| E shtune, 01.07.2023, 07:57 PM |
THELLËSI E LEXIMIT DHE AFTËSI E KOMUNIKIMIT ME TEKSTE POETIKE MODERNE
–
Parathënie –
NGA
ANTON NIKË BERISHA
Studimi
i më i ri i Timo Mërkurit “Blatime poetike të Niko Kacalidhës” është një dëshmi
e mirëfilltë e përkushtimit të tij në fushën e studimit të veprave të poetëve
tanë bashkëkohorë, e leximit të vëmendshëm të tekstit të tyre, përkatësisht e
aftësisë së komunikimit edhe me tekste të ndërliqshme poetike, të cilat
kërkojnë më shumë dituri të qenësive dhe të veçantive të artit të fjalës. Po e
them këtë për arsye se studimi i poezisë moderne, siç është ajo e poetit Niko
Kacalidha, e vë para vështirësive dhe mëdyshjeve të pashmangshme secilin
studiues që gjakon të vërë një komunikim thellësor dhe dinjitar me të, po dhe
të përndritësojë ndikimin e mundshëm estetik të teksteve të kësaj natyre në
marrësin.
Mënyra
e qasjes dhe e ndriçimit të dukurive e të vlerave të poezisë së Niko
Kacalidhës, që e zbaton autori, të shpjerë pandërmjetësisht tek dukuria sa e
vjetër aq dhe e re, ndërlidhur me veprën letrare, me letërsinë: krijuesi –
teksti – marrësi1 . Timo Mërkuri kërkon në
tekstin poetik të vështruar dhe të interpretuar atë që ka brenda shpirtit të
tij; që është pjesë e mendjes, e njohjes dhe e përvojës së tij; kërkon atë që
heq peshë si vlerë në një krijese letrare, që nuk i përket vetëm një kohe dhe
një personi; ai njësohet thellësisht me tekstin që e vështron dhe e
interpreton, po dhe pjesë të tekstit të interpretuar njësohen me të, me botën e
tij. Pra, në një farë mënyre, ata i japin njëri – tjetrit. Së këndejmi, nëse
teksti letrar poetik është veta tjetër e shkrimtarit (shkrimtari i shndërruar
në shenja dhe kuptime), në një mënyrë ose tjetër ai bëhet i tillë edhe për
studiuesin dhe lexuesin (marrësin).
Kjo
ndërlidhet me mendimin e Angelus Silesius-it për natyrën e tekstit letrar si
syrin e padallimtë: “Syri nga ku e shoh unë Zotin, është i njëjti sy nga më
sheh ai2” . Ndodh kështu nga se, siç thekson dhe
Roland Barthes-i, teksti poetik ka
nevojë për hijen e vet: kjo hije, është pak ideologji, pak përfytyrim, pak
subjekt: fantazma, skuta, gjurmë të mjegullta, re të nevojshme: subversioni
duhet ta përftojë dritë- hijen e vet3” .
Timo
Mërkuri nuk e shpjegon tekstin e poezisë së Niko Kacalidhës, as nuk e
përshkruan; ai vë komunikim me tekstin si dhe ai (teksti) “vë komunikim” me të
si studiues. Nga shumësia e kumteve të tekstit të poezive të Kacalidhës, Timo
Mërkuri veçon atë që e ngrit dhe e dallon poezinë e tij; të veçantën dhe
burimoren. Për t’ia dalë kësaj, atij i kanë ndihmuar dy përbërës të
rëndësishëm: njohja e mirëfilltë e gjithë poezisë së Kacalidhës dhe njohja e
rrjedhës së jetës dhe të kohës së hartimit të poezisë . Shpesh studiuesit i
mjafton dukuria e parë – njohja e thellë e poezisë së një autori, po edhe
dukuria e dytë (rrjedha e jetës dhe koha dhe vendet e përftimit të poezive) e
bën punën e vet – kushtëzon njohjen dhe ndriçimin e poezisë përkatëse.
Brenda
shumësisë së kumteve (mesazheve) të teksteve poetike, që veçohen në poezinë e
Kacalidhës Timo Mërkuri dallon atë që përkon me botën e tij, me ndjeshmërinë,
me tundimet shpirtërore me reflektimet në pasqyrë. Gjithë kjo është rrjedhojë e
aktit të leximit, e përqendrimit dhe e kërkimit të asaj që një poezi e bën të
qenësishme. Pra, akti i leximit i jep jetë vetë tekstit dhe shumësisë së
kuptimeve që dalin (dhe mund të dalin) prej tij. Jashtë leximit teksti mbetet
diçka e vdekur. Kjo a nuk mund të afrohet me atë që thoshte Walter Benjamini:
“Mund të shkojmë edhe më tej e të pyesim veten: Raporti që narratori ka me
lëndën, jetën njerëzore, a nuk është një raport artizanal4?”
Duke
qenë i vetëdijshëm për shumësinë e kumtimeve të testeve poetike të Kacalidhës, studiuesi
Timo Mërkuri e di se kur e interpreton një tekst modern, në të vërtetë jep një
variant të mundshëm, jep atë që në një çast mendon se heq peshë dhe lartësohet
mbi të tjerët e mundshëm; këtë e përligj me atë që thotë dhe me shembujt që
sjell në studimin e vet. Them kështu nga fakti se tekstet poetike janë krijesa
të përftuara e të shtjelluara përmes gjuhës poetike dhe të shprehurit poetik,
janë krijesa para së gjithash të përfytyrimit. Këtë e dëshmon dhe ky tekst nga
Libri i Fjalëve të urta (Proverbave) i të Besëlidhjes së Vjetër (të tillë
gjejmë edhe në libra të tjerë të Besëlidhjes së Vjetër, si, fjala vjen, edhe në
Librin e Psalmeve5 ):
Tri
gjëra janë shumë të vështira për mua,
ose
më mirë katër, që nuk i kuptoj aspak:
rrugën
e shqiponjës në qiell,
rrugën
e gjarprit në shkëmb,
rrugën
e anijes në detin e thellë,
rrugën
e burrit në një grua të re (Fu 30, 18 – 19).
Për
këto vargje studiuesi dhe njohësi i madh i letërsisë së hebrenjve, Luis Alonso
Schökel, thotë: “Kush i ka hartuar këto vargje është një poet i madh. E ne
përpiqemi të shpjegojmë si ai e shpjegon atë që është e pashpjegueshme6? ”.
Natyra
e poezisë është e tillë që “Pamjet nuk shërbejnë për t’i veshur idetë, po janë
të lidhura me perceptimin e realitetit 7”,
çështje që lidhet edhe me poezinë e Kacalidhës, për të cilën autori i studimit
thotë “Qysh në botimet e fillimit ai u shfaq me një poezi metaforike
surrealiste dhe afri stilistikore kishte me shumë me Fatos Arapin, ndërsa
shpirtërisht ishte më i afërt me poezinë e Frederik Rreshpjes, por me një
Frederik të “qeshur’ e plot dritë”8 .
Njohja
e artit të fjalës, brenda tij dhe e poezisë, i ka bërë të mundur Timo Mërkurit
të bëjë vlerësime të mëvetësishme e të qëndrueshme, duke prekur e ndriçuar ata
përbërës që dalin nga teksti i poezive: “Poezia e Niko Kacalidhës është dashuri
jo mendim dhe si çdo dashuri, ajo së pari ndjehet që është e tillë dhe vetëm më
vonë kuptohet; është ndjenjë që rritet, e jo nerv i tendosur që këputet. Poezia
e tij është shpirtërore, jo materiale; është ëndrra e prag-mëngjesit jo dielli
që lind; nuk është lulja është aroma, nuk është buza është puthja. Ajo nuk
është zemra është rrahja e saj, nuk është trupi është shpirti, është shpirti që
gjallon te njeriu. Poezia e Niko Kacalidhës nuk është varg, është frymë, fryma e
shenjtëruar e A(r)tit poetik. Unë ju them se ky poet është thjeshtë Biri i
A(r)tit që solli Frymën e tij të Shenjtë te ne në formën e vargjeve poetike”.
Jam
i bindur se studimi i Timo Mërkurit “Blatime poetike të Niko Kacalidhës” do të
mundësojë përafrimin më të madh të lexuesit me poezinë dhe me botën poetike të
autorit dhe do të nxitë një komunikim më të madh e më të mirëfilltë.
Prishtinë, shkurt 2023
1- Shih punimin Qenësia
e marrëdhënies estetike: autori, vepra, marrësi. Në Estetika dhe estetika e letërsisë.
Tekst për studentë. Bashkë me Labinot Berishën. Faik Konica, Prishtinë 2018, f.
184 – 210; shih dhe punimin tim Teksti letrar si komunikat dhe estetika e
tij.Në veprën time „Teksti poetik.Vështrime e kritika”. “Rilindja”, Prishtinë
1985, f. 24 – 32.
2-Roland Barthes,
Kënaqësia e tekstit. Përktheu nga frëngjishtja dhe shënimet Urim Nerguti.
Buzuku, Prishtinë 2000. f. 27.
3-Roland Barthes,
Kënaqësia e tekstit, vep. e përm., f. 49?
4-Walter Benjamin,
Narratori. Reflektime mbi veprën e Nikolai Leskovit. E përktheu nga
origjinali gjermanisht
Ervin Lani, Zenit Editions, Tiranë 2021, f. 68.
5-Për Psalmet shih
Parathënien time në Psalmet. Shqipërimin dhe parathënien Anton Nikë Berisha.
Arqipeshkvia Metropolitane Shkodër – Pult, Shkodër 2017.
6-Luis Alonso Schökel,
Manuale di poetica Ebraica. Editrice Quaeriniana. Brescia 1989, f. 124.
7- I Salmi. Nuova
versione, introduzione e commento di Tiziano Lorenzin. Quarta edizione.
Paoline, Milano 2009, f. 36.
8- Shih më shumë
zgjedhjen Frederik Rreshpja, Era përkund pikëllimin e luleve. Poezi. Zgjedhjen
dhe parathënien Anton Nikë Berisha, Beqir Musliu, Gjilan 2018.