E enjte, 28.03.2024, 05:50 PM (GMT)

Mendime

Albert Zholi: Gëzim Tushi - Përgjegjëse për emigracionin masiv është politika e mbrapshtë

E marte, 20.06.2023, 06:55 PM


Flet “Mjeshtri i Madh” Gëzim Tushi: Përgjegjëse për emigracionin masiv është politika e mbrapshtë, indiferente 33-vjeçare

- Të mos harrojmë që tre dekada më parë kemi qënë vendi me popullsisnë më të re në moshë 27 vjeç dhe tani 38.2 vjeç,

- 30 vjet më parë kemi patur rreth 1 milion fëmijë të moshës shkollore e sot kemi 450 mijë, që kishim 2.3 fëmijë për grua dhe tani vetëm 1.3 fëmijë për grua.

-Nuk mund të jesh i qetë kur statistikat flasin se vetëm në vitin 2022 kanë kërkuar vetëm azil politik në vendet e BE gati 32 mijë vetë.

- Pesha kryesore e përgjegjësisë për emigarcionin bie mbi klasën politike, menaxhuese e administruese e punëve në këtë vend

-Emigracioni nuk është bërë proces i “diagnostikuar” me përgjegjësi politike, sociale, ekonomike, kulturore e patriotike.

- Debati për emigracionin në parlament ka degjeneruar në “betejë ulërimash”, ku asnjëra palë nuk ka dëgjuar argumentet e tjetrës.

- Emigracioni, është kthyer në një “plagë sociale” komplekse shumë dimensionale, me pasoja për të sotmen dhe të nesërmen e vendit.

- Shqipëria po plaket dhe në këtë proces demografik emigracioni ka pjesën e vet në shfaqjen e “defiçitit demografik”.

-Kohët e fundit janë shtuar rastet e korrupsionit dhe kjo tregon se disa politikanë qëndrorë dhe vendorë janë drejt degradimit.

-Nuk janë qytetarët cinikë dhe xhelozë me politikanët, por janë politikanët cinikë, mosmirënjohës dhe indiferentë ndaj problemeve të qytetarëve

- Përkundrazi ata i respektojnë politikanët me dinjitet, integritet moral dhe personalitet public.

- Shumë politikanë nuk janë në gjëndje të kuptojnë pasojat sociale të sjelljes së tyre, pengesat që i krijojnë zhvillimit të demokracisë, ekonomisë, rendit social.

Intervistoi: Albert Z. ZHOLI

Problemet e shoqërisë shqiptare janë të shumta. Por sipas specialistit Tushi shumë probleme shqiptare vijnë nga politika e mbrapshtë shqiptare. Si një ndër socialogët më në zë shqiptar të viteve të fundit Tushi gjithmonë me guxim dhe me fakte sjell përpara publikut ato çka e shqetësojnë më shumë shoqërinë shqiptare dhe madje jep dhe rrugët e shërimit ndaj këtyre problemeve. Sigurisht një ndër problemet më të shumta është emigracioni, niveli i ulët i përfaqëimit të deputetëve, mangësia e formimit të tyre por dhe vendosje apo afrimi në politikë e “të fortëve” në shoqëri kur bota e qytetëruar preferon dhe propogandon intelektualët më të mirë. Pra këto do jenë disa nga problemet që do lexoni në këtë intervistë…

Pyetje: Emigracioni masiv i shqiptarëve ndaj vendeve perëndimore nuk ka të ndalur. A ka kush përgjegjësi për këtë situatë që nuk ndodh në asnjë vend tjetër të Ballkanit?

Patjetër që dikush apo shumëkush kanë përgjegjësi politike, morale apo pse jo edhe të personalizuar. Besoj se pesha kryesore e kësaj përgjegjësie bie mbi klasën politike, menaxhuese e administruese të punëve në këtë vend. Të dy palët: pozita dhe opozita. Me vjen keq ta them, por debati për emigracionin asnjëherë nuk është bërë proces i “diagnostikuar” me përgjegjësi politike, sociale, ekonomike, kulturore e patriotike, duke “skanuar” ontologjikisht shkaqet objektive dhe subjektive të këtij fenomeni. Ka munguar një strategji “prej vërteti” që të jetë politikisht e arsyeshme dhe konsensuale. Shpesh në Parlament edhe kur është bërë ndonjë diskutim, ai ka qënë periferik. Më së shumti debati ka degjeneruar në “betejë ulërimash”, ku asnjëra palë nuk ka dëgjuar argumentet e tjetrës. Koha kërkon ndërhyrje të shpejta, strategji integruese, afatshkurtra, afatmesme e afatgjata. Ndryshe situata mund të bëhet akoma më problematike. Padyshim emigracioni, të paktën në përmasat, që zhvillohet dhe dimensionin social dhe demografik që ka marrë është kthyer në një “plagë sociale” komplekse shumë dimensionale, me pasoja për të sotmen dhe të nesërmen e vendit, ekonomisë, zhvillimit kulturor dhe popullsisë në vendin tonë. Nuk jemi objektivë nëse nuk pranojmë që largimet e njerëzve nga vendi ka arsyet e veta. Duhen bërë sa më shpejt të jetë e mundur diagnostikime të diferencuara të këtyre shkaqeve dhe jo thjesht slogane politike, që vetëm e justifikojnë këtë realitet. Largimi i njerëzve, sidomos i të rinjve nga vendi është një “lajm i keq”. Padyshim duket se papunësia dhe emigracioni janë dukuri sociale të lidhura me mirëqenien dhe plotësimin e nevojave bazike e humane. Ai më së shumti ka qenë një histori e dhimbshme individuale, sociale dhe tani edhe demografike, të cilën politika shqiptare nuk ka mundur ta “diagnostikojë” dhe pastaj edhe të mund ta shërojë. Dështimi i politikave për demotivimin e emigracionit, është një nga shkaqet e “thyerjes së besimit” midis elektoratit dhe politikës. Kanë kaluar tre dekada dhe akoma politika e pozitës dhe opozitës për emigracionin ose ka mbetur në “ajër”, ose është kthyer në një lloj përgjegjësie “pluskuese” ose e shpërndarë dhe thjesht për efekte politike dhe përllogaritje elektorale të rradhës. Nivele të tilla emigracioni mund të jenë të “justifikuara” kur ka situatë lufte apo fatkeqësi të rënda natyrore e mjedisore. Për fat ne nuk kemi asnjërën prej tyre.

Nuk janë të mjaftueshme sloganet justifikuese apo deklaratat e njëanshme, që duan thjesht ta barazojnë këtë dukuri me pasoja vetëm me sintagmën demokratike të të drejtave të njeriut. Po kjo është e vërtetë që jetojmë në një botë me treg të globalizuar dhe njeriu ka të drejtë të jetojë dhe punojë kudo. Por nga ana tjetër po përballemi me shqetësime serioze sikurse janë plakja e popullsisë, largimi i të rinjve, tkurrja e tregut të punës apo mungesa e profesionistëve të caktuar. Nuk mund të jesh i qetë kur statistikat flasin se vetëm në vitin 2022 kanë kërkuar vetëm azil politik në vendet e BE gati 32 mijë vetë, apo që jemi vendi që kemi rritmet më të larta të plakjes së popullsisë. Dhe të mos harrojmë që tre dekada më parë kemi qënë vendi me popullsinë më të re në moshë 27 vjeç dhe tani 38.2 vjeç, që kemi patur rreth 1 milion fëmijë të moshës shkollore e sot kemi 450 mijë, që kishim 2.3 fëmijë për grua dhe tani vetëm 1.3 fëmijë për grua.

Shqipëria po plaket dhe në këtë proces demografik emigracioni ka pjesën e vet në shfaqjen e “defiçitit demografik”.

Nga ana tjetër, nëse do vazhdojme këto ritme rënia e lindshmërisë dhe vazhdimi i pandalshëm i emigracionit, atëherë jo vetëm shoqëria shqiptare do plaket dhe do bëhet shoqëri me “flokë të bardha”, por do detyrohemi të mendojmë për të importuar nga jashtë brezin e ri. Gjithashtu do agravohen problemet, që kanë të bëjnë me nevojat e tregut të punës si dhe sistemet kryesore të mbrojtjes dhe kujdesit social. Kjo besoj është arsyeja pse duket qartë pse preferencat e njerëzve që duan të ikin dhe të emigrojnë, janë të ndryshme nga preferencat dhe deklaratat qeveritare. Nëse ato nuk përputhen ekuacioni nuk ka zgjidhje. Zgjidhja kërkon që shoqëria dhe ekonomia shqiptare të ketë ritme më të larta zhvillimi përmes një lëvizjeje më të shpejtë dhe cilësore në të gjitha fushat e jetës.

Nuk mund të ndalet emigrimi pa vendosur në shina të sigurta “trenin” e shtetit ligjor, pa garantuar reformën në drejtësi dhe besimin në sistemin gjyqësor. Është ultimative rritja tek njerëzit tanë i kuotës së besimit se në këtë vend do ketë drejtësi sociale, system meritokratik vlerash dhe jo deformacione nepotike. Duhet medoemos një përqëndrim më i fortë në goditjen e korrupsionit. Sidomos në politikë dhe administratën publike. Nuk mban më koha pa realizuar rregullimin e raporteve të tregut të punës me reformën universitare, në mënyrë që të zbutet fenomeni i zgjeruar i “proletariatit të të diplomuarve”, që mbarojnë shkolla duke mbetur jashtë tregut të punës. Doemos edhe media duhet të zbutë tonet nihiliste e denigruese ndaj realitetit tonë, duke krijuar dhe ushqyer sintagmën se “ky vend nuk bëhet” apo se “duhet ikur nga ky vend”. Përmirësimi i cilësisë së shërbimeve mjekësore, urbane, sociale e mjedisore, është konditë ‘sine qua non’ për të ndryshuar imazhin dhe realitetin e vendit tonë. Vendi ynë dhe të rinjtë tanë nuk kanë nevojë për “ilaçe mediatike”, që ushqejnë mosbesim dhe pesimizëm.

Cilët janë faktorët kryesorë të këtij emigrimi edhe pas 33 vitesh?

Në mënyrë sintetike besoj se faktorët e këtij emigracioni me përmasa paradoksale janë dy. Në një optikë filozofike, mund të themi se njëri është faktori subjektiv individual, që lidhet me pakënaqësinë, mungesën e shpresës, padurimin dhe iluzionet e krijuara nga situata. Dhe faktori i dytë lidhet me situatën ekonomike e sociale brenda vendit. Më saktë ndër dy faktorët, njëri është i brendshëm dhe ka lidhje me varfërinë ende të lartë, papunësinë e padominuar, tranzicionin e zgjatur, nivelin akoma jo të kënaqshëm të shërbimeve sociale, shëndetësore e arsimore. Shqiptarët janë europianë dhe besojnë se Europa është edhe “shtëpia e tyre”, prandaj po shfaqin një ndjenjë të natyrshme padurimi për të ecur akoma me shpejtësinë e “trenit të ngadaltë” të tranzicionit 30 vjeçar.

Padyshim në këtë tendencë eruptive të emigrimit kanë ndikimin e tyre edhe situatat sociale që zhvillohen në vendin tonë, sikurse janë niveli i lartë i krimit, neurotizmi social, dhuna e zgjeruar në familje dhe jetën publike, nivelet shqetësuese të korrupsionit zyrtar, avashllëku dhe burokracia e zgjeruar e administratës publike dhe plot faktorë të tjerë strukturorë e infrastrukturorë.

Faktori i dytë është diferenca e dukshme e standarteve dhe nivelit të jetës në vendet e perëndimit. “Magneti” i Perëndimit është tejet atraktiv me praninë e shtetit të mirëqenies sociale, standartin e jetës dhe cilësinë e lartë të shërbimeve shëndetësore, arsimore si dhe statusin përgjithësisht të shoqërisë paqësore e mikpritëse.

Nga ana tjetër duhet parë realiteti matanë atdheut, sepse sigurisht jo të gjithë shqiptarët që emigrojnë kanë fat në procesin e ndërlikuar të adoptimit me realitetet në emigracion apo me sfidat e vështira të nacionalizimit dhe fitimit të statusit të qytetarit të barabartë në vendet ku emigrojnë. Një pjesë prej emigrantëve tanë bëjnë kompromise të detyruara dhe “adoptohen” me ndryshime drastike të statusit, që kanë patur në vendin e tyre. Kjo do të thotë se shpesh edhe intelektualë me status të përcaktuar si inxhinier, mjek, mësues, pedagog, aktor apo regjisor jo gjithmonë kanë shansin të ushtrojnë profesionin e tyre. Studimet tregojnë se kur emigrojnë përgjithësisht njerëzit bien dy ose tre gradë në shkallën sociale. Ndërkaq është e njohur trajektorja apo kurba zhgënjyese dhe dezilonuese e emigrantit: Ikën nga Shqipëria i mërzitur nga vështirësistë e jetës dhe shpesh i zhgënjyer edhe nga realitetet e vështira të emigracionit me dëshirë rikthehen në atdhe, me shpresën se gjërat do jenë përmirësuar, se sistemi i vlerës dhe meritës do jetë efektiv, se cilësia e shërbimeve sociale, shëndetësore e arsimore do jetë përmirësuar. Por kur shikojnë se gjërat nuk janë aty ku ata besojnë se duhet të jenë, bëjnë përsëri gati “valixhen e emigrantit” dhe largohen përsëdyti. Ndoshta këtë herë dhe përfundimisht.

Është me rëndësi të dorës së parë që politika dhe ata që janë në “bordin e shoqërisë” të shtojnë përpjekjet dhe të ndërtojnë strategji më të akseleruara për të rritur “kapacitetin riadoptues” të vendit për të pritur emigrantët e riatdhesuar. Emigracioni në Europë po kalon krizat e veta, të cilën po e përjetojnë edhe njerëzit tanë. Në këto kushte është e pritshme të kemi edhe procese irreversibile të rikthimeve dhe riatdhesimit të njerëzve tanë në atdhe. Por kjo kërkon politika për krijimin e kushteve të procesit të “vetabsorbimit” të tyre në tregun e punës dhe shërbimeve.

Nga politikanët shqiptarë por edhe nga drejtuesit vendor shohim herë pas here skandale, si korrupsion masiv, paaftësi por edhe skena rozë. Cilat janë arsyet që politikanët tanë kanë gjithmonë tendenca të tilla ndryshe nga të gjitha vendet e botës?

Padyshim, kohët e fundit janë shtuar faktet që tregojnë se është agravuar situata e raporteve që kanë politikanët tanë me pasurinë dhe paranë. Këto që po dalin në evidencë apo që po dëgjojmë për raportet e tyre korruptive, mesiguri që janë vetëm maja e ajsbergut të asaj që fshihet apo që akoma nuk duket. Kjo është arsyeja pse ka një “rënie në pikiatë” të besueshmërisë dhe kredditeve të politikanëve tanë në jetën e sotme politike dhe publike.

Kohët e fundit janë shtuar rastet e korrupsionit (të atyre që janë kapur apo evidentuar) dhe kjo tregon se disa politikanë qëndrorë dhe vendorë janë drejt degradimit. Nuk janë qytetarët cinikë dhe xhelozë me politikanët. Përkundrazi ata i respektojnë politikanët me dinjitet, integritet moral dhe personalitet publik. Ata që kanë kulturën e duhur, që dinë të kombinojnë dijen dhe profesionalizmin me forcën e debatit dhe sjelljen e matur qytetare. Për fat të keq po shtohen gjithashtu politiksanët të cilët kur korruptohen apo “humbasin” sjelljen morale, doemos që bëhen dhe duhet të bëhet të “pa mbrojtur” përballë ligjit dhe gjykimit të opinionit publik.

Unë jam i bindur që shumë politikanë nuk janë në gjëndje të kuptojnë pasojat sociale të sjelljes së tyre, pengesat që i krijojnë zhvillimit të demokracisë, ekonomisë, rendit social në vendit tonë. Ka një të vërtetë universale të “diagnostikur” me kohë. Kur në demokraci tronditet rendi social, si rregull shkaku është se “politikanët kanë filluar të mendojnë vetëm për vete”. Kjo do të thotë se është e nevojshme që si qytetarë dhe popull europian, duhet të jemi më kritikë, kërkues dhe përzgjedhës, për të përcaktuar më mirë “statusin e duhur” të njerëzve për të cilët politika shqiptare ka nevojë.

Padyshim kohët e fundit kanë ndodhur disa ngjarje të rënda e skandaloze, moralisht të papranueshme që kanë vënë në diskutim raportet e politikës dhe politikanëve tanë me normat e moralit shoqëror dhe qëndrimi që duhet mbajtur ndaj atyre që abuzojnë me pushtetin dhe shpërdorojnë postin, detyrën dhe vlerat morale të shoqërisë. Besoj se partitë politike dhe liderët e tyre (ka një proces të liderizimit të partive politike,) duhet ta mbajnë sa më larg partinë dhe pushtetin nga miqtë, mikeshat dhe shokët personal. Ndryshe degradimi politik dhe cilësia e ulur e politikanëve dhe nëpunësve të shtetit do vazhdojë të jetë kreshendo. Dikush do të duhet të mbajë përgjegjësi fjala vjen, për faktin që shumë shpesh në nivelet e larta, të mesme e të ulta të administratës publike kemi të përkrahur dhe ndeshemi rëndom me dy kategori njerëzish që i sjell klasa politike: Nganjëherë përmallemi me aparatçikë mediokër dhe nëpunës të nivelit të ulët dhe në raste të tjera, me ndonjë nëpuëns të ditur por të korruptuar. Kjo është arsyeja pse në administratë për shkak të “garancive ekstra” që vijnë nga politika dhe politikanët, po shtohen nëpunësit e papërgjegjëshëm apo të korruptuar, që shkelin ligjet dhe legalizojnë “sjelljen e paligjshme”. Kjo është arsyeja që si kurrë më parë në opinionin publik janë shtuar pikëpyetjet për kompetencat, vlerat dhe integritetin e klasës politike dhe administratës aktuale.

Si në zgjedhjet vendore po ashtu edhe në zgjedhjet parlamentare vihet re që partitë politike promovojnë njerëz të fortë, të pasur por aspak të ditur. Arsyeja?

Unë gjithnjë e kam evidentuar në librat që kam shkruar për politikën dhe politikanët siç janë “Arsyetime politike”, “Kur flasim për politikën”, “Politika dhe qytetari” apo “Politika Fatalitet i Kohës”, se në mënyrë të determinuar zgjidhja e duhur e problemeve politike është e lidhur pa asnjë diskutim, më së pari me cilësinë e përzgjedhjes së politikanëve. Personalisht më duket shqetësues fakti, që ne përzgjedhim vetëm ata njerëz që shfaqin ambicje politike, por që nuk i kanë cilësitë adekuate, aftësitë kulturore e profesionale për të realizuar cilësisht misionin e politikanit. Në jo pak raste për arsye ekstrapolitike, nepotike, krahinore, nepotike apo thjesht militanteske, ndodh që partitë zgjedhin disa njerëz që janë prototipa të deformuar apo të dalë nga koha. Kjo është një nga arsyet shtesë që ndihmon dhe zgjeron një lloj “krize legjitimiteti” të klasës politike, një patologji sociale që ka filluar të shfaqet dhe të evidentohet në jetën tonë politike e shoqërore. Kjo është arsyeja pse tek qytetarët shqiptarë, është në rënie respekti për politikën dhe politikanët, e cila të paktën në zgjedhjet e 14 majit u shfaq dukshëm në rënien e pjesëmarrjes elektorale në votime.

Është koha që elitat politike të këtij vendi të bëhen më të përgjgjegjshme, të kuptojnë përgjegjësinë e tyre. Duke plotësuar sot politikën me njerëz të paaftë, të paditur apo të “fortë”, jo vetëm po dëmtojmë të sotmen, por po krijojmë një kulturë të deformuar për politikën dhe statusin e politikanit, të cilat mund të ndikojnë në boshllëqet që do të shfaqen edhe në të ardhmen e vendit tonë. Nuk kemi nevojë për politikanë të fortë apo të pasur, nëse atyre ju mungon pushteti i dijes personale apo shfaqen moralisht me integritet të lëkundur, që janë megalomanë dhe nuk e njohin armën e qëndrimit kritik ndaj vetes dhe sjelljes së tyre. Nuk besoj se e tepëroj po qe se them se nga mënyra si zgjidhen dhe përzgjidhen politikanët, jemi absolutisht para rrezikut eminent të shfaqjes së tendencës së “oligarkizmit”, si prirje që po prish natyrën biofilike të politikës, duke e larguar atë nga misioni i vërtetë.

Është anomali e madhe fakti që kemi akoma politikanë, që ushqejnë mentalitetin se ata involvohen në politikë për vete, interesat e tyre dhe klanit të tyre dhe jo për të mirën e përbashkët. Apo që mendojnë se për t’u marrë me politikë, për të qënë politikan karriere janë të mjaftueshme një tog me slogane politike boshe. Mjafton të dëgjoni politikanët tanë në Parlament apo në debate politike televizive, për të kuptuar atë thelb të vërtetë që fshihet pas dukjes dhe aparancës së “kostumit politik”, për të dalluar neverinë që i sjellin qytetarit  dialogët “pa bukë”, të neveritshëm, pa kulturë, koncepte të qarta e përgjegjësi politike personale.

Pyetje: Shumë deputetë gjatë viteve në Parlament nuk diskutojnë kurrë  apo e harrojnë elektoratin. A nuk duhet të ketë kritere bazë për hyrjen në politikë? A nuk duhet të jetë kryesore niveli intelektual dhe jo forca dhe brutaliteti?

Në jetën tonë shoqërore shfaqet një konfondim herë i hapur dhe herë i heshtur, i cili edhe pse kuptohet, në shumicën e rasteve anashkalohet nga politikanët tanë: Politika është mision apo biznes i pastër? Koha po tregon se disa politikanë e kanë përdorur pozitën politike për të bërë korrupsion. Madje kam frikë se korrupsioni politik po bëhet “biznesi” më i madh në këtë vend. Ai duhet frenuar me çdo kusht. Për fat të keq të vendit dhe shqiptarëve, në këto tre dekada duket qartë se politika është bërë “biznesi” më fitimprurës dhe që realizohet pa sfidat, kokëçarrjen dhe sfidat e konkurencës që ka mbi vete biznesi i vërtetë dhe i ndershëm. Kjo është arsyeja pse politika është kthyer në një “atraksion masiv”, që e synojnë një masë e madhe njerëzish që në mënyrë sempliste, me logjikë të deformuar pragmatiste mendojnë se duke siguruar një pozicion komod në skakierën e politikës lokale apo kombëtare, kanë të siguruar në mënyrë automatike famë, para, pasuri, autoritet, dukje sociale dhe shumë privilegje të tjera të natyrës “feudale”, që në Shqipëri i sjell kjo tipologji e vjetër e bërjes së politikës dhe e pozicionit preferencial që politikanët i sigurojnë vetes, pikërisht nëpërmjet involvimit në politikë.

Sepse për fat të keq politika është bërë “lojë pa përgjegjësi” dhe politikanët edhe kur bëjnë mëkate, vjedhin, korruptohen, abuzojnë me detyrën asnjëherë nuk u ka hyrë “gjëmb në këmbë”. Sepse jeta dhe skakiera sociale në këtë shoqëri është ndërtuar në “dy nivle” paralele. Njëra lidhet me qytetarin e thjeshtë që lufton, ka dhe mban përgjegjësi për jetën, respekton ligjin dhe tjetra është e diferencuar për politikanët. Të cilët jo vetëm janë të “imunizuar”, të mbrojtur nga ligji, të garantuar nga shumë lehtësira sociale e privilegje materiale për veten e tyre. Madje edhe me status të diferencuar për familjarët, miqtë, shokët apo edhe militantët e “partisë së tyre”.

Kjo është arsyeja që e ka bërë politikën shqiptare të jetë paradoksalisht shumë atraktive dhe në të njëjtën kohë edhe shumë amatoreske. E cila në vend që të jetë “elitare” dhe “aristokratike” në kuptimin e vlerave dhe njerëzve të denjë e adekuatë për të luajtur rolin dhe mbajtur përgjegjësinë e politikanit moralisht dhe profesionalisht perfekt, të njeriut që ka “armën” e kulturës dhe pushtetin e dijes personale, përfundon në disa personazhe anonimë, pa identitet, pa soliditetin e kulturës dhe dijes, të cilët përpiqen që mungesat e tyre t’i kompensojnë me “besnikëri politike”, militantizëm banal, frazeologji boshe, dembelizëm, karshillëk e mburrje primitive. Kjo situatë e klasës politike shqiptare, tashmë është bërë një “njollë sociale” e përhapur gjërësisht. Madje nganjëherë kur përpiqem të analizoj shkaqet e këtij statusi të deformuar të “ofiqit të politikanit” shqiptar të tre dekadave të fundit, nuk e kam të lehtë ta ndajë nëse kjo është tashmë një e “metë gjenetike” e politikës shqiptare apo është për faj të rrethanave në të cilat “lundron” shoqëria jonë?

Problemi është se kënaqësitë e politikanëve vazhdojnë të ecin në sens të kundërt me pakënaqësitë e shfaqura të qytetarëve për punën dhe sjelljen e tyre. Kjo është njëra nga arsyet pse politika dhe politikanët që kemi nuk janë tamam ata për të cilët ka nevojë vendi dhe zhvillimet në shoqërinë tonë. Për të shmangur mungesën e mosbesimit për efiçencën e politikës, është e domosdoshme dhe është koha kur ata jo vetëm duhen zgjedhur por më së shumti ata duhen “përzgjedhur”. Na duhen njerëz që kanë aftësi dhe jo ata që “luajnë” dhe realizojnë qëllime të personalizuara në politikë duke mbetur brenda kufijve të ngushtë të “mediokritetit partiak” apo që vlerësohen kur shfaqen si të fortë dhe gojën e përdorin si “krater vullkani” për sharje dhe ofendime pa bukë. Boll më. Skena politike shqiptare është e inonduar nga politikanë empirikë, që këtë profesion e kanë reduktuar thjesht nga mision në “politikë partixzane”, zanat ordiner dhe fitimprurës për vete. Dinamikat e jetës dhe madhësia e sfidave kombëtare kërkojnë tjetër lloj politikani. Vetëm duke i vlerësuar kështu mund të bëjmë dallimin midis politikanëve dhe deputetëve që kemi në dallim nga ata që ka nevojë politika sot. Politika nuk është spektakël. Pa dije, kulturë, përvojë, njohuri dhe mbi të gjitha pa integritet moral nuk mund të përballohen sfidat e angazhimit, kërkesat urgjente të vendit dhe shoqërisë tonë për politikë racionale dhe politikanë të besueshëm në publik...



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora