Kulturë
Xhemajl Berisha: Intervistë me poetin Vahit Nasufi
E shtune, 04.02.2023, 08:05 PM
Ekskluzive nga Xhemajl Berisha
INTERVISTË
ME POETIN
VAHIT
NASUFI
Marrë
nga intervista e realizuar në “TV FESTINA”
Kërçova është një qytet i
bukur dhe i rrafshët, me plot histori. Përveç tjerash, ajo që të le përshtypje
për të mos e harruar kurrë, është mikpritja shqiptare tipike kërçovare. Këtu në
Uskanën e lashtë, çdo shtëpi është e gatshme të hapi dyert për të pritur
mysafirët e saj. Them kështu, pasi në Kërçovë dhe rrethinë, si këngëtar kam
qënë i ftuar në shumë dasma familjare. Gjithëashtu kam qënë edhe me “TV FESTINA”
nga Ferizaji, duke realizuar emisionit tim, “VLERAT E FOLKLORIT”, ku kemi
kaluar jashtëzakonisht mirë.
Kjo trevë, përveç trimërisë,
mikpritjes, bujarisë, patriotizmit, sportit artit, kulturës, arsimit etj, më së
miri identifikohet me këngën e saj polifonike vendase shumë të vjetër. Por, ajo
që neve na shtyri të vijmë këtu në Kërçovë, është vepra letrare e poetit
kërçovar Vahit Nasufi, për të zhvilluar një intervistë rreth veprës së tij, dhe
jetës si qytetar, i cili në shtëpinë e tij na priti me një mikpritje të ngrohtë
shumë bujare.
XHEMAJL
BERISHA: Z. Nasufi, faleminderit shumë që pranuat ftesën që të bëjmë këtë
bashkëbisedim, pas disa përpjekjesh më në fund ia dolëm, kërkojmë ndjesë për
shqetsimin.
VAHIT NASUFI: Faleminderit nga
zemra edhe juve, sëbashku me ekipin realiues, që keni ndarë një pjesë të kohës
suaj dhe që keni marrë një rrugë bukur të gjatë, për të ardhë nga Kosova, këtu
në Kërçovë. Sa i përket shqetësimit, ua them sinqerisht se jam i privilegjuar
të intervistohem nga TV Festina, nuk jam fare i shqetësuar, andaj mos u
ngushtoni aspak.
XHB: Për
fillim, në pika të shkurtëra, a do t`na thoni kush është Vahit Nasufi?
VN: Unë jam i lindur më 09
dhjetor 1956, në fshatin Shitovë, të Kërçovës, por, në vitin 1990, krejt
familja u shpërngulëm në qytet!.Ciklin e parë të shkollës fillore, e kreva në
fshatin e lindjes, kurse ciklin e dytë, në shkollën qëndrore në fshatin Garanë,
me sukses të shkëlqyeshëm. Pasi e kreva shkollën fillore, vazhdova mësimet në
gjimnazin “MIRKO MILESKI”, të Kërçvës. Jam babai i dy fëmijëve i të dy gjinive.
Vala kurbetçare e vitit 1980, si shumë shokë të tjerë, më rrëmbeu edhe mua! Që
atëherë me familjen jetoj në qytetin turistik në Shafhauzen të Zvicrës.
XHB: Edhe
pse kanë kaluar ca vjet, por, juve sigurisht u kujtohet fëmijëria juaj, si do
ta përshkruani me pak fjalë?
VN: Lirisht mund të them se
fëmijërinë unë e kam kalur në lumturi, nga e cila ruaj shumë kujtime të bukura.
Jam rritur me prindër dhe me dy vëllezër, unë jam më i vogli. Me që babai im ka
qenë kurbetçar dhe nëna amvise, ne kishim një jetë, të rëndomtë dhe, shumë të
lumtur.
XHB: Z.
Nasufi, si e zbuluat talentin apo prirjen, për të shkruar poezi, që Ju njiheni
për përputhjen e rimave?
VN: (Qesh),
Faleminderit shumë për komplimentin. Që nga këlasa e shtatë dhe e tetë, të
shkollës fillore, arsimtari i gjuhës shqipe, na thoshte që të gjithë nxënsit të
shkruajmë nga një poezi, dhe tri më të mirat do të botoheshin te gazeta e
atëhershme e përditshme, “FLAKA E VËLLAZËRIMIT” e cila botohej në Shkup. Të
dyja herët, poezitë e mia u E zgjodhën ndër tri më të mirat dhe u botuan, dhe
më nuk shkrujata asnjë poezi tjetër, deri kur shkova në kurbet. Atje fillova të
shkruaj për vuajtjet e kurbetçarit, për mallin ndaj familjes, mallin për
vendlindjen, kështu që si thotë populli, Gur - gur u bë një mur!
XHB: Që donë
të thotë, se shkruajtët aq poezi të cilat i botuat në një libër. Për ata që më
pak u njohin, sa libra keni botuar deri tash?
VN: Deri tash kam botuar pesë
libra. Besoj se vlen të ceket, se të gjitha librat që i kam botuar deri tash i
kam dhuruar, edhe pse disa lexues kanë tentuar që t`i paguajnë librat, por, jo,
pasi unë krijoj për lexuesit dhe jo për përfitime materiale! Në kopertinën
kurrizore të librave, shkruan se libri nuk shitet, por, dhurohet!
XHB: Ju,
shkruani vetëm poezi apo edhe prozë?
VN: Unë kryesisht shkruaj
poezi, më shumë janë përkushtuese, që ua dedikoj figurave të njohura kombëtare,
heronjëve të kombit, artistëve, respektivisht këngëtarëve të mirënjohur,
sportistëve, poezi kurbeti, dashurie, satirike, etj. Këtu dua të sqaroj se
poezitë apo poemat e mia janë prej 14 - 40 strofë! Ndoshta tituj duken pak,
por, strofë prej katër vargjesh, janë mbi 1300! Kam shkruar shumë edhe prozë,
jam munduar që ngjarjet më interesante, t`i shëndrroj në vepra arti.
XHB: Ju
lumtë, z.Nasufi. Na thuaj ku i botoni librat tuaja, në cilën shtypshkronjë,
këtu në Kërçovë apo në Zvicër?
VN: Të pesë librat i kam
botuar te shtëpia botuse “FENIKS”, këtu në Kërçovë, një shtëpi botuese me shumë
eksperiencë dhe jam shumë i kënaqur me punën e tyre kualitative, dhe shërbimin
superior, nuk dua t`i bëj reklamë shtypshkronjës, por, kjo që them, është më se
e vërtetë!
XHB: Na
trego pak rreth vështirësive, që hasni në thurjen e vargjeve
poetike, se të përputhish rimat nuk është fare e lehtë?
VN: Sigurisht se nuk është
aspak e lehtë. Të thurish një poezi përkushtuese, është si një labirint që të
ndodh gjatë rrugëtimit jetësorë. Të shkruash një poezi dashurie është fare e
lehtë, por, nëse dikujt i kushton një poezi, është pak më ndryshe, pasi ka
shumë fjalë që është vështirë për t`ua përputhur rimën! Unë deri tash nuk kam
as një strofë pa përputhjen e rimave, vargu i parë me të dytin dhe i tretë me
të kartin.
XHB: Kur
shkruani, jeni vetvetja apo mundoheni të shkruani në stilin e dikujt, mos themi
se a kopjoni dikë?
VN: Jo, jo, kurrë, as që kam
menduar të bëj diçka të tillë, të kopjosh dikë të mos e them se është
plagjiate, por, e ngjajshme me te, që unë nuk e preferoj fare, përkundrazi. Unë
kam stilin tim të krijimtarisë dhe aty do të qëndroj deri në fund, në qoftë se
është diçka e mirë dua që merita të jetë e imja, ose e kundërta.
XHB:
Sigurisht se lexuesit janë kurioz ta dinë, çfar presim nga Ju në të ardhmen, z.
Nasufi?
VN: Aktualisht jam në
përfundim të librit të gjashtë, i cili nga shtypi duhet të dalë në korrikun e
ardhshëm, dhe nëse punët shkojnë sipas planit, do të bëhet edhe promovimi i
tij, por, se çfar do të ketë brënda tij, më mirë ta lëmë si surprizë për
lexuesit!
XHB: Z:
Nasufi, sa tekste të poezive tuaja janë shëndrruar në këngë? Pasi para ca
muajsh, kemi dëgjuar një këngë shumë të bukur, me një tekst madhështor, për
këngëtarët që nuk jetojnë më fizikisht, që autor i tekstit jeni Ju!
VN: Po, janë disa tekste që
janë kënduar në zhanrin folklorik, nga rapsodët e mirënjohur, Mehmet Iseni -
Petrovci dhe Isuf Rashiti. Sa i përket tekstit të këngëtarëve të pa vdekshëm,
edhe pse janë të ndjerë, aty përfshihen mbi 50 këngëtarë dhe këngëtare, që kanë
lënë pas shumë vepra me vlerë artistike, nga i gjithë trungu shqiptar.
Sigurisht se ka nga ata ose ato, që e meritojnë të jenë aty, dhe nuk janë, por,
është e pamundur të përfshihen krejt me një këngë, kërkoj ndjesë prej të
gjithëve që nuk ua kam përmendur emrat.
XHB: JU keni
shkruar një thesar veprash madhështore, lind pyetja se a i ka vlerësuar ndonjë
institucion apo shoqëri, duke u shpërblyer juve me ndonjë çmim apo mirënjohje?
VN: Ky mund si duket nuk më ka
shkuar kot. Përveç lexuesëve që nëpërmjet komenteve të shumta, që më kanë dhënë
përkrahje të fuqishme, kam marrë edhe disa mirënjohje dhe çmime, por unë do të
veçoj vetëm tri nga ato. Në vitin 2019, nga komuna e Kërçovës, në cilsinë e
krijuesit, jam shpërblyer me çmimin “KUPA VOTRA”, si personalitet i vitit 2019.
Ndër kohë nga “ELITA E POETËVE SHQIPTARË”, me seli në Tiranë, me administrator
poetin e madh, Prof. z. Zeqir Hysa, kam marrë çmimin “NDERI I ELITËS”, dhe në
vitin që sa po e lam pas, nga EPSH -rë, mora diplomën, “POET I VITIT 2022”. Në
vitin 2021, isha i ftuar në Skup, që të marr edhe një, çmim tjetër, por, për
shkak të pandemisë, evenimenti që ndante çmimet e parapara u anulua!
XHB: Gjithë
këto poezi apo poema, por, jo vetëm, A i keni botuar në portale apo vetëm nëpër
libra z. Nasufi?
VN: Që nga viti 2010, e deri
sot, unë gati çdo muaj nga një poezi apo ese i kam botuar këtu te shumë e lexueshmja
gazeta elektronike ”ZEMRA SHQIPTARE”, të cilës i jam shumë mirënjohës, pasi ajo
i ka botuar të gjitha, në kohë reale dhe në mënyrën më të mirë të mundshme.
Ndërgjegja nuk më lejon të mos e falenderoj nga zemra drejtorin e saj të
përgjithshëm, z. Gëzim Marku nga Shkodra, stafin e realizues si dhe lexuesit e saj.
XHB:
Shtëpitë radio - televizive dhe portalet, janë ata që na informojnë më së miri,
pytja është; sa kanë qenë të interesuara që juve t`u afrojnë më afër lexuesëve?
VN: Po, më kanë kontaktuar,
nuk mund të them se jo, por, me që unë pjesën më të madhe të jetës e kaloj në
Zvicër, dhe është pak vështirë për të realizuar intervista të tilla. Unë
intervistën e parë televizive, e kam dhënë për “RADIO - TELEVIZIONIN SHQIPTAR”,
intervistues ishte artisti i popullit - Llesh Nikolla nga Tirana, kam dhënë
intervista edhe për televizionin “GURRA”, këtu në Kërçovë, me insistimin e
gazetarit të pa lodhshëm, z. Bekim Adili poashtu nga Kërçova. Njërën prej
intervistave e realizuam në natyrë te Kalaja e Kërçovës, e cila e zbukuron
qytetin. Vlen ta cek se për krijimtarinë time, një artikull prej dy faqesh ka
shkruar edhe gazeta “PERSPEKTIVA”, me autor, z. Bilall Maliqi nga Presheva.
XHB: Jemi të
bindur se keni lexuar shumë romane nga poetë të ndryshëm, por, cili roman u ka
pëlqyer më shumë?
VN: Është shumë e vërtetë, unë
kam lexuar shumë romane, lexoj edhe sot, por, ata që më kan lënë përshtypje më
së shumti janë romanet: “SIKUR TË ISHA DJALË”, botuar në vitin 1936, nga Haki
Stërmilli, dhe romanin, “GREMINA E DASHURISË”, me autor Mustafa Greblleshin,
botuar në vitin 1944, sigurisht se janë edhe ca të tjerë që nuk janë pak.
XHB:Në bazë
të asaj që kemi lexuar shihet qartë se jeni dashamirë i muzikës, jemi kurioz të
dimë, se çfar muzike dëgjoni?
VN: Për mua muzika është një
element që bënë pjesë në jetën e njeriut. Unë dëgjoj shumë muzikë popullore,
por, ajo që më fle në shpirt është kënga folklorike burimore. Nuk mund të mos e
them se shumë i dua dhe i dëgjoj me ëndje edhe këngët autoktone polifonike
kërçovare!
XHB: Secili
prej nesh, pa dyshim e ka një këngëtarë të preferuar, na thoni z. Nasufi, cili
është këngëtari juaj që Ju e adhuroni më shumë?
VN: Shiqoni, unë më shumë
dëgjoj këngë rapsodike, dhe rapsodët që mjerisht shumica prej tyre nuk janë në
mesin tonë, por këngëtari im i preferuar ka qenë Demir Krasniqi, tani i ndjerë,
ndjesë past, me të cilin kemi qënë edhe shokë shumë të ngushtë, ua them
sinqerisht se ikja e tij në botën e amshimit më ka prekur shumë! Gjithashtu e
kam adhuruar shumë edhe këngëtarin e madh nga Gostivari, z. Maksut Dehari, të
cilit i kam kushtuar edhe një këngë folklorike, pasi në moshën 53 vjeçare, i
shkoi zëri i bukur melankolik, Maksut Dehari ka qënë një këngëtar i
jashtëzakonshëm dhe i tillë do të mbetet gjithmonë.
XHB: Jeni
adhurues i sportit, nëse po, kush është skuadra juaj e preferuar?
VN: Për mua, si muzika ashtu
edhe sporti, sidomos ai më i popullarizuari që është fudbolli, janë pjesë e pa
ndashme të jetës sime, por, secila ka peshën e vet. Jam adhurues i Bajernit të
Mynihut, por, kuptohet i përcjellë rregullisht edhe ndeshjet e ligave më të
forta të Europës, kur luajnë klubet me renome kundër njëri - tjetrit, si dhe
ligën e kapionëve.
XHB: Dalë
nga dalë arritëm deri te pyetja e fundit. Si e kaloni kohën e lirë z. Nasufi?
VN: Sa i takon kohës së lirë,
zakonisht me familjen, kur është koha e mirë dal shetis në natyrë, herë vetë,
herë me shoqëri, pastaj pak në interrnet, në mbrëmje ndodh shpesh që me shokë
të ulemi në ndonjë lokal sa për relaksim dhe bëjmë biseda të ndryshme.
XHB: Z.
Nasufi, jemi të vetëdijshëm se ka edhe shumëçka që të flitet, por, ndoshta
ndonjë herë tjetër dhe me krijime të reja. Edhe një herë shumë faleminderit për
gjithëçka.
VN: Ishte kënaqësi për mua të
intervistohem nga TV Festina. Edhe unë jam shumë mirënjohës ndaj jush, për
interesin që keni treguar ndaj veprimtarisë sime. Faleminderit shumë nga zemra.