E shtune, 20.04.2024, 10:33 AM (GMT+1)

Editorial » Shkreli

Frank Shkreli: Liri, Pavarësi, Demokraci

E shtune, 17.06.2023, 07:57 PM


LIRI, PAVARËSI, DEMOKRACI!

Presidentja e Republikës së Kosovës në Parlamentin Evropian

Nga Frank Shkreli

“Liri, Pavarësi, Demokraci
Freedom, Independence, Democracy
Liberté, Indépendance, Démocratie”

Me këto fjalë në tri gjuhë e filloi fjalimin e saj Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani e ftuar të mërkurën në seancën plenare të Parlamentit Evropian. Në të vërtetë, këto janë fjalët e Presidentit të parë historik të Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova të shqiptuara 25-vite më parë, me rastin e prezantimit Dr Rugovës të Çmimit Sakharov, nga Parlamenti Evropian. Ëmimi u jepet indiidëve ose gruoeve të cilët promovojnë lirinë e mendimit dhe lirinë e fjalës.  Fjalimi i Presidentes Vjosa Osmani seancën plenare Parlamentit EvropianPresidente e Republikës Kosovës – DR. VJOSA OSMANI – SADRIU (president-ksgov.net)

Duke iu drejtuar Presidentes Roberta Metsola, politikanes konservatore nga Malta dhe deputetëve të Parlamentit Evropian, Presidentja e Republikës së Kosovës, Dr. Vjosa Osmani, me qëllim i përshëndeti ata me këto tri fjalë: Liri, Pavarësi, Demokraci. Ishin këto fjalët e Dr. Ibrahim Rugovës shqiptuar me rastin e pranimit të Çmimit prestigjoz, Sakharov, dhënë atij 25-vjet më parë nga Parlamenti Evropian.  Çmimi Sakharov është një nderim që u akordohet individëve ose grupeve individësh që kanë dedikuar jetën e tyre në mbrojtje të drejtave të njeriut dhe lirisë së të menduarit. Çmimi, që mban emrin e ish-shkencëtarit dhe disidentit rus, është themeluar nga parlamenti Evropian në vitin 1988.

“Këto tri fjalë të fuqishme, nuk ishin vetëm fjalë të shqiptuara me pasion dhe në vazhdimësi nga Ati themeltar i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova. Këto ide, në fakt, kanë qenë vizion i popullit të Kosovës. Sot ai vizion i Rugovës, heronjve tanë dhe popullit tonë është realitet”, filloi fjalimin e saj Presidentja e republikës së Kosovës, Vjosa Osmani para entit më të lartë politik, përfaqsues të popujve të Evropës në Strasburg.

“Kosova sot është e lirë. Kosova sot është e pavarur. Dhe Kosova sot është një fener i demokracisë. 25 vjet më parë, këtu në Strasburg, lideri ynë vizionar, Presidenti Rugova u nderua me çmimin Sakharov nga Parlamenti Evropian. Atë ditë ai u prezantua nga Presidenti i atëhershëm i Parlamentit Evropian (José Maria Gil-Robles, EP President 1997 – 1999) si, “Një njeri që është zëri i popullit të tij, një popull, zëri i të cilit rrallë mund të dëgjohet”.   Sakharov Prize 1998: Award ceremony Ibrahim RUGOVA - Kosovo | European Parliament Multimedia Centre (europa.eu)

Udhëheqsja e Republikës së Kosovës, si presidentja e parë e Kosovës që iu drejtua këtij enti të lartë evropian -- një brezi të ri deputetësh evropianë të cilët, për arsye të moshës së re, ndoshta as nuk kanë dëgjuar në të kaluarën për Ibrahim Rugovën, i tha Parlamentit Evropian se Presidenti Rugova e ka “konsideruar Çmimin si njohje të sakrificës së popullit të Kosovës dhe luftës së tij për liri, por më e rëndësishmja ai përdori pikërisht këtë platformë për të kërkuar mbështetjen e deputetëve të atëhershëm evropianë për t’u bashkuar me ta në emër të vlerave të cilat ky Union (Bashkimi Evropian) përfaqëson. Ai kërkoi që Evropa të bashkohej në mbrojtje të një populli të shtypur”, është shprehur ajo. Zonja Osmani u kujtoi parlamentarëve evropianë se ajo ishte vetëm 16 vjeç kur tanket e ushtrisë serbe hynin në vendlindjen e saj në Mitrovicë dhe se gjithnjë mban mend se si dhënja e Çmimit Sakharov Dr. Ibrahim Rugovës si dhe fjalët e tija në atë kohë, “na dhanë aq shumë shpresë.”  Ishte një shenjë e fortë, theksoi ajo, se në Evropë, shqiptarët e Kosovës, “më në fund po dëgjoheshim”, se “Evropa jo vetëm që i kishte hapur dyert Presidentit Rugova por kishte hapur zemrat dhe mendjet e saj për një popull të shtypur sistematikisht”.

“Sot, duke qëndruar këtu në Strasburg, kam nderin të jem Presidentja e parë e Republikës së pavarur të Kosovës që po flas para Parlamentit Evropian, për t’ju falënderuar për kontributin e pamasë dhe të vazhdueshëm që ky institucion ka dhënë për lirinë, demokracinë dhe pavarësinë tonë”, u shpreh ajo, në shenjë mirënjohjeje për ndihmën që ai ent ka dhënë në të kaluarën dhe tani për Kosovën.

Presidentja Osmani u tha deputetëve evropianë se, në fjalën e tij 25-vjetë më parë në Parlamentin Evropian, duke pranuar Çmimin Sakharov të Lirisë së të Menduarit dhe fjalës së lirë, Dr. Ibrahim Rugova u ka kujtuar atyre fjalën e urtë e të vjetër popullore shqiptare se, “Shtëpia nuk mbahet pa miq”.  Zonja Osmani i tha brezit të ri të politikanëve të sotëm evropianë se – ashtu si atëherë në kohën e Rugovës -- Kosova ka nevojë edhe sot për miq dhe për ndihmën e tyre. “Kjo ishte e vërtetë për ne gjatë viteve ’90, por është po aq e vërtetë edhe sot, ndërsa ne kërkojmë të forcojmë aleancat tona dhe një ditë t’ju bashkohemi këtu në këtë familje kombesh”,  theksou ajo në fjalën e saj drejtuar Parlamentit Evropian. Kjo siç duket – duke pasur ndër mend krizën e ditëve të fundit në vendlindjen e saj në Mitrovicë, në veri të Kosovës, të shkaktuar nga banda terroriste serbe të sponsorizuara nga Beogradi zyrtar – në përpjekje për të destablizuar Kosovën, rajonin dhe më gjërë.

Pasojnë disa nga pjesët më pikante të fjalimit të të Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në fjalimin e saj para Parlamentit Evropian të mërkurën në Strasburg: “Presidentja Vjosa Osmani: “Unë kam folur sot se sa shumë ndajmë me BE-në – si Kosova ashtu edhe Ukraina – sepse dy vendet tona, pavarësisht distancës, ndajnë një histori pikëllimi në tokën e përbashkët evropiane, por një të ardhme me potencial dhe mundësi të mëdha në familjen e përbashkët evropiane. Asgjë nuk e ilustron këtë më fuqishëm sesa ngjyrat e përbashkëta të flamujve tanë – e kaltërta dhe e verdha. Së bashku, këto ngjyra përfaqësojnë shpresën për një agim të ri."

Presidentja Vjosa Osmani: “25 vjet më parë, këtu në Strasburg, lideri ynë vizionar, Presidenti Rugova është nderuar me çmimin Saharov nga Parlamenti Evropian. Evropa jo vetëm që ia kishte hapur dyert Presidentit Rugova, por kishte hapur zemrat dhe mendjet e saj për një popull të shtypur sistematikisht."

Presidentja Vjosa Osmani: “Që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008, populli dhe institucionet e Kosovës kanë nisur një rrugëtim të jashtëzakonshëm të transformimit, rritjes dhe prosperitetit të vazhdueshëm. Ne kemi punuar pa u ndalur për të forcuar institucionet tona, për të nxitur rritjen ekonomike dhe për të konsoliduar demokracinë tonë.”

Presidentja Vjosa Osmani: “Ka ardhur koha që Kosova të bëjë hapa domethënës përpara në rrugën e saj drejt BE-së. Udhëtimi ynë është shënuar nga sakrifica, vendosmëria dhe nga një besim i palëkundur në vlerat që lidhin kombet tona së bashku. Ne jemi të gatshëm t’i bashkojmë forcat tona me ju, për të kontribuar për një Evropë më të fortë, më të begatë dhe të bashkuar."

Presidentja Vjosa Osmani: Republika jonë e re lindi nën ritmin dhe tingujt e Evropës.  Ashtu si shpirti i patrembur i një Republike të sapolindur, himni “Ode of Joy” rezononte me ndjenjat që mbartnim në zemrat dhe shpirtërat tanë, duke adhuruar dhe përqafuar idealet e lirisë, paqes dhe solidaritetit."

Presidentja Vjosa Osmani: “Fjalimin tim sot e nisa me Presidentin Rugova dhe dua ta përfundoj me një tjetër fitues të çmimit Sakharov nga Kosova, Adem Demaçin, i cili kaloi gati 3 dekada të jetës së tij në burg për shkak të luftës së tij për një Kosovë të lirë, ku respektohen të drejtat e njeriut, për të gjithë. Duke folur me rastin e marrjes së Çmimit Sakharov në vitin 1991, ai ka thenë: “Duke më nderuar mua, ju po nderoni popullin e Kosovës, një popull paqëdashës dhe liridashës që po kalon vuajtje të mëdha”.

Presidentja Vjosa Osmani: “Zgjodha të flas edhe për të kaluarën tonë, sepse ajo ka formësuar të tashmen tonë dhe mbetet jetike teksa krijojmë të ardhmen tonë”.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani duke folur të mërkurën në Parlamentin Evropian.  Presidentja Vjosa Osmani:Një vend dhe një demokraci nuk është më e fortë për shkak të ndonjë individi apo lideri, apo ndonjë reforme të caktuar. Forca e një vendi vjen nga forca kolektive e popullit të tij”.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora