E shtune, 20.04.2024, 12:07 PM (GMT+1)

Udhëpërshkrim

Aty ku turizmi malor takohet me detin dhe liqenin

E diele, 01.07.2007, 01:18 AM


Pika turistike e Razmës, 41 km nga Shkodra
Një udhëtim i mrekullueshëm në plazhet shkodrane ku pushuesit i ofrohet liqeni dhe deti. Rëra e rrallë me jodio kuron sëmundjet ndërsa fauna dhe flora e pasur e bëjnë edhe më karakteristike këtë zonë të Shqipërisë. Sigurisht, mos harroni tavën e krapit.
Pozicioni gjeografik i Shkodrës, bukuritë e madhështitë e natyrës së saj janë resurse të mëdha turistike dhe një vend relaksi e pushimi për turistët shqiptarë e të huaj. Prania e lumenjve Drin e Buna e Kir në qytet, e liqenit të Shkodrës, e detit Adriatik në Velipojë, dhe e pikave turistike të Razmës, Thethit , Bogës e Vermoshit, e bën këtë rajon një thesar turistik. Në Shkodër ndodhen plazhet e Velipojës, Shirokës, Zogajt, si dhe mjaft plazhe të tjera të vogla pranë lumenjve Drin e Buna. Po kështu janë në funksion dhe pikat pushuese malore të Thethit e Razmës, ndërsa mundësi të shumta paraqesin dhe ato të Bogës e Vermoshit.

Velipoja

Plazhi i Velipojës është padyshim plazhi më i preferuari i veriut, jo vetëm për banorët e Shkodrës por dhe të shumë qyteteve të tjera. Ai ndodhet 30 km larg qytetit të Shkodrës dhe rruga që të shpie aty është e rikonstruktuar. Ky plazh është hapur në fillim të viteve 70 ndërsa pas vitit 1991 vërshuan rreth 900 ndërtime pa leje. Nga këto 550 funksionojnë si hotele dhe apartamente të dhënë me qera për pushuesit. Nga qendra e komunës e deri në plazh janë rreth 100 lokale dhe në këtë zonë nuk mungon as energjia elektrike por uji i pijshëm është një problem më vete. Në total plazhi i Velipojës ka një vijë bregdetare për shfrytëzim 14.5 km. Rëra karakteristike njihet për përmbajtje të lartë jodi dhe veti kuruese. Në zonë gërshetohen harmonishëm deti, lumi, plazhi, laguna, pylli e mali. Ndër të veçantat e Velipojës mund të përmendet rezervati i gjuetisë, rreth 700 ha të mbushur me rosa, kryekuqë, turtuj, fazanë por edhe lepuj e derra të egër

Liqeni i Shkodrës

Liqeni i Shkodrës është një tjetër mundësi për pushuesit shqiptarë e të huaj. Pasuritë e tij lidhen me praninë e plazheve të Shirokës e të Zogajt si dhe faunës e florës së pasur. Në liqen ekzistojnë rreth 700 lloje mikroalgash dhe 250 lloje algash. Nga bimët ujore me gjethe që dalin mbi ujë dhe gjethe notuese, janë kallamishtja, zunkthi, zambakët e ujit të bardhë dhe të verdhë, zhavari etj. Liqeni i Shkodrës është i pasur në faunë dhe mund të gjesh rreth 250 lloje shpendësh. Madje rreth 70% e llojeve të shpendëve të Shqipërisë ndodhen në liqenin e Shkodrës. Këtu nuk mungojnë as peshqit e shumtë (45 lloje) ku sigurisht mbreti i liqenit është Krapi. Është e kotë të shkosh në liqenin e Shkodrës dhe të mos provosh një tavë krapi ose krap në tjegull. Dy specialitetet e zonës janë të njohura në të gjithë Shqipërinë.

Plazhet

Vetëm 12 km larg qendrës së qytetit të Shkodrës gjendet plazhi i Zogaj. Relievi i ulët kodrinor, prania e mjaft gjireve të vegjël shkëmborë, plazhet me zhavor e gjelbërim, klima e ndikuar nga prania e liqenit dhe malit, e bëjnë Zogajn një plazh të pëlqyeshëm për të gjithë llojet e pushuesve. Deri në vitet 90 kjo ka qenë një zonë kufitare dhe "mollë e ndaluese" për të gjithë pushuesit. Tashmë kushdo mund të vizitojë plazhin dhe gjiret e tij të virgjëra. Në dispozicion të pushuesve janë shtëpitë e banorëve, banesa tipike me shkallë të gurta, oborr të rrethuar dhe kryesisht me dy kate. Banorët e zonës kanë profesion kryesor peshkimin dhe këtë ua afrojnë dhe pushuesve që kanë dëshirë të zënë peshk. Gratë janë të njohura për punimin e qilimave. Pushuesve u afrohen dhe shumëllojshmëri perimesh e frutash të freskëta të zonës si dhe nënprodukte të tyre si thanaku, pistili, pekmezi, të cilët janë tradicionale dhe origjinalë. Gatimi karakteristik i zonës është tava e krapit.

Plazhi "i braktisur" i Shirokës

Plazhi i Shirokës është shfrytëzuar tej mase para viteve 90-të, ku qytetarët shkodranë dyndeshin aty çdo ditë duke përfituar nga fakti që ai ndodhet fare pranë qytetit. Aktualisht Shiroka shfrytëzohet pak si plazh dhe këtu ka ndikuar dhe ndotja e ujit të liqenit në këtë zone. Aty ka pak pushues, një hotel dhe vitet e fundit janë ndërtuar dhe disa kabina private që jepen me qera për 10.000 lekë të reja në 15 ditë. Kohët e fundit vihet re një shtim i numrit të ndërtimeve private nga ana e qytetarëve shkodranë në këtë zonë. Në Shirokë ka mjaft lokale luksoze dhe cilësore, pasi kjo pikë pranë liqenit frekuentohet gjatë gjithë vitit nga turistë ditorë vendas dhe të huaj.

Hotelet

Në zonën e Velipojës ka mjaft hotele që presin pushues kryesisht në periudha dy javore por dhe ditore. Çmimet këtu janë në varësi të kushteve që u afrohen pushuesve. Ato ndryshojnë ngadhomat apartamentet apo dhomat e zakonshme vetëm për çifte. Çmimet e pushuesve fillojnë nga gjashtë euro në natë për person e deri në dhe 35 euro për dhomë. Këtu nuk mungojnë as hotelet që vënë në dispozicion dhoma suite që janë 17 euro për person në një natë dhe 51 euro për dhomë, në disa raste përfshihet edhe ushqimi në një ose dy vakte. Hotelet kryesore afrojnë parking, kënd lojërash, pishinë, dhe kushte të përshtatshme brenda si kondicioner, TV etj. Për pushues ditorë ka mjaft hotele të lira ku ku çmimet janë nga dy deri 20 euro nata. Shumë kabina dhe dhoma hotelesh në formë apartamenti jepen me çmime që në korrik e gusht shkojnë 30.000- 40.000 lekë të reja për dy javë, ndërsa në periudhat e tjera 15.000-25.000 lekë të reja. Një tjetër vend i mrekullueshëm në plazhin e Velipojës është dhe Rrjolli, ende i panjohur dhe i pashfrytëzuar plotësisht pasi ndodhet në krahun tjetër të plazhit dhe rruga për atje kalon nëpër një urë vetëm për këmbësorë , nga Viluni. Ai ka një vijë bregdetare rreth 4 km, me gjerësi rëre 200 m dhe shtrihet në një zone me pyll shkurresh, duna të vogla rëre dhe pranë ka malin që bie thikë në det. Për të shkuar në këtë plazh të veçantë kalohet një urë vetëm për këmbësorë në lagunën e Vilunit.

Thethi, kurora e diamantit e Alpeve shqiptare

Në Alpet shqiptare, 70 km nga qyteti i Shkodrës, i mbrojtur nga tre malet Radohimë, Shenik, Paplukë, me lartësi mbi 2500 m, shtrihet lugina e lartë e Thethit. Kjo është pa dyshim një nga zonat më të veçanta të Alpeve shqiptare, 750 deri 950 metra mbi nivelin e detit me një sipërfaqe prej 2630 hektarësh. Malet madhështore, pyjet e ahut, livadhet, burimet e ftohta si dhe potencialet e veçanta që ka Thethi si zonë malore turistike dhe klimaterike të vlerësuara për bukuritë natyrore, ofrojnëmundësi të mëdha për ushtrimin e turizmit në të gjitha stinët e vitit. Befasia dhe bukuria, që të ofron kjo zonë, fillon që me praninë e pyjeve të dendura, ku përveç atyre të ahut nuk mungojnë edhe pyjet e tjera të larmishme me Pishën e zezë, Panjën, Frashërin etj. Këtu nuk duhet përjashtuar bimësinë e ulët që ia shton edhe më shumë bukurinë kësaj zone mbresëlënëse. Një nga pikat piktoreske në këtë mrekulli natyrore është padyshim edhe "Vorri i Riecit", një pikë nga e cila vihesh përballë Okolit, Qafës së Pejës dhe ku majtas ngrihet madhështore kalaja natyrore dhe Shtegu i Dhenve. Që nga viti 1968 e në vazhdim Thethi funksionon si qendër turistike dhe do të ndërtoheshin godina ,hotele e shumë objekte të tjera që do të prisnin vizitorë të shumtë nga e gjithë Shqipëria dhe Evropa Lindore për rreth 35 vjet rresht. Kapaciteti i sezonit veror ishte mesatarisht deri në 600 vetë dhe në dimër mbi 400 vetë e llogaritur kjo mesatarisht një pushues për një banor. Në vitin 1976, Thethi shpallet "Park Kombëtar". Pas ndryshimeve të viteve 90' të, hoteli funksionon vetëm pjesërisht me një kapacitet prej 30 shtretërish dhe është privatizuar. Deri në vitin 1997, hoteli ka pritur e përcjellë shumë pushues vendas e të huaj, por me trazirat që përfshinë gjithë vendin u prish edhe rregulli i frekuentimit të zonës turistike tëThethit.

Bukuritë e papërsëritshme të këtij fshati malor në zemër të Alpeve Shqiptare, e bëjnë Thethin që të zërë një vend të rëndësishëm në natyrën e turizmin shqiptar. Duke u nisur nga veçoritë e tij dhe nga vendndodhja pranë kufirit, Parku i Thethit është propozuar që të jetë pjesë e një parku ndërballkanik të quajtur Parku i Paqes. Ky projekt përfshin territore edhe nga Kosova dhe Mali i Zi. Në Theth, banorët me ndihmën financiare dhe të GTZ kanë përshtatur banesat e tyre për pushuesit që çdo vit shtohen. Atyre u afrohen hoteleri, dhoma me kushte të përshtatshme dhe gatime tradicionale. Çmimet në Theth variojnë nga 10 deri 30 euro për person. Thethi rrethohet nga male të larta dhe qafa mahnitëse që fshehin në brëndësinë e tyre ballafaqime të panumërta me alpinistë, spedologë, botanistë, gjeografë dhe shumë dashamirës të alpeve, tek të cilët kjo zonë la mbresa të pashlyeshme. Fshatrat e kësaj zone shtrihen në të dy anët e lumit nga Okoli deri në Grunas, ku spikasin shtëpitë karakteristike që të gërshetuara me sfondin alpin,të shfaqen si peizazhetë papërsëritshme e të rralla.

Udhëtim nga kanioni i Grunasit tek Ujëvara e Thethit

Resurset natyrore të kësaj zone janë të lidhura së bashku edhe me trashëgiminë kulturore dhe historike të banorëve vendas, duke formuar kështu , bazat më të rëndësishme për zhvillimin e turizmit. Kushdo që do të vizitojë zonën do të përballet me mrekullinë e kanionit të Grunasit, rreth dy km i gjatë, 40 deri 60 metra i thellë dhe vetëm dy deri në tre metra i gjerë. Përveç kanionit, në Theth gjenden një numër i konsiderueshëm shpellash,por ato që kanë tërhequr vëmendjen e shumë alpinistëve, spelologëve, gjeografëve etj, janë Shpella e Harapit dhe Bira e Rrathëve. E veçanta e këtyre shpellave janë liqenet nëntokësore, galeri, sifone etj. Madje këto veçori janë bërë shkak i shumë legjendave të krijuara nga banorët e zonës. Një bukuri natyrore, të veçantë , të bjeshkëve të veriut, shpalos në këtë zonë, Ujëvara e Thethit me 25 metra lartësi. Së bashku me cirqet përreth dhe Mullirin e Blojës, formojnë një nga vendet më interesante për tu vizituar. Por jo më pak tërheqës është edhe vendburimi i lumit të Shalës në Okol, burimet e të cilit nxjerrin 2.5 deri në 3 metra kub ujë, që vë në punë një hidrocentral të vogël dhe 12 . Thethi është park zoologjik natyror, pasi ka një hapësirë të admirueshme, e cila i ofron kushte të mira jetese disa llojeve të ndryshme të kafshëve të egra si ariu, dhia e egër, derri i egër, kaprolli, dhelpra, ujku, lepuri ,pa anashkaluar rrëqebullin e zardafin. Në zonë nuk mungojnë as shpendët e rrallë ku çdo pushues mund të shikojë lehtësisht shqiponjën, skifterin por edhe gjelin e pulën e egër.

RAZMA

Aty ku ndihesh turist 365 ditë të vitit

Në një largësi 41 km nga Shkodra dhe 900 metra mbi nivelin e detit, rrëzë malit të Veleçikut ndodhet pika turistike e Razmës. Rreth viteve 20 të shekullit të kaluar kjo zonë u shfrytëzua nga barinjtë për stane verore dhe më pas me rritjen e standardit të jetës, tregtarët shkodranë ndërtuan shtëpitë e tyre verore. Këto banesa funksionuan deri në vitet 44-46, kur më pas ato u shtetëzuan dhe u shfrytëzuan si shtëpi pushimi për punëtorët. Këtë traditë e ruajti deri në vitet 1991-92, kur më pas shtëpitë i morën ish-pronarët. Razma konsiderohet si një nga vendet më të bukura dhe me klimën më të shëndetshme të Alpeve. Në mes të pishave, lëndinave, kullotave alpine, e peisazheve malore ka mjaft banesa të tipit alpin. Ndryshe nga zonat e tjera turistike alpine, Razma, frekuentohet dendur në të gjitha stinët e vitit, veçanërisht në dimër. Dëbora që mbulon lëndinat është mjaft joshëse për rrëshqitjet me ski. Hotelet në këtë zonë kanënga 4 deri 12 dhoma dhe çmim 1500 lekë të reja nata. Rruga prej 41 km nga Shkodra në Razëm është e shtruar plotësisht dhe gjithkush mund të shkojë shumë lehtë. Zona turistike e saj shtrihet në një pllajë karstike,që paraqet kontraste befasuese në reliev, duke ofruar kushte mjaft tërheqëse për zhvillimin e turizmit malor. 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora