E marte, 19.03.2024, 03:31 AM (GMT)

Shtesë » Historia

Qëndresa heroike e popullsisë, shpartalloi armikun

E premte, 02.01.2009, 02:35 PM


Vërmiku
Vërmiku
Nga Resul Bedo

Vërmiku është fshati më i vogël në Kurvelesh. Edhe ai dhuroi gjakun e vet në këto luftime. U vranë duke luftuar 8 djem të Vërmikut: Sulo Koçerri, Feim Çelo, Bajram Balo, Zagoll Veshi, Mehmet Kashta, Shaqo Hanija dhe Dervish Beqiri.

Grekët tentuan disa herë të futen në fshatin e vogël në mes të maleve, por shtigjet e thepisura në këtë vend dhe pritat që iu viheshin e bënë të pamundur. Ata mundën të hynin një herë vetëm deri në lagjen Bletaj larg fshatit, por nga frika e rrethimit u tërhoqën. Vërmiku kishte çetën e tij me 29 luftëtarë. Në luftimet me ushtarët grekë në Qafën e Mbretës plagoset rëndë Muhamet Braka, i cili mbas disa ditësh vdiq. Luftimet vazhdojnë. Dëmet janë të mëdha:

Kurvelesh, o gur i shkëmbit
E qëllon topi i Zallëmit
Na prishi lezet?e vendit
Kurvelesh, o gur i thatë
Luftuat me një rigatë
Katër muaj ditë e natë
As bukë, as xhephanë s?patë

Dhimbjet mbetën në këngë...

Lufta në vjeshtën e parë mori një dukuri tepër tragjike. Të gjitha fshatrat e Kurveleshit ishin djegur. Kufiri i luftimeve në këtë kohë shtrihej nga Llogoraja në malet e Çikës, përpara Vranishtit, Vermik, në malin tartar, mali i Gribës, Salari, midis fshatit Sinanaj deri në buzë të Vjosës. Hija e tymit të barutit shtrihej gjerazi në një zonë që përfshinte gjithë fshatrat. Vendi ishte shkretuar. Nuk endej në të asnjë frymë njeriu, nuk shihej një stan, asnjë bari i vetëm as bagëti e as kafshë pune. Endeshin vetëm hijet e natës. E gjithë popullata, pa shtëpi e katandi me teshat e trupit shkoi në Vlorë. Dhimbjen e shprehin këngët. Dhe t?i rendisim ato pa koment:

Gratë e Kurveleshit
Shkojnë për në Vlorë
Qaj, moj Shqipëri
Ulëri, moj e gjorë
Me djepe ngarkuar
Me foshnjat në dorë
Qaj, moj Shqipëri
Ulëri, moj e gjorë
O Kurvelesh me derte
Qysh duron për ato lezete
Për ato odat me tirqe
Lopë e pela salltanete
Zile këmbori tërmete
I bëri greku për vete
Grat?e Kurveleshit
Shkojnë për në Vlorë
Ç?i përzuri greku
Me foshnjë në dorë
Burrat u therën
Shtëpitë u dogjën
Qaj, moj Shqipëri
Ulëri moj e gjorë.

Kur e pyetën Ismail Qemalin për zbrazjen e vendit disa gazetarë të huaj, deklaroi:

"PO të ishin grekë këta njerëz siç pretendohet, nuk do të bëheshin muhaxhirë e të jetonin në këto kushte të padurueshme"

Do të duhej të ndalonin pozicion më pozicion për të ndriçuar deri në hollësi ngjarjet, për të evidentuar emrat e dëshmorëve të rënë trimërisht në këto luftime. Gjithkund shihet e njëjta pamje: Njerëz të rënë dëshmorë në vijat e luftës, njerëz të plagosur dhe njerëz të masakruar.

Qëndresa në Dhëmblan...

Forcat greke synonin të thyenin qëndresën shqiptare në malet e Gribës, të shpërthehej vija e frontit në Dhëmblan më synimin që të dilej të Guri Ylynecit në Sevaster dhe si të kapej Plloça të zbritej në Beun e vajzës. Me daljen në këtë sektor pozitat shqiptare në luginën e Shushicës dhe të Vjosës zhvleftësoheshin, mbeteshin me krahë të zbuluar. Veprimet luftarake u zhvilluan në Jug të Vjosës, kryesisht në Dhëmblan. Në këto pozicione u vendosën çeta e Dhëmblanit dhe të fshatrave të tjera të krahinës së Lopësit. Pozicionet kalonin në një vijë natyrale, në favor të vendasve. Qëndresës së patundur në Dhëmblan do t?i këndohej:

Dhëmblani krahinë e fortë

Paskej trima të fortë

Ditët e fundit të vjeshtës

Në Dhëmblan u përqendruan 350 burra të armatosur dhe të organizuar në 7 çeta. Forcat e fshatit Dhëmblan komandoheshin nga Dule Dalani, Selfo Meçe, Myrto Tafili, Haxhi Muharremi dhe Ajdin Xhelili. Çdo çetë i ishte caktuar të mbronte një sektor më vete dhe nuk do të lejonte përparimin e pushtuesve në drejtim të fshatit.

Ditën e fundit të vjeshtës së parë, një patrullë greke kërkoi që të hynte në bisedime. Në takimin që u bë, komanda greke kërkoi që krahina (përfshi Dhëmblanin dhe disa fshatra të tjera të dorëzoheshin rreth 1000 pushkë. Dhe pala greke s?do ta digjte fshatin. Kjo kërkesë është e përafërt me armët që kishin fshatarët e kësaj zone, gjë që tregonte se grekët kishin në thellësi të trevave shqiptare spiunët e tyre. Fshatrat e krahinës së Lopësit iu përgjigjën komandës greke:

"Nuk e kemi zakon t?i japim armët nga gryka!".

Vija e luftës në këtë sektor kalonte nëpër male të thatë pa burime uji. Kjo i vuri forcat greke në kushte të rënda për furnizimin me ujë dhe kërkuan të uleshin në Dhëmblan për të pirë ujë. Asnjë lëshim nga pala shqiptare. Komanda e forcës greke urdhëroi dhe filloi sulmin. Lufta filloi menjëherë në vijën e frontit, e cila filloi nga Allkushi, buza e Verdhushit, Gropa e Vasos, maja e Gribës, maja e Këndrevicës me Grykën e Shkallës. Si rezultat i këtyre përgatitjeve, filluan luftimet midis andartëve grekë dhe forcave të kësaj krahine, të cilat përbëheshin kryesisht nga fshatrat e Lopësit.

Dy kryetrima

Në qëndresën e dhëmbeljotëve kundër grekëve, në luftimet që u zhvilluan, nga luftëtarët e krahinës së Lopësit, veçohen dy kryetrima, Ismail Kaso dhe Mersin Meçe, dy burra me kulturë, atdhetarë dhe të mençur. Ata u vunë në krye të kësaj lufte nga dita e parë që nisi e deri në fund.

ISMAIL KASO: Lindi në Dhëmblan, i arsimuar dhe i njohur në krahinën e më gjerë. Ai ishte një nga komandantët që i jepet direkt detyra nga Ismail Qemali. Emrin e tij e ndeshim në çetat e luftës, ku njëra prej tyre e kishte emrin "Ismail Kaso". Ky luftëtar i shquar u vu në krye të kësaj lufte e të kësaj qëndresë të forcave shqiptare në këtë zonë.

MERSIN MEÇE: Dhëmblani, fshati në zemër të zonës së Lopësit, në rrethin e Tepelenës, është shquar në rrjedhën e historisë për tradita të lashta patriotike. Në këtë fshat u rrit e u edukua si patriote luftëtar i vendosur, Mersin Meçaj. Mersini lindi në vitin 1870 në një familje me tradita patriotike. Në mjedisin familjar, ku flitej e bisedohej për osmanllinjtë që shtypnin e shfrytëzonin egërsisht popullin tonë, për vuajtjet e zeza që ai hiqte nën zgjedhën e pushtuesve të huaj, u formua karakteri i këtij malësori. Familja e tij, vëllezërit Rapi, Selfua, Lulua dhe Bajrami ishin dhe mbetën patriotë të flaktë për Atdheun. Mersini mbasi mbaroi mësimet në gjimnazin "Zosimea" të Janinës, ku patën studiuar patriotë të Rilindjes sonë Kombëtare, si Naimi, Samiu me shokë, shkon në Stamboll për të kryer detyrën e gjykatësit në qytetin e Konicës (sot Konica ndodhet në Greqi), e më pas në Përmet, Vlorë, Janinë e në vende të tjera.

Qysh nën sundimin osman Mersin meçja është shquar për veprimtari patriotike, duke marrë pjesë në Lëvizjen Kombëtare me pushkë në dorë. Ai u vra nga kurthet që i përgatitën grekët në vitin 1914.

Dhëmblani krahinë e fortë
Ç?pati ca burra të zotë
Ç?pati ca burra të mirë:
Smail Kason e Mersinë
Rreth më rreth hodhën graminë
Bënë luftë me Greqinë
Kur dualë proto në majë
Tym e batare iu dhanë
Vendimet e Kanosares

Për t?i bërë ballë pushtimit të fshatit nga grekët, u formua këshilli i Pleqve ose "Pleqësia" për drejtimin e luftimeve të bëra nga Ismail Kaso dhe Mersin Meçe, dy burra të shquar të kësaj krahine, si dhe nga Malo Islami, Beqar Maska, Axhem Seferi, Alim Bajrami, Muharrem Hadushi, Dule Dalani. Ky organ drejtues i ngarkuar me detyrën e organizimit të drejtimit të luftimeve, do të hiqeshin rregullisht ngjarjet që zhvilloheshin dhe merrte vendime përkatëse në dobi të luftës. Në këtë situatë të vështirë, ai ndihmonte luftën me ushqime, armë dhe luftëtarë të armatosur, bënë ndërrimin e tyre që merrte pjesë në luftë, bënte lëvizjen e trupave, nuk lejonte përçarje e prishje të unitetit brenda frontit të luftës në dëm të tij. Për të plotësuar më mirë detyrat e luftës, ky organ, (/Pleqësia), që përbëhej nga Breshan Kaso, Alush Tare, Banush Seferi, Rrap Meçe, Qamil Aliu e Muharrem Hana i krijuar po prej këshillit të pleqve ishin:

-Të zbatoheshin me përpikmëri vendimet e këshillit të pleqve.
-Të mbrohej rregulli dhe qetësia në fshat e krahinë
-Të ndiqej pjesëmarrja në front nga çdo fshatar
-Të grumbullohej armë e municion i mjaftueshëm

-Të ndiqej grafiku i furnizimit me ushqime për frontin. Për çdo shkelje të rregullave dhe vendimeve të Këshillit Kanosarja merrte masa ndëshkimore, që nga gjobat e deri tek zbulimi i shtëpive, i cili ishte rast diskretitimi për ata që nuk jepnin rregullisht kontributin për luftën. Këto ishin format e organizimit të qëndresës. Rreziku ishte në prag. Të dy së bashku, Ismail e Mersini, duke gjetur mbështetjen e fshatarëve të Lopësit, u bashkuan si një trup i vetëm, për të penguar me çdo kusht ushtrinë greke, u bënë barrikadë e pakalueshme me qëllim që këta armiq të mos kalonin buzën e Hermecit për të zënë më vonë Gurin e Ylinecit, që kishte detyrë të mëtejshme të pengonte ushtrinë greke, duke bërë kështu që çdo pëllëmbë ta mbrojmë me gjak dhe të mos lejojmë asnjë këmbë greku ta shkelë atë. Ditën që forcat pushtuese greke lëvizë në drejtim të krahinës së Lopësit, në fshatin e Dhëmblanit u dha kushtrimi për mobilizimin e përgjithshëm, u dha krisma pushke dhe tinguj të borisë, borizani Beqir Asllani.

Zhvillimet e luftës...

Vija e qëndresës kalonte nëpër malin e Gribës, në majën Allkushi, duke mbyllur grykën e Verdhushit, mbyllej shtegkalimi në gropën e Vasos për të dalë mandej në majën e sipërme, pranë të malit të Gribës, për të shtrirë këtë vijë lufte në majën e Këndrevicës e deri në grykën e Shkallës. Në këto pozicione u vendosën në pozicion për luftë çetat shqiptare. Përballë tyre, reparte të ushtrisë pushtuese.

Për të pasur epërsi me çdo kusht ndaj armikut e quajtën domosdoshmëri mbajtjen e shpateve të thepisura të malit Gribë. Këto pozicione nuk ngeleshin asnjëherë bosh. Megjithëse nuk ishin të gjithë luftëtarë të armatosur, sepse armët iu mungonin, kur luftëtarët pushonin, armën ia dorëzonin shokut. Luftimet filluan ditën e diel më 20 shtator 1914. Ishte një luftë e ashpër dhe e pabarabartë nga fakti se grekët ishin të armatosur mirë, të mbathur e të veshur, kurse shqiptarët mbronin të drejtën me guxim, trimëri dhe moral të lartë. Ata nuk u tundën, edhe ndaj këtij rrebeshi dhe për t?i dhënë zemër luftëtarëve populli në mbështetje të frontit i këndonte atyre.

"O fshat, o vilajet xhani
Pozicionet fort i mbani"

Nën drejtimin dhe udhëheqjen e Ismail Kasos dhe Mersin Meçes, dhëmbeljotët u bënë pengesë e pakapërxueshme për grekët. Ata dy burra treguan një aftësi drejtuese, grumbulluan e mobilizuan gjithë fshatarët duke iu thënë se "duhet të luftojmë të gjithë, t?i lëmë mënjanë mëritë, të zëvendësojmë burrat në bujqësi e blegtori me gratë dhe t?i thyejmë me çdo kusht grekët". Këto fjalë në mënyrë të vetëdijshme u bënë kushtrim për të gjithë. Është e vështirë të shkruash për luftën që kanë bërë dhëmbeljotët në malin e Gribës së bashku me fshatarët dhe patriotët e krahinës së Lopësit. Luftohej ditë e natë, shteg më shteg e gur më gur. Fshatarët kalonin nga një shteg në tjetrin. Grekëve u hyri paniku, filloi tu hynte frika dhe te tmerroheshin, filluan të zmbrapseshin nën zjarrin e mauzerëve të fshatarëve të Lopësit. Një grup grekësh kishin zënë një pozicion dominues, që për tanët ishte e domosdoshme marrja e tij. Drejt këtij pozicioni u sulën dragoj si Myrto Tafili, Manxhar Mane, Kamber Saliu, Haxhi Muharremi, Qamil Sino, Avdi Zeneli etj., të cilët dhanë jetën duke luftuar zjarr më zjarr me pushkë e me gjak. Në këto momente luftëtarët e tjerë pa i lëshuar armët u kënduan trimave, shokëve të tyre:

Kur u zu lufta në maje
Ca djem të Dhëmblanit u vranë
Myrto Tafili i parë
Manxhar Mane qime bardhë
Avdi Zeneli deli djalë
Haxhi Muharremi sorkadhe
I griu plumbi në gurmazë

Kronika e luftimeve të dhëmbaljotëve me pushtuesit grekë është e gjatë dhe përfshin mbi tre muaj luftime. Më në fund shqiptarët si përqendrojnë forcën më shumë në Dhëmblan, ndërmarrin një sulm të papërmbajtur. Andartët ndanë pozicionet, ikën njëri pas tjetrit, lanë gunat dhe këpucët me xhufkë në pozicion e ikën. Përmenden me emër shumë trima si Ajdin Xhelili që i ndezur nga urrejtja për armikun dhe dhembshuria për shokët që i vranë hidhet mbi armikun. Bëhen të tjera heroizma, vetëflijohen luftëtarë të tjerë. Luftimet aty ku filluan dy muaji më parë, aty dhe përfunduan. Në këto luftime morën pjesë edhe gratë krah për krah me burrat dhe vëllezërit e tyre si në mbrapa vijë edhe në paravijën e frontit. Ato nuk u lodhën asnjëherë së mbushuri bucela me ujë, bukë e municion. Të tilla qenë Hysnie Tafilaj, Hava Sulaj, Dure Imeraj. Në prapavijë ekzistonte një moral i lartë, besim në fitore...

Më 22 nëntor 1914, çetat e Dhëmblanit Salarisë e gjithë fshatrave të krahinës së Lopësit, si u përqendruan mbi fshat të ndihmuara edhe nga forcat ushtarake të dërguara nga qeveria u hodhën në sulm që u kurorëzua me sukses të plotë. Forcat greke u thyen në tërë vijën e frontit, duke u ndjekur nga shqiptarët këmba-këmbës, të cilët lanë 81 të vrarë si dhe shumë municione e armatime të tjera luftarake. Disfatën e tyre e vërteton gjenerali i forcave greke në një telegram që i dërgon qeverisë së tij shprehet: "Është e kotë të harxhojmë ushtri në Tepelenë. Dhëmblani nuk merret".

Në shenjë respekti për luftëtarët e Dhëmblanit në gjithë krahinat e jugut këndohej kënga:

"Dhëmblani në rrëzë mali

Që s?e shkeli dot junani"

Luftimet vazhduan deri më 22 të vjeshtës së tretë 1914. Pjesa më e madhe që luftuan në këtë sektor mbi 200 të armatosur ishin dhëmbaljotë, ndërsa pjesa tjetër nga krahina. Mbas tre muajsh luftime me grekët mbërritën ndihma nga krahina të ndryshme, e sidomos nga Vlora.

Djaloshi nga Salaria

E quanin Ali. Lindi dhe u rrit tek shtëpia mbi shkëmb në Salari. Pamjen e tij e bien gojë-gojë gjer në ditët tona. I përshkruajnë bukur shtatin e heshtur, forcën, fjalën dhe këngën. Tjetër çoban në ato anë si Ali Rakipi që të ligjëronte me fyell, nuk kishte. Nëna e Rakipit, Sulltana kishte dy djem. Djali i parë ishte vrarë në luftimet me grekët dhe Aliu zuri këmbën e vëllait. Një nder dhe respekt vjen gjer në ditët tona për të bëmat e Ali Rakipit.

Për disa ngjarje dhe në disa vende ku bëhej luftë në vargmalet e mbi Dhëmblan përmendet edhe emri i Aliut. Del ai i veçantë në luftë dhe në qëndresë e sulm. Ismail Kaso në çdo pozicion që shkonte, në çdo shtëpi e stan fliste për trimëri, dhe kur fliste tregonte edhe për emrin e Ali Rakipit. Ditën e sulmit që bënë forcat shqiptare kundër grekëve, në majë me siprane të malit, Ali Rakipi me shokë, hynë në pozicionet e grekëve dhe u kacafytën. Aliu edhe kësaj here u veçua për trimëri. E pruri çasti që ai të ndodhej ballë për ballë me kapitenin, komandantin e kompanisë së ushtrisë greke. As shqiptarit e as grekut nuk i mungonte guximi. U ndeshën një për një. Të dy ia drejtuan armën njëri-tjetrit dhe të dy mbetën të vrarë. Mali mbeti me shenjë të veçantë, hyri në këngë. Trimëria e djaloshit nga Salaria mbeti legjendë. Vrasja e tij u ndje në mbarë vendin, në veçanti nga komandanti që drejtoi këto luftime nga Ismail Kaso. Në veçanti u dhimbsej njerëzve nëna e tij. Sulltana kishte dy djem dhe të dy djemtë ia fali qëndresës zmbrapsjes së pushtuesve, ia fali Shqipërisë duke hyrë emri i saj bashkë me të birin në këngë:

Kush doli në këngë
Ali Rakipi thanë
Ç'u përpoq me kapedanë
Të dy sho-shoqit ia dhanë

Dhe si vlerësohet akti i djalit, vepra që kreu, këngëtari i drejtohet Sulltanës, nënës së Aliut:

Qaj moj korba Sulltane
Dy djem që kishe t'u vranë
Pas kishe pjellë për junanë

Vrasja e trimit me shenjë përcillet në gjithë krahinën:

Që në Dorëz e përpjetë
Qajnë burra, qajnë djemtë
Për Ali Rakipin e shkretë

Këngëtari nuk harron kryetrimin, Ismail Kason, që pikëllohet nga vrasja e djaloshit:

Ismailit kur i thanë
Lidhi duart, zuri vajnë



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora