E marte, 16.04.2024, 09:26 PM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Nikollë Lesi: Si i njoha Nanon dhe Berishën (Berisha VIII)

E premte, 02.01.2009, 04:29 PM


Nikollë Lesi

Si i njoha Nanon dhe Berishën

Kapitulli i dytë - Sali Berisha

E premtja para ditës së zgjedhjeve

Mitingu përmbyllës i fushatës u bë me 1 korrik 2005 në sheshin “Skenderbej” në Tiranë. Në shesh ishin mbi 100 mijë veta. Pa diskutim që ishte shumë e shumë herë më i madh se mitingu i Nanos në sheshin “Nenë Tereza”, para Universitetit të Tiranës. Fushatën tonë e kishte menaxhuar një kompani, e cila thuhej se ishte amerikane. Sheshi atë mbremje ishte mbuluar nga flamujt e pragfitores, që për hir të vertetës ende nuk dihej, por që e besonim. Zemërimi popullor për qeverinë e Nanos dukej se ishte treguesi i asaj cka besonim ne. Nano kishte vënë bast se do të fitonte shumicën e vendeve në parlament e më pas do të bënte lesh arapi opozitën, por nga të tijtë, sidomos Ilir Metën dhe Edi Ramën do ti “masakronte” keqas politikisht. Për mua kishte thënë, sic thonin nën zë njërëzit përreth tij, se “ do ta fus në burg “.

Mitingu kishte filluar dhe me erdhi rradha për të folur. Isha karikuar aq shumë kundër kryeministrit Nano, sa mezi po prisja të flisja. Janë të rregjistruara në televizione ato cka thashë në sheshin “Skenderbej”. Me rreshqiste fjala në grykë si një lumë që nuk mbaronte dhe motorat më ishin ndezur të gjithë për fluturim. U prita shumë mirë nga populli. Bile një prej amerikanëve të fushatës tonë elektorale me thirri vecmas me një të stafit shqiptar dhe me uroi :” Bravo ! E ndeze sheshin !”. Ika me turmën, e cila shpërndahej. Era e fitores dukej se po vinte. Nano kishte humbur shumë pikë në tre vite qeverisje. LSI e Metës do ta shkatërronte nga ana e saj dhe kësisoj dukej se me 3 korrik në darkë vonë humbja do të trokiste në vilën kryeministrore. Por akoma kishte punë. Ishte administrimi dhe ruajtja e votës. Ne, të vegjlit, ishim në pozita me të këqija në këtë drejtim. Nuk shkova në shtëpi, por iu drejtova zyrës së PDK. Aty nga ora 23.00, filluan të më vinin telefonata e mesazhe, sipas të cilave mora vesh se ishte dhënë urdhër për devijimin e votave të partive të tjera të koalicionit, me përjashtim të Partisë Republikane. Selia e PD-se në Tiranë u kishte dërguar mesazhe gjithë kryetarëve të degëve demokrate në rrethe, se duhej të shpërndaheshin në fshatra e lagje të qyteteve për të kërkuar vota në proporcional vetëm për Partinë e Mediut. Tensioni në bazë po rritej. Drejtuesit e PDK-së nëpër qarqe donin të dinin nëse është porosi nga Berisha apo drejtuesit e PD-së në zona po punonin në kokë të tyre e në pazar personal me Mediun. Nuk dija cfarë t’u thoja. Mora në telefon Saliun, por nuk ma hapi telefonin. Flisja me Jozefina Topallin, por me thoshte “nuk di gjë”. Ia thashë edhe Ritvan Bodes. Ai as nuk pohonte e as nuk mohonte. Të nesërmen situate u bë më shqetsuese. Në të 100 zonat elektorale PD po punonte kundër partive aleate, përjashtuar PR. Fola me Pollon. Kishte të njëjtin shqetsim. Arian Starova më thoshte me ironi se ” po punojmë për partinë e Mediut !”. Fushata elektorale ishte mbyllur zyrtarisht e me ligj të premten. Nuk mund të dilje e të flisje për këtë ndryshim drastik të votive. Kisha vetëm një mundësi; të prisja të merrnim aq sa mund të tepronte nga Mediu nga votat tona, të cilat shpresoja se ishin diku mbi 6 për qind.

Një ditë pas 3 Korrikut

Mediu dhe Gjinushi po na vjedhin votat hapur !- bërtiste në telefon nga Vlora, Naim Brahimaj, kandidati vlonjat. Me sqaronte se komisionerët e PD dhe PS kanë rënë në pazar që votat e LSI dhe tonat t’i ndajnë në proporcional për PSD e Gjinushit dhe PR e Mediut. Ishte nata e 3 korrikut dhe data 4 korrik 2005. Po numëroheshin votat. Më saktë po vidheshin votat për partitë. Për kandidatët direkt nuk bëhej pazar.

- Ore c’të bëj ?- telefonte Nazmi Visha nga Fushë Kruja- Këta po i vjedhin pa teklif. Nuk e cajnë kokën fare !

-Mundohu Naim !- mundohesha ta qetësoja. As vetë nuk isha i qetë.

- Si të mundohem – bërtiste edhe më shumë Nazmiu- Vetëm ti vras !- Ata nxjerrin fletët e votimit. Thonë PDK e kur e palosin e fusin tek fletet për PR dhe PSD- akoma më shumë e ngrinte zërin në telefon.- Nuk kam zgjidhje tjetër. Po shkoj e të marr ciften në shtëpi e ua rregulloj unë këtyre- vazhdonte Visha.

Në Lezhë, Rreshen e në Rubik i kanë ba sallatë votat tona !- ankohej Mark Gjomarkaj, kandidati më favorit për të qenë deputet.

-Në Ksamil i përlanë të gjitha. Qenka i pangopur ky Mediu !- nuk pushonte Hektor Metani nga zona e Sarandës.

-Ketu tash po kërcet pushka o kryetar ! Po i vjedhin pa e ca kryet – thërriste Tonin Marinaj nga Malësia e Madhe.

-Na nxorën përjashta ne partive të vogla. Kanë mbetur brenda vetëm PD, PS, PR e PSD- Luan Kurti nga Lushnja sa nuk qante

- Të lutem ndërhyjë tek OSBE se Vlorën e bënë si donin vetë. I rruajtën votat tona ! – qahej Gjergji Dhima. Telefonat dhe mesazhet nuk pushonin.E mbylla telefonin fare. Dola për kafe. Vetëm Ndue Shpani në Burrel ishte në rregull. Kishte lidhur miqësi me parë me kandidatin e PD-së. Ishin marrë vesh. Kishin miqësi , me sa dukej dhe në biznes . Hapa telefonin se nuk më rrihej pa ditur se c’bëhej. Vershonin mesazhet me zërin e tyre karakteristik si varg tullash. Të mërkurën doli një shifër e përafërt. PDK kishte marrë 3.37 për qind të votave kombëtare. Morëm dy deputetë në proporcional. Kishte fituar dhe kandidati ynë në zonën e lirë në Mirditë, kandidati në mazhoritar. U hodhëm nga gëzimi. Mëgjithëse na kishin vjedhur përsëri ishim për herë të parë në historinë e PDK , parti parlamentare me votat e saja. Pragu kushtetues për të qenë në parlament ishte 2. 5 për qind. Po festonim, ndonëse ishim të bindur se diku tek 5 për qind kishin votuar për ne, por kjo ishte Shqipëria e vitit 2005 !

- Urime zoti Lesi ! A pijmë një kafe në hotel Sheraton ?-ishte Sali Berisha. Shkova.

-Do të qeverisim bashkërisht, Nikollë – tha dhe ishte në qejf të madh. Nuk e kisha parë kaq cakërqejf . Me këtë fitore jo vetëm fitoi pushtetin , por edhe rregullonte disi imazhin e tij për vitin 1997.

Lufter Xhuveli më sposton mua

Bisedova me kryesinë e PDK që unë nuk do të shkoja ministër. Pak a shumë ishte planifikuar ministria e Kulturës për ne. E kisha menduar që më mirë të zgjedhë një njeri nga shoqëria civile për ministër të kulturës dhe vetë të rrija në parlament duke ndihmuar dhe vigjeluar qeverinë. Duhej edhe oponencë brenda qeverisë. Papritur u thirr në skenë Lufter Xhuveli në qeverinë e djathtë. U habita, por nuk vonova të dilja hapur kundër ardhjes së tij në kabinetin qeveritar. Një ministër i Nanos nuk mund të kalonte kaq kollaj në kampin tonë. Fola në media. Saliut nuk i pëlqeu kjo gjë. Po më spostonte mua dhe po afroheshin me partinë agrare. Kërkova takim me Berishën. Më parë erdhën në takim Jozefina Topalli, Ritvan Bode dhe Genc Ruli. Ofruan vetëm post zv/ministri. U mundova bashkë me Vladimir Bejën, nënkryetarin e PDK t’ju shpjegoj se pakti ka qenë dhe për një post ministri, ku natyrisht nuk do të isha unë. Ata shikonin njëri tjetrin dhe nuk flisnin më gjatë. Më thanë se duhej të takoja patjetër Berishën. Telefonova prapë Saliun. Erdhi në takim.Kishte tjetër pamje. Serioz, i ftohtë . Ndjehej kryeministër !

-Nuk kam vend për ministër për PDK- foli thatë Saliu.

-D.m.th. Xhuveli duhet e unë jo ?!- pyeta jo pa qejf për sherr. Iku pa pirë kafenë. Në qeveri po vinte edhe PBDNJ e zotit Dule. Pra dy ministra të dy partive që ishin me Nanon para 3 korrikut. Prita dhe disa ditë. Asgjë e re. Atëhere dola dhe deklarova se “ngrijmë marrëdhëniet me PD derisa ajo të reflektojë seriozisht me PDK, pasi kemi qenë aleatë të fortë në fushatën për rrëzimin e kryeministrit Nano”. Berisha u përgjigj jo pa ironi se “ Lesi ngrin në verë !”. Ngrica politike erdhi papritur me PD. Qeveria u formua dhe ne mbetëm jashtë saj . Lufter Xhuveli mbajti një fjalim në parlament pro Berishës e së djathtës, aqsa qeshja me disa kolegë deputetë. Nuk kishim c’të bënim . Vetëm të qeshnim me zor.

- Të kam thënë se kush është Sali Berisha !- ngrinte zërin avokat Spartak Ngjela- Ja shkoi tek Xhuveli. Nuk vdesin kollaj komunistët – vazhdonte avokati. Shkova në shtëpi. Bashkëshortja nuk fliste. I vinte keq për gjithë atë mundim që kisha bërë tash sa vite e isha tradhtuar hapur. Nuk doja të jepja veten si i mërzitur. Morëm kalamjatë e dolëm për darkë. Shkuam tek një restorant në periferi të Liqenit të Tiranës. U ulëm dhe darkuam. Si për dreq nuk vonoi shumë dhe kur mbërriti eskorta e Berishës. Vjen dhe Saliu me Xhuvelin për darkë. Një tavolinë tutje nesh. Mu përballë. Cfarë ironie ! Trokita gotat me dy djemtë e gruan. Qeshnim me gjithë zemër duke ia ditur se përballë ishte politika tradicionale shqiptare, e cila vazhdonte tash 50 vite me pabesi. Por isha me familjen time. Ndjehesha shumë mirë. Nuk doja të dëgjoja për politikë. Piva atë natë, pothuaj afër dehjes me verë të kuqe. Ndjeja se duhej të harroja gjithë fushatën. Nganjëherë njeriu ngarkohet me një tension pune e tradhtie të bërë nga ata që ka bashkëpunuar për një ideal, e krejt papritmas futet në një botë irreale, ku fantazon se si mund të ishte në një Shqipëri tjetër; të zhvilluar, pa sherre e armë, pa Nanon e Berishën, pa Gjinushin e Xhuvelin, pa Cekën e sojin e vjetër të politikës. Por kjo është botër irreale. Kur hap sytë dhe përballë të del prapë Lufter Xhuveli në podiumin e ministrit që drejton Shqipërinë tash 30 vite, atëhere kthjellohesh se duhet këmbëngulje për të larguar politikën e vjetër. Shqipëria është vend i bukur, porse në krye të saj, në politikë ka ata që nuk duhet të jenë… Si majtas dhe djathtas! Le të shpresojmë se kalamajtë tanë do të jenë me të tjerë Udheheqës… Brezi im dhe ata para meje janë brezi i humbur.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora