E enjte, 28.03.2024, 12:23 PM (GMT)

Shtesë » Historia

Ja si na pushkatoi 10 burra, motra e dëshmorit Çelo Sinani

E enjte, 01.01.2009, 02:48 PM


Historia e panjohur e 28 nënorit 1944, ku partizanët e Jaho Gjolikut dhe Haki Toskës ekzekutuan një grup malësorësh në fshatin Bruçaj të Dukagjinit. Rrëfimi i 84 vjeçarit, Prek Sokoli

"Ja si na pushkatoi 10 burra, motra e dëshmorit Çelo Sinani"

Nga Dashnor Kaloçi

Sapo ata mbërritën diku në një përrua, motra e Çelo Sinanit, nxorri revolverin dhe e qëlloi dy-tre herë në kokë Nikoll Mirashin, duke e lënë atë të vdekur në vënd. Ndërsa kur grupi i partizanëve të batalionit të spastrimit të Brigadës së gjashtë, së bashku me tetë malësorët e lidhur mbërritën në Qafë-Thanë ku ndodhej shtabi i brigadës, sipas premtimit që i kishin dhënë motrës së Çelo Sinanit, të tetë burrat ia rreshtuan të lidhur përpara saj. Në atë moment, ajo nxorri pistoletën nga brezi dhe nisi t'i qëllonte malësorët e lidhur, duke i goditur të tetë me nga dy plumba në kokë. Kur po bëhej gati të qëllonte mbi të fundin, që ishte 17-vjeçari Mëhill Vocrri, disa partizanë iu lutën që ta falte, por ajo vazhdoi të qëllonte edhe mbi të duke thënë: "Lëreni se qenka moshatar me Çelon tim". Pasi i la të vdekur në vënd të nëntë malësorët (së bashku me Nikoll Mirashin që e vrau gjatë rrugës) motra e Çelo Sinanit u dha urdhër partizanëve të tjerë që t'i zhvishin shpejt e shpejt dhe t'ua merrnin rrobat e trupit të vrarëve, pasi ato u duheshin për partizanët e brigadës që ishin duke marshuar për në drejtim të Malit të Zi". Njeriu që flet dhe dëshmon për herë të parë për "Gazetën", është 84-vjeçari Prek Sokoli, i cili rrëfen të gjithë historinë e asaj ngjarje të largët të ndodhur në 28 nëntorin e vitit 1944, ditën e fundit të luftës për forcat partizane të Enver Hoxhës që ishin duke marshuar në krahinën e Dukagjinit, për në drejtim të Malit të Zi. Po si ndodhi ajo ngjarje, kush ishin dhjetë malësorët që u ekzekutuan nga dora e motrës së dëshmorit Çelo Sinani dhe përse e kreu ajo atë vrasje makabre që nuk është harruar ende në atë trevë të largët të Veriut të Shqipërisë?

Vrasja e Çelo Sinanit

Lidhur me atë ngjarje, Prek Sokoli dëshmon: "Më 26 nëntor të vitit 1944, vëllau im 25 vjeçar, Pëllumb Sokoli, kishte shkuar në qytetin e Shkodrës për të blerë ushqime pasi na duheshin për festën e Shën-Kollit, që na binte për ta kremtuar disa ditë më vonë, më pesë dhjetor. Bashkë me Pëllumbin, atë ditë për në qytetin e Shkodrës kishin shkuar dhe një grup tjetër malësorësh, të cilët pasi kishin blerë ato që u duheshin, kishin marë rrugën e kthimit për në fshatrat e tyre të zonës së Dukagjinit. Duke qenë se ajo rrugë mbante rreth tetë orë larg nga qyteti i Shkodrës, grupin e shtegëtarëve e zuri nata në fshatin Bruçaj të Dukagjinit ku një pjesë e tyre bashkë me vëllain tim Pëllumbin, qëndroi aty në atë fshat për të kaluar natën duke bujtur në shtëpitë e malësorëve. Ndërsa pjesa tjetër që mbeti, vazhdoi rrugën duke ecur për në drejtim të fshatit Xhan, duke shpresuar që të ecte pas mushkave të cilat ndiqnin rrugën pa asnjë vështirësi edhe natën. Në këtë grup që vazhdoi udhëtimin për në drejtim të fshatit Xhan, bënte pjesë edhe Lulash Gjoni i Xhanit, i cili ishte i vetmi malësor i asaj krahine që merrej me tregëti dhe kishte dyqan të vetin. Gjatë rrugës duke udhëtuar nëpër natën e errët nga fshati Bruçaj për në drejtim të fshatit Xhan, në vëndin e quajtur Shtruga, i cili ndodhet në një qafë të vogël mali, grupi i malësorëve u përball me një pritë partizane që komandohej nga partizani Çelo Sinani, vetë i tretë, i cili kryente detyrën e korrierit të Brigadës së gjashtë partizane, që komandohej nga Jaho Gjoliku dhe Haki Toska. Partizani Çelo Sinani i bëri thirrje grupit që të ndalonte duke duke u thënë: qëndro, por malësorët nuk e kuptuan fjalën e tij dhe u shtrinë të gjithë barkas në dëborë duke zënë secili nga një pozicion, pasi i gjithë grupi ishte i armatosur. Nga që Çelo nuk i shikonte dot ata se ku ishin, qëlloi në drejtim të tyre me automatikun e tij, dhe breshërive të tija iu përgjigj po me zjarr njëri nga malësorët, duke qëlluar edhi ai për andej nga erdhën të shtënat. Pas atij shkëmbi zjarri, malësorët shtetgtarë qëndruan një cop herë ashtu të shtrirë nëpër dëborë dhe pasi nuk dëgjuan më të shtëna armësh në drejtim të tyre, ata vazhduan rrugën nëpër natën e errët, pa ditur gjë se nga të shtënat e tyre kishte mbetur i vrarë partizani Çelo Sinani", kujton 84 vjeçari Prek Sokoli lidhur me atë ngjarje të largët të 28 nëntorit të vitit 1944, kur në afërsi të fshatit Bruçaj të zonës së thellë të Dukagjinit që ndodhet në malësinë e mbi Shkodrës, mbeti i vrarë korrieri i Brigadës së 6 Sulmuese, partizani Çelo Sinani nga fshati Picar i Gjirokastrës.

Arrestimi i malësorëve nga partizanët

Por ç'ndodhi më pas me grupin e malësorëve që kishin shkëmbyr zjarr me partizanin 15-vjeçar që kryente detyrën e korrierit në ato forca partizane të cilat nuk e dinin se ajo ditë shënonte dhe mbarimin e Luftës? Lidhur me këtë, 84-vjeçari Prek Sokoli dëshmon: "Dy partizanët e tjerë që ishin në pritë bashkë me Çelo Sinanin, sapo konstatuan se shoku i tyre nuk kishte më asnjë shenjë jete nga plumbat që kishte marrë, zbritën menjëherë në fshatin Bruçaj aty ku ndodhej shtabi i komandës së Brigadës së gjashtë partizane, së bashku me një batalion të asaj brigade që ishte lënë aty në fshatin Xhan për spastrime. Po ashtu aty në atë fshat atë natë ndodhej edhe një pjesë e grupit të malësorëve shtegëtarë që ishin kthyer nga Shkodra dhe kishin bujtur nëpër shtëpiat e malësorëve për të kaluar natën. Komanda e brigadës së bashku me partizanët e batalionit që ishte lënë aty për spastrime, nuk kishin dijeni për malësorët shtegtarë që kishin bujtur në atë fshat, dhe po ashtu as malësorët shtegtarë nuk kishin dijeni për partizanët që ndodheshin në atë fshat. Sapo erdhi lajmi për vrasjen e Çelo Sinanit, në fshat filluan lëvizje të shumta dhe partizanët e batalionit të spastrimit morën urdhër që të bënin rrethimin e plotë të fshatit në mënyrë që prej andej të mos dilte as miza. Pas kësaj ata filluan kontrollet nëpër të gjitha shtëpitë ku kishin të dhëna se ishin strehuar për të bujtur një pjesë e grupit të shtegëtarëve. Gjatë kontrolleve që bënë nëpër shtëpitë e fshatit Xhan, partizanët e batalionit të spastrimit ua morën armët grupit të malësorëve shtegëtarë, të cilët pranuan t'i dorzonin ato, pasi partizanët u thanë se do t'ua kthenin përsëri sapo të dilin në Qafë Thanë ku ishte vendosur komanda e brigadës. Komandantët e grupeve partizane të batalionit të spastrimit u dhanë besën malësorëve shtegëtarë se armët do t'ua kthenin përsëri të nesërmen më datën 27 nëntor, sapo të takoheshin me komandën e tyre. Të nesërmen, sapo zbardhi dita, partizanët e batalionit të spastrimit i mblodhën në një vënd të gjithë malësorët shtegtarë që ishin në fshatin Bruçaj, për t'i bashkuar me ata të grupit tjetër që ishin në fshatin Xhan, meqënëse afër atij fshati ishte vrarë Çelo Sinani. Qëllimi i komandës së brigadës së gjashtë, ishte që të bënte seleksionimin e tyre për të gjetur se kush ishin ata që kishin qëlluar dhe vrarë korrierin e brigadës, partizanin Çelo Sinani. Në grupin e malësorëve që kishin bujtur në fshatin Xhan, bënte pjesë edhe një djalë i ri, 17-vjeçar, i quajtur Mëhill Vocrri, i cili kishte aty dhe tre probatinë (vëllezër që pinë gjak me njëri tjetrin) nga e njëjta shtëpi. Kur e morën vesh partizanët se Mëhilli ishte nga fshati Shosh, i thanë të ikte, por ai nuk iku, duke u thënë se nuk mund të ndahej nga probatinët e tij. Sipas urdhërit të komnadës së brigadës, partizanët e batalionit të spastrimit ku bënte pjesë dhe motra e Çelo Sinanit, bënë seleksionimin e malësorëve shtegëtarë dhe një pjesë të tyre e lanë të lirë të ikte, kurse grupin tjetër ku bënin pjesë: Tom Martini, Pëllumb Sokoli, Kol Vata, Pal Pëllumbi, Nikoll Mirashi, Mëhill Vocrri, Pal Vata, Shytan Deda dhe Prenush Zefi, ata e morën me vete për të shkuar në Qafë-Thanë atje ku ndodhej Shtabi i Brigadës", kujton 84-vjeçari Prek Sokoli lidhur me arrestimin e nëntë malosorëve shtegëtarë nga forcat partizane të batalionit të brigadës së gjashtë, i cili ishte lënë në atë zonë për spastrime.

Motra e Çelos qëllon malësorët e lidhur

Por çfarë ndodhi më pas me grupin e malësorëve që u arrestuan nga partizanët e batalionit të spastrimit, si të dyshuar për vrasjen e korrierit të brigadës, Çelo Sinanit? Lidhur me këtë, 84-vjeçari Prek Sokoli, i cili e ka akoma të freskët në kujtesën e tij atë ngjarje makabre ku mbeti i vrarë edhe i vëllai i tij, vazhdon rrëfimin duke u shprehur: "Meqënse njëri prej atyre malësorëve, i quajtur Nikoll Mirashi, ishte i sëmurë dhe nuk ecte dot, motra e Çelo Sinanit që ishte partizane në atë batalion, i tha komandantit të saj, se do të rrinte ajo me Nikollën për ta ndihmuar të ecnin, deri sa të mbërrinin në Qafë-Thanë. Por sapo ata mbërritën diku në një përrua, motra e Çelo Sinanit, nxorri revolverin dhe e qëlloi dy-tre herë në kokë Nikoll Mirashin, duke e lënë atë të vdekur në vënd. Ndërsa kur grupi i partizanëve të batalionit të spastrimit së bashku me tetë malësorët e lidhur mbërritën në Qafë-Thanë ku ndodhej shtabi i brigadës, sipas premtimit që i kishin dhënë motrës së Çelo Sinanit, të tetë malësorët ia rreshtuan të lidhur përpara saj. Në atë moment, ajo nxorri pistoletën nga brezi dhe nisi t'i qëllonte të tetë burrat e lidhur, duke i goditur me nga dy plumba në kokë. Kur ajo po bëhej gati të qëllonte mbi të fundit e grupit, që ishte 17-vjeçari Mëhill Vocrri, disa partizanë iu lutën që ta falte, por ajo vazhdoi të qëllonte edhe mbi të duke thënë: "Lëreni se qenka moshatar me Çelon tim". Pasi i la të vdekur në vënd të nëntë malësorët (së bashku me Nikoll Mirashin që e vrau gjatë rrugës) motra e Çelo Sinanit u dha urdhër partizanëve të tjerë që t'i zhvishin shpejt e shpejt ata dhe t'ua merrnin rrobat e trupit të vrarëve, pasi u duheshin për partizanët e brigadës që ishin duke marshuar për në drejtim të Malit të Zi. Ndërsa ata zbatuan urdhërin e saj duke i zhveshur lakuriq të tetë trupat e pajetë që ishin pladosur pa frymë mbi dëborën e ngrirë kallkan, disa prej tyre filluan t'i godisnin përsëri kufomat me tytat e pushkëve dhe me bajoneta duke i shpërfytyruar keqas ato. Pasi ua hoqën rrobat e trupit dhe i lanë ashtu të zhveshur në dëborë në një fushë të vogël, motra e Çelo Sinanit me gjithë partizanët e tjerë vazhduan rrugën për të arritur forcat e brigadës që ishin duke marëshuar për në drejtimin e Malit të Zi", kujton Prek Sokoli lidhur me ngjarjen makabre të pushkatimit të nëntë malësorëve të pafajshëm të ndodhur në 28 nëntorin e largët të vitit 1944, ku midis nëntë malësorët që u qëlluan me nga dy plumba në kokë nga motra e Çelo Sinanit, njëri prej tyre ishte i vëllai i Prekës, 25-vjeçari Pëllumb Sokoli.

Vrasin edhe Lazër Vuksanin

Vrasja makabre e nëntë malësorëve të pafajshëm të cilët u ekzekutuan në shenjë hakmarrje për vrasjen e korrierit të brigadës, 15-vjeçarit Çelo Sinani, nuk u mbyll me aq. Kështu shprehet malësori 84-vjeçar Prek Sokoli, i cili e vazhdon rrëfimin e tij për atë ngjarje tragjike, duke u shprehur: "Pasi motra e Çelo Sinanit së bashku me partizanët e tjerë vazhduan rrugën për t'u bashkuar me pjesën tjetër të brigadës, në drejtim të vëndit ku ndodheshin trupat e pajetë të tetë malësorëve, nisën të shkonin fshatarë të atyre anëve të cilët kishin dëgjuar krismat, por në të vërtetë nuk dinin asgjë mbi gjëmën e madhe që kishte ndodhur aty. Të parët që mbërritën në vëndngjarje, ishin burrat e shtëpisë së Halil Zenelit, të cilët u kthyen përsëri në shtëpinë e tyre dhe morën me vete disa batanije e rroba të tjera për të mbështjellë të tetë kufomat, pasi ashtu siç ishin të zhveshura lakuriq, ata nuk mund t'i transportonin për në fshatrat e tyre. Ndërsa familja e Halil Zenelit ishte duke u marrë me veshjen e kufomave, motra e Çelo Sinanit së bashku me partizanët e tjerë që po udhëtonin për t'u bashkuar me forcat e tjera të brigadës së gjashtë, rrugës u takuan me një malësor nga fshati Bruçaj i quajtur Lazër Vukasni, i cili po vinte nga fshati i tij i hipur në mushkë. Sapo u ndeshën përball Lazërit, grupi i partizanëve së bashku me motrën e Çelo Sinanit, e qëlluan menjëherë atë duke e lënë të vdekur në vënd. Vrasjen e tij ata e bënë me qëllim që ai të mos shkonte në vëndin e ngjarjes ku ndodheshin trupat e pajetë të tetë malësorëve, pasi po të shkonte ai atje, do jepte kushtrimin dhe fshatarët e atyre anëve do rroknin pushkët dhe do dilnin në kërkim të vrasësve. Pra me qëllim që ajo ngjarje të mbahej e fshehtë, deri sa të largoheshin të gjitha forcat partizane që andej, motra e Çelo Sinanit së bashku me partizanët e tjerë e ekzekutuan edhe Lazër Vuksanin që ishte duke udhëtuar me mushëkn e tij për në fshatin Bruçaj ku ai kishte shtëpinë", kujton Prek Sokoli lidhur me vazhdimin e asaj ngjarje e cila shënoi edhe viktimin e dhjetë nga ana e malësorëve të asaj ane, prej forcave partizane të brigadës së gjashte që komandohej nga Jaho Gjoliku dhe Haki Toska.

***

Për herë të parë pas 59 vjetësh nga masakra e partizanëve të Jaho Gjolikut e Haki Toskës, dëshmojnë familjet e viktimave që u vranë në shenjë hakmarrje për Çelo Sinanin

"Ja përse Gjin Marku nuk e la Gjolikun të pushkatonte 37 burra"

Dëshmia e 69-vjeçarit Dedë Marashi: "Më kujtohet si tani kur erdhi haberi dhe e sollën me vig trupin e pajetë të kushuririt tim, Tom Martinit. Babai i tij, Martin Gjoni, kur e ka pa syrin e djalit të varun poshtë fytyrës nga goditjet e bajonetës, u tha atyre që e prunë: pse ma keni sjellë kështu, dhe e shkuli synin e të birit dhe e hodhi në përrua".

Arrestimi i 37 malësorëve

Por pushkatimi i dhjetë malësorëve dukagjinas në afërsi të fshatit Bruçaj, duket sikur nuk i kënaqi kuadrot drejtuese të Shtabit Brigadës së gjashtë që komandoheshin nga Jaho Gjoliku dhe Haki Toska, pasi forcat e shumta të asaj brigade u rikthyen përsëri në fshatin Xhan e Bruçaj, ku kryen arrestimin e 37 fshatarëve të tjerë. Lidhur me këtë ngjarje, 84-vjeçari Prek Sokoli me origjinë nga Dukagjini dhe me banim në Rranxat e Bushatit të Shkodrës, dëshmon: "Pas pushkatimit të atyre dhjetë burrave nga një partizane për të cilën u tha se ishte e motra e Çelo Sinanit, forcat partizane, të udhëhequara nga Jaho Gjoliku, u kthyen përsëri në fshatin Xhan dhe aty arrestuan edhe 37 fshatarë të tjerë, të cilët ashtu të lidhur i rreshtuan në një bregore për t'i pushkatuar të gjithë. Në atë çast që pritej pushkatimi i tyne sipas urdhërit që kishte dhënë Jaho Gjoliku, vendimi u anallua dhe të 37 burrat e lidhur mundën që të shpëtonin nga vdekja e sigurtë. E gjithë ajo mrekulli, pra falja e tyre ndodhi pas ndërhyrjes së Komandantit të Divizionit partizan, Gjeneral Gjin Markut, që kishte nën vartësi Brigadën e gjashtë, i cili e ndaloi Jaho Gjolikun që ta kryente atë masakër. Sipas atyre burrave që kanë qenë prezent në atë vënd, Gjin Marku i tha kështu Jaho Gjolikut: "Nesër kemi festën e Çlirimit të Shqipërisë dhe nuk bën që atë ditë të shumëpritur ta festojmë me gjak". Pas atyre fjalëve të Gjin Markut, ata 37 burra të pafajshëm u lanë të lirë për të shkuar në shtëpitë e tyre", e përfundon dëshminë e tij, 84-vjeçari Prek Sokoli, vëllai i njëri prej dhjetë burrave të pushkatuar në fshatin Xhan, i cili shton se që nga ajo ditë e deri në vitin 1990, familja e tij u quajt reaksionare dhe vazhdimisht u përmëndej vëllai i vrarë. "Prej asaj ne s'kena mujt me lyp kurgja" shprehet Prek Sokoli, familjen e të cilit në vitin 1971 e hoqën nga fshati Xhan dhe e dërguan aty në Rranxat e Bushatit, ku jetojnë edhe sot e kësaj dite. Por edhe pse ata u shpërngulën nga fshati i tyre, nuk e kanë harruar ende atë histori tragjike ku 59 vjet më parë nga plumbat e partizanëve mbeti i vrarë i biri i tyre, 25-vjeçari Pëllum Sokoli.

Dëshmia e tre familjeve të viktimave

Për atë histori tragjike të ndodhur në 28 nëntorin e largët të vitit 1944, Prek Sokoli, nuk është i vetmi dëshmitar që hedh dritë mbi çka ndodhi aty. Ajo histori është ruajtur e freskët në kujtesën e shumë malësorëve të asaj ane dhe sidomos në familjet e viktimave, ku njeri prej tyre, 67-vjeçari, Dedë Marashi dëshmon: "Më kujtohet si tani kur në fshatin tonë erdhi haberi për vrasjen e kushëririt tim, Tom Martinit, të cilin e sollën mbi një vig. Sapo trupi i tij mbërriti para shtëpisë, sipas zakonit i pari doli babai i Tomës, Martin Gjoni, i cili kur e pa syrin e të birit që varej poshtë fytyrës prej goditjeve të bajonetës, iu drejtua atyre burrave që e prunë trupin e tij duke u thënë: "Pse ma keni sjellë kështu" dhe e shkuli syrin e të birit e e flaku tutje në përrua", kujton Deda lidhur me atë histori rrënqethëse, kur trupat e pajetë të malësorëve të vrarë u përcollën nëpër shtëpitë e tyre. Një tjetër dëshmitare e asaj ngjarje, është dhe 85-vjeçarja Drane Vata, e motra e Kol Vatës që u pushkatua nga partizania e brigadës së gjashtë, e cila dëshmon: "Lajmi për vrasjen e dhjetë burrave, na erdhi në atë kohë që unë isha e martuar në fshatin Gjuraj. Nga Gjuraj për në Xhan, mban rreth dy orë dhe rrugës për aty unë po mundohesha që të nxirrja të vërtetën se kush ishte vra. Sepse për vëllanë tim Kolën, nuk më treguan që ishte vra, pasi e kisha vëlla të vetëm dhe mua më treguan vetëm për vrasjen e kushërinjëve tanë dhe të tjerëve. Por unë shumë shpejt e mora vesh për vrasjen e vëllait tim, Kol Vatës, nga një fshatar i cili thirri: "Kujdes mos i dëftoni asaj për atë njeriun që kan vra". Nga ai e mora vesh se bëhej fjalë për mue dhe vëllanë tim Kolën, i cili kishte marrë dy plumba në vetull dhe dy në sy, të cilët i kishin dalë sipër kokës. Shtëpia jonë ku kisha lindur unë kishte tre të vrarë dhe bashke me probatinin (vëlla gjaku prej gishti) bëheshin gjithsej katër që po qaheshin së bashku. Që nga ajo natë dhe për gjithë jetën e jetës unë mbeta qyqe pa vëlla dhe po kështu prej asaj dite e deri sot që jam në moshën 85-vjeçare, unë nuk kam vesh gja tjetër në trup përveçse ngjyrës së zezë", kujton Drane Vata lidhur me vrasjen e vëllait të saj. Po kështu, Lezja, motra e Mëhill Vocërrit, njërit prej dhjetë viktimave që u pushkatuan atje, dëshmon: "Në atë kohë që ka ndodh ngjarja, unë isha e martueme në fshatin Pog të Komunës së Pultit. Natën e 28 nantorit, aty erdhën dy fshatarë tek kojshiu jonë dhe kërkaun burrin tim, Kol Zefin. Meqënëse shtëpia e kojshisë sonë nuk ishte ma larg se 30 m. nga kurioziteti unë u afrova fshehurazi dhe dëgjova të gjithë bisedën që bënë dy fshatërt me burrin tim, të cilit në mes të tjerash i thanë: "Kan plagosë partizanët në Xhan vëllanë e Lezes dhe e kanë nisë për në Shosh". Në ato momente kur dëgjova ato fjalë për vëllanë tim të vetëm, një tmerr i madh më pushtoi trupin. Burri im me dy fshatërt nuk më treguan të vërtetën dhe unë u nisa menjëherë për në Shosh, që mbante rreth katër orë larg ditën, e natën akoma më shumë. Gjatë gjithë rrugës unë mendojsha se përse vallë vëllanë tim të plagosur e kishin sjellë në vëndlindjen e tij në Shosh, në një kohë që atë fare mirë atë mund ta dërgonin për në Shkodër, që ishte fare pak më larg nga Xhani dhe atje kishte spital. Me këtë shpresë të pashpresë unë arrita deri në Shosh, ku shumë shpejt mora vesh gjamën e zisë së përjetëshme që na pllakosi. Që nga ajo ditë, e 29 nantorit të vjetit 1944 e deri më sot, ne dy motrat e Mëhillit mbetëm me rroba të zeza dhe me dhëmbje në shpirt", kujton Leze Vocrri, e motra e Mëhillit 17-vjeçar, të cilin para se ta pushkatonte, partizania e brigadës së gjashtë i tha: "Lëreni këtë se qenka moshatar me Çelon tim".

Reagimi i fshatarëve ndaj partizanëve

Masakra e kryer nga forcat partizane të Brigadës së gjashtë mbi ata dhjetë burra të pafajshëm, nuk kaloi lehtë nga malësorët e atyre anëve të cilët reaguan menjëherë. Lidhur me këtë, 63-vjeçari nga Shkodra. Zef Zeka, i cili prej kohësh merret me hulumtime për terrorin dhe genocidin komunist të ushtruar mbi ato treva të veriut të vëndit, ndërmjet të tjerash dëshmon: "Vrasja e dhjetë burrave të pafajshëm i indinjoi pa masë malësorët e atyre fshatrave të cilët u ngritën menjëherë me armë në dorë dhe dhanë besën për hakmarrje. Kështu pas disa ditësh, më pesë dhjetor 1944, një grup i madh fshatarësh nga Xhani dhe Kiri, filluan pushkën kundër forcave spastruese të Brigadës së gjashtë partizane. Nga ajo përplasje me armë, mbeti i vrarë një partizan, ndërsa nga fshatarët u vranë katër vetë, tre nga shtëpia e Gjon Palit dhe një probatin i tyre. Pas kësaj në shenjë hakmarrje, forcat spastruese partizane dogjën shtatë shtëpi të atyre fshatrave dhe u larguan për në drejtim të Malit të Zi", shprehet Zef Zeka lidhur me vazhdimin e konfliktit në mes partizanëve të Brigadës së gjashtë dhe fshatarëve dukagjinas, konflikt i cili në forma të tjera ndoshta dhe më të egra vazhdoi edhe për gati një gjysëm shekulli me rradhë.

Versioni zyrtar i vrasjes së Heroit të Popullit Çelo Sinanit

Nga ajo ditë pioneri Çelo Sinani u bë partizan. Në çetën e Kurveleshit e në batalionin "Asim Zeneli", në grupin e parë të Kurveleshit e në brigadën e 6 sulmuese Çelua u dallua ndër shokët. Pushka e tij u rreshtua përkrah pushkëve të partizanëve të tjerë. Më vonë pushkën e zëvendësoi me automatik, me mitraloz. Me mitraloz në krah zbriti dhe ngjiti qafën e Dhëmbelit, kapërceu Vjosën, Osumin, Shkumbinin, Drinin. Me opinga të shqyera, me një mushama, që e përdorte herë-herë si batanie, me bukë e pa bukë, në shi, në breshër e në dëborë luftonte dhe këndonte këngën aq të dashur: Mbi çdo vend të Shqipërisë / Brigad' e gjashtë kur kalon,/ Drithet fron' i tiranisë / Mali e fusha ushëton… Dy vjet luftë e kalitën Çelon. A u rrit nga shtati, mësoi shumë gjëra. Në një përpjekje që bëri me armikun grupi i parë i Kurveleshit, Çelua papritur mbeti i rrethuar. -Të zura, more rjepacak, s'ke ku më shkon,- i tha një ballist dhe iu vu prapa Çelos. Pioneri, sadoqë ndjeu frikë nuk e dha veten. E priti të afrohej dhe e qëlloi. Ballisti klithi dhe ra shul në tokë. Nuk e humbi besimin në vetvete dhe vendosi të çante rrethimin. U shtri barkas dhe rrëshqiti pa u vënë re nëpër gërxhe e shkrepa gjersa doli jashtë çdo rreziku e u bashkua përsëri me shokët. … Nëntor 1944. Çelua, partizani i Brigadës së gjashtë, bashkë me një shokun e tij bënte roje në Theth, në fshatin piktoresk në zemër të Alpeve. Kur partizanët e tjerë bisedonin përzemërsisht me malsorët, dy rojet që nga bregorja vërenin me kujdes çdo lëvizje. Nga deriçka e kishës doli nëj "prift", i cili, si hodhi sytë rreth e përqark u largua me të shpejtë në drejtim të bregut të lumit. Çelua dyshoi: "Pse ecën i trembur"?! Zuri vend mbi rrugë dhe i thirri të ndalej. "Prifti" shtangu në vend. Nisi të bënte kryq dhe në çast nxori "valterin" nga gjoksi dhe shtiu tri herë. Ciflat e gurit mbi të cilin ranë plumbat e gjakosën në njërën dorë pionerin, por ai nuk u tërhoq. Iu kundërpërgjigj menjëherë me një breshëri automatiku. "Prifti" vrapoi duke shtënë në të rrallë, ndërsa pioneri i gjakosur iu qep pas duke shtënë. "Prifti" hyri në ujë për të dalë në bregun tjetër. Në përpjekje për t'u mbrojtur nga plumbat e Çelos përdrodhi këmbën, ra në ujë u ngrit, po revolveri i ra nga dora. Në ndihmë të Çelos shkoi Alemi, shokët e tjerë dhe "prifti" u kap. Gjatë kontrollit Alemi i tha Çelos:"- Shih dreqi, na qenka toger gjerman! Akte trimërie të vogëlushit i gjen të shkrira në gjurmët e brigadës së tij. Kudo Çelua i vogël luftoi si trim. Episode nga më të ndryshme tregojnë shokët e tij për Çelon. Ai në kujtesën e tyre mbeti fëmijë i gëzueshëm, luftëtar trim që, si thotë populli, të merrte "gjak në vetull". Po afronte dita e çlirimit të plotë të Atdheut. Brigada e gjashtë ndodhej në afërsi të Qafë Thanës, në malësinë e Dukagjinit. Natën, duke u gdhrë 26 nëndor 1944 partizanët të lodhur e të pangrënë ishin grumbulluar në një vend, ku mund të mbroheshin sadopak nga shiu e furtuna. Papritmas hidhen dy bomba nga mercenarët. Çelua i ndezur nga urrjetja për armiqtë vrapon bashkë me partizanët e tjerë për t'u hakmarrë. Ndodhet përballë me tre mercenarë. Qëllon me automatik, vret një mercenar dhe plagos nji tjetër. Mercenari i tretë qëllon nga dukej flaka e automatikut dhe plumbi armik godet trimin pioner, që puthi për herë të fundit tokën e shtrenjtë të Atdheut. Nga fytyra i rrodhën currila gjaku. Malësorët i kënduan trimërisë së heroit të vogël: "Kush lufton në atë breg / Çelo Sinani vetë i tret, / Çelo Sinani kuq si molla / Qit dhe njëherë, të lumtë dora, / Jo me një po qit me dy,/ T'lumshin krahët e ay sy". Ndërsa në gazetën lokale të vendlindjes së Çelos, për të u shkruan këto vargje:"… Kush tha se s'di Çelua / Në male të luftojë?!/ Kush tha se s'di Çelua / Me pushkë të qëllojë?!/ Përballë me armikun, / Në krah me shok'lufton,/ Dhe kurrë ai s'trembet…/ Me pushkë ai qëllon. … Po plumbi seç e gjeti,/ Bariun tonë të ri; / Ia ngatërroi flokët era,/ Me kapënë mbi sy…".

***

Dëshmia e 78-vjeçarit Arfi Bizhga, ish-komisar kompanie në Brigadën e gjashtë dhe e vëllait të Çelos, 61-vjeçarit, Reis Sinani, lidhur me ngjarjen e 28 nëntorit të vitit 1944

"Ja si u vra Heroi i Popullit, Çelo Sinani"

Pas shkrimit të para dy ditëve që bënte fjalë mbi vrasjen e partizanit 15-vjeçar, Çelo Sinani në 28 nëntorin e vitit 1944 dhe masakrës së vrasjes së dhjetë burrave në shenjë hakmarrje ndaj tij, i cili u botua në dy numra rradhazi në faqet e rubrikës historike Dossier, në adresë të gazetës reagoi familja e Çelo Sinanit, me anë të vëllait të tij, 61 vjeçarit, Reis Sinani, ish ushtarak i diplomuar për inxhinjeri elektronike në Bashkimin Sovjetik. Nisur nga fakti se faqet e gazetës sonë kanë qenë dhe mbeten vazhdimisht të hapura për këdo, si dhe për qëllimin e vetëm të ndriçimit të së vërtetës në lidhje me ngjarjet që ne vazhdojmë të botojmë, vendosëm që të japim të plotë edhe reagimin e tyre, duke i sugjeruar që për atë ngjarje të dëshmonte dhe ndonjë nga ish-partizanët e Brigadës së gjashtë që kanë dijeni mbi atë ngjarje si dhe për vrasjen e dhjetë burrave që u ekzekutuan në shenjë hakmarrje për vrasjen e Çelos. Kërkesës sonë iu përgjigj me dashamirësi, 78-vjeçari, Arif Bizhga, ish-komisar kompanie në Brigadën e gjashtë dhe më pas nga viti 1945 deri në 1981, ushtarak i karrierës në Ministrinë e Mbrojtjes dhe atë të Brendëshme, ku ai arriti deri në gradën e nënkolonelit dhe detyrën e zv / shefit të Kuadrit të asaj ministrie.

Zoti Arif, a e keni njohur ju Heroin e Popullit, Çelo Sinanin?

"Unë e kam njohur Çelon që kur ai erdhi si partizan në Brigadën e gjashtë Sulmuese, ku unë isha efektiv që nga krijimi i saj dhe që nga ajo kohë e deri kur ai u vra, kemi qënë bashkë në atë brigadë?"

A e mbani mënd ju ngjarjen ku mbeti i vrarë Çelua?

"Ndonëse kanë kaluar gati 60-vjet që nga 28 nëntori i vitit 1944, kohë kur është vrarë Çelo Sinani, unë, dhe pothuaj të gjithë ne ish-partizanët e Brigadës së gjashtë, e kemi të freskët në kujtesën tonë atë ngjarje, për arsye se Çeloja, për vetë moshën e vogël që kishte, ishte bërë simboli i Brigadës".

Ku ndodhej brigada juaj në atë kohë që ndodhi vrasja e Çelos?

"Në atë kohë, pra aty nga fundi i nëntorit të vitit 1944, forcat tona partizane të Brigadës së gjashtë, ku unë isha me detyrën e komisarit të kompanisë, ndodheshin në Qafën e Kolshit, të krahinës së Nikaj-Mërturit të Tropojës. Aty ne ishim përqëndruar në një luginë pranë lumit që kalonte aty, për t'u mbrojtur nga goditjet e forcave armike kundërshtare, të cilat na kishin zënë prita kudo nëpër gryka dhe na qëllonin pa pushim duke na rrezikur të na shpartallonin krejtësisht".

Përse ndodhej brigada juaj në atë zonë të thellë dhe ç'farë misioni i ishte ngarkuar asaj?

"Në atë kohë brigada jonë ndodhej në atë zonë të thellë të malësisë së Tropojës, pasi kishte marrë urdhër nga komanda e divizionit që komandohej nga Tahir Kadareja, për të bërë spastrime në ato zona të thella dhe pas atyre spastrimeve ne duhet të marëshonim për në drejtim të qytetit të Shkodrës, ku do të merrnim pjesë në luftimet për çlirimin e atij qyteti që mbahej akoma nga forcat gjermane".

Kush ishin komandanti e komisari i brigadës suaj në atë kohë?

"Në atë kohë, komandant ishte Jaho Gjoliku dhe komisar Haki Toska".

Thatë më sipër që forcat tuaja partizane ishin nën goditjen e forcave kundërshtare armike, të cilat ju qëllonin pa pushim. Kush ishin këto forca kundërshtare ndaj të cilave ju kishit marrë urdhër për të bërë spastrime?

"Forcat kundërshtare ndaj të cilave ne kishim marrë urdhërin për të luftuar dhe për t'i spastruar, ishin forcat gjermane dhe ato reaksionare të udhëhequra nga bajraktarët e atyre zonave. Ky ishte urdhëri që na ishte dhënë ne nga komanda eprore".

Gjatë atyre luftimeve a u ndeshët ju me forcat gjermane dhe a zhvilluat luftime kundër tyre, apo luftimet dhe betejat tuaja konsistonin vetëm ndaj forcave reaksionare shqiptare siç i quanit ju?

"Për të qenë i sinqertë deri në fund me ju, në ato luftime dhe spastrime që bëri brigada jonë në atë kohë, ne nuk kemi parë asnjë gjerman me sy. Por të gjitha luftimet dhe spastrimet i kemi bërë vetëm kundër forcave reaksionare shqiptare. Kjo është e vërteta dhe unë nuk mund të gënjej duke thënë se në atë kohë ne kemi luftuar kundër forcave gjermane".

Ç'ndodhi më pas me forcat tuaja partizane aty në Qafën e Kolshit ku thatë se ishit nën goditjen e forcave reaksionare që ju qëllonin pa pushim?

"Aty forcat tona u gjendën në një gjendje tepër të vështirë nga e cila rrezikoheshim të shpartalloheshim krejtësisht. Forcat reaksionare që kishin zënë grykat na qëllonin nga lart dhe aty ne na u vra një partizan i quajtur Shyqëri Sinani, që ishte kushëri i Çelo Sinanit. Për të shpëtuar nga ajo gjëndje e vështirë ku situata po ndërlikohej gjithnjë e më shumë, komandanti i Divizionit, Tahir Kadareja, që kishte qenë ushtarak i karrierës, dha urdhër që ne të ktheheshim përsëri mbrapsht për të dalë në periferi të Tropojës. Aty, pasi ne bëmë seleksionimin e forcave, (duke lënë të sëmurët dhe vajzat që do ta kishin të vështirë për të vazhduar më tej marshimin në atë të ftohtë të paparë ndonjëherë) morëm urdhër për të vazhduar përsëri marshimin me qëllim që forcave reaksionare t'u dilnim në shpinë me krahëmarrje. Pas kësaj me dy batalionet të komanduara nga Qerim Çakua dhe Qemal Xhaferri, udhëtuam për një ditë të tërë duke çarë me bajoneta dëbërën e akullin që ishte mbi një gjysëm metri dhe arritëm mbi shpinën e forcave kundërshtare. Aty ne luftuam dhe i shpartalluam krejtësisht ata, të cilët u tërhoqën menjëherë nga goditja jonë e rrufeshme".
A pati të vrarë nga forcat partizane dhe ato reaksionare".
"Jo as nga ne dhe as nga ata nuk pati asnjë të vrarë".

Ç'farë bëtë pasi i shpartalluat forcat kundërshtare?

"Pas shpartallimit të tyre, brigada jonë vazhdoi në kolonë marshimin në një kohë të keqe, duke udhëtuar për në drejtim të Shkodrës, ku siç thashë do luftonim për çlirimin e saj. Gjatë atij marshimi, batalioni i parë kishte lënë një skuadër si pararojë, në të cilën ishte skuadër-komandant, Çelo Sinani. Në vëndin e quajtur Qafë-Thanë, skuadra e pararojës e komanduar nga Çeloja, ra në një pritë të forcave reaksionare ku u shkëmbyen disa pushkë. Pas kësaj u hap lajmi se aty ishte vrarë Çelo Sinani".

Kush qëlloi i pari në atë pritë, skuadra e komanduar nga Çeloja, apo ata të pritës?

"Nuk di të them se kush qëlloi i pari, sepse për vetë situatën që ndodhi ajo ngjarje, natën dhe në një kohë të keqe, ajo gjë është tepër e vështirë për t'u përcaktuar. Por llogjika ta thotë se të parët duhet të kenë qëlluar ata të pritës".

Pas vrasjes së Çelos, çfarë iu komuniku juve nga komandanët tuaj?

"Ne na u tha se Çelo mbeti i vrarë nga një pritë reaksionarësh, të cilët bënë aksion kundër brigadës sonë, në shenjë hakmarrje ndaj shpartallimit që ata kishin pësuar nga goditja jonë. Pas kësaj trupi i Çelos u transportua për në fshatin më të afërt, në Domje. Të nesërmen u zhvillua ceremonia e varrimit të tij dhe siç ishte zakon, brigada bëri betimin para varrit të tij duke u zotuar për t'ia marrë hakun".

Forcat partizane të atyre dy batalioneve ku ishit dhe ju, a u vunë në ndjekje të atyre që qëlluan ndaj Çelos?

"Po kë të ndiqnim ne në atë natë dhe nëpër atë kohë me shi e dëborë e terren tepër të thyer ku nuk dukej këmbë njeriu. Ne nuk ndoqëm njeri, por Brigada jonë vazhdoi rrugën dhe në Postribë ne na sulmuan forcat gjermane dhe ato reaksionare të komanduara nga bajrakjtari i Vermoshit, Prek Cali, të cilat ne i shpartalluam plotësisht".

Po aty në Postribë a kishte forca gjermane dhe a luftuat ju kundër tyre?

"Ne na thanë se kishte gjermanë, por ishte natë dhe nuk pamë gjë. Pas kësaj ne na erdhi lajmi se Shkodra u çlirua dhe nuk e vazhduam më tej marshimin për atje, pasi na u dha urdhëri tjetër që të vazhdonim marshimin për në Mal të Zi. Në atë kohë komandant i Divizionit tonë u caktua Gjin Marku, ndërsa komisar, Myzafer Spaho".

Po a keni dijeni ju rreth vrasjes së dhjetë burrave në Qafë-Thanë, për të cilët thuhet se ata u vranë në shenjë hakmarrje ndaj vrasjes së Çelo Sinanit dhe ekzekutimin e tyre e kreu një partizane, që në atë kohë u tha se ishte e motra e Çelo Sinanit?

"Unë nuk di gjë rreth kësaj që thoni ju dhe këtë gjë nuk e kam dëgjuar asnjëherë".

Po nuk u bë asnjë hakmarrje për vrasjen e Çelos, sepse ju vetë u shprehët që u betuat mbi varrin e tij që do t'ja merrnit hakun?

"Unë nuk e di që brigada jonë të ketë vrarë dhjetë burra në shenjë hakmarrje për Çelon, por as nuk e mohoj faktin se ata mund të jenë vrarë. Them kështu pasi vrasja e tyre mund të jetë bërë nga forcat e tjera partizane që erdhën pas nesh të cilat komandoheshin nga Mehmet Shehu. Ato ndërrmorën operacione spastrimi në atë zonë, ku pati mjaft të vrarë nga të dy palët".Po brigada juaj nuk ka bërë fare operacione spastrimi, duke ekzekutuar ata që ju i quanit reaksionarë".
"Po atëhere luftë ishte dhe brigada jonë ka bërë operacione spastrimi duke vrarë reaksionarë, por ne ato nuk i bënim të fshehta, por të hapura në sy të gjithë partizanëve".

Po si i shpjegoni dëshmitë e familjeve të atyre dhjetë viktimave që thonë se ata dhjetë burra u vranë në 28 nëntor, një ditë pas vrasjes së Çelos, në shenjë hakmarrje për të dhe u kryen nga një partizane që u tha se ishte e motra e tij?

"Sinqerisht unë nuk di gjë rreth kësaj ngjarje dhe them se mos ata janë vrarë nga forcat e tjera partizane. Por më mirë për këtë gjë duhen pyetur ish-partizanë që kanë qenë në një kompani me Çelon, shumë prej të cilëve janë ende gjallë dhe mund të dëshmojnë fare mirë.
Ndërsa lidhur me atë që thuhet se ata u vranë nga motra e Çelo Sinanit, kjo nuk qëndron. Sepse Çelua nuk kishte motër partizane në brigadën tonë apo në ndonjë brigade tjetër. Por interpretimi që i bëjnë ata malësorë që kanë dëshmuar për ju lidhur me atë ngjarje, shpjegohet me faktin sepse kur vritej ndonjë partizan dhe merrej haku ndaj tij, nga komanda i thuhej ndonjë partizaneje: na vriti ti këta që të kanë vrarë vëllanë tënd. Sepse ne partizanët e partizanet, konsideroheshim motra e vëllezër me njëri tjetrin".


Dëshmia e Reis Sinanit, vëllai i Heroit të Popullit, Çelo Sinani

Vëllai i Çelo Sinanit, 61-vjeçari, Reis Sinani, ish-ushtarak i diplomuar për inxhinjeri elektronike në Bashkimin Sovjetik, në dëshminë e tij shprehet: "Kur e lexova shkrimin mbi vëllain tonë, Çelo Sinanin, unë dhe familja ime u indinjuam pa masë, për arsye se ne nuk kemi pasur asnjë motër partizane. Dy motrat tona, Nihiri dhe Gjylsoja, në atë kohë që është vrarë Çeloja, kanë qenë, njëra dhjetë vjeçe dhe tjetra shtatë vjeçe. Vrasjen e Çelos ne e morëm vesh pas datës 20 janar të vitit 1945, me anë të një letre që na erdhi në fshat. Në atë letër që na e dërgonte komnada e Brigadës së gjashtë, thuhej se Çelo ishte vrarë në luftë kundër okupatorëve në betejën për çlirimin e Shkodrës. Sipas asaj që dimë ne si familje nga dëshmia e Kalo Seferit, nënkomandantit të batalionit të Çelos, Çelua është vrarë në pritë kur ishte në pararojë me skuadrën që komandonte diku në vëndin e quajtur Qafë-Thanë. Pak para vrasjes, Çelua së bashku me partizanët e tjerë janë ulur për të pushuar dhe atyre u kanë dhënë patate për të ngrënë. Çelua i shkretë nuk arriti që t'i hante dot patatet, sepse erdhi urdhëri për të vazhduar marshimin dhe ai u vra mundur që t'i hante dot patatet. Pas kësaj trupin e Çelos e transportuan për në fshatin Domje, ku skuadra e tij u strehua tek familja e fshatarit Ram Deda. Haki Toska më ka pas treguar se trupin e Çelos e vunë në njërin krah të mushëkës dhe në krahun tjetër vunë një mitroloz. Atë natë ishte festa e Bajramit dhe e zonja e shtëpisë, Dushe Deda, i tha nuses së djalit të saj, që ta mbulonte trupin e pajetë të Çelos me çarçafin e saj të nusërisë, pasi si myslymanë që ishin, ata e kish për keq që trupi i të vrarëit të gdhiej i zbuluar. Të nesërmen trupin e Çelos e varrosën tek një shegë aty në fshatin Domje. Eshtrat e Çelos ne i morëm në vitin 1945 dhe i sollëm në Gjirokastër. Nëna jonë, Zykoja, kur mësoi se Çelua ishte vrarë pa mundur që t'i hante dot patatet që u kishin dhënë, sa ishte gjallë nuk vuri asnjë patate në gojë. Për herë të parë në vëndin ku ishte vrarë Çeloja, unë kam vajtur në vitin 1976. Aty u takuam me familjen e Ram Dedës dhe fshati na priti shumë mirë. Që nga ajo kohë ne lidhëm një miqësi të ngushtë me familjen malësore që na kishte mbajtur trupin e pajetë të vëllait tonë dhe kemi shkuar e ardhur tek njëri tjetëri në raste dasmash a gëzimesh të tjera, duke i ndihmuar edhe për ndonjë problem apo raste sëmundjesh që ata kishin në Tiranë. Ndërsa për sa i përket vrasjes së dhjetë malësorëve në shenjë hakmarrje ndaj vrasjes së Çelos, ne nuk kemi dijeni dhe tani po e dëgjojmë për herë të parë këtë gjë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora