E enjte, 28.03.2024, 08:24 AM (GMT)

Mendime

Sadik Bejko: Shqipëria dhe komunizmi

E premte, 02.01.2009, 02:06 PM


Shqipëria dhe komunizmi

Nga Sadik Bejko

Ngjarjet e 21 majit të sivjetëm ilustruan më së miri atë se cili është statusi real i ish të persekutuarve tanë politikë nga komunizmi. 21 Maji është shpallur dita që duhet të kujtojë përndjekjen nga komunizmi. Sivjet atë nuk e përkujtoi askush zyrtarisht. Në se do të ishte ndonjë përkujtimore me prapavijë komuniste, do të çaheshin ekranet, politikanët do të viheshin në garë kush të dukej sa më shumë në media. Më 21 maj 1972 në burgun e Spaçit u bë një nga revoltat më spektakolare antikomuniste. Të burgosurit përreth një javë morën nën kontroll kampin. Vizatuan shqiponjën në një beze të kuqe dhe ngritën flamurin pa yll. Fundi dihej: u pushkatuan katër të burgosur, u ridënuan me nga 25 vjet burg dhjetëra të tjerë. Më 20 maj 2008 M. Vlashin, vëllezërit Pojani dhe shumë nga ata revoltues të 21 Majit 1972 që ende janë gjallë, Instituti i të Përndjekurve, mori përsipër t’i çojë në Spaç. I hipi në një autobus të prishur që mbeti në rrugë. Në Rrëshen, për t’i shkuar ironisë gjer në fund, Instituti u shtroi “heronjve të Spaçit” një drekë me gjysmë sallatë, me mish jani, mish e pilaf dhe… hallvë. Drekë tipike morti për varfanjakë. Ja cili është statusi i të përndjekurit: statusi i fakir fukarait, i grupit në nevojë. Gjithë të tjerat janë pallavra.
Po të pyesësh përfaqësitë shtetërore europiane a të tjerë përfaqësues në nivel të organizmave europiane për statusin real të ish të persekutuarve politikë nga komunizmi në Shqipëri, ata të përgjigjen se duhen ndihmuar si të gjitha grupet e tjera në nevojë, si gjithë të margjinalizuarit, si shoqatat e të dhunuarve, të trafikuarve, si romët, handikapatët, homoseksualët... Po, grupet në nevojë, duhen ndihmuar. Shumë nga ish të persekutuarit ende i gënjen mendja kur mendojnë se ata janë dikushi, se i kanë në mendje për mirë, meqë ata kanë qenë heronj të burgjeve. Se duhet të kenë një status, të paktën moral, më të lartë se sa shumë grupe të tjera në nevojë. Se për ta ka një kuadër ligjor që prej 15 e më shumë vjetësh, se ka një rezolutë të Parlamentit për dënimin e komunizmit, se... Të gjitha këto janë fjalë. Edhe rezoluta, edhe kuadri ligjor janë sa për sy e faqe. Politikisht ata nuk i interesojnë më askujt. Qeveritë që vijnë e ikin nga pushteti, i shohin si ferrë nëpër këmbë. Dëmshpërblimi për vitet e burgut që është një detyrim kushtetues, u shty e u shty pa fund. Sot për ta marrë atë (do ta marrin vallë?) kërkohet aq shumë burokraci, sa të merret mendja. Dhe, dhe… është një shpërblim fare qesharak, në krahasim me shpërblimin e burgut që morën “të persekutuarit” si Fatos Nano dhe eksponentët e komunizmit, të persekutuarit nga “gjyqet e kafeve”.
Më 1991 ish-të persekutuarit nga diktatura u shpallën heronj. Figura nga kjo shtresë morën vende në parlament. Shumë u shpërblyen me dekoratën “Martir i demokracisë”. Të tjerë, me meritë a pameritë, morën punë të dyta në shtet. Kjo histori me heronj e me martirë shërbeu vetëm për pak kohë, vetëm sa për të rrëzuar diktaturën komuniste, ose sa për t’i dhënë pushtetin politik një partie. Klima më pas ndërroi: “heronjtë” u mënjanuan, sikur të mos ishin më pjesë e kësaj bote. Më pas shqiptarët u shpallëm “të gjithë bashkëfajtorë, të gjithë bashkëvuajjtës”. Formula “të gjithë bashkëfajtorë, të gjithë bashkëvuajtës” i vuri në një balancë të pushkatuarit nga komunizmi, me ata që kishin dhënë dënimet me ekzekutim. Gjyqtarë dhe hetues të tillë morën pozita më të larta nga ato që kishin pasur nën diktaturë. Viktimat e tyre vazhdojnë të mbeten të poshtëruar. Ligjërisht (pa dëmshpërblim) dhe njerëzisht (pa varr).
Skema e ndërtimit të heroit dhe më pas e poshtërimit të tij, veç manipulimit, mban të fshehur përbrenda dhe ndjenjën e fajit. Ndjenjën e fajit të atij që kur i duhesh, të bën hero dhe, kur nuk i duhesh, të eliminon, pa dhe të poshtëron keqas pas eliminimit. Këtë metodë Enver Hoxha e zotëronte mirë. Kur i leverdiste Mehmet Shehu ishte hero, më pas, jo vetëm e “vetvriste” Mehmetin, por dhe e shpallte poliagjent. Ndjenja e fajit, duan apo nuk duan, e dinë apo nuk e dinë, është tek të gjithë ish-persekutuesit, të cilët me kohë u rikthyen në poste shumë më të larta nga ato që patën gjatë diktaturës. Përbrenda ata janë fajtorë, por “ligjërisht” ne të gjithë jemi vetëm bashkëfajtorë. Ndaj ai që ka qenë në burgjet komuniste, le të jetë pak më sipër se sa në burg. Dhe ai që gjykonte e jepte ndëshkime në diktaturë, le të jetë pak, por dhe shumë, shumë herë më lart se sa posti i tij i dikurshëm. Ky moral është bërë pjesë e një situate më të gjerë shoqërore, situatë që mundohet t’i fshehë e t’i shtypë krimet e së kaluarës. Situatë që ushqen dhe më tej poshtërimin për të persekutuarit dhe simpatinë në ngritje për persekutorët. E të gjitha llojeve.
Po të botosh sot ndonjë dokument që denoncon për persekutim ndonjërin nga personat tanë publikë, ai jo që nuk pëson gjë, por, për kundërbalancë, e gjen mënyrën që të marrë ndonjë dekoratë a urdhër të lartë nderi nga Presidenti i Republikës, të bëhet deputet, qytetar nderi i ndonjë qyteti, laureat i ndonjë çmimi për merita të shquara shtetërore, laureat i ndonjë çmimi që “akademitë” a OJQ-të tona me peshë i shpërndajnë për të mbrojtur rrjetin e influencave me burim nga e djeshmja. Jemi gjoja në demokraci, ku nuk ka të vërteta të pranuara nga të gjithë. Në demokraci mund të ketë turlisoj morali, lloj-lloj vlerash, në mos po dhe përmbysjen me kokëposhtë të vlerave të përjetshme, pastaj zëvendësimin e tyre me antivlera, të cilat i sjellin dobi një klani, një partie. Në një situatë të tillë, kushdo që ka bërë krime, mund të gjejë strehë diku, mund të justifikohet diku, në mos dhe të mbahet për hero në grupimin e vet. Sot, jo vetëm ata që janë të përfshirë në krime gjatë komunizmit, por cilido tjetër që pas 90-tës ka bërë krime, gjithmonë shpreson se do t’i shpëtojë ndëshkimit dhe, për më tepër, shpreson që një ditë mund të lartësohet në radhët e qytetarëve më të respektuar të vendit. Persekutorët nazistë ndiqen edhe sot, këtu persekutorët vlerësohen. Shqipëria asnjëherë nuk e dënoi komunizmin si regjim të paligjshëm e kriminal. Ndaj përfaqësuesit e tij në të sotmen po lajnë faqen, po marrin poste, po dekorohen. Në dëm të moralit shoqëror ata transferuan tinëz krimin dhe kaosin nga një epokë në tjetrën.
Më 1991 ish të persekutuarit nga komunizmi ishin heronj. Për meritë, jo se ua dhuroi njeri këtë vlerësim. Të dalë nga burgjet, ata e kishin urrejtjen të ndezur. U futën në greva urie, u organizuan. Mund t’i jepnin flakë asaj situate, të merrnin dhe armët. Kështu u kthyen në faktor politik. Më pas qeveritë e kohës me demagogji i urtësuan, i mashtruan gjersa i prunë atje ku janë sot: të margjinalizuar. Grup në nevojë, grup që zgjat dorën. Ja, atë që bënë më 1991, nuk ditën ta bëjnë më pas ish-të vrarët, ish - të burgosurit, ish - të torturuarit, ish-pronarët, ish - të shpronësuarit. Nuk ditën të jenë më faktor politik. Për vete e për të tjerët. Tani le t’i tallin me hallvë e me shpërblime sa për sy e faqe.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora