun me nji kurajo të qetë e të qëndrueshme, ai do të kishte çfaqë moskënaqësinë e vet sidomos me krimet publike, dhe ndërhymjen jugosllave. Ka mundësi që kundërshtimi i tij do të kishte irritue “udhëheqjen” shkodrane. Si rrjedhim do të ishte eliminue. Sot, ai ishte i rreshtuem në listat e “dëshmorëve”, prindët janë “prindë dëshmorësh”, e virtytet e tij ngrihen deri në qiell sa herë që propaganda komuniste e shikon të arsyeshme me i kujtue nji popullsie të lodhun nga sloganët, “sakrificat e popullit e të Partisë”. Edhe kjo viktimë fisnike, kjo rini e shueme pa mëshirë në kampet naziste, ishte pjesë e “gënjeshtrës” se madhe që helmonte vendin tonë të izoluem. Kushërini im po pushkatohej përsëri, kësaj rradhe nga ish “shokët” e tij, që në konditat e krijueme do të kishin aprovue vrasjen e tij...!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora