Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ibrahim Kabili: Mos firmos Albin...!

| E diele, 18.06.2023, 06:04 PM |


Mos firmos Albin...!

Nga Ibrahim Kabili

Pasi Kosova fitoi pavarësinë, marrja e Mitrovicës së veriut dhe komunave veriore me shumicë serbe do ishte ëndërr edhe për Millosheviçin. Ai diku dhe Vuçiçi sot do ishin fatlum dhe do ta pranonin me shumë dëshirë "njohjen" në këmbim të ndarjes së Kosovës. Jo vetëm ai por të gjithë "içët", "viçët" "çiçët" e dikurshëm dhe ato të sotmit do ta pranonin me dëshirë një zgjidhje të tillë. Ata janë në të drejtën e tyre sepse me pushtime kanë rritur territorin dhe krijuar shtetin e tyre. Pyetja është :- Çfarë bëjmë ne shqiptarët? Sipas mendimit tim ne jemi të ndarë, të përçarë, të shthurur dhe shpesh kemi rënë pre e politikave të tyre. Këtu e kam fjalën për politikën dhe politikanët. Jo për politikanët e sojit të Albinit por për llojin tjetër që pushteti i errëson sytë dhe e vjel çdo ditë për të shtuar pasurinë.

Për ngjarjet në veri Kurti ka meritën për prezencën dhe vendosjen e rendit për herë të parë atje. Nga ana tjetër ai ka edhe gabimet e tij për mos kordinimin e punës me aleatët. Por një gjë është e sigurtë; nuk është Kurti shkaktari i kësaj krize, atje. Shkaktari i vërtetë është Serbia dhe presidenti i saj Vuçiç. Kurti si kryeministër është në të drejtën e tij të vendosë rendin kushtetues në gjithë territorin e Kosovës. Ai erdhi në pushtet duke mbrojtur Kosovën dhe çështjen kombëtare. Rifitojë zgjedhjet dhe erdhi në krye të qeverisë duke premtuar se me firmën e tij nuk do të falte më  asnjë centimetër katror toke të Kosovës,  Serbisë. Ky veprim tregon se ai është burrështetas. Paraardhësit e tij falën 8200 ha tokë dhe nuk iu bën fare përshtypje... Ai premtoi se do luftonte korrupsionin dhe vetë do të ishte i pakorruptueshëm. Kështu rezulton ai sot. Sa bukur! Sa idealist! Ky është patrioti dhe heroi i Kosovës! Një kontrast i madh mes tij dhe politikanëve paraardhës të cilët kush më shumë e kush më pak abuzuan me pushtetin. Ky është Kurti, prandaj fitoi bindshëm ndaj kundërshtarëve të tij politik. Me fjalë të tjera populli pa tek Kurti; shpëtimtarin e Kosovës, heroin për mbrojtjen e sovranitetit të saj, udhëheqësin e duhur për Kosovën, njeriun e pakorruptueshëm. Në këto kushte Kurti filloi nga puna për zbatimin e programit të tij për qeverisjen e vendit. Për fatin e keq Kurtin dhe shtetin e Kosovës po e pengon dhe saboton në vijimësi, Serbia. Kjo ka qenë e pritshme nga Serbia pasi qëllimi i saj është çbërja e shtetit të Kosovë dhe ndarja e territorit të saj. Dihet që Serbia është një shtet i mirëorganizuar dhe me potenciale të fuqishme ushtarake dhe ekonomike. Qeveria Kurti është munduar sipas fuqisë së saj për të penguar veprimtarinë armiqësore të Serbisë ndaj Kosovës dhe shpesh iu ka kundërpërgjigjur asaj. Lufta e Kosovës është një sfidë e madhe edhe për të ardhmen ndaj Serbisë. Kjo sfidë do varet shumë edhe nga ndihma e aleatëve dhe kryesisht e SHBA-së dhe BE-së. Kurti ka kundër disa politikanë, kryesisht të opozitës.

Të gjitha marrëveshjet e nënshkruara me Serbinë kanë qenë në dëm të Kosovës dhe favor të Serbisë. Ata në vend të kërkojnë falje për qasjen e gabuar ndaj marrveshjeve me Serbinë, hidhen në sulm... Por kur?

Në kohën kur Serbia në një formë apo një tjetër kërkon me çdo kusht ndarjen dhe për rrjedhojë mundohet të thellojë përçarjen. Kjo përçarje e politikanëve shqiptarë është vepër e pastër e skenarëve të Serbisë politike. Këto skenare nuk janë të reja por të njohura edhe më parë. Ndaj është parësore bashkimi i forcave politike të Kosovës rreth Kurtit dhe qeverisë së tij. Situata e krijuar kërkon të bashkohen edhe politikanët këtej kufirit për të përballuar situatën tepër të rrezikshme të krijuar nga Serbia dhe presidenti i saj Vuçiç.

Mendoj se institucionet, instancat përkatëse, duhet:

? Kuvendet e dy vendeve tona të dënojnë gjenocidin serb ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe të miratojnë rezolutat përkatëse për këtë problem. Këtu do të niste e ardhmja zotërinj  pushtetarë...

?Të rritet bashkëpunimi midis dy qeverive dhe të ndërpritet lufta politike ndaj kryeministrit të Kosovës Albin Kurti.

?Të mbështetet Kurti në qëndrimet e tij dhe t'i rekomandohen hapa përpara apo dhe kthime pas për të rikuperuar ndonjë gabim të mundshëm të tij rreth situatës.

?Institucionet e shtetit shqiptar të dalin me notë proteste ndaj qeverisë së Serbisë, dhe të kërkojë sqarime nga qeveria e saj dhe presidenti Vuçiç për situatën në veri, të krijuar nga grupet ekstremiste atje.

?Qeveria e Shqipërisë të kërkojë prej grupit negociator që marrveshja finale të ketë në qendër NJOHJEN RECIPROKE.

?Ka ardhur koha që Qeveria e Shqipërisë dhe kryeministri Rama të deklarohen hapur kundër ndarjes së Kosovës dhe shkëmbimit të territorëve. Ky është moment kritik që i kalon interesat e qeveritarëve, cilëtdoqofshin ato.

?Qeveria e Shqipërisë dhe personalisht  kryeministri Rama të bëjnë çështë e mundur të ndihmojë Kosovën në arenën ndërkombëtare dhe sipas kushtetutës të bëhet palë me të.

?Presidentja e Kosovës Osmani, dhe ai i Shqipëtisë Begaj të kenë kontakte të vazhdueshme me presidentin Biden. Zgjidhja vjen nga Ai dhe vetëm prej atij...

?Kosova të forcoj ushtrinë për mbrojtjen vendin në rast përballje me Serbinë...

?Kurti si kryeministër të mbaj premtimin e tij dhe në asnjë mënyrë të mos firmosë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe me kompetenca ekzekutive. Kjo do sillte ndarjen. Pranimi i saj do ishte tradhëti kombëtare. Kurti edhe pse duket i vetëm nuk duhet ta nënshkruaj tradhëtinë. Ajo që jepet me firmë nuk merret më, zoti Kurti. Nuk duhet ta firmosësh ndarjen zoti Kurti pasi ke me vehte popullin, ai të zgjedh përsëri.

?Aleati jonë i fuqishëm duhet të ndëshkojë Serbinë dhe Vuçiçin.

?Opozita e Kosovës ta ndërpresë luftën për pushtet kundër Albinit dhe ti bashkohet kauzës kombëtare.

?Nuk duhet të sakrifikohet Mitrovica dhe Veriu i Kosovës me "demek" të bashkimit të Saj me Shqipërinë. Bashkimi do të vijë si një proçes organik në kohën e duhur por Jo duke i lënë Serbisë Trepçën me të ardhura që arrijnë rreth 60% të produktit të përgjithshëm kombëtar. Teza që për të arritur një marrveshje një herë të jepet mundësia ta bësh, është tepër e gabuar. Eshtë e gabuar pasi kësaj here  firmos e ke gishtin e mesit nga prapa...

?Për shqiptarët ka ardhur koha të bashkohen. Ndoshta është koha të krijohet një Besëlidhje si ajo e Prizrenit dikur...

             Ibrahim Kabili

       Tiranë më 17.06.2023